Panoptikumi i Sarajevës

Enver Robelli Enver Robelli 04 April 2019 08:14

1.

Mustafa Ceriq ka qenë kryetar i Bashkësisë Islame të Bosnjë-Hercegovinës mes viteve 1993 dhe 2012. Në këtë funksion ai është bërë i njohur si lider shpirtëror i myslimanëve të Bosnjës. Ka marrë pjesë në shumë konferenca në botën perëndimore, ku ka prezantuar islamin si fe të paqes, e cila korrespondon me sistemin demokratik të Perëndimit. Ndonëse ka disa vjet që nuk është më prijës fetar i myslimanëve të Bosnjës, Ceriq ende ka autoritet në mesin e myslimanëve. Këtë autoritet ai e ka njollosur këto ditë, duke marrë pjesë në një konferencë në Grozni të Çeçenisë.

Konferenca mbante titullin: “Islami është mesazh i mëshirës dhe paqes”. Ishte organizuar nga Ramzan Kadirovi, të cilin një publicist boshnjak e quan “Arkani i Putinit”. Kadirov sundon në mënyrë brutale në republikën çeçene – duke terrorizuar kundërshtarët politikë, duke keqtrajtuar kritikët, duke nxitur homofobinë, duke i dalë në ndihmë Rusisë me trupat e tij paramilitare kudo ku ka nevojë – nga Ukraina në Siri.

Pikërisht një njeriu të tillë, i cili është i sanksionuar nga Washingtoni, efendiu boshnjak Mustafa Ceriq ia dhuroi Lulen e Srebrenicës, një simbol në kujtim të gjenocidit të forcave serbe në qytetin lindor të Bosnjës. Me këtë gjest Ceriq ka përlyer edhe kujtimin për viktimat e luftës në Bosnjë.

2.

Huso Qesar është funksionar i Partisë së Aksionit Demokratik (SDA) të Bosnjë-Hercegovinës. Para pak ditësh gazetarët e një portali hulumtues shkuan te firma “Bosnaplast” për të hulumtuar mbi afarizmin e saj. Huso Qesar është njëri nga shefat e ndërmarrjes. I zemëruar me gazetarët, Qesar iu vërsul njërit prej tyre që kishte kamerë dhe e sulmoi.

Menjëherë protestuan diplomatët dhe shoqatat e gazetarëve – njëjtë si në Prishtinë kur ndodhin skandale të tilla. Kryetari i SDA-së, Bekir Izetbegoviq, e mbrojti kolegun e tij partiak, duke thënë se Huso Qesar e ka sulmuar kamerën, jo gazetarin. Ky është humor i keq boshnjak. Dhe natyrisht në Twitter nuk munguan komentet në stilin: “Bakir, nuk ju kanë sulmuar serbët, por topat” ose “Drejtësi për kamerën e lënduar”.

SDA është themeluar nga Alija Izetbegoviqi dhe pretendon të jetë përfaqësuese ekskluzive e interesave të boshnjakëve, siç e quajnë veten myslimanët në kuptimin nacional. Si të gjitha partitë në vendet e tjera të rajonit që mendojnë se kanë të drejtë ekskluzive për të përfaqësuar interesat e popullit, edhe SDA – duke mbrojtur këto interesa – është zhytur në korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit.

Kjo parti sillet si të ishte nëndegë e partisë së Rexhep Taip Erdoanit në Bosnjë-Hercegovinë. Para zgjedhjeve presidenciale në Turqi Erdoani erdhi në maj të vitit të kaluar në Sarajevë për të mbajtur një miting elektoral. Në atë miting morën pjesë turq nga Evropa Perëndimore dhe nga Ballkani – ithtarët e Erdoanit erdhën në Sarajevë nga Shkupi, Gjilani e Sanxhaku. Bakir Izetbegoviqi, atëbotë njëri nga presidentët e Bosnjës, u bëri thirrje turqve të zgjidhnin Erdoanin president, sepse atë e paskësh dërguar Zoti (Allahu). Në prag të tubimit të Erdoanit në Sarajevë, gazetarët e interesuar për të përcjellë ngjarjen duhej të akreditoheshin te autoritetet turke, ndonëse tubimi zhvillohej në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës.

3.

Në Bosnjë (si në shumë vende të Ballkanit) nganjëherë realiteti e lë në hije humorin. Një portal njoftonte së fundi se persona të panjohur kanë vjedhur mbrojtëset e autostradës. Një bujk thoshte se ndoshta vjedhësit kanë pasur nevojë që me ato mbrojtëse t’i mbulonin kotecet e pulave. Ky nuk është vetëm fenomen boshnjak.

Vitin e kaluar “persona të panjohur” vodhën 2.5 kilometra mbrojtëse të autostradës mes Nishit dhe Dimitrovgradit. Më 2016 një vjedhje e tillë ishte regjistruar afër Novi-Sadit dhe mes lokaliteteve Lig-Prelina në rajonin e Kollubarës.

4.

Javën që shkoi në Sarajevë, pas shfaqjes së operës “La Boheme”, në Teatrin Popullor, ndodhi diçka e papritur. E pritshme është që të vidhet gardhi i autostradës, por të vidhet komplet “pazari” i shitjes së biletave për operën “La Boheme”? Edhe kjo bëri vaki. Dyshohet se dikush nga të punësuarit mund të jetë i përfshirë në vjedhje. U vodhën mes 6000 dhe 7000 marka konvertibile (që i bie diku mes 3000 dhe 3500 euro).

“Ka ndodhur një vjedhje. Nuk kam dëgjuar që diku të jetë vjedhur teatri. Natën që shkoi ndodhi plaçkitja e zyrës sonë, ku gjendet edhe arka. (...) Tërë ditën kemi qenë krejt të çakërdisur dhe nuk mund të besonim se ka ndodhur kjo”, tha drejtori i teatrit Izudin Bajroviq.

5.

Në fund të kësaj kolumne një lajm i mirë: para një viti, pas 26 vjet ndërprerjeje, është hapur sërish teleferiku që e lidh shehrin e Sarajevës me Majën e Trebeviqit. Këtë e ka bërë të mundshme një biznesmen nga Zvicra. Brenda pak minutash, pasi shijojnë qebapët apo byrekët e famshëm të mjeshtërve shqiptarë të Bashçarshisë, turistët dhe vendasit futen në njërën nga kabinat dhe brenda pak minutave janë në Trebeviq, në lartësi prej 1160 metrash lartësi mbidetare. Aty ku dikur trupat e kriminelëve serbë të luftës shkrepnin granata në drejtim të qytetit, sot lozin fëmijë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Agimi 08/04/2019 09:16

Islami,Krishterizmi,Judaizmi e denojne homoseksualizmin si shperfytyrimte natyres njerezore,a duhet besimtaret te bien ndesh me vendimin Hyjnor per nje çeshtje per tiu pershtatur pseudo vlerave te njerezve te qthurur per tu quhajtur te civilizuar....

Bardh05/04/2019 10:18

Zoteri Robelli Ka 7 vite qe secilin shkrim qe ju e shkruani e lexoj. Nje numer i kufizuar i gazetareve ia vlejne te lexohen sot. Ate qe e thoni permes shkrimeve ndodh qe shpesh me qene kunder bindjeve te mia megjithate keni nje stil te vecante te te shkruarit per te cilin te vleresoj si lexues.

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli