Kombajna e korrjeve të votave patriotike

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 01 April 2019 08:10

“Ekselenca e juaj,

Më lejoni që juve dhe popullit kosovar përzemërsisht t’jua uroj martesën e Gresa Behlulit. Çiftit të ri i dëshirojmë jetë të gjatë dhe të lumtur. Sytë tanë do të jenë të kthyer kah kanagjegji i Gresës dhe ekstravaganca e klasës aristokrate aty, e që për ne mbetet yrnek”

Përzemërsisht, Elizabeth R.

E enjte, 28.3.2019

Këtë javë ditarin do ta filloj me një barsoletë, e cila shpesh më asocion ashtu në ndonjërin nga këta liderucat tanë.

Ngjarja në barsoletë fillon në aeroport, ku një superpasanik kishte sjellë papagallin e tij, të cilit ia kishte paguar biletën business class për të udhëtuar në një qytet tjetër, ku familja e tij, veçse po qëndronte dhe po e prisnin papagallin.

Pasi që i përfundon të gjitha procedurat e checkin-it në aeroport, superpasaniku përshëndetet me papagallin e tij, të cilin ua dorëzon stjuardesave dhe vazhdon me punët e tij. Ato përkujdesen që pasangjerin e tyre VIP ta rehatojnë si është më së miri. Pasi e ulin në ulësen e tij në business class, ato e pyesin nëse mund t’i sjellin diçka për të pirë. “Po normal, oj qurë, që duhesh me m’sjellë diçka për të pirë. Për fillim bjerma një gotë shampanjë se m’u tha fyti”, iu drejtua papagalli njërës prej stjuardesave. Nuk kalon shumë kohë dhe afër papagallit ulet një biznesmen, i cili ashtu posa rehatohet nxjerr laptopin nga çanta e tij, e ndez atë dhe fillon të shkruajë diçka në të. Aeroplani ende nuk ishte nisur dhe stjuardesat po ecnin poshtë e lart dhe po i rehatonin pasangjerët nëpër ulëset e tyre. Sa herë që ndonjëra nga to kalonte pranë karriges ku ishte i ulur papagalli, ai iu drejtohej si është më së keqi: “Oj qurë, kur kalon këndej e ma sheh gotën e zbrazët mbushma me pijen tjetër, mos prit unë me të thanë ty.

Qitma një whiskey me akull, edhe mos m’i hap sytë si hut”. Edhe biznesmeni që ishte i ulur afër papagallit po çuditej me sjelljet e tij vulgare, mirëpo nuk thoshte asgjë. Kur kaloi stjuardesa e radhës pranë tyre biznesmeni iu drejtua asaj në mënyrë shumë të sjellshme: “Zonjë, a ka mundësi ta kem vëmendjen tuaj për një çast”?.- “Po zotëri, m’i jepni vetëm dy minuta sa t’i rehatoj dy pasangjerë të moshuar”- iu përgjigj stjuardesa.

Pas një minute, posa kaloi stjuardesa pranë karrigeve të tyre, u dëgjua zëri i papagallit: “O shtrambnejkë, pse po më këqyrë? Këqyrma gotën e zbrazët, bota nanën ty! Qitma një whiskey me akull!”.

Biznesmeni i ulur afër tij tash ishte në siklet edhe më të madh. Hapi atë pullën më të lartë në këmishën e tij dhe e liroi pak kravatën. Kishte filluar edhe të djersitej. - “Më falni zonjushë, a ka mundësi një gotë ujë, sepse më duhet që të marr medikamentin tim”, prapë iu drejtua biznesmeni njërës nga stjuardesat që po kalonin pranë.

“Po zotëri, ja për shumë pak kohë, vetëm posa të përfundojë aeroplani me ngritje, po nisemi”- iu përgjigj stjuardesa.

“Oj ftyrë pogaçe, qysh më kalon afër, ma sheh gotën me pi, që më është zbrazë e ti nuk ma mbush atë. Whisekyyyyyy me akull po du!”. Prapë po çirrej papagalli në njërën nga stjuardesat dhe secilën herë po e shërbenin. Kur aeroplani e arrin atë lartësinë e 10.000 metrave dhe kur fiken dritat sinjalizuese, që rripat i sigurisë mund të hiqen, qetësinë në aeroplan e prish zëri i papagallit. “Oj ftyra e ndrydhtë! Qysh po më kalon afër, po ma sheh gotën e zbrazët e nuk po ma mbush atë me pije? A secilën herë unë duhet me ju thirrë, he kallakongjat e dreqit!”.

Biznesmeni i ulur pranë papagallit po ndihej keq e në të njëjtën kohë po e kërkonte vëmendjen e ndonjërës nga stjuardesat, ashtu si xhentëlmen i vërtetë, e tashmë edhe hapi që po e mbante në shuplakën e dorës së vet kishte filluar që të zbutej nga lagështia e djersëve të shuplakës së tij. “Më falni zonjë, a ka mundësi një gotë me ujë vetëm sa ta pi këtë medikamentin tim!”- u dëgjua zëri i tij i mekur.

“Ja zotëri, vetëm po ia dërgoj këtë jastëkun një pasangjereje atje mbrapa”.

“Oj ftyra e thiut, a po ma sheh gotën e zbrazët … du whiskey me akull!”- u dëgjua papagalli, i cili u shërbye menjëherë.

Biznesmeni i ulur pranë tij tashmë po e sheh se mirësjellja e tij nuk po e dërgonte askund. Ishin bërë më shumë se 30 minuta prejse kishte filluar fluturimi, ai ende nuk ishte shërbyer me një gotë ujë. E shikoi papagallin e ulur afër tij, i cili po e pinte whiskeyn e vet ashtu në qetësi dhe pas ca sekondash biznesmeni shpërtheu. -“Oj ftyrë yti! Po sa herë duhesh me kalu afër meje e kurrë mos me m’pyet çka po pi? Sa herë bre duhna me ju lutë për një gotë ujë se fyti m’u tha. Medikamentin më latë pa e pi, bre ftyrë papuçet e shkelta para dere, njëherë!”.

Stjuardesa kryesore tha: “ehhh me juve dyve aq e pata, deri këtu e pata, dhe po hyn në kabinë e po i ankohet kapitenit të aeroplanit.

Kapiteni po ia lë komandat zëvendësit të tij dhe po çohet nga karrigia e vet. Kur u afrua tek karriget ku në business class ishin të ulur biznesmeni dhe papagalli, ai po iu drejtohet atyre. -“Zotërinj, mua posa më lajmëroi stjuardesa jonë kryesore për sjelljet e juaja prej vagabondësh ndaj stafit të aeroplanit. Unë këso sjelljesh dhe fyerjesh nuk toleroj në aeroplanin tim, prandaj iu kisha lutur që t’ma lironi aeroplanin dhe që sytë e mi më kurrë mos t’ju shohin përsëri”.

Stjuardesa e hap derën e aeroplanit dhe papagalli e biznesmeni hidhen jashtë prej aeroplanit.

Ashtu në rënie të lirë prej 10.000 metrash, duke u rrokullisur në ajër që të dy, papagalli në një moment po e pyet biznesmenin.

-“Zotni, a din ti me flitru”?

“Joooooo”, po ia kthen biznesmeni, derisa po vazhdonin që të binin në ramje të lirë.

“E çka hamamin m’u frajeritshe atëherë në aeroplan?”- e pyeti papagalli, që iu dha krahëve edhe ia mbathi rrugës së vet.

Kjo barsoletë m’u ndërlidh edhe me rastin e vizitës së djeshme të kolegut tim, ekselencës së tij, ambasadorit të Zvicrës në Kosovë, z. Jean-Hubert Lebet, në Skenderaj, me rastin e përurimit të disa ujësjellësve për disa fshatra të rajonit të Skenderajt, e për të cilët kishte kontribuuar Qeveria zvicerane, me taksat e popullit zviceran. Z. Lebet në fjalimin e tij tha se “është e padrejtë që ne t’ua financojmë ujësjellësin për fshatrat e tuaja, përderisa ju paguani për veteranë të rrejshëm”.

I menjëhershëm kishte qenë reagimi i kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili ia kishte përkujtuar ekselencës së tij, z. Lebet, se ai po fliste në Drenicën “heroike” prej nga vjen presidenti Hashim Thaçi, prej nga vjen komandant “Daja”, i aferës “Toka”. Prej nga vjen kryetari legjendar i burgosur i Komunës, Sami Lushtaku, i ikur nga QKUK-ja … e kishte ndezur Kadrushi kombajnën e korrjes së votave patriotike në Drenicë dhe vetëm edhe çiftelia po i mungonte ASHSHM-ja … arma shqiptare e shkatërrimit në masë … të dhjerë por krenarë! 20 vjet pas luftës alamet komandantat që udhëhoqën fshatrat e tyre e edhe Kosovën në përgjithësi, as ujësjellësa e as nevojat e tjera esenciale nuk arritën që t’i përmbushnin për qytetarët e tyre, por krenarinë me të cilën vazhdojmë që ta gënjejmë vetëm veten tonë e kemi më të lartë se Kulla e Ajfelit. Por tek të huajt këto pordhët tona të ftohta më nuk po shiten. E sidomos jo tek të huajt, të cilët shërbejnë në misionet e tyre diplomatike në Kosovë. I shohin ata gjërat për së afërmi nga terreni.

Por për liderucat tanë, siç e dëshmoi edhe Kadrushi, qasje të tilla të diplomatëve të huaj, kur ua përplasin të vërtetën turinjve, e kthejnë menjëherë në ndonjë fjalim populist për korrje të votave “patriotike”. E more Kadrush, lutu ti që z. Lebet mos me ua hapë juve dosjet akademike gjatë qëndrimeve tuaja në Zvicër të viteve ‘90, gjë të cilën unë ua shoh për të madhe që nuk e kanë bërë 20 vjet më herët, e që sot kjo Kosovë e shkretë mos të ushqente atdhetarë e heronj të rrejshëm, të cilët sot e 20 vjet pa fije të marres e mbajnë peng lirinë e Kosovës për “heroizmat” e tyre. Qysh një herë në këto vite nuk e dëgjova “studentin e historisë” në Zvicër, Hashim Thaçi, ta fliste gjermanishten akademike, se atë gjuhën angleze të Tarzanit ia kemi dëgjuar shpesh. Unë qe 20 vjet këta njerëz i kisha perceptuar vetëm si mashtrues ordinerë, por si i hangri populli aq lehtë kopallat e tyre e qe besa edhe shumë të huaj, ende nuk e kam të qartë.

Nga kabllogramet diplomatike për lexuesit e ditarit tim vlen ta veçoj urimin, të cilin dje e pranova nga Lartmadhëria e saj, Mbretëresha e Anglisë, Elizabeth II.

“Ekselenca e juaj,

Më lejoni që juve dhe popullit kosovar përzemërsisht t’jua uroj martesën e Gresa Behlulit. Çiftit të ri i dëshirojmë jetë të gjatë dhe të lumtur. Sytë tanë do të jenë të kthyer kah kanagjegji i Gresës dhe ekstravaganca e klasës aristokrate aty, e që për ne mbetet yrnek”.

Përzemërsisht,

Elizabeth R.

Jam shumë i ekzaltuar se si anglezëve asnjëherë nuk u ikën asnjë eveniment ashtu me rëndësi të veçantë për kombin tonë dhe urimet mbretërore nuk mungojnë asnjëherë. RESPEKT!

P.S. Ramush, edhe ty deshta me të pytë diçka në lidhje me taksën. A din me flituru???

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani