OpEd

Raportet Kosovë - Serbi nuk do të normalizohen edhe për shumë vjet

Retorika për shqiptarët që dëgjohet nga politikanët e Serbisë, naiviteti dhe mungesa e konsensusit në BE, kaosi politik në Kosovë, janë vetëm disa nga rrethanat që e bëjnë të pabesueshme ndonjë marrëveshje për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe po të mos e kishte vënë Kosova taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë, marrëveshja nuk do të arrihej. Kështu, tash kjo taksë po bëhet një alibi e mirë për BE-në, Beogradin dhe disa politikanë në Prishtinë për ta bartur fajin për mungesë të progresit në dialog.

Raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç pretendon BE-ja se do të duhej të normalizoheshin, nuk do të bëhen normale edhe për shumë vjet. Në vend të normalizimit të raporteve, ato në pjesën e dytë të dialogut, pra në pesë vjetët e fundit, vetëm janë keqësuar.

Serbët nuk janë integruar në sistemin e Kosovës, por Beogradi ka shfrytëzuar dialogun për të vendosur njerëzit e vet në sistemin e Kosovës, pa nevojën që ta njohin Kosovën. Mitrovica nuk është bashkuar. Nuk ka pasur lëvizje në gjetjen e së vërtetës për të zhdukurit. Kosova nuk është integruar në organizata ndërkombëtare, pos atyre ku Serbia dhe Rusia nuk kanë pasur mundësi të bllokojnë. E fjalori që përdorin politikanët e Serbisë për Kosovën dhe udhëheqësit politikë të saj, është ai i periudhës së Slobodan Milosheviqit. Duke nisur nga presidenti i Serbisë, Vuçiq, e deri tek ministri i Mbrojtjes Vulin, politikanët e Kosovës quhen me epitete: “+banditë”, “njerëz që duhen zbutur” (Vuçiq ka përdorur termin anglisht “taming” (që përdoret për zbutjen e shtazëve të egra), duke thënë se “dikush duhet t’i zbusë shqiptarët”. Ofendime të tilla janë të përditshme.

Por ato tashmë as nuk po regjistrohen nga BE-ja, e cila deri vonë kërkonte që të gjithë “të përmbaheshin nga fjalori nxitës”. I njëjti regjim në Serbi vazhdon të mohojë gjenocidin në Srebrenicë, nuk thotë asnjë fjalë për viktimat shqiptare gjatë luftës, as për ato të cilave ua morën eshtrat nga Kosova për t’i varrosur në afërsi të Beogradit.

Me këtë, Vuçiq, Daçiq dhe Vulin, sikur edhe të tjerët, po dëshmojnë se ndoshta e kanë ndryshuar sjelljen për t’i pëlqyer bashkësisë ndërkombëtare, por nuk kanë ndryshuar shumë në mendimet e tyre për fqinjët.
Dikush në Bruksel mund të na përsërisë porosinë se “duhet të shikojmë nga e ardhmja e jo nga e kaluara”, por, siç tha një herë një kolege kosovare në Bruksel, “Nuk është lehtë të shikosh nga a ardhmja kur i sheh këta që ta rikujtojnë dhe ta kthejnë të kaluarën”.

Krejt kjo retorikë që u dëgjua këto ditë nga Beogradi dëshmon se me këtë regjim është shumë i vështirë, nëse jo edhe i pamundur normalizimi i plotë i raporteve. E sinjale se do të ketë ndonjë ndryshim të regjimit në Serbi, nuk ka. E as ata që kërkojnë rrëzimin e Vuçiqit nuk kanë ndonjë dallim të madh në qëndrimet e tyre ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Kështu, për fat të keq, 20 vjet nga lufta mund të themi se nuk ka pasur ndonjë lëvizje të madhe drejt normalizimit të vërtetë, të sinqertë të raporteve. Dikush mund të thotë se nuk ka nevojë të pajtohen serbët dhe shqiptarët për të kaluarën, sepse për këtë nuk do të pajtohen kurrë, por duhet të pajtohen për të ardhmen.

Problemi qëndron se pa pajtim rreth të së kaluarës vështirë se mund të ketë pajtim për të ardhmen. Së paku jo nëse duam modelin evropian, atë franko-gjerman të pajtimit. Sepse ata janë pajtuar edhe për të kaluarën dhe vetëm atëherë kanë nisur të ndërtojnë së bashku të ardhmen. Nuk është e lehtë për Kosovën të pajtohet me ata që mohojnë apo relativizojnë krimet, përfshirë edhe përdhunimet e grave.

Retorika për shqiptarët, që dëgjohet nga politikanët e Serbisë, naiviteti dhe mungesa e konsensusit në BE, kaosi politik në Kosovë, janë vetëm disa nga rrethanat që e bëjnë të pabesueshme ndonjë marrëveshje për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe po të mos e kishte vënë Kosova taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë, marrëveshja nuk do të arrihej. Kështu tash kjo taksë po bëhet një alibi e mirë për BE-në, Beogradin dhe disa politikanë në Prishtinë për të bartur fajin për mungesë të progresit në dialog.

As në ëndërr nuk kemi mundur ta besojmë se një ditë një personalitet aq i lartë i BE-së, si përfaqësuesja e lartë, Federika Mogherini, do të mundë të pranonte të punohej në ndryshimin e kufirit si një prej zgjidhjeve të problemit. Aq më pak kemi mundur të besojmë se do të ketë politikanë relevantë në Kosovë që do ta pranonin një gjë të tillë. Por krejt kjo, në vend që të afrojë zgjidhjen, e ka larguar atë edhe më shumë. Sepse me këto ide janë krijuar ndarje në Kosovë, në BE dhe ndarje në mesin e miqve të Kosovës.

Vërtet BE-ja përballet me faktin se 5 shtetet e saj anëtare nuk e kanë njohur Kosovën. Por problemi qëndron në faktin se ndaj këtyre 5 shteteve asnjëherë nuk ka pasur ndonjë trysni të vërtetë për ta njohur, në emër të unitetit të BE-së, për shembull. Thirrjet që i ka bërë vazhdimisht Parlamenti Evropian nuk kanë pasur ndikim, sepse rezolutat janë “ligjërisht jo obliguese”.

Në vend që të punojë me vendet anëtare, përfaqësuesja e lartë Mogherini, sikur edhe paraardhësja e saj Ashton, kanë zgjidhur një rrugë tjetër: “Le të pajtohen Beogradi e Prishtina e pastaj me këtë do të pajtohen edhe shtetet e tjera”. As kjo nuk do të ndodhë shpejt. Sepse mosnjohja nga 5 anëtarët e BE-së, dhe komoditeti që ka Shërbimi i Jashtëm i BE-së në pozitën “neutrale ndaj statusit” janë stimulim për Serbinë që të kundërshtojë e jo që të pranojë pavarësinë e Kosovës.
Në anën tjetër, edhe premtimet abstrakte për “integrime evropiane” nuk kanë më ndikim. Në situatën e tashme duken madje qesharake kërcënimet që dëgjohen nga BE-ja se “po rrezikohet integrimi në BE”. Nuk po mund të shiten më karota të tilla. Sepse Kosova as që ka kërkuar të integrohet në BE, ndërsa liberalizimi i vizave, për të cilat i ka përmbushur kushtet formale, nuk po ndodh.

Edhe Serbia, po ta kishte njohur Kosovën në vitin 2008, apo në vitin 2010, kur u dha mendimi i GJND-së, sot do të ishte ose anëtare e BE-së, ose afër anëtarësimit. E tash, edhe po të arrijë marrëveshje me Kosovën, Serbia për së paku edhe dhjetë vjet nuk do të mundë të bëhet anëtare e BE-së. E nëse Mogherini apo bashkëpunëtorët e saj japin ndonjë premtim për “integrime evropiane”, atëherë nuk duhet t’u besohet, sepse në BE, në këtë moment, nuk ka ndonjë vullnet për zgjerim, dhe kjo situatë nuk do të ndryshojë shpejt për të mirë në favor të zgjerimit.

Një marrëveshje e cila do të ishte “gjithëpërfshirëse” dhe do t’i “normalizonte tërësisht” raportet Kosovë-Serbi, e në të njëjtën kohë të ishte “e pranueshme për të gjitha vendet anëtare të BE-së” dhe “në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, si dhe me “standardet evropiane”, që do të kishte “ndikim pozitiv në rajon” dhe do t’i zgjidhte, hiç më pak se “të gjitha çështjet e hapura mes palëve”, e mbi të gjitha këto, të “mbështetej nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së”, është thënë shkurt: e pamundur në këtë moment edhe për një kohë të gjatë. Rasti nuk është humbur këtë vit, sepse ai rast as që ka ekzistuar. Rasti është humbur në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, sipas këshillave të pjesës më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, në bazë të propozimit të ndërmjetësit ndërkombëtar.

Është humbur edhe në vitin 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha mendimin se kjo shpallje e pavarësisë nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare e as që e shkel Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Jo vetëm se është humbur rasti, por është devijuar procesi dhe vendosur drejt krijimit të situatës, në të cilën duhet pranuar se gjithçka ka qenë gabim, se nuk ka qenë zgjidhje, dhe se tash përmes dialogut të Brukselit duhet gjetur një zgjidhje. Në këto rrethana, sado që tingëllon defetiste, më mirë të mos ketë zgjidhje sesa të ketë ndonjë zgjidhje, e cila do të hapte më shumë probleme sesa që do t’i zgjidhte.