OpEd

Dy anët e medaljes së problemit të largimit të të rinjve

Nuk duhet gjykuar ata të cilët largohen nga atdheu i tyre në kërkim të një vendi pune, apo të

një vendi më të mirë pune. Ky është një problem serioz për vendet nga të cilat ata largohen, por në anën tjetër ata persona zgjidhin, së paku përkohësisht, një çështje të rëndësishme personale dhe familjare. Në afat të gjatë, në rast se nuk kthehet kahja dhe njerëzit kthehen nga diaspora, apo vinë edhe të huajt për të punuar, shteti humb vitalitetin e fuqisë punëtore e me këtë edhe vë në rrezik sistemin pensional.

“Po largohem, sepse jashtë vendit më respektojnë më shumë dhe e vlerësojnë punën“. “Nuk kam pasur mundësi të gjej punë në vendin tim, sepse nuk jam i lidhur me asnjë parti politike“. “Kam mbaruar fakultetin, por nuk arrita të gjej punë“. Këto janë arsyet më të shpeshta që i përmendin të rinjtë, që e lëshojnë vendin e tyre për të punuar në ndonjë shtet tjetër. Këto nuk janë vetëm arsyetime të të rinjve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Bosnjë-Hercegovina. Janë më së shpeshti arsyet të cilat i përmendin të rinjtë nga Kroacia, të cilët në numër jashtëzakonisht të madh largohen nga shteti i tyre. Që nga hyrja në BE e këtij shteti më të ri anëtar, më 1 korrik të vitit 2013, supozohet se nga Kroacia janë larguar afro 200.000 të rinj. Ky është numri i banorëve të Splitit, qytetit të dytë më të madh në Kroaci. Pra, për më pak se shtatë vjet pothuajse është zhdukur popullsia e qytetit të dytë më të madh. Shumica e të rinjve kroatë kanë shkuar në Gjermani dhe Irlandë, në një masë edhe në Austri e vende të tjera të BE-së. Kjo dukuri në Kroaci është quajtur si tragjedi kombëtare. Qeveria po tenton të gjejë një strategji afatgjate demografike. Sepse në të njëjtën kohë Kroacia ka mbetur pa fuqi punëtore në shumë sektorë. Për këtë vit Kroacia lëshon rreth 65.000 leje pune për të huajt. Sepse në sektorin e ndërtimtarisë, turizmit dhe bujqësisë nuk ka punëtorë. Shumë kompani po e ulin prodhimin, po anulojnë porositë, sepse nuk po gjejnë punëtorë. E në Dublin, Limerik dhe vende të tjera të Republikës së Irlandës po krijohen klube kroate, Kisha katolike i dërgon priftërinjtë për të mbajtur meshën në gjuhën kroate, ndërsa shumica e të rinjve thonë se, me përjashtim të ardhjes në pushime, nuk mendojnë të kthehen. Sepse thonë se e kanë gjetur lumturinë e tyre në këtë vend, ku pothuajse gjithmonë bie shi. Diellin e Kroacisë thonë se e kanë mall, por kur u kujtohet fati në vendin e tyre, duke kërkuar punë, e duke jetuar nga pensioni i prindërve deri sa nuk gjenin punë, duke parë bashkëmoshatarët të përparojnë, sepse kanë lidhje politike, atëherë thonë se më të lumtur janë në Irlandë dhe aty mendojnë se do të krijojnë familje dhe t’i edukojnë fëmijët. Sepse edhe shkollat në Irlandë janë më të mira, edhe shërbimet shëndetësore janë më të mira. Dhe, thonë, shumë pak dëgjojnë debate politike irituese.

Para disa muajsh komisionari i BE-së për Bujqësi, Philip Hogan, tregonte në Bruksel se sa i lumtur ishte kur shihte të rinjtë nga Kroacia në qytetin e tij në Irlandë, duke shërbyer në një restorant. Për këtë komisionar kjo ishte një shenjë e mirë. Ishte një shenjë se të rinjtë nga Kroacia po e shfrytëzojnë një prej të arriturave më të mëdha të projektit të integrimeve evropiane, atë të lëvizjes së lirë të punëtorëve. Ai madje refuzonte ta quante këtë si „emigrim të fuqisë punëtore“ pasi në BE ekziston një treg i vetëm, i përbashkët unik i punës. Pra, formalisht, të shkojë dikush nga SllavonskiBrodi apo Osijeku për të punuar në Dublin apo Bruksel është njëlloj sikur të shkojë në Zagreb. Ai i ka të gjitha të drejtat në secilin vend të BE-së, sikur edhe punëtorët vendas. Përfshirë edhe shtesat për fëmijë dhe asistencën sociale. Në rastin e Rumanisë apo Bullgarisë, punëtorët nga këto shtete në disa shtete të Perëndimit, i kanë vetëm të ardhurat për fëmijë më të mëdha sesa do ta kishin rrogën në vendin e tyre: pra, sikur në secilin treg, ashtu dhe në tregun e punës vlen parimi i ofertës dhe kërkesës. Punëtorët, sikurse dhe malli, shkojnë aty ku vlejnë më shumë. Blerësit, apo punëdhënësit, marrin mallin apo punëtorët që mund t’i paguajnë më pak. Dhe komisionari nga Irlanda, kur përballet me argumentin se në Kroaci, pothuajse në mënyrë histerike po konsiderohet largimi i të rinjve si një tragjedi, rikujton fatin e Irlandës para shumë vitesh dhe uron që e njëjta të ndodhë me Kroacinë. Para disa dhjetëra vitesh me miliona njerëz nga Irlanda largoheshin për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e edhe për vendet e tjera. Ata iknin nga varfëria dhe madje edhe të uritur. Thuhet se10 herë më shumë irlandezë jetojnë jashtë Irlandës sesa në Irlandë. Por sot Irlanda është një prej shteteve më të pasura të Bashkimit Evropian. Sot mijëra njerëz nga shtetet e tjera vijnë për të gjetur të ardhmen e tyre në Irlandë. Ky shtet tradicional dhe ky popull historikisht fetar, sot, ka për kryeministër Leon Varatkar, një politikan me prejardhje indiane dhe që publikisht deklarohet si homoseksual. Populli dhe shteti i Irlandës ka evoluar aq shumë në secilin aspekt. Dhe kjo shihet qartë, sepse ky shtet është bërë magneti që tërheq më së shumti jo vetëm punëtorët e huaj, por edhe kompanitë e mëdha botërore. Korrupsioni pothuajse është fenomen i panjohur në këtë shtet.

Rasti i Kroacisë dhe Irlandës përdoret si një shembull se si mund të rikthehet kahja e migrimit. Ikur nga Kroacia më parë me miliona njerëz ishin larguar nga Bullgaria dhe Rumania, e para tyre nga Polonia e Lituania. Kjo së pari kishte ndikim të madh në shtetet nga ata largoheshin. Por kishte edhe anën tjetër të medaljes. Uljen e madhe të nivelit të papunësisë. Kroacia para se të hynte në BE kishte nivelin e papunësisë 17 %, ndërsa sot e ka vetëm 7 për qind. Largimi i të rinjve ishte një prej elementeve kryesore të uljes kaq të shpejtë të papunësisë. Por, duke pasur parasysh se Kroacia doli nga recesioni, edhe rritja ekonomike ndihmoi që të krijohen vendet e reja të punës. Kombinimi i punësimit të kroatëve jashtë vendit dhe krijimi i vendeve të reja të punës bëri që sot papunësia në Kroaci të jetë jo vetëm më e vogël se në Greqi e Spanjë, por më e vogël edhe se në Itali dhe Francë.

Por ky fenomen krijoi probleme të mëdha sociale, sidomos për disa zona të Kroacisë. Në rajonin e Sllavonisë apo Likës, fshatrat janë pothuajse të boshatisur. Një shtëpi në këto zona thuhet se mund të blihet për vlerën e një automobili të dorës së dytë. Investimet që po bëhen në këto pjesë nuk e kanë ndalur atë që edhe në Kroaci quhet eksodus. Prandaj, sot në Kroaci kërkojnë fuqi të freskët punëtore. Deri para disa vitesh punëtorët vinin nga Bosnjë-Hercegovina, pasi kroatët e atjeshëm kanë shtetësi kroate. Por, pikërisht për këtë, ata tash, me pasaporta kroate nuk shkojnë në Kroaci për të punuar për 800 euro, por shkojnë në Gjermani apo Irlandë. Ata në këtë mënyrë zgjidhin problemet e tyre jetësore, sepse nuk kanë kohë për të pritur rezultatet e politikave demografike. Dhe Kroacia, vendi nga i cili janë larguar qindra e mijëra të rinj, në kërkim të një jetë më të mirë jashtë, ku thonë se i trajtojnë më mirë, ku nuk duhet të kenë lidhje politike për të gjetur punë, është bërë vend pothuajse i ëndrrave për shumë kosovarë, të cilët para Ambasadës kroate presin viza pune për të shkuar në Kroaci. Ardhja e kosovarëve, krahas punëtorëve nga shtetet e tjera, do të rimëkëmbë në një mënyrë edhe ekonominë kroate. Do të ulë efektin e largimit të të rinjve.

gjithë kjo lëvizje është episodike, dhe lëvizje të tilla ka pasur shpesh edhe në të kaluarën. Në Poloni thuhet se në dy vjetët e fundit numri i polakëve që janë kthyer nga vendet e tjera e ka tejkaluar numrin e atyre që janë larguar. Pra, po vërehen shenjat e para të rikthimit të kahes. Ata që kthehen vinë me një kapital, me shumë njohuri të reja, me shumë përvojë dhe atëherë mund edhe të investojnë dhe të jetojnë mirë edhe në vendin e tyre. Por rasti i Kosovës ka një problem tjetër. Kosova është aq larg integrimit në BE, saqë nuk mund të llogarisë se do të mundë të përfitojë nga anëtarësimi për të përmirësuar situatën ekonomike në atë masë saqë të bëhet destinacion i preferuar jo vetëm për kthimin e shtetasve të saj nga diaspora, por edhe për ardhjen e të huajve.

Nuk duhet gjykuar ata të cilët largohen nga atdheu i tyre në kërkim të një vendi pune, apo të një vendi më të mirë pune. Ky është një problem serioz për vendet nga të cilat ata largohen, por në anën tjetër ata persona zgjidhin, së paku përkohësisht, një çështje të rëndësishme personale dhe familjare. Në afat të gjatë, në rast se nuk kthehet kahja dhe njerëzit kthehen nga diaspora, apo vinë edhe të huajt për të punuar, shteti humb vitalitetin e fuqisë punëtore e me këtë edhe vë në rrezik sistemin pensional. Nëse do të marrë shembull nga Kroacia, Kosova nuk do të duhej të përsëriste gabimet që ka bërë Kroacia. Korrupsioni, politizimi i shërbimeve publike, shndërrimi i qytetarëve në makineri votuese për disa parti të caktuara politike, stërmbushja e sistemit pensional me veteranë të luftës, shumë edhe të rrejshëm, e kanbë bërë Kroacinë të ketë ekonominë afër kolapsit. Dhe vetëm tash, nën presionin e BE-së, po bëhen reforma të dhimbshme sikur ato të rritjes së moshës në 67 vjet për shkuarje në pension. Sipas ekspertëve, edhe Kosova po shkon drejt një krize fiskale në të ardhmen për shkak të rritjeve të rrogave në shërbimet publike, rritjen e të punësuarve në administratë. Në këtë mënyrë, nuk mbeten shumë vatra për investime publike në krijimin e vendeve të reja të punës. E kur është fjala për nivelin e papunësisë, edhe kur papunësia zvogëlohet, efekt pozitiv në ekonomi ka vetëm nëse në të njëjtën kohë rritet numri i të punësuarve. Largimi i të rinjve nga një shtet, prandaj është një fenomen shumëdimensional dhe nuk duhet shikuar vetëm nga një këndvështrim. Por një shtet serioz kurrë nuk mund ta konsiderojë strategji të duhur luftimin e papunësisë përmes punësimit të qytetarëve të saj në shtetet e tjera....