Si të garantohet Legjitimiteti dhe Pavarësia e Komisionit të së Vërtetës!

Integra Integra 23 April 2019 12:01

Shkrim i punuar në bazë të publikimit “Kërkimi i së vërtetës - Elementet e krijimit të një komisioni efektiv të së vërtetës” realizuar nga The International Center for Transitional Justice (2)

Perceptimi i legjitimitetit është thelbësor për suksesin e një komisioni të së vërtetës. Besimi publik në vërtetësinë e komisionit do të rrisë gatishmërinë e viktimave, dëshmitarëve dhe publikut për pjesëmarrje dhe do të mundësojë qasjen në informata. Legjitimiteti po ashtu do të ndikojë në mbrojtjen e komisionit nga oponentët politikë të cilët mund të investojnë në ruajtjen e heshtjes ose mohimin e rasteve të abuzimit nga e kaluara.

Qasja Konsultative për Konsolidimin e Legjitimitetit

Pavarësisht nëse janë themeluar përmes vendimit ekzekutiv apo legjislativ, shumica e komisioneve të së vërtetës janë formuar me pjesëmarrje direkte të kufizuar të publikut. Në disa raste, kjo justifikohet nga nevojshmëria për veprime të shpejta gjatë tranzicionit politik. Mirëpo, përshtatja sipas rrethanave mund t’i kushtoj komisionit me mungesë të një konsultimi të mirëfilltë me të gjitha palët e interesuara dhe përfshirjen e tyre.

Në kushte ideale, konturat e komisionit përcaktohen përmes një qasje konsultative ku përfshihen diskutime të hapura midis qeverisë, shoqërisë civile, grupeve të viktimave, dhe tjerëve të cilët mund ndikohen nga puna e komisionit. Lehtësimi i pjesëmarrjes publike jo vetëm që demonstron zotim ndaj legjitimitetit, por po ashtu i ndihmon ligjvënësit që të kuptojnë nevojat e viktimave. Parashtresat nga ekspertët dhe përfaqësuesit e komunitetit mund të jenë në formë të dëshmive me gojë, ose me shkrim, ose përmes punëtorive. Shpesh këto konsultime menaxhohen nga agjencitë shtetërore për mbrojtjen e të drejtave, siç janë Avokati i Popullit ose komisionerët e të drejtave të njeriut.

Gjatë themelimit të komisionit të së vërtetës duhet t’i jepet prioritet konsultimit me grupet e viktimave, mbi të gjitha. Pa përfshirjen e tyre dhe besimin e dhënë, komisioni i së vërtetës nuk mund të adresojë nevojat e tyre specifike me kredibilitet. E rëndësishme është të merret parasysh se kur është fjala për popujt indigjen, dhe disa grupe tjera, konsultimi “në mirëbesim” rreth çfarëdo politike që mund të afektojë të drejtat e tyre duhet të jetë pjesë e obligimit shtetëror për të siguruar “pëlqimin e lirë, paraprak dhe të informuar” nga ana e tyre.

Konsultimi duhet të vazhdojë gjatë gjithë fazave të punës së komisionit të së vërtetës, edhe në rastet kur komisioni themelohet në shpejtësi. Komunikimi dhe dialogu me shoqërinë civile, sidomos me grupet e viktimave, duhet të mirëmbahet gjatë gjithë funksionimit të komisionit duke lejuar reagim dhe vlerësim të vazhdueshëm nga publiku.

Pavarësia Politike dhe Operative e Komisionit

Komisionerët dhe stafi i tyre duhet të jenë të aftë të kryejnë punën e tyre pa asnjë ndërhyrje. Komisionet e së vërtetës duhet t’i qëndrojnë konform vetëm kornizës ligjore të vendit dhe mandatit të tyre ligjor. Komisionerët dhe stafi duhet të ushtrojnë kompetencat e tyre pa ndonjë frikë, favorizim ose paragjykim. Në praktikë, pavarësia e komisionit definohet nga aftësia për të zbatuar mandatin ligjor në mënyrë të lirshme, pa ndonjë presion aktual apo të dukshëm, ndikim të jashtëligjshëm, apo varshmëri nga ndonjë institucion ose person tjetër.

Për të siguruar pavarësinë e komisionit duhet të përmbushen këto kushte thelbësore:

  • Një proces transparent në emërimin e komisionerëve
  • Garanci ligjore se komisionerët mund të largohen vetëm për një kauzë të drejtë
  • Mbrojtja e komisionerëve ndaj kërcënimeve ose hakmarrjes
  • Autonomi financiare, administrative dhe operative

Udhërrëfyesi për Ruajtjen e Pavarësisë së Komisionit të së Vërtetës

Në përgjithësi, pavarësia mund të arrihet nëse zbatohen këto standarde dhe parime:

  • Agjencitë shtetërore janë të obliguara të respektojnë pavarësinë e komisionit. Ato duhet të asistojnë dhe mbrojnë komisionin duke siguruar paanshmërinë, dinjitetin, qasshmërinë dhe efikasitetin e tyre.
  • Hetimi efektiv, kompetent dhe i paanshëm varet nga siguria financiare dhe profesionalizmi i komisionit.
  • Komisionerët dhe stafi i tyre nuk mund të jenë (apo të perceptohen si të tillë) të anshëm ndaj një fraksioni politik. Kjo përfshinë edhe të deleguarit nga agjencitë qeveritare.
  • Komisionerët duhet të angazhohen në komision me orar të plotë.
  • Komisioni duhet të ketë fonde të mjaftueshme që i mundëson atij ushtrimin e funksioneve sipas standardeve më të larta dhe duhet të marrë pjesë gjatë përcaktimit të resurseve të nevojshme.
  • Komisioni duhet të ketë personel me shkathtësi të duhura dhe të posedojë infrastrukturë adekuate, si dhe të veprojë në mënyrë të drejtë, të jetë i qasshëm dhe i përgjegjshëm.

Përzgjedhja e Komisionerëve

Përzgjedhja e komisionerëve është kruciale, pasi që ata/ato do të përcaktojnë politikat, metodat e hulumtimit, dhe përmbajtjen e raportit final. Në disa raste, ato/ata janë të përfshirë drejtpërdrejtë në hetime ose hulumtim. Ato/ata përfaqësojnë fytyrat publike të komisionit të së vërtetës ndërsa autoriteti i tyre personal dhe moral është mëse thelbësor kur të fillohet puna me autorët e krimit, autoritetet dhe publikun.

Komisionerët duhet të përzgjedhen përmes një procesi transparent dhe preferueshëm përmes emërimeve konsultative, me informata plotësuese nga sektorë të ndryshëm të shoqërisë, sidomos nga viktimat dhe grupet e tjera të margjinalizuara. Në disa komisione, procesi i përzgjedhjes fillon duke pranuar nominime nga publiku dhe më pas formohet paneli për të shqyrtuar këto nominime, intervistimi i finalistëve bëhet nën shqyrtim publik, ndërsa lista e ngushtë e kandidatëve të rekomanduar i dorëzohet autoritetit për emërime.

Koha e përzgjedhjes së komisionerit është po aq e rëndësishme. Komisionerët nuk duhet të emërohen deri në momentin që hartohet ligji ose dekreti që e bën efektiv komisionin e së vërtetës. Në të kaluarën tentativat për të lehtësuar procesin duke emëruar komisionerë në shpejtësi, si psh menjëherë pas konkludimit të marrëveshjes së paqes, e kanë dobësuar prospektin e hulumtimit efektiv të së vërtetës.

Historikisht, komisionerët përzgjedhen në dy mënyra:

• Bazuar kryekëput në kualifikimet e tyre personale, lidershipin moral, dhe prestigjin. Shumica e komisioneve në Amerikën Latine janë formuar në këtë mënyrë (ngjashëm me “panelin blue-ribbon” në Shtetet e Bashkuara). Kjo formë e emërimit është e shpejtë dhe mund të transferojë tek komisioni legjitimitetin dhe prestigjin e individit. Megjithatë, duhet të arrihet një ekuilibër duke shmangur rrezikun e përshfaqjes si elitist, duke rezultuar kështu në mosbesim dhe përbuzje.

• Si përfaqësues, së paku simbolik, të kategorive të caktuara siç janë gratë, raca, etnia ose grupet religjioze. Shumica e komisioneve jashtë Amerikës Latine e kanë aplikuar këtë qasje, për të zvogëluar frikën e diskriminimit dhe margjinalizimit.

Praktikat e Mira në Emërimin e Komisionerëve

Afrika Jugore

Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit në Afrikën Jugore u formua në vitin 1995 për të regjistruar dhe publikuar krimet e motivuara nga aspiratat politike për të mbrojtur apartheidin ose për t’a luftuar dhe shfuqizuar atë. Priscilla Hayner e përshkruan procesin e përzgjedhjes së komisionerëve në komision: “Komisioni i Afrikës Jugore ishte nga të parët që hartuan një proces të bazuar në panel të pavarur të përzgjedhjes dhe intervista publike të finalistëve. Legjislacioni efektiv ofron vetëm indikacione se komisionerët duhet të jenë “persona të përshtatshëm dhe të duhur të cilët janë të paanshëm dhe nuk kanë profil të lartë politik”. Paneli përzgjedhës, duke përfshirë përfaqësuesit e organizatave për të drejtat e njeriut, hapi thirrjen për nominime nga publiku. Ndërkohë u pranuan treqind nominime, prej të cilave pastaj u përpilua një listë e ngushtë prej pesëdhjetë personash që do të intervistoheshin, në një sesion publik që u ndoq me vëmendje nga mediat. Kjo listë prej pesëdhjetë personave u përcjell tek Presidenti Nelson Mandela për emërimin përfundimtar të shtatëmbëdhjetë vetave. Për të arritur ekuilibër gjeografik dhe politik, Mandela përfshiu edhe dy anëtarë të cilët nuk kishin kaluar në procesin e plotë të vetingut/verifikimit.”

Sierra Leone

Ligji që kishte themeluar komisionin e së vërtetës në Sierra Leone ishte inspiruar nga Afrika e Jugut, me një variacion domethënës: emërimin e komisionerëve ndërkombëtarë dhe rolin e Kombeve të Bashkuara. Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Freetown ishte emëruar si ‘koordinator i përzgjedhjes’ si dhe ishte formuar një panel (përfshirë anëtarët e emëruar nga ish opozita e armatosur, presidenti, komuniteti religjioz, dhe grupet e të drejtave të njeriut). Përfshirja e ish opozitës së armatosur ishte me rëndësi për të fituar përkrahje për procesin. Ky panel kishte identifikuar katër anëtarë vendorë si rezultat i nominimeve publike dhe intervistave. Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut kishte nominuar tre anëtarë ndërkombëtarë. Anëtarët vendorë dhe ndërkombëtarë ishin emëruar formalisht nga presidenti.

Timor-Leste

Komisioni i së Vërtetës, Pranimit dhe Pajtimit në Timorin Lindor është themeluar nga Administrata Tranzicionale e KB në Timorin Lindor (UNTAET), e cila bëri emërimin e komisionerëve në bazë të këshillave të panelit përzgjedhës. Komisioni përfshinte edhe një anëtar të emëruar nga organizatat e shumta të shoqërisë civile dhe partitë politike. Me rastin e thirrjes për nominime publike, nga paneli u kërkua të zhvillojë konsultime të gjera me shoqërinë civile si dhe të marrë në konsideratë të veçantë çështjen e diversitetit, duke përfshirë përfaqësimin rajonal dhe gjinor.

Komisionet Hibride të së Vërtetës

Në disa nga shembujt, komisionerë dhe zyrtarë të lartë mund të emërohen si kandidatët vendorë ashtu edhe ata ndërkombëtarë, në mënyrë që komisioni të përfitojë më tepër kredibilitet dhe ekspertizë krahasuese. Në parim, këto “komisione hibride” themelohen për të shmangur (ose minimizuar) dyshimet e anshmërisë në rastet kur mungojnë shkathtësitë dhe ekspertiza vendore për zhvillimin e hetimeve. Shembuj të komisioneve të tilla përfshijnë ato në Sierra Leone, Guatemala, Ishujt Solomon, dhe Kenia. Sidoqoftë, edhe kandidatët ndërkombëtarë duhet t’i nënshtrohen procesit të vetingut.

Fuqizuar nga Integra, CPT, PAX dhe RBF.

Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Integra