14 vjeç dhëndër politikan

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 29 April 2019 08:06

Sigurisht se e dini veprën teatrale të komedisë, në katër akte, të autorit tonë Andon Zako Çajupi “14 vjeç dhëndër”. Ajo në thelbin e saj përqeshte traditat dhe martesat e aranzhuara të asaj kohe. Tana e bind Vangjelin se duhet ta martojë djalin 14-vjeçar me një grua të pjekur, vetëm duke ia kujtuar që dhe vetë kështu ishte martuar.

Është e vështirë të shkruash ditar me kabllograme diplomatike dhe me ngjarjet nga vendi e bota, dhe shpeshherë të mishërohesh me tmerret që ne si qenie njerëzore jemi në gjendje që t’ia shkaktojmë njëri-tjetrit. I referohem ngjarjes së fundit në Sri-Lankë, ku pas sulmeve terroriste vetëvrasëse në ditën e Pashkëve mbetën të vdekur 340 persona. Përgjegjësinë për këto sulme e ka marrë mbi vete ISIS-i, si shenjë hakmarrjeje ndaj sulmit terrorist në Zelandën e Re. Sa i marrë edhe sa trushpëlarë duhet që të jesh për të ndërmarrë një akt të tillë ndaj njerëzve të pafajshëm?

Dhe kur të gjitha këto thjeshtëzohen deri në arsyet pse ndodhin, “arsyeshmëritë” janë banale. “Ka vetëm një Zot dhe vetëm Zoti të cilit unë i besoj është ai i vërteti”. Kjo është fjalia më vrasëse në historinë e njerëzimit, dhe aspak nuk më intereson se cila nga palët religjioze e ka thënë atë në kohë të caktuar të historisë. Të drejtën në besim e ka secili, por nuk e ka të drejtën e privimit nga jeta e tjetrit, i cili mund t’i përkasë një besimi tjetër apo të mos ketë besim në figura imagjinare fare.

Të gjitha viktimave të pafajshme të të gjitha besimeve u qoftë dheu i lehtë dhe u prehshin në paqe!

Në temën e besimit religjioz ndërlidhet edhe kabllogrami tjetër, ku më se 100 persona me prejardhje nga Kosova u riatdhesuan në Kosovë nga Siria dhe luftimet të cilat ndodhën atje. Disa nga të arrestuarit rezultojnë të jenë ish-luftëtarë të ISIS-it, të tjerët fëmijë jetimë pa asnjërin prindër dhe disa janë gra, burrat e së cilave ose kanë vdekur në luftë, ose janë ende të burgosur atje për krimet që mund t’i kenë bërë. Është temë shumë e ndjeshme e aq më shumë kur kemi të bëjmë me një shtet aq të brishtë si Kosova. A është shoqëria kosovare e aftë për t’i integruar ata dhe për t’ua dhënë atyre fëmijëve përkrahjen e duhur institucionale? Ne çdo ditë lexojmë për vrasjet e ndryshme brenda familjes, të cilat ndodhin në Kosovë dhe viktimat shpeshherë janë të identifikuara edhe para se që vrasjet të ndodhin. Njëjtë është edhe rasti i vrasjes së dyfishtë së fundmi në Prishtinë javën që e lamë pas. Prokuroria paska qenë në dijeni qysh nga viti 2017, por nuk është ndërmarrë asgjë. Ndërlidhja me të riatdhesuarit qëndron në brishtësinë e zgjidhjeve sociale, të cilat institucionet e Kosovës mund t’i ofrojnë për integrimin e mirëfilltë dhe tejkalimin e traumave psikologjike të të pafajshmëve të riatdhesuar, fëmijët. Të rriturit duhet të jenë në gjendje të merren me pjesën e përgjegjësisë së tyre se si e pse përfunduan atje, ndërsa ata të fajshmit të dënohen për krimet që mund t’i kenë bërë! Kjo e fundit mbetet në trajtën dëshirore, pasi që ne si shoqëri nuk jemi në gjendje t’i evidentojmë dhe t’i identifikojmë krimet në vendin tonë e lëre më krimet e luftës që mund të jenë bërë nga ndonjëri prej kosovarëve të riatdhesuar, në Sirinë apo Irakun e largët.

Jemi dëshmitarë të shumë kabllogrameve, debateve dhe intervistave të shumta me protagonistë të ndryshëm nga ngjarjet e njëjta historike, të cilat ndërlidhen me Betejën e Koshares. Nuk dëshiroj të hyj në ato hollësirat se kush çka tha në lidhje me ato beteja dhe pjesëmarrjen e tyre në to, mirëpo atë që mund ta them është se komandant Nesim Haradinajt nuk i është dashur as kallash, as ndonjë armë tjetër e zjarrit. Ai do ta shpërthente kufirin shqiptaro-shqiptar me vetëm një megafon aq sa i zhurmshëm që është. Armikut do t’i shkaktonte dëme të pashërueshme irrituese të shqisave të dëgjimit. Unë gjithmonë e kam zgjidhjen që ta ndërroj programin e televizionit, kur ai është mysafir në ndonjërën nga studiot televizive, por ja që armiqtë në fushëbetejë nuk do ta kishin atë luks.

Sot përderisa e shkruaj ditarin tim, “kremtoj” ditëlindjen e presidentit Hashim Thaçi. Jam paksa i zhgënjyer pse një ditë e ndritur si kjo nuk është në listën e festave shtetërore? Betimi i pionierëve të Hashim Thaçit. Bartja e stafetës së gërdisë nga secili cep i Kosovës nga djemtë dhe çikat më të mira të Kosovës deri në destinacionin final “Fushën e silikonit”, investimin më të madh të qeverive të mëparshme Thaçi, ku në ditën e ditëlindjes do të organizohej një program kulturo-artistik nga të gjithë artistët që presidenti i ka dekoruar deri më tani. Mendoj se idenë e kam gjeniale, vetëm u mbetet Kuvendit të Kosovës dhe deputetëve që ta propozojnë këtë ligj dhe natyrisht ta aprovojnë atë.

Sigurisht se e dini veprën teatrale të komedisë, në katër akte, të autorit tonë Andon Zako Çajupi “14 vjeç dhëndër”. Ajo në thelbin e saj përqeshte traditat dhe martesat e aranzhuara të asaj kohe. Tana e bind Vangjelin se duhet ta martojë djalin 14-vjeçar me një grua të pjekur, vetëm duke ia kujtuar që dhe vetë kështu ishte martuar.

Tana është Baton Haxhiu, Vangjeli është Edi Rama, nusja është Shqipëria, ndërsa dhëndri është Gent Caka. Ky i fundit, në emisionin e fundit tek Blendi Fevziu, deklaroi se me politikë merret qysh nga mosha 14-vjeçare. Paksa vonë paske filluar të merresh me politikë ministër! Unë dhe shokët e mëhallës sime, e ngjashme ishte situata edhe në lagjet e tjera, filluam që të merreshim me politikë në moshën 7-vjeçare. Ç’është e vërteta, sistemi ishte njëpartiak asokohe, por ajo nuk na ndalonte të shprehnim ide brilante si shkëndija të para të demokracisë pluraliste, diçka si “topin e Ardianit, pasi që e përfundojmë lojën e merr Leka në shtëpinë e tij”. Këtu lindën fillet e para të social-demokracisë, “çka është e imja, është e imja, por ajo që është e jotja është gjithashtu e imja”. Parime dhe platforma paksa të ndërlikuara politike për kokat e 7-vjeçarëve lozonjarë, por që zbatoheshin dhe funksiononin si ora zvicerane. E kuptoj entuziazmin e ministrit Cakaj, i cili me çdo kusht dëshiron të na paraqesë pjekurinë, si dhe inteligjencën e tij të zbuluar nga Baton Haxhiu. Fundja, nuk po dyshoj unë në zgjuarsinë as në elokuencën e ministrit, mirëpo deri më tash unë i pashë dy aktet e para të komedisë “14 vjeç politikan”. E para ishte tentimi për impresionimin e publikut me recitim të një poezie dhe huqje totale të ministrit, akti i dytë i kësaj komedie është kjo deklarata e tij se me aktivitetet politike merret që nga mosha 14-vjeçare, pasi që ka qenë pjesëmarrës në një protestë të VV-së.

Analizojeni ose shtjellojeni si të dëshironi atë fjali, më quani edhe cinik, sepse jam mësuar edhe me atë tashmë, por pjesëmarrja në një protestë si 14-vjeçar nuk të bën që të merresh me politikë. Në fakt, politika është marrë me ty dhe të ka qitur në rrugë, që ti ta manifestosh një pakënaqësi tënden, por assesi nuk je marrë ti me politikën. Sot je një ushtrues detyre i ministrit për Punë të Jashtme të Shqipërisë dhe post ky me shumë përgjegjësi shumëdimensionale. Jo, nuk kam unë asgjë personale kundër ministrit. Në fakt, uroj që edhe shumë të rinjve të tjerë shqiptarë qoftë nga trojet shqiptare, qoftë nga diaspora t’u jepen raste dhe pse jo edhe pozita në kuadër të shteteve tona, por ata të rinj nuk kanë nevojë të na impresionojnë me gjëra të cilat vetëm i qesin edhe më qesharakë, sepse as që është diçka që pritet nga ta në ato pozita të caktuara, (të recitojnë, të jenë marrë me politikë nga mosha 14-vjeçare). Tre masterë të përfunduar nuk të bëjnë politikan, edhe kjo është më se e sigurt (më fal që në Kosovë rrallëkush e meriton epitetin e politikanit). Mund ta kesh të njohur teorinë dhe ta kesh pasuruar vokabularin tënd politik, por kjo është vetëm njëra anë e medaljes së të qenit politikan. Për atë anën tjetër, që ndërlidhet me përvojën dhe veprimet e tua, koha do të jetë dëshmitare. Shkarkimin e 28 diplomatëve të karrierës nga ana e ministrit nuk mund ta komentoj, sepse nuk i di angazhimet apo mosangazhimet e tyre, por një kredi do t’ia jap për shkarkimin e konsujve të nderit të Shqipërisë, Rrahim Pacolli dhe Blerim Devolli, me kushtin se kjo ka qenë iniciativë e aprovuar e ministrit e jo zbatim i urdhrit.

Post mortem - Dejan Anastasijeviq

Sot është ndarë nga jeta e tij gazetari serb nga Beogradi, Dejan Anastasijeviq.

Në kohën më të vështirë për të qenë gazetar dhe për të raportuar të vërtetat mbi krimet makabre mbi popullatën shqiptare, dhe të qëndroje kundër regjimit të Slobodan Milosheviqit në vitet ‘98-‘99 ishte tregim më vete. Dejani e bëri atë. Ndërgjegjja njerëzore mbijetoi mbi nacionalizmin e tërbuar.

U prehsh në paqe njeri i mirë!

Së keqes duhet t’i thuhet e keqe, qoftë edhe nëse buron nga familja jote një gjë e tillë, ndërsa të mirës asnjëherë mos i hyn në hak!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani