Kafenetë plot, shprehje mirëqenieje apo mjerimi?

Xhevat Mustafa Xhevat Mustafa 12 April 2019 09:11

“…kafenetë e shumta dhe të mbushura plot me njerëz, që shtyjnë paraditet me një kafe 50-70 lekëshe apo mbrëmjet me një teke raki sade, duke parë ndeshjet e futbollit, që nuk i shikojnë dot në shtëpi, se nuk i paguajnë dot paketat që ua mundësojnë ose, sepse nuk i lënë gratë e mbërthyera nga telenovelat turke, nuk pjellin “mirëqenie”, familje, fëmijë, siguri, qetësi, turizëm, kulturim, emancipim, demokratizim, evropiano- perëndimorizim…

Shumë turistëve të huaj, por edhe emigrantëve shqiptarë, që vijnë rrallë në vendlindje, u bën përshtypje jo vetëm numri shumë i madh i dhe dendësia e kafeneve në zona të ngushta, por edhe qenia e tyre njëra më plot se tjetra, sidomos në orët e paraditeve me mot me diell, pa shi e të ftohtë. Ka të ngjarë që plot nga të huajt mund t’i bëjnë vetes ose njeri-tjetrit një varg pyetjesh. Punojnë apo nuk punojnë këta shqiptarët? Ku dhe si i gjejnë lekët për të jetuar dhe pirë kafe pa punuar? Si nuk lodhen dhe mërziten duke qëndruar ulur për 2-3 orë? Po pronarët dhe kamerierët e kafeneve si i lejojnë dhe durojnë të qëndrojnë kaq gjatë, e shumta duke paguar një filxhan kafe dhe duke debatuar, disa me zë të lartë, me duar e këmbë? Për çfarë bisedojnë përditë?

Natyrisht për ne shqiptarët e Shqipërisë pafundësia e kafeneve sup më sup apo bythë më bythë, plotësia e tyre e përditshme me klientë, nuk përbën më as risi, as çudi, as bezdi…Në fund të fundit është një nga zakonet, praktikat, traditat tona.

Ka një kohë bajagi të gjatë që lulëzimi dhe plotësia e kafeneve është bërë burim kënaqësie dhe mburrjesh për disa politikanë dhe qeveritarë, nënkuptohet të shumicave qeverisëse. Sipas mendjes, interesit politik dhe elektoral dhe llogarive të tyre “të holla”, në çdo kafene punësohen të paktën 4 vetë, si banakierë dhe kamerierë. Kështu këta hiqen nga lista kilometrike e të papunëve dhe nuk i bezdisin më nëpër zyra dhe në takimet elektorale, duke u kërkuar një vend pune në këmbim të votës…Këto vitet e fundit, sidomos në Tiranë, hapja e një kompleksi kafenesh të reja, me ambiente komode dhe pajisje moderne, sidomos në zona të qendrës, nënkuptohet edhe me fatura më të larta edhe për një filxhan kafeje, po shfrytëzohet për shou apo pazar partiak, politik, elektoral, ekipor apo personal. Për ne që kemi lindur në fund të viteve 1940 e më vonë, këto “ceremoni festive” për një kafene apo tufë kafenesh, janë imitime banale dhe qesharake të “ceremonive madhështore” në kohën e diktaturës komuniste apo enveriane për inaugurimet e veprave të mëdha industriale, bujqësore, blegtorale të socializmit. Pas prerjes së shiritave të përurimit të tyre nuk ndryshonte pothuajse asgjë në nivelin e jetesës sonë të përditshme, në xhepat e baballarëve dhe nënave, në raftet tona të ushqimeve, në tavolinat tona të thjeshta të ngrënies, bërë shoshë nga molat, të cilat këndonin shpesh, sikur i mbanin iso këngës së zorrëve tanë…Edhe nga kafenetë e reja apo komplekset e kafeneve moderne nuk mund të priten përmirësime të mëdha në nivelin e jetesës së shumicës së kamerierëve dhe banakierëve me paga rreth 15.000-25.000 lekë të reja në muaj, përfshirë edhe ato lekë që fitohen nga bakshishet.

As për pensionistët, që janë kafepirësit më të shumtë e më të rregullt, nuk do të ndryshojë gjë për mirë. Përgjithësisht, do të vazhdojnë të mblidhen po aty ku kafeja kushton më lirë, pa u joshur se në kafenetë e reja kafeja është vërtetë pak më e shtrenjtë, por edhe më e mirë si cilësi dhe shije. Sepse me ato pensione që marrin dhe me shtesat që u bën qeveria rrallë e për mall e sa për 7-8 shishe me dhallë, duhet të kavërdisen një muaj të tërë, për të ngrënë sa me mbush barkun, pa parë se me çfarë, për të paguar faturat e larta të korentit, ujit, internetit, celularit, barnave mjekësore jashtë listës së shkurtër të rimbursimeve, por, sa më largqoftë, edhe arkivolin, copëzën e tokës në varreza, drekën e varrimit, pllakat prej betoni apo mermeri të lirë të varrit…Për të pushteshmit apo qeveritarët e çdo niveli panumërsia dhe plotshmëria e kafeneve ka edhe disa të mira të tjera. I mbajnë ulur apo mbërthejnë qytetarët kafepirës nëpër karrige, larg zyrave të tyre dhe larg shesheve të protestave. Domethënë, larg opozitarëve apo të pavarurve kurajozë, shumë prej të cilëve ditëve të protestave i kursejnë apo sakrifikojnë kafetë e atyre mëngjeseve. Shumëkujt në Tiranë, sidomos në zonat pranë Parlamentit, Kryeministrisë, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bashkisë, u ka rënë në sy, se ndërsa mijëra qytetarë të zhgënjyer dhe të pakënaqur nga qeverisja “rilindase” protestojnë, lodhen, ngjiren, rrezikojnë sytë nga gazrat lotsjellës apo kokat nga ndonjë shkop gome i policisë, qindra të tjerë, shumica nga kontigjenti i tifozëve të së majtës apo i “të pavarurve”, i vështrojnë nga karriget apo xhamat e kafeneve, me indiferencë, qesëndi, disa edhe me armiqësi…Në këtë kuptim këta mund të quhen edhe “grevëthyes” apo “protesta-bojkotues”. Natyrisht, si qytetarë të dy “ushtritë”, ajo e atyre që protestojnë, qoftë me kërkesa politike dhe qoftë me kërkesa thjeshtë qytetare e njerëzore dhe ajo e kafepirësve të ngeshëm, që i vështrojnë si spektatorë apo edhe i tallin, nuk janë shumë larg njëra-tjetrës…Në të kundërt, janë shumë afër apo me ndryshime të pakta e minimale për nga të ardhurat mujore, domethënë nga pagat dhe pensionet. Po kështu, i blejnë në të njëjtat tregje dhe me të njëjtat çmime ushqimet e përditshme, veshjet, i paguajnë në të njëjtat farmaci dhe spitale e me të njëjtat fatura ilaçet, analizat, kujdesin mjekësor…Në të njëjtat zyra dhe me të njëjtat çmime(me tendencë rritjeje të vazhdueshme, ndryshe nga rrogat dhe pensionet), paguajnë edhe faturat e energjisë elektrike, të ujit, internetit, celularëve, biletat e avionëve dhe të autobusëve në linjat brenda qyteteve, për linjat e gjata…apo turistike. Disa nga politikanët dhe qeveritarët e pozitës, herë hapur e herë në vetvete ose duke folur vesh më vesh, që të mos i dëgjojnë votuesit e tyre “naivë” e “të shurdhuar” dhe “gazetarët veshëmprehtë”, mburren se bollëku si numër dhe përplotësia me klientë e kafeneve, shpreh suksesin e tyre si ekip dhe si qeverisje në luftën kundër papunësisë dhe varfërisë?! Thënë ndryshe, i shikojnë dhe llogarisin si “shprehje të rritjes së mirëqenies”, të “lumturisë”, “të rilindjes”. “Harrojnë” apo nuk duan të pranojnë se moria e kafeneve dhe e njerëzve brenda tyre në të vërtetë shpreh shumë më tepër zbrazëti xhepash, interesash, ambiciesh pozitive, erozion kulturor, intelektual…Nuk duan t’ia dinë për faktin se shumica e atyre që mbushin kafenetë nuk kanë mundësi financiare të blejnë laptopë e kompjuterë, qoftë edhe të përdorur, një revistë, një libër, një televizor të dytë, një dekoder të ri për programet HD, për ta kaluar në mënyrë të kulturuar kohën e lirë tejet të bollshme…”Harrojnë” se ata që punësohen apo punojnë nëpër kafene marrin paga qesharake, me të cilat nuk mund të sigurojnë një jetë normale për veten dhe jo më për një familje, me grua dhe dy fëmijë, kur dihet se çdo fëmijë, deri sa të bëhet për punë, kushton, e pakta rreth 20.000 lekë në muaj, domethënë mbi minimumin jetik në Shqipëri, ose sa qiraja për një garsoniere apo apartament 1plus 1 në lagjet përreth qendrës në Tiranë. ”Harrojnë”, gjithashtu, se kafenetë janë edhe fole thashethemesh dhe debatesh bajate apo shterpe, virusesh, sëmundjesh, alkoolizimi…Por, jo rrallë herë janë bërë edhe burim rreziqesh, sidomos kur disa me maska apo kaska motorësh, zbrazin breshëri automatikësh, nga jashtë apo edhe nga brenda, mbi objektivin e tyre të radhës, ulur në ato minuta në një lokal mbushur me njerëz të tjerë, pa asnjë njohje dhe lidhje me atë… Kështu, bëhet e qartë se kafenetë e shumta dhe të mbushura plot me njerëz, që shtyjnë paraditet me një kafe 50-70 lekëshe apo mbrëmjet me një teke raki sade, duke parë ndeshjet e futbollit, që nuk i shikojnë dot në shtëpi, se nuk i paguajnë dot paketat që ua mundësojnë ose, sepse nuk i lënë gratë e mbërthyera nga telenovelat turke, nuk pjellin “mirëqenie”, familje, fëmijë, siguri, qetësi, turizëm, kulturim, emancipim, demokratizim, evropiano-perëndimorizim…Ato janë “furra” ku digjet koha e lirë e bollshme, e varfër dhe e mërzitshme.

Por, njëkohësisht kafenetë janë edhe streha ku” shmangen” për 2-3 orë hallet e mëdha të shtëpisë, sherret, disa herë me ulërima sa i dëgjon i gjithë pallati dhe me dhunë ndaj grave, të cilave, me të drejtë, u zien mendja përditë se me çfarë do t’i ushqejnë dhe rrisin fëmijët. Aty nëpër kafene burrat shpëtojnë për 2-3 orë edhe nga vështrimet gjunjëkëputëse dhe zemërtherëse të fëmijëve, nga kërkesat e papërmbushura dhe të qarat e tyre të thekshme. 2-3 orë nëpër kafene i shpëtojnë jo pak burra edhe nga torturimi, kur shikojnë trupat që treten dhe shpirtrat që shuhen të prindërve të tyre të moshuar apo të sëmurë, që ikin para kohe nga kjo jetë dhe nga gjiri i familjes, për mungesë ushqimi të mirë dhe ilaçesh të efektshme…Të stresuar nga hallet e shumta të mbijetesës tejskajshmërisht të vështirë familjare nuk janë të rralla rastet kur tek disa zhgënjimi dhe pakënaqësia ndaj qeverisjes afro 6 vjeçare shpërthejnë edhe nëpër kafene, me sharje, kritika apo mallkime me gjithë shpirt e me zë të lartë. Por, “harrojnë” se e keqja që u ka rënë si mal mbi kokë nuk luftohet nga kafenetë, pijetoret, byrektoret, stolat e lulishteve… Krahas përdorimit si vende takimesh dhe njohjeje, kafenetë kanë edhe një të mirë tjetër. Nëpërmjet televizioneve informativë, aty në kafe, je i lidhur pareshtur me të rejat nga vendi dhe nga bota. Por, sikur të mos u mjaftonin hallet e veta, shumica e qytetarëve stresohen edhe nga hallet e të tjerëve, sepse në informacionet e shumta mbizotërojnë njoftimet për vrasje “për larje hesapesh”, vetëvrasje, arrestime trafikantësh të drograve, aksidente, përdhunime dhe vrasje makabre femrash, ulje të ndjeshme dënimesh nga gjykatat për vrasës gjakftohtë të 4 njerëzve… Ndërsa shumicës së qytetarëve u dridhen duart kur paguajnë 50-90 lekë për një kafe, aty nëpër televizorët e kafeneve plot nga qytetarët duhet të kenë lexuar dhe dëgjuar se partitë kryesore shqiptare u kanë paguar qindra mijëra euro kompanive lobuese për to gjatë zgjedhjeve ose dhjetëra mijëra euro apo dollar për të bërë kryetari i tyre një fotografi të çastit dhe jo protokollare me presidentin amerikan. Mund të kenë lexuar dhe dëgjuar edhe fakte, që dëshmojnë se Edi Ramës dhe ekipit të tij qeveritar, nuk u dridhen fare as qerpikët dhe as zemrat, kur firmosin dhe vulosin fatura tmerrësisht të larta për shokët deputetë dhe ortakët e tyre oligarkë

Hë, si thoni tani: kafenetë e shumta dhe plot janë shprehje punësimi, bollëku dhe mirëqenieje apo papunësie, varfërimi dhe mjerimi?/Gazeta Shqiptare.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Xhevat Mustafa