Dollmush Diplomacy

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 08 April 2019 08:03

Nëse e kujtoni të ndjerin Richard Hollbrooke, ai udhëtimet e tij në relacionin Prishtinë-Beograd-Washington, aty në vitet 1999, dhe përpjekjet e tij që lufta të shmangej me ndonjë marrëveshje të mundshme, i quante “Shuttle Diplomacy”. Kjo e Fatmirit dhe e Shpendit është më shumë diçka si “Dollmush Diplomacy”

Pas ditës së vetme të festës shtetërore, 1 Prillit, e cila është edhe ditë pune, u kthehemi normalitetit politik dhe rrenave të përditshme të politikanëve tanë.

Punësimet familjare-partiake-politike vazhdojnë me hapin dhe vrullin e njëjtë, dukuri kjo e cila ka kohë që e ka kapluar shoqërinë tonë. Punësimet më të reja të zhvatjes së parasë publike janë ato të emërimeve të partiakëve dhe tezakëve në kuadër të Grupit negociator kosovar. Marrja e përpiktë e Fatmir Limajt dhe e Shpend Ahmetit ashtu si “ekspertë” të burimeve njerëzore dhe caktimi i shumës së parave me të cilat do të rimbursohen të angazhuarit në Grupin negociator, vetëm sa e shpërfytyrojnë këtë komedinë e quajtur “Grupi negociator kosovar”. Nëse e kujtoni të ndjerin Richard Hollbrooke, ai udhëtimet e tij në relacionin Prishtinë-Beograd-Washington, aty në vitet 1999, dhe përpjekjet e tij që lufta të shmangej me ndonjë marrëveshje të mundshme, i quante “Shuttle Diplomacy”. Kjo e Fatmirit dhe e Shpendit është më shumë diçka si “Dollmush Diplomacy”. Cili nga ta është drejtuesi i atij dollmushi e cili konduktori nuk jam i sigurt, por për atë që jam i sigurt është se pasangjerët e tyre në dollmushin e tyre ta përkujtojnë një lloj ekskursioni të tinejxherëve në relacionin Prishtinë-Bruksel. Kifle kanë, dollmushi i nxehtë po, qumësht po, muzika në nivel, plus paguhen, jasha babo, Kosova Republikë!

Në rrafshin diplomatik të Kosovës kabllogramet diplomatike ishin kryesisht të preokupuara me temën e madhe kombëtare, kanagjegjin dhe pastaj edhe me dasmën e Gresa Behlulit. Tani së fundmi e kuptuam se do të na presë edhe sfida e radhës kombëtare në fushën diplomatike, e ajo do të jetë martesa e djalit të Remzie Osmanit.

Një debat tjetër i ngjallur në ambasadën time kishte të bënte me aderimin e Eliza Hoxhës në PDK. Është e drejtë e secilit njeri që t’i ketë dhe t’i shprehë mendimet e veta politike, e pse jo edhe t’U bashkohet një grupi politik dhe platforme politike të caktuar. Por cila na qenka ajo platforma politike e PDK-së, e cila e ka sjellë një artiste-intelektuale të kalibrit të Elizës që të aderojë aty? Ajo deklaroi se nuk ishte platforma politike e partisë ajo e cila e kishte joshur, por besimi njerëzor në disa prej akt0rëve aty përbrenda partisë!

Përndryshe platformat politike po piknin prej qiellit e nuk po krijoheshin prej njerëzve aty, të cilët udhëheqin ato struktura partiake. Ata njerëz të besueshëm janë aty për së paku 10+ vjet. Çka ndërruan ata aty? Ma thoni një të mirë që PDK-ja si parti politike ia ka sjellë Kosovës që nga ekzistenca e saj si parti? Mua nuk më kujtohet. Por kjo Kosovë e shkretë ka duruar dhe ka bartur edhe gjëra shumë më të rënda, do ta bartë edhe aderimin e Elizës në PDK, as syri vërrk s’do t’i bëjë.

Nga kabllogramet diplomatike ndërkombëtare të javës së kaluar, për ditarin tim do ta veçoja BREXIT-in, i cili si proces ka ngecur sikur magari në lloç, dhe këtu për herë të parë e shohim një dekadencë të politikës dhe Parlamentit britanik në këtë nivel. Nëse ankthi ka qenë ai të cilin politikanët britanikë kanë dëshiruar që t’ia imponojnë popullit të vet, atë gjë tashmë e kanë arritur shumëfish.

Një kabllogram tjetër ndërkombëtar, por që tërthorazi e prek edhe Kosovën, ka të bëjë me disa përgjime të telefonatave të bëra në Itali, dhe ajo çka ka rezultuar nga këto përgjime ishte se mafiozi italian, Antonio Vadala, i akuzuar për trafikim droge, paska udhëtuar edhe me avionin privat të një ministri nga Kosova.

Pyetja e një milion eurove është se me aeroplanin privat të cilit ministër kosovar paska udhëtuar ky mafiozi italian? Të kishte qenë që me veturën e ndonjërit prej tyre, e kishim pasur shumë më të lehtë ta gjenim, sepse vetura s’kanë të gjithë, por për të mbuluar gjurmë, ai mafiozi italian paska udhëtuar me aeroplanin privat të ministrit kosovar, sepse te ne secili ministër dhe zavenC ministër e kanë nga një aeroplan privat “Learjet 60”, asi si çdo qytetar mesatar i Kosovës.

Nuk po di a ta quaj lajm diplomatik lajmin se Isa Mustafa do të kandidojë sërish për postin e kryetarit të partisë në LDK. Sikur ta kishim ricikluar ne bërllokun ashtu siç i riciklojmë politikanët me zell, ku do ta kishte fundin kjo oaza e gjelbër e quajtur Kosovë? Ndonjë cinik do të më pyeste: pse a nuk është e njëjta gjë ajo, a? Fushata e brendshme e zgjedhjeve në LDK do të na sjellë çaste interesante argëtimi. Nuk jam i sigurt nëse kryetari i përjetshëm i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, do të kandidojë si kryetar i LDK-së apo si kryetar i Forumit Rinor të LDK-së. Mbetet të shihet.

Ju e dini që unë shpeshherë në ditarin tim e prek edhe ndonjë temë ashtu nga shkenca. Këtë javë më la përshtypje punimi shkencor i publikuar në njërin nga forumet e shumta shkencore në kuadër të ambasadës sime, nga disertacioni i Rob J. Whitney në lëmin e fizikës atomike. Do të mundohem që një pjesë të atij punimi shkencor ta shqipëroj në mënyrë sa më autoktone.

“Hulumtuesit e Universitetit të Oxfordit e kanë zbuluar elementin me dendësinë më të madhe të njohur për shkencën deri më tani. Elementi i ri, Qeverimentiumi (simboli=Qv), e ka një neutron, 25 asistentë neutrone, 88 zavenC neutrone dhe 198 asistentë zavenC neutrone, të cilat ia kanë dhënë këtij elementi masën atomike prej 312.

Këto 312 grimca atomike mbahen së bashku nga forcat fizike të quajtura moronët, e të cilat janë të rrethuara nga sasi të mëdha të grimcave të quajtura habdalloide. Pasi që Qeverimentiumi nuk ka elektrone, ai është element inert. Edhe pse i tillë, ai është i detektueshëm në natyrë pasi që ai e pengon secilin reaksion me të cilin ai bie në kontakt.

Një sasi e vogël e Qeverimentiumit mund të shkaktojë një reaksion, i cili në rrethana të tjera normale do të merrte ca sekonda për të përfunduar, por me ndihmën e Qeverimentiumit ai reaksion merr prej 4 ditëve deri në 4 vjet për të përfunduar.

Qeverimentiumi e ka gjysmën e jetëgjatësisë nga 2 deri në 4 vjet.

Qeverimentiumi nuk zbërthehet, në fakt atij i ndodhin disa riorganizime fizike të brendshme, ku një pjesë e asistentë-neutroneve dhe zavenC neutroneve i shkëmbejnë vendet e tyre ndërmjet vete.

Në fakt, masa e gjithëmbarshme e Qeverimentiumit rritet gjatë kohës, pasi që secili riorganizim shkakton që më shumë moronë të shndërrohen në neutrone duke formuar isotupat.

Karakteristikat e moronëve i shtyjnë disa shkencëtarë të mendojnë se Qeverimentiumi formohet sa herë që moronët e arrijnë masën kritike të koncentrimit të tyre.

Këtij kuantiteti hipotetik i referohemi si maska kritike. Kur vjen deri te kataliza me paranë (€, £, $), Qeverimentiumi shndërrohet në Administratium (simboli=Ad), një element që liron po aq energji sa edhe Qeverimentiumi, pasi që ka gjysmën e numrit të gjithëmbarshëm të habdalloidëve, por dyfishin e numrit të moronëve”.

Siç po e shihni, lexues të dashur të ditarit tim, shkenca është e bukur, e sidomos fizika, e cila na i shpjegon në mënyrë empirike dukuritë dhe proceset në natyrë e shoqëri, të cilat na rrethojnë. Sikur ne të ishim pak më të shkathtë, tani pas këtyre zbulimeve të reja do të duhej që si shoqëri të organizoheshim dhe të fillonim me planin e ndërtimit të një Hedron Collideri, më të madhin në botë që do të shkonte përreth “kufijve” të Kosovës: Kullë, Çakorr, Leposaviq, Ujman, Zveçan, Mollë e Kuqe, Luginë e Preshevës, Medvegjë, Bujanovc, Debëllde. Ky korridor do të kishte trefishin e gjatësisë së atij në Zvicër, dhe si i tillë në eksperimentet e radhës së përplasjes së grimcave atomike, moronëve, habdalloidëve, do të vinim te zbulimet më të reja dhe më të avancuara të fizikës atomike dhe asaj molekulare, të cilat do ta përgatisnin njerëzimin për zbulimet e shekullit 21, që rrënjësisht do ta ndryshonin botën të cilën ne e njohim sot. Nëse në Gjenevë të Zvicrës janë në kërkim të “Grimcës së Zotit”, asaj që e para e filloi krijimin e çdo gjëje në univers, duke i njohur përkushtimin dhe mentalitetin tonë, unë jam i sigurt se shkencëtarët në Kosovë do të arrijnë që ta gjejnë “Grimcën e djalit të tezës së Zotit”. Me gjetjen e kësaj grimce do të shpjegoheshin shumë fenomene në natyrë, në univers e edhe më gjerë.

P.S. Ramush, të përshëndes me këngën e Bujar Qamilit, TAKSirat që m’ka xonë muuu!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani