Një aleancë kundër Bosnjës

Enver Robelli Enver Robelli 11 April 2019 10:33

Si po i rikthejnë Zagrebi dhe Beogradi planet e viteve ‘90 për copëtimin definitiv të Bosnjës.

Së fundi kryetarja e Kroacisë vizitoi Berlinin dhe foli në një komision të Bundestagut. Dhe foli aq shumë për Bosnjën, saqë kishte deputetë gjermanë që pyetën veten dhe presidenten nëse e kishte ndërmend të thoshte diçka edhe për Kroacinë, presidente e së cilës është Kolinda Grabar-Kitaroviq.

Ka disa vite që kjo politikane konservatore, e cila nuk përton të pozojë për revista ruse të modës, përpiqet të alarmojë opinionin perëndimor mbi rrezikun e terrorizmit islamik nga Bosnja. Ky rrezik vërtet nuk mund të përjashtohet, sepse Bosnja ka probleme si shumë vende të tjera me fanatikët fetarë të helmuar me ideologjinë vehabiste, selefiste dhe aksionet barbare të Al-Kaidës dhe të ashtuquajturit Shtet Islamik. Por a është e vërtetë se në Bosnjë ekzistojnë 10 mijë fanatikë fetarë, siç ka deklaruar Grabar-Kitaroviq në vitin 2017? Natyrisht që nuk është e vërtetë.

Për të gjetur “dëshmi” se ekziston rreziku nga sulmet terroriste të ekstremistëve fetarë boshnjakë, shërbimi sekret kroat duket se ka aplikuar një metodë tejet të ndyrë. Në mediat boshnjake janë ngritur akuza të rënda se shërbimi kroat ka tentuar të bindë një besimtar të afërt me qarqet vehabiste që të fusë armë nëpër xhami në rrethinën e Zenicës. Pastaj shërbimi kroat me gjasë do të alarmonte autoritetet e Bosnjës se ka të dhëna se në filan xhaminë ekstremistët po bëhen gati për luftë e akte terroriste.

Shtetas të tjerë boshnjakë janë ankuar se kanë humbur lejet e qëndrimit në Kroaci dhe janë shpallur “rrezik për sigurinë nacionale”, për shkak se kanë refuzuar të bashkëpunojnë me shërbimin kroat. Disa kanë treguar se agjentët kroatë u kanë kërkuar të dhëna për ushtrinë e Bosnjë-Hercegovinës. Në ambasadën e Bosnjës në Lubjanë, para pak ditësh, janë paraqitur disa myslimanë të Bosnjës për t’u ankuar mbi përvojat tejet të këqija me autoritetet kroate gjatë kalimit nëpër Kroaci.

Njëri ndër kritikët më të ashpër të veprimeve të ndyra të shërbimit kroat është Dragan Mektiq, politikan serb i Bosnjës, aktualisht ministër i Brendshëm. Mektiq, një hetues policor me shumë përvojë dhe përkrahës i hyrjes së Bosnjës në NATO, kritikon edhe kryeprokuroren e Bosnjë-Hercegovinës, Gordana Tadiq, e cila është familjare e dy kroatëve të dyshuar për kurdisjen e aferës së fundit. Nuk është befasi që Tadiqi pushoi menjëherë hetimet kundër kushërinjve të saj.

Shumë analistë në Sarajevë theksojnë se me veprimet e fundit Kroacia po i bashkohet Serbisë në përpjekjet për destabilizimin e Bosnjës. Këto përpjekje të Zagrebit janë shtuar pasi në zgjedhjet e fundit në Bosnjë si anëtar i presidencës së vendit nga bashkësia kroate u zgjodh Zhelko Komshiqi. Nacionalistët kroatë nuk e pranojnë Komshiqin si përfaqësues të tyre, me argumentin se për të kanë votuar myslimanët dhe kështu e kanë “kontrabanduar” në presidencën e Bosnjës, ku secila etni – boshnjakët, serbët, kroatët - përfaqësohet me nga një politikan. Nga numëruesit e qelizave të gjakut, Komshiq nuk konsiderohet “kroat i vërtetë”.

Kur më 9 janar udhëheqja e serbëve të Bosnjës shënoi në Banjallukë “Ditën e Republika Srpskës”, të cilën Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e ka ndaluar, aty për të shprehur urimet e tyre ishin ambasadori i Kroacisë Ivan del Vechio dhe kryetari i Bashkimit Demokratik Kroat të Bosnjës (HDZ), Dragan Çoviq. Kjo ishte një skenë absurde: ambasadori kroat merrte pjesë në një akademi solemne të një entiteti të themeluar nga Ratko Mlladiqi e Radovan Karaxhiqi, dy kriminelë lufte tashmë të dënuar. Në akademinë solemne u dekorua edhe ish-oficeri i Armatës Popullore të Jugosllavisë dhe krimineli i luftës, Sllavko Lisica, i cili më 1991 dha urdhër për goditjen me granata të qytetit të Shibenikut, të cilin – përndryshe – e ka mbrojtur gjenerali i Kroacisë i lindur në Kosovë, Rrahim Ademi.

Qëllimi i fushatës kroate kundër Bosnjës është dobësimi sa më i madh i këtij vendi dhe krijimi i rrethanave për themelimin e një entiteti të tretë në Bosnjë – një republike kroate siç e kanë serbët republikën e tyre. Kjo është një ëndërr e ngahershme e nacionalistëve kroatë. Themeluesi i Kroacisë së pavarur, Franjo Tuxhman, gjatë viteve ‘90 është takuar rreth 50 herë me Slobodan Milosheviqin për të diskutuar tema të ndryshme – mes tyre edhe ardhmërinë e Bosnjës. Në planet e Tuxhmanit Bosnja do të duhej ndarë mes Kroacisë dhe Serbisë. Për shkak të kësaj politike agresive kundër Bosnjës shpërtheu një konflikt i madh që rezultoi me largimin nga partia të Stjepan Mesiqit, njërit prej themeluesve të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ).

Pas vdekjes së Tuxhmanit, i cili kështu i shpëtoi me gjasë edhe një aktakuze për krime të luftës nga ana e Tribunalit të Hagës, kryetar i Kroacisë u zgjodh Stjepan Mesiqi, i cili ua bëri të qartë kroatëve të Bosnjës se kryeqyteti i tyre është Sarajeva. Edhe pasardhësi i tij Ivo Josipoviq mbështeti pa luhatje tërësinë territoriale të Bosnjës dhe marrëveshjen e Daytonit. Me zgjedhjen e Kolinda Grabar-Kitaroviq në postin e presidentes dhe me ardhjen sërish në pushtet të HDZ-së me në krye kryeministrin Andrej Plenkoviq, Kroacia u është kthyer politikave të vjetra në raport me Bosnjën.

Këto politika gjithsesi gëzojnë Beogradin dhe liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili nuk lë rast pa u kërcënuar me shpalljen e pavarësisë së entitetit të tij dhe bashkimin me Serbinë. Debatet e fundit mbi “korrigjimin e kufijve” të Kosovës kanë trimëruar edhe më shumë Dodikun, i cili nuk ngurron që para gazetarëve të vizatojë hartën e Serbisë së re dhe shpesh “Republika Srpskën” e quan “Serbi perëndimore”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli