Të pavërtetat nuk i bëjnë nder heroit Sali Çekaj dhe as luftës çlirimtare e heroike të Kosovës!

Hafiz Gagica Hafiz Gagica 20 April 2019 13:47

Organizimin e grupeve të para guerile dhe dërgimin e tyre në Shqipëri për stërvitje e kanë bërë dy degët e LDK-së, ajo në Gjermani dhe ajo në Zvicër . E gjithë puna është koordinuar përmes Zyrës së Kosovës në Stuttgart, Zyrës së Kosovës në Tiranë dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë

Dje, me 19. 04. 2019, në Prishtinë nën patronazhin e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës u mbajt akademi përkujtimore kushtuar heroit të Kosovës, Sali Çekaj, në të cilën ushtaraku, Kastriot Hoxha, tani në pension, lexoi një fjalim i cili binte në kundërshtim me kodin ushtarak dhe politik .

E para, ushtaraku K. Hoxha dhe kolegët e tij kanë qenë të angazhuar për stërvitje të grupeve të para ushtarake të Kosovës në Shqipëri në vitin 1991 nga ushtria shqiptare dhe atë nga një rreth i ngushtë i hierarkisë së ushtrisë, si dhe për kujdesin edhe akomodimin e tyre në Surrel, por jo edhe për organizime tjera!

Ushtaraku, K. Hoxha, sikur i porositur lexoi dje në akademinë në fjalë një shkrim të përgatitur, se gjoja në bazë të marrëveshjes së “dy qeverive”, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në Mërgim , ai së bashku me kolegët tjerë në bazë të asaj marrëveshjeje e paskan bërë ‘’organizimin, planifikimin dhe trajnimin e tyre’’. Ai, mund të fliste se me çfarë armësh kanë ushtruar djemtë tanë në Shqipëri, çfarë ushqimi kanë ngrënë dhe cilat rroba i kanë përdorur, por jo edhe për përmbajtje politike dhe ushtarake të marrëveshjes. Me aq sa unë e di, personin në fjalë, janë shefat e tij të cilët e kanë dërguar atje lart në Surrel për t’i ushtruar djemtë tanë, e jo për të bërë lista, pasi që një gjë e tillë ka qenë rreptësisht e ndaluar!

Duke e dëgjuar fjalimin e djeshëm të ushtarakut K. Hoxha, jam i shtyrë të reagoj, sidomos ndaj atyre që e kanë ftuar në akademinë përkujtimore për Sali Çekajn, sepse ai si ushtarak do duhej ta dinte se kush nga ana kosovare e bëri marrëveshjen me qeverinë shqiptare në Tiranë, sepse në kohë të marrëveshjes me kreun e shtetit shqiptar si dhe përgatitjet e grupeve për t’u dërguar për ushtrime ushtarake në Shqipëri, nuk kishte akoma qeveri të Kosovës në Mërgim.

Nga kjo rrjedh se; nuk kishte marrëveshje mes dy qeverive, që rezulton se K. Hoxha nuk e dinte se kush dhe çfarë roli kishte në ato grupe, sepse të gjithë ishin të barabartë dhe në atë kohë nuk kishte komandantë, por patriotë dhe intelektualë që shkuan me dëshirë të madhe në Shqipëri për të ushtruar me disa armë të nevojshme për rrethanat e situatës në Kosovë.

Vendimi për t’u kthyer në Kosovë përmes vijës tokësore në këmbë të një pjese të stërviturve është marrë në Zyrën e Kosovës në Tiranë, me 21 tetor 1991, shef i asaj Zyre ishte Profesor Ali Aliu i deleguari i Presidentit Rugova ne Shqipëri dhe, me atë rast Sali Çekaj vullnetarisht e ka marrë përsipër të hyjë në këmbë në Kosovë, kurse me logjistikën dhe përgatitjet tjera është marrë Halil Hyseni!

Ata që e kanë njohur mirë Sali Çekajn, e dinë se ai nuk do pranonte shtrembërime të këtilla të historisë të cilat në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës përmes deklaratave kundërthënëse, vetë lavdeve dhe gënjeshtrave të shumta. Me qëllim të shtrembërimit të fakteve historike rreth përgatitjeve tona për vetëmbrojtje si dhe për vetë ecurinë e saj. Përmes gënjeshtrave të qëllimshme, nuk i bëjnë nderë luftës tonë çlirimtare dhe as heronjve të Kosovës !

Me duhet ta përsëris për të satën herë, se organizimin e grupeve të para guerile dhe dërgimin e tyre në Shqipëri për stërvitje e kanë bërë dy Degët e LDK-së, ajo në Gjermani dhe ajo në Zvicër dhe e gjithë puna është koordinuar përmes Zyrës së Kosovës në Stuttgart, Zyrës së Kosovës në Tiranë dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, nga e cila ministri ka qenë i ngarkuar Halil Hyseni, shef i furnizimit të ushtrisë shqiptare. Prandaj iu bëjë thirrje atyre që duan të merren me faktet e vërteta historike të ndalen me shtrembërimin e tyre, sepse kështu nuk i shërbejnë të mirës së Kosovës dhe kombit shqiptar!

Saliu, ishte ndryshe nga të gjithë ata që sot flasin për të, ngase ai ishte vetë historia e re e Kosovës dhe çuditërisht asnjëherë ata analistë dhe “historianë’’ të Saliut nuk e thonë, se ai ishte pjesë e Degës së LDK-së në Gjermani ku punoi 8 vjet pa u ndalur kurrë. Saliun e madhështon edhe më shumë, përpjekja e tij për unifikimin e të gjitha forcave ushtarake duke e rreshtuar atë në pjesën më të ndritshme të historisë sonë të lavdishme, ngase pikërisht ishte madhështia e tij ajo e cila ngriti në piedestalin e heronjve të Kosovës!

Stuttgart, 20. 04. 2019

(Autori është ish -udhëheqës i Zyrës së Kosovës në Stuttgart, ish kryetar i LDK-së, Dega në Gjermani si dhe kryetar i Kolegjiumit të degëve të LDK-së në Perëndim.)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Arbr22/04/2019 14:10

Nuk e përmendin se ka qenë pjesë e LDK's sepse nuk ju konvenon.

Shto koment