OpEd

S’duhet të mbrohemi nga mediet, të mësojmë t’i përdorim ato

Ekspozimi ndaj përmbajtjeve mediale është në shkallë enorme, ndërkohë mbizotëron boshllëk i madh në njohurinë e shoqërisë, sidomos të të rinjve, për përmbajtjet mediale, ndaj të cilave gjithmonë duhet mbajtur gjykim kritik.

Nevoja e nxënësit për edukim medial është më e madhe se kurdo më parë, sepse nxënësit nuk i mjafton një diskutim i thjeshtë për dhe mbi medien, por i duhen shumë më shumë njohuri rreth medies, përmbajtjes mediale, funksioneve dhe keqfunksioneve që mund të shfaqen.

Nevoja për edukim medial në shkollat tona është domosdoshmëri. Pra, nuk është më vetëm një nevojë e cila mund të vihet në diskutim nëse duhet plotësuar ose jo, por është tashmë një materie që duhet të jetë në planprogramet shkollore.

Nevoja për edukimin medial është aktualisht mësim për jetën, pasi që një pjesë të madhe të jetës, sot, të rinjtë e kalojnë në dhe me medien.

Nevoja që të mësohemi me idenë se nuk duhet të mbrohemi nga mediet është e pashmangshme, prandaj duhet të mësohemi se si t’i përdorim ato. Nuk duhet të mësohemi që të mbrohemi nga ballafaqimi me përmbajtjet mediale, por duhet të mësohemi se si t’i pranojmë/refuzojmë dhe t’i përpunojmë ato përmbajtje. Në shumë vende të zhvilluara është konstatuar se është e kotë përpjekja për t’i mësuar të rinjtë që të mbrohen nga mediet, prandaj fokusi është zhvendosur në një rrafsh tjetër, që t’iu mësohet se si mund t’i përdorin.

Media, aq sa ka funksione në të mirë të shoqërisë, ka edhe disfunksione të cilat e dëmtojnë shoqërinë. Krahas misionit për informimin e publikut, media mund të jetë një levë shumë e rëndësishme për edukim të shoqërisë, për sensibilizim të shoqërisë, për argëtim të shoqërisë, etj. Megjithatë, ana tjetër e medaljes tregon medien si mjet i propagandimit, i keqinformimit, i nxitjes së urrejtjes racore, kombëtare e fetare.

Në shoqërinë tonë shohim shpesh se si keqkuptohen portalet satirike dhe këtë e vërejmë në komentet e shumë qytetarëve, të cilët duke mos e kuptuar këtë përmbajtje mediale, nuk e pranojnë me humor, por bëjnë diskutim serioz mbi diçka joserioze. Njëjtë ka ndodhur edhe me shpërndarjen e lajmit të rremë, në një rast është besuar lajmi i rremë dhe qytetarët menjëherë kanë komentuar duke e falënderuar Amerikën, pa e kuptuar se po bien pre e një lajmi të rremë. Rrjedhimisht, këta janë tregues se në shoqërinë tonë, ka edhe të rritur, prindër e mësimdhënës, të cilëve u mungojnë njohuritë rreth edukimit të përdorimit të medies, ose thjesht atyre u mungon gjykimi kritik.

Por për të krijuar një gjykim kritik mbi përmbajtjen mediale, nxënësi duhet të përfitojë disa njohuri themelore për medien, rolin e saj në shoqëri, llojet e përmbajtjes mediale (nga informata, reklama e deri te lajmi i rremë), gjithmonë duke pasur parasysh ndryshimin e vazhdueshëm të medies, në krye të herës për shkak të zhvillimeve teknologjike. Përdorimi gjithnjë në rritje i “Facebookut” edhe nga elitat politike e shoqërore është një yshtje e nevojës për edukim mbi medien, sepse secili duhet ta kuptojë se jo gjithçka që e lexon dhe që e sheh në media është e besueshme. Duhet ta dallojë nëse është fakt, nëse është opinion apo është propagandë.

Media ka qenë gjithmonë e rëndësishme dhe me ndikim në një shoqëri, por zhvillimi i saj, tok me teknologjinë, ka bërë që sot të jetë pjesë e pandashme e jetës së secilit. Pa medie, për shumëkënd është e vështirë të mendohet kalimi i minutave, ndërkohë për diçka kaq jetësore, në shkollat tona diskutimi është minimal.

Dua të ndaj një përvojë timen, që ndërlidhet me edukimin medial. Vitin e kaluar isha si ligjërues mysafir në Universitetin e Marburgut në Gjermani. Njëra temë e ligjëratave ishte për lajmin e rremë. Në pyetjen time se cili është burimi kryesor i informimit, pothuajse të gjithë studentët u përgjigjën për emisionin “Tagesschau” të televizionit publik ARD, dhe argumenti i tyre ishte sepse ky edicion i lajmeve nuk shpërndan asnjëherë lajm të rremë, është i paanshëm dhe gjithmonë e pasqyron realitetin. Ata më treguan se në shkollë të mesme kishin mësuar për edukimin mbi medien, dhe kjo u kishte ndihmuar shumë ta zhvillonin mendimin kritik ndaj përmbajtjeve mediale.

Ekspozimi ndaj përmbajtjeve mediale është në shkallë enorme, ndërkohë mbizotëron boshllëk i madh në njohurinë e shoqërisë, sidomos të të rinjve, për përmbajtjet mediale, ndaj të cilave gjithmonë duhet mbajtur gjykim kritik. Prandaj nuk duhet të humbim kohë si shoqëri, por të marrim shembuj nga bota e zhvilluar dhe t’i ndjekim ata shembuj për t’i realizuar edhe tek ne.

Edukimi medial është më shumë se një zgjedhje, është një nevojë për secilin, sepse përdorimi i medies është i vazhdueshëm.

(Autori është pjesë e stafit akademik në Departamentin e Gazetarisë/UP)