Master Plani “Prishtina 2021-2041”

Petrit Çarkaxhiu Petrit Çarkaxhiu 18 April 2019 23:04

Një skenar i mundshëm për kryeqytetin

1.

Pas tërmetit shkatërrues në qytetin e Shkupit në vitin 1963, arkitekti japonez me famë botërore Kenzo Tange punon master planin për rindërtimin e qytetit, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara. Punimet kryhen në bashkëpunim me arkitektë lokalë dhe ato përfundojnë pjesërisht në vitin 1980, duke e shndërruar Shkupin në një qytet me hapësira të gjera dhe mirë të organizuar. Pikë e rëndësishme në këtë rrëfim është angazhimi i arkitektëve të huaj nga ana e Jugosllavisë komuniste të asaj kohe, edhe me gjithë faktin se posedonin shkolla të arkitekturës aspak të dobëta, si ajo e Lubjanës apo e Zagrebit, apo edhe arkitekt maqedonas sikur që ishte Janko Konstantinov (nxënës i arkitektit finlandez me nam Alvar Alto), i cili kishte projektuar objekte për Shkupin e ri. Ky vendim medoemos duhej të vinte për dy arsye primare: e para sepse jugosllavët ishin të vetëdijshëm për kapacitetet e veta dhe e dyta dhe më e rëndësishmja, sepse jugosllavët kishin vizion. Sot maqedonasit sillen e pështillen, ndërtojnë e mbindërtojnë në hapësirat e dala nga ky vizion.

Një paralele pak a shumë mund ta tërheqim edhe me rastin e qytetit të Tiranës. E tëra çfarë Tirana sot ka e me të cilën mund të mburret janë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe Sheshi “Skenderbej”, si dhe objektet përcjellëse qeveritare të cilat erdhën si iniciativë e Mbretit Zog, duke angazhuar arkitektët italianë Armando Brasini dhe Florestano Di Fausto. Këta dy arkitektë janë autorët kryesorë të këtyre dy hapësirave identifikuese të qytetit të Tiranës. Madje është e njohur thënia e një arkitekti francez, i cili në atë kohë kishte vizituar Tiranën e që ndër të tjera kishte deklaruar: “kam parë qytete pa bulevard, mirëpo asnjëherë nuk kam parë bulevard pa qytet”. Mirëpo, sot pas pothuaj 100 vjetësh, organizimi dhe zhvillimi i Tiranës në bazë të këtij bulevardi po del të jetë tejet largpamës. Si në rastin e Shkupit edhe në rastin e Tiranës vendimi për angazhimin e arkitektëve të huaj, gjithashtu, duhej të vinte për dy arsye primare: e para, sepse Mbreti Zog ishte i vetëdijshëm për kapacitetet e Mbretërisë së tij dhe e dyta dhe më e rëndësishmja, sepse Mbreti Zog kishte vizion. Qe 70 vjet shqiptarët sillen e pështillen, ndërtojnë e mbindërtojnë pikërisht mbi këto hapësira të dala nga ky vizion.

Para disa viteve në Fakultetin e Arkitekturës në Prishtinë u ekspozuan gjërat personale si dhe vizatimet e punimet e njeriut më meritor për shkollën e arkitekturës në Kosovë, Bashkim Fehmiut. Ajo çfarë më bëri përshtypje ishin vizatimet e planet për hapësirën universitare në Prishtinë (një pjesë e madhe e së cilës ka ngelur e parealizuar), si dhe organizimi i hapësirave ku gjenden disa prej objekteve më emblematike të Prishtinës, si: Stadiumi i Prishtinës, Pallati i Rinisë dhe Sporteve i lidhur me Hotel Grandin, si dhe skicime të tjera të planifikimeve urbane të Prishtinës. Me siguri që gjeneratat më të vjetra i njohin më mirë aktorët e planifikimit të Prishtinës të asaj kohe dhe padyshim që kishte kuadro kosovare edhe më profesionale se ato të sotmit. Prapë se prapë nga këto projekte që ishin ekspozuar kuptohej qartazi se kosovarët ishin të vetëdijshëm për kapacitetet e veta (të vogla), mirëpo ajo që ishte më e rëndësishmja, ata kishin një vizion. Prej përfundimit të luftës më 1999 kosovarët sillen e pështillen, ndërtojnë e mbindërtojnë pikërisht në hapësirat e dala nga ky vizion. I fundit që mbrojti këtë vizion të Prishtinës ishte arkitekti Rexhep Luci. Ai këtë e pagoi me jetë.

2.

Vrasja e Rexhep Lucit, përveç që është një ngjarje kriminale, pasojat e së cilës janë duke i paguar shtrenjtë të gjithë qytetarët e Prishtinës, është gjithashtu edhe një moment sinjifikant prej së cilit duhet të nxjerrim mësim. Dinamikat e zhvillimeve të pasluftës kërkojnë zgjidhje të reja, të cilat nuk përkojnë më me vizionin e Prishtinës së dikurshme. Si qendër administrative, e biznesit, arsimit dhe e kulturës, është normale që pas ndërrimit të sistemit të shohim dyndje të mëdha të kosovarëve, iniciativave dhe bizneseve të tyre drejt Prishtinës. Problemi është që struktura e sotme e qytetit të Prishtinës nuk ka mundësi t’i përballojë, aq më keq Prishtina po shndërrohet në një pengesë të madhe për zhvillim kombëtar.

Ka kohë që qyteti i Prishtinës ka tejkaluar kapacitetet e veta të ndërtimit për shkak se fizikisht nuk ka më hapësirë ndërtimore, ndërsa infrastruktura ekzistuese e qytetit nuk e përballon dot. Prishtinës nuk i ka ngelur pore pa u ndërtuar, trafiku i saj është tmerrësisht i ngarkuar, ajri është nga më të ndoturit në botë, ndërsa hapësirat e gjelbërimit e ato rekreative janë pothuajse inekzistente në raport me numrin e banorëve. Me gjithë këtë, ne vazhdojmë akoma të dëgjojmë për “ndërtime të reja”, si prej zyrtarëve të Komunës së Prishtinës ashtu edhe prej kandidatëve të rinj, që po e synojnë drejtimin e Komunës së Prishtinës.

Sidoqoftë, tash nuk është koha e drejtimit të gishtit të fajit meqë si zyrtarët e sotëm të Komunës ashtu edhe zyrtarët e mëhershëm të Komunës nuk kane pasur mundësi të bëjnë shumë në parandalimin e kësaj situate. Ajo çfarë mund të konstatojmë është që për qytetin e Prishtinës nuk ka ndonjë ofertë kreative, e kjo vjen si pasojë e natyrshme e mungesës së vizionit.

3.

ka mundësi që akoma nuk dëgjuam askënd të fletë se si të dilet e të shpëtohet prej “gropës së Prishtinës”?! Prishtina është qytet në gropë, në perëndim ka termocentralet e Obiliqit, ndërsa qytetaret e Prishtinës, thithësit kryesorë të saj. Në veri e lindje është e rrethuar me kodra, Parkun e Gërmisë e Liqenin e Badovcit, drejt së cilëve nuk mund të zgjerohemi. E vetmja dalje drejt së cilës mund të zgjerohemi është jugu (drejt Aeroportit të Prishtinës dhe Lipjanit). Plani Zhvillimor i Prishtinës, si dhe Planet Rregullative parashohin një lloj zgjerimi të kufizuar në jug-lindje (tanimë akoma më problematik për shkak të Komunës së Graçanicës), mirëpo ky zgjerim është kryesisht me karakter banimi dhe kjo për qytetin në “gropë të Prishtinës” nuk do të thotë asgjë përveçse ngarkim akoma më i madh, trafik akoma më i dendur, më shumë ndotje, zhurmë e kaos.

Për Prishtinën e sodit të ndërtosh do të thotë të mos ndërtosh. E atëherë si mund t’i koordinojmë nevojat emergjente të banorëve të Prishtinës për mosndërtim dhe për më shumë hapësirë të lirë me nevojën për ndërtesa të reja e zgjerim të zonës urbane? Me fjalë të tjera si mund t’i koordinojmë nevojat për të jetuar një jetë komfore me nevojat për shtim të aktiviteteve të biznesit, arsimit e kulturës. Si mund t’i paraprijmë një zhvillimi potencial që vjen nga energjia e inovacioni i gjeneratave të reja, të cilët po i ngufatim në një hapësirë jo të shëndetshme klaustrofobike në “gropën e Prishtinës”, gjë e cila ka tendenca ta shndërrojë rininë në një rini depresive, pasive, me ndjenja të theksuara pasigurie, e cila përfundimisht e kërkon shpëtimin nga kjo gropë, duke u shpërngulur jashtë vendit?

4.

Ajo çka sot na nevojitet është të jemi më kreativë e vizionarë, më guximtarë e më ëndërrimtarë dhe me ndjenjë më të gjallë të aventurës njerëzore! Për situata të jashtëzakonshme nevojiten zgjidhje të jashtëzakonshme. Zgjidhjet e jashtëzakonshme kërkojnë shpenzime të jashtëzakonshme. Shpenzimet e jashtëzakonshme për zgjidhjen e problemit të kryeqytetit janë të një rëndësie më të madhe se shpenzimet e jashtëzakonshme, fjala bie për autostradën Prishtinë-Shkup, pa tentuar ta minimizojmë rëndësinë e ndërtimit të kësaj autostrade. Me një koordinim të mirë të punëve nuk do të ishte e pamundur që të gjenden pjesërisht edhe fonde nga donatorë ndërkombëtarë.

Për një Prishtinë të së nesërmes do të duhej të shpallej një konkurs ndërkombëtar për “Master Planin e Prishtinës”. Para se të shpallej konkursi në fjalë, do të duhej të merreshin parasysh këto pika:

Problemi i Prishtinës i tejkalon kapacitetet e Komunës së Prishtinës,

Komuna e Prishtinës nuk ka kapacitete njerëzore dhe financiare, që e vetme të përballet dhe të ofrojë zgjidhje për situatën e krijuar në 20 vjetët e fundit dhe të bëjë zgjidhje për 20 vjetët e ardhshëm,

Komuna e Fushë-Kosovës duhet t’i bashkëngjitet Komunës së Prishtinës dhe zgjerimi i Prishtinës për 20 vjetët e ardhshëm duhet të zhvillohet në drejtim të Aeroportit të Prishtinës dhe Lipjanit,

Gjendja e kryeqytetit të Kosovës duhet të trajtohet në nivel qendror (të diskutohen të gjitha mundësitë ligjore që të trajtohet në nivel të tillë) dhe të ketë koordinim të plotë me nivelin lokal (Komunën e Prishtinës),

Të dy nivelet qeverisëse duhet të punojnë për shpalljen dhe mbikëqyrjen e konkursit ndërkombëtar për përpilimin e një “Master Plani për Prishtinën”, si dhe për sigurimin e fondeve (nga buxheti shtetëror dhe partnerët ndërkombëtarë) për implementimin e tij.

5.

“Master Plani për Prishtinën” do të duhej të ndahej minimalisht në 3 faza.

Faza e parë: Zhvendosja në periferi, lirimi i hapësirave në qytet

Qëllimi i punimeve gjatë Fazës së parë do të duhej të ishte ulja e fluksit të njerëzve, të cilët e frekuentojnë qendrën e qytetit të Prishtinës në baza ditore, por nuk janë banorë të Prishtinës siç është rasti me Universitetin e Prishtinës, në të cilën thuhet të ketë rreth 45.000 studentë brenda vitit. Shkurtimisht Faza e parë do të përmbante këto pika:

Zhvendosja e Universitetit të Prishtinës me të gjitha kampuset ekzistuese në periferi (jug-perëndim),

Zhvendosja e të gjitha institucioneve qeveritare në periferi (jug-perëndim),

Zhvendosja e QKUK-së në periferi (jug-perëndim),

Ndarja e parcelave dhe zhvendosja e përfaqësive diplomatike në periferi të qytetit në marrëveshje me to, duke ofruar hapësirë të veçantë për këto të fundit (me përjashtim të Ambasadës së SHBA-së, e cila tashmë ka ndërtuar objektin e vet në parcelë të vet),

Planifikimi dhe realizimi i rrjetit rrugor që lidh këto hapësira me qytetin e Prishtinës, si dhe me rrugët e tjera nacionale,

Planifikimi i hapësirave të reja urbane, për t’i paraprirë zgjerimit të qytetit përreth objekteve të zhvendosura. Këtu në fakt fillon Prishtina e Re, ndërsa planet urbanistike për këtë pjesë do të duhej të siguronin me kohë hapësira të gjëra dhe mirë të organizuara.

Faza e dytë: Përfitimi i hapësirave të lira dhe shkarkimi i trafikut

Qëllimi i punimeve gjatë Fazës së dytë do të duhej të ishte shndërrimi i hapësirave të liruara pas zhvendosjes së objekteve të lartpërmendura në hapësira të plota gjelbërimi dhe rekreacioni, si dhe shkarkimi i mëtutjeshëm i fluksit dhe lëvizjeve në trafik. Shkurtimisht Faza e dytë do të përmbante këto pika:

Rrënimi i objekteve nga hapësirat e liruara me rastin e zhvendosjes së Universitetit të Prishtinës dhe QKUK-së, dhe përfitimi i hapësirave të mëdha gjelbëruese dhe rekreative-sportive. (Këto oaza të mëdha gjelbërimi e hapësira e lirë do t’ia mundësonin qytetit të merrte frymë lirshëm),

Shndërrimi i objekteve të institucioneve qeveritare të liruara në objekte me destinime kulturore, artistike, rekreative, arsimore e shkencore,

Ndërtimi i nënkalimeve me hapësira komerciale në udhëkryqet dhe rrethrrotullimet e ngarkuara (nënkalimi tek Katedralja - Bulevardi Bill Clinton është një shembull i suksesshëm),

Ndërtimi i objekteve garazhuese në hyrje-daljet e Prishtinës, si dhe në disa pika përkatëse në qytet (mund të merret për bazë plani i mobilitetit për Prishtinën)

Ndërtimi i një sistemi të transportit të qëndrueshëm (ndërtimi i rrjetit të tramvajit në oazat e tanishme në mes të rrugës ku gjinden shtyllat e ndriçimit, pa zvogëluar hapësirat e rrugëve).

Faza e Tretë: Eliminimi i ndotjes së ajrit dhe rritja e kualitetit të jetës

Qëllimi i punimeve gjatë Fazës së Tretë do të ishte eliminimi i ndotjes së ajrit e që momentalisht është në përmasa alarmante për shëndetin e qytetarëve, si dhe rritja e kualitetit të jetës së qytetarëve dhe sigurimi i një zhvillimi të qëndrueshëm urban si qëllimi final i tërë planit. Sipas ekspertëve, ndotja në Prishtinë vjen kryesisht prej termocentraleve të Obiliqt, përdorimit të thëngjillit në shtëpitë që nuk janë të lidhura me sistemin e ngrohjes qendrore, si dhe nga përdorimi i makinave të vjetra. Të harrojmë se dy fazat e para janë gjithashtu faktor me rëndësi në uljen e ndotjes së ajrit. Shkurtimisht, Faza e Trete do të përmbante këto pika:

Kushtëzimi i përdorimit apo sigurimi i filtrave më të avancuar të ajrit edhe në termocentralin “Kosova e Re”, e edhe ne rast te funksionimit te termocentraleve ekzistuese,

Shtrirja e rrjetit të ngrohjes qendrore në të gjithë Prishtinën (në mënyrë që të eliminohet ndotja e ajrit prej përdorimit të thëngjillit nëpër shtëpi si burimi kryesore i ndotjes së ajrit në qytet),

Marrja e masave për minimalizimin e ndotjes së ajrit të shkaktuar nga mjetet motorike,

6.

Me realizimin e këtyre tri fazave të transformimit të qytetit dhe hapjes rrugë zhvillimit të një Prishtine të re në drejtim të Aeroportit, qyteti “ne gropë” i Prishtinës tanimë i shkarkuar nga trafiku dhe fluksi i madh i qarkullimit mund te koncentrohet në rregullimin e aspektit të dizajnit të objekteve e hapësirave në qytet, të zgjidhjes së problemit te mbindërtimeve, të unifikimit të fasadave, të gjelbërimit e hapësirave të rekreacionit, të shtigjeve për çiklistë, transporteve alternative publike, rehabilitimit të zonave të trashëgimisë kulturore, zhvillimit të jetës kulturore e artistike, etj. Për rrjedhojë, do të rritej kualiteti i jetës së qytetarëve dhe do te sigurohej një zhvillim i qëndrueshëm urban si qëllimi final i tërë planit. Mirëpo, pa u realizuar një shkarkim i tillë apo i ngjashëm i Prishtinës së sotme, janë të kota dhe të pakuptimta përpjekjet që në një hapësirë të tillë çmendurisht të mbingarkuar të punohet në çështje që nuk janë relevante me nevojat emergjente të qytetit të Prishtinës.

Për fund, jam i vetëdijshëm që ajo që në gjuhën e profesionit quhet ‘determinizëm hapësinor’ nuk është masë e vetëmjaftueshme për t’i zgjidhur të gjitha problemet e Prishtinës, mirëpo, veprimet e trajtuara në këtë propozim janë veprime të domosdoshme, dhe si të tilla konsideroj se duhet t’u jepet prioritet në të gjithë skenarët e mundshëm për zhvillimin e Prishtinës së ardhshme.

(Autori është kandidat për doktoraturë në Departamentin e “Çështjeve të Dizajnit në Arkitekturë”, në Universitetin e Arteve të Bukura “Mimar Sinan” në Stamboll).

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Visar Bekteshi 19/04/2019 15:04

Edhe ni here Prishtina po mundohet të ringjallet mirëpo zorr se do të ketë mundësi në bejë kuvendim me ata që e vodhen dhe e shkretuan atë për vite me radhë. Suksese dhe turp në të njejtën kohë...

Shto koment