OpEd

Heronjtë e vërtetë të Kosovës kundër «Republikës së Mahongshit»

Çdokush që dëshmon për krime është hero. Andaj përpjekja e eksponentëve të PDK-së për t’i frikësuar dëshmitarët eventualë të Gjykatës Speciale duhet dënuar. Një parti që kërcënon dëshmitarët dhe premton sundim të ligjit duhet të ndëshkohet në zgjedhje, sepse nuk ka kurrfarë kredibiliteti.

Pak kosovarë e dinë kush është Jean-Charles Gardetto. Në vitin 2011 ky raportues i Këshillit të Evropës publikoi një raport të hollësishëm mbi trajtimin e dëshmitarëve në Ballkan. Në atë dokument një vëmendje e madhe u kushtohet edhe dëshmitarëve të krimeve të luftës në Kosovë. Gardetto thekon se dëshmitarët në Kosovë frikësohen dhe janë të frikësuar, ata po ashtu shpesh janë të shqetësuar madje për jetën e tyre. Për trajtimin e krimeve të luftës është e domosdoshme që dëshmitarët të jenë të mbrojtur. Vetëm pas dëshmive të besueshme mund të ketë një ballafaqim me të kaluarën dhe padrejtësia e bërë ndaj viktimave të marrë përgjigje nga drejtësia e pavarur. Frikësimi i dëshmitarëve ka për pasojë mbetjen e krimeve të patrajtuara nga drejtësia dhe kësisoj hapet rruga që në jetën publike të luajnë rol njerëz, të cilët vendin e kanë në burg.

Ndjekja e të dyshuarve për krime të luftës nuk është qëllim në vetvete, por obligim i shtetit, i shoqërisë. Kur shteti dhe shoqëria nuk janë në gjendje të bëjnë këtë ose refuzojnë ta bëjnë, siç ka ndodhur në shumë vende të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, atëherë vepron bashkësia ndërkombëtare me gjykata të përkohshme. A është kjo drejtësi ideale? Jo. Ideale do të ishte nëse një shoqëri gjen vetë forcën dhe ka vetëdije për të ndarë drejtësi me qëllim që kështu të mundësohet pajtimi dhe bashkëjetesa paqësore. Drejtësia e kryen një pjesë të punës. Detyrë tjetër e shteteve është të zhdëmtojnë viktimat, të themelojnë Komisione të së Vërtetës dhe të ndërtojnë një sistem të tillë juridik që parandalon përsëritjen e krimeve të luftës.

Çdokush që dëshmon për krime është hero. Andaj përpjekja e eksponentëve të PDK-së për t’i frikësuar dëshmitarët eventualë të Gjykatës Speciale duhet dënuar. Një parti që kërcënon dëshmitarët dhe premton sundim të ligjit duhet të ndëshkohet në zgjedhje, sepse nuk ka kurrfarë kredibiliteti. Dhe kërcënimi i dëshmitarëve u pa sidomos në mbledhjen e fundit të parlamentit, kur dy deputetë të PDK-së hapur, pa fije turpi, në mënyrën më të pandershme kërcënuan dëshmitarët. Përse atëherë duhet të befasohemi që bashkësia ndërkombëtare është e detyruar të themelojë një gjykatë të veçantë, me gjykatës dhe prokurorë të huaj, për të trajtuar një pjesë të krimeve të luftës që dyshohet t’i kenë kryer disa nga krerët e UÇK-së? Përse ndaj fushatës së hapur të PDK-së për kërcënimin e dëshmitarëve nuk proteston pothuaj askush? Ndërsa të gjithë e kanë gojën plot drejtësi, të gjithë duan të jenë pjesë e Evropës së civilizuar, të gjithë duan të kenë shtet që i mbron kur u shkelen të drejtat, të gjithë duan liberalizim vizash, polici të pakorruptuar. Të gjithë kanë shumë dëshira, por kur vjen puna e denoncimit të krimit, e dhënies së dëshmive jo pak njerëz fusin kokën në zall, bëhen të kujdesshëm nga frika se do të atakohen nga bandat e PDK-së, të cilat nuk kanë asnjë interes të funksionojë drejtësia.

Sistemi i drejtësisë i PDK-së përbëhet nga disa gjykatës dhe prokurorë që i kanë shërbyer me verbëri sistemit represiv jugosllav dhe tani përpiqen të duken si patriotë duke mos vepruar kundër të dyshuarve për krime.

Pikërisht për këtë arsye në vitet e ardhshme opinioni kosovar do të adaptohet me emra të gjyqtarëve dhe prokurorëve të huaj – nga Bullgaria në Amerikë -, të cilët ndajnë drejtësi.

Gjykatën Speciale Kosova e ka dhuratë nga PDK-ja. Kjo parti e ka penguar drejtësinë, kjo parti ka futur në politikë figura me hipoteka të mëdha nga e kaluara, kjo parti i ka mbrojtur, i ka favorizuar, u ka krijuar hapësirë të tillëve. Tani përpiqen që të dyshuarit për krime në radhët e tyre t’i paraqesin si heronj dhe t’i njollosin dëshmitarët dhe të kërkojnë solidaritet shoqëror ndaj manipuluesve e kriminelëve që në raporte kredibile ndërkombëtare akuzohen se kanë «urdhëruar, e ndonjëherë do të kenë ndjekur edhe personalisht, realizimin e një numri vrasjesh, burgosjesh, agresionesh dhe marrjesh në pyetje, në rajone të ndryshme të Kosovës dhe konkretisht, çka na intereson në mënyrë më të veçantë, gjatë operacioneve të kryera nga UÇK-ja në territorin shqiptar, në vitet 1998-2000». Të gjitha këto nuk janë bërë pa fuqi financiare. Krerët e kësaj strukture kanë «kërkuar konkretisht mjete novatore për të përdorur e investuar milionat e dollarëve të krijuar nëpërmjet dhurimeve të derdhura jashtë shtetit për kauzën e UÇK-së».

Në zgjedhjet e ardhshme të tillët do të kërkojnë sërish vota. Të tillët do të premtojnë integrim të Kosovës në BE, ndërsa gjasat janë më të mëdha që këta të integrohen vetë në qelitë e Hagës. Me figura të tilla Kosova nuk do të ecën kurrë përpara. Do të mbetet një gropë e zezë e Evropës, një fole e intrigave primitive ballkanike, ku politika zhvillohet jashtë institucioneve dhe ku fjala më e përdorur në komunikimet publike dhe private do të jetë: «Ma hongsh». Ju mbetet qytetarëve të Kosovës të vendosin nëse duan të jetojnë në Republikën e «Mahongshit», ku si vlerë publike prezantohet sall prostitucioni politik si forma më e tmerrshme e prostitucionit.