Shqipëria dhe Maqedonia Veriore aktuale s’do të anëtarësohen në BE-në e sotme

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 14 July 2019 08:00

Nuk është i pranueshëm argumenti i “nevojave për reforma të brendshme të BE-së para se të vazhdohet me zgjerimin”, të cilin e përmend presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Sepse për reforma duhet të kalojnë shumë vjet. E fjala është kësaj radhe vetëm për vendim për nisjen e negociatave. Pas nisjes së negociatave do të ketë hiç më pak se 72 raste për të penguar përparimin e secilit kandidat në procesin e integrimit. Dhe në fund do të ketë mundësi refuzimi nga secili shtet i BE-së edhe nëse përmbushen të gjitha kushtet dhe nënshkruhet Traktati i anëtarësimit

Rastet e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut janë një test në këtë periudhë transitore, pas së cilës mund të dihet më shumë se nga do të shkojë procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian. Në këtë proces, deri më tash, BE-ja ka ruajtur parimin e “qasjes individuale bazuar në meritat e kandidatit në përmbushjen e kushteve”. Pra, pak a shumë, në proces vendi kandidat i ka përmbushur kriteret e caktuara në ndonjë kapitull të caktuar, Komisioni Evropian e ka verifikuar këtë, dhe BE-ja e ka bërë hapin e radhës duke hapur apo mbyllur ndonjë kapitull.

Tash duket se shtetet kryesore të Bashkimit Evropian - Franca, Gjermania dhe Holanda - duan të dëshmojnë se procesi i zgjerimit në të ardhmen do të varet nga të dy anët: e para, nga performanca e vendit kandidat, dhe e dyta, edhe nga gatishmëria e BE-së. Kjo qasje ka ekzistuar edhe në të kaluarën, por ajo nuk është shfrytëzuar për të bërë pengesa që në fazën e hershme. Para se të ndodhte zgjerimi i madh në vitin 2004, BE-ja kishte ndryshuar Traktatin, duke arritur Traktatin e Nicës, në mënyrë që edhe ajo të jetë e gatshme të pranojë kaq shumë anëtarë përnjëherë.

Me Traktatin e Nicës u krijuan kushtet administrative dhe financiare, u caktuan numri i vendeve dhe i votave në institucionet e BE-së, ndarja e fondeve nga buxheti i përbashkët, për ta bërë të mundshëm funksionimin e BE-së me atëherë 25 e më vonë 27 shtete anëtare. Por edhe kjo ishte një zgjidhje e përkohshme. BE-ja bëri përpjekje për ta arritur një “Kushtetutë evropiane”, e cila do ta reformonte thellësisht atë. Por pikërisht Franca dhe Holanda e fundosen, duke e refuzuar atë në referendum. Pra, po këto dy shtete që sot janë më së shumti kundër procesit të zgjerimit me ndonjë ritëm normal. Pastaj, si një lloj zëvendësimi i “Kushtetutës” së dështuar evropiane u arrit Traktati i Lisbonës, sipas të cilit sot vepron BE-ja.

Pra, kriteri që “edhe BE-ja duhet të jetë e gatshme për të absorbuar anëtarë të rinj” nuk është ndonjë gjë e re. “Kapacitetet absorbuese të BE-së” kanë qenë përherë kriter. Është forcuar nga droja e disa qarqeve në BE se në rast të anëtarësimit të Turqisë, e cila do të ishte, krahas Gjermanisë, shteti më i madh anëtar, relativisht i varfër nëse krahasohet me standardet e BE-së, atëherë kjo do të paraqesë barrë të madhe për Bashkimin Evropian.

Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk paraqesin ndonjë peshë të madhe sa i përket numrit të banorëve. Të gjitha së bashku kanë më pak banorë se Polonia, e diku sa Rumania. Por për pesë shtete do të duhej siguruar edhe vendet në Parlamentin Evropian, votat në Këshill, në Komisionin Evropian. Siç pati thënë një herë Valery Giscard D’Estaing, ish-president i Francës, kur vendet e ish-Jugosllavisë të anëtarësohen në BE, do të kenë më shumë vota, më shumë komisionarë sesa Franca!

Por kjo duhet të jetë Evropa e re, e bashkuar. Edhe pse BE-ja nuk e ka të lehtë që të marrë vendime me 28 shtete anëtare, përparimi i këtyre vendeve drejt BE-së nuk paraqet ndonjë pengesë për reformat e brendshme.

Është e qartë se Shqipëria e së sotmes, bashkë me Maqedoninë Veriore të së sotmes nuk do të anëtarësohen në BE-në e së sotmes. Nëse vjen, dhe kur të vijë ajo ditë që këto dy shtete të bëhen anëtare të BE-së, edhe ato, edhe BE-ja do të jenë shumë më ndryshe ngaqë janë sot. BE-ja do të ketë më shumë fusha ku vendoset me shumicë votash e jo me konsensus, do ta ketë më të qartë kushtëzimin për vendet anëtare e jo vetëm për kandidatët, do të ketë më shumë shtete në eurozonë. Por mund të ndodhë që të ketë edhe grupe brenda vetë BE-së që do të integrohen në nivele të ndryshme, e ndoshta do të ketë edhe “Evropë të dy shpejtësive”. Vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria e po ashtu dhe Maqedonia Veriore, do të duhet të jetë shumë ndryshe nëse do të mundë të anëtarësohen në BE. Por kjo ditë është aq larg, saqë është e gabuar dhe e dëmshme që të paraqiten pengesa që në fillim.

Franca dhe Holanda, me një mbështetje të heshtur tipike gjermane (duke u arsyetuar me procedura), penguan që Shqipëria dhe Maqedonia Veriore të marrin datën për nisjen e negociatave. E bënë këtë vitin e shkuar dhe e përsëritën edhe sivjet. Kësaj radhe vendimi u shty për tetor, dhe deri atëherë gjithçka mund të ndodhë.

Nuk është i pranueshëm argumenti i “nevojave për reforma të brendshme të BE-së para se të vazhdohet me zgjerimin”, të cilin e përmend presidenti francez Emmanuel Macron. Sepse për reforma duhet të kalojnë shumë vjet. E fjala është kësaj radhe vetëm për vendim për nisjen e negociatave. Pas nisjes së negociatave do të ketë hiç më pak se 72 raste për të penguar përparimin e secilit kandidat në procesin e integrimit. Dhe në fund do të ketë mundësi të refuzimit nga secili shtet i BE-së edhe nëse përmbushen të gjitha kushtet dhe nënshkruhet Traktati i anëtarësimit. Franca ka përvojë se si dikur kishte refuzuar anëtarësimin e Britanisë së Madhe në BE, në fund të procesit.

Nisja e negociatave do t’i jepte BE-së, e me këtë edhe vendeve anëtare, edhe më shumë fuqi për të bërë presion ndaj vendeve kandidate për reforma, luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kushtet gjatë procesit do të ishin më konkrete, më të sakta, më të matshme dhe përmbushja e tyre do t’i ndryshonte për të mirë vendet kandidate.

Nëse vazhdon hezitimi i BE-së, nëse do të ketë prapë raste të refuzimit të vendeve që i kanë përmbushur kushtet, sikur është tash rasti me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, atëherë kjo do të dekurajojë reformat dhe do të kthejë parapa disa procese që, megjithatë, kanë shkuar mirë në këto shtete. Maqedonia Veriore është shembull i mirë për këtë. Prej vitit 2008, kur u refuzua anëtarësimi i saj në NATO, gjërat në këtë shtet shkuan në drejtim të gabuar, për të shënuar kthesë tani. Dhe nëse proceset e reformave në Ballkanin Perëndimor ngecin, apo kthehen prapa, kjo do të shkatërrojë edhe atë që BE-ja ka bërë me ndihmat dhe angazhimet e saja shumëvjeçare në këtë rajon.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj