OpEd

Folklori ballkanik nervozon komisarin Hahn!

Fakti se zyrtarë të ndryshëm të BE-së po u japin rëndësi deklaratave folklorike të Edi Ramës e Hashim Thaçit rreth bashkimit kombëtar flet më shumë për pasigurinë dhe dilemat e bllokut rreth të ardhmes së rajonit ballkanik sesa për papërgjegjësinë e folësve… Ndërsa reagimet në Beograd janë dëshmi se vetë Serbia ka telashe më narrative të tilla, të mëdha, po ashtu për nevoja të brendshme…

Shqiptarët në Republikën e Shqipërisë dhe në shtetin e ri të Kosovës askush kurrë nuk i ka pyetur nëse duan të jetojnë në dy shtete të pavarura apo në një Shqipëri Etnike, siç e cilësojnë unionistët. Në Kosovë megjithatë kjo tezë është shndërruar në deklaratë politike që përdoret dendur rëndom për t’i fituar zgjedhjet, ndërsa në Tiranë përdoret kur vendi kalon kriza të mëdha politike.

Mirëpo kjo tezë tek shqiptarët i ka adhuruesit e vet të shumtë: Bujqit dhe ministrat!

Të parët për arsye të justifikueshme emotive, kurse të dytët për t’u shfaqur secili më patriot se shoqi!?

Mirëpo rëndom ka shumë hile në këtë intencë.

Dhe hilja shihet varësisht kush e shqipton dhe në çfarë momentumi politik?

Kur këtë tezë e bërtisnin Sali Berisha e Hashim Thaçi në Shkup më 2012 (për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë), opozita socialiste në Tiranë po thoshte se Berisha po e përdor për përdorim të brendshëm, ndërsa zyrtarët e BE-së nuk deklaroheshin, sepse ende Hashim Thaçi u duhej për ta mbajtur në dialog permanent me Beogradin, që tregimi kosovar të ishte i suksesshëm, kurse Tiranës zyrtare nuk ia vinin gjithaq veshin.

Kur Tirana nisi negociatat për NATO-n dhe liberalizim të vizave e Prishtina për MSA-në, që të gjithë liderët shqiptarë dhe kosovarë së bashku përsërisnin si në kor se bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë në BE!?

Së pari Edi Rama është në përballje me varfërinë, sepse ngritjen ekonomike s’e bën dot, pastaj i përplasur me opozitën dhe me presionet e ShBA-së për dekriminalizimin e kastës politike. Së dyti, në Kosovë nuk po mundej dot “t’ua thyente zemrat” shqiptarëve kosovarë për ta adhuruar si dikur diktatorin Hoxha apo sikur Berishën në vitet ’90, dhe i tëri buzë e vaj po i pyeste ata pak miq që i ka në Prishtinë: “Vallë, pse s’më duan këta?”, përderisa shteti që ai e udhëheq në mënyrë selektive e kishte pajisur Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje me pasaporta shqiptare dhe kjo për koalicionin qeverisës në Prishtinë kuptohej si rreshtim i Shqipërisë me opozitën e kundër pushtetit.

Së këndejmi, Edi Ramës i duhej më shumë populizëm në retorikat e tij publike (ashiqare ky është trend në nivel global!?).

Amerikanët dhe evropianët në Prishtinë e kishin njeriun e tyre, që e kishin ngritur që në Rambouillet, mirëpo ndërkohë Hashim Thaçit nuk i ecën punët mirë, ai pos që mund të jetë subjekt hetimi nga Gjykata Speciale, u përplas fort me partnerët strategjikë të Kosovës (zyrtarët e ShBA-së dhe BE-së) prandaj i hyri një aventure tjetër - ta pasonte kryeministrin shqiptar – pra, siç thonë në jug të Shqipërisë, “t’ia mbante iso-n” për të provokuar zyrtarët në Bruksel, ose për të sprovuar që përmes shantazhimit të nxisë interesimin më të madh të BE-së për Kosovën, sepse, sipas retorikave të Thaçit, nëse Kosova nuk favorizohet (ndonëse me qeverisje kleptokratike dhe pa e vendosur asnjëherë sundimin e ligjit) mund të bëhet hataja në rajon!?

Dhe pasi ata dy morën kritika të ashpra nga thuaja të gjithë, që nga Washingtoni e deri në Bruksel, Rama e luan lojën e strucit, kurse Thaçi e vazhdon betejën i vetëm dhe i pashpresë.

Pasi që komisari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, shprehu publikisht zhgënjimin madje edhe nervozizmin e tij, për shkak të deklaratave ndezëse të disa liderëve ballkanikë, Hashim Thaçi pasi që u ballafaqua me kritikë direkte (presidenti i Kosovës nuk është mësuar me kritikën publike nga zyrtarët e huaj!?) deshi ta vazhdonte këtë “mission imposimble” duke i mbajtur leksione Hahnit se “BE-së i mungojnë lidershipi dhe vizioni” në konkretizimin e perspektivës evropiane për Kosovën, ndërkohë që lidershipi kosovar nuk ka arritur për tre vjet t’i adresojë për zgjidhje dy çështje madhore të interesit të saj kombëtar, përkatësisht dy zotime që i ka marrë nga Bashkimi Evropian, ratifikimin e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, marrëveshje e nënshkruar nga vetë Thaçi, në cilësinë e ministrit të Jashtëm kosovar dhe të themelimit të Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, që është derivat i Marrëveshjes së parë mes Prishtinës e Beogradit në Bruksel më 19 prill 2013, të nënshkruar nga kryeministri Isa Mustafa.

Nga e tërë kjo rashomoniadë del se Ballkani ka burrështetas të brishtë dhe dallaverxhinj, të cilët nuk arrijnë t’i ligjësojnë zotimet e tyre ndërkombëtare kur botërisht dihet se një shtet është i bërë atëherë kur është i aftë të hyjë në marrëdhënie ndërkombëtare me shtetet e tjera, dhe në këtë aspekt liderët nacionalistë të Ballkanit nuk po arrijnë që të marrin respektin ndërkombëtar për arsye të lojës së tyre dyfytyrëshe.

Për dallim nga Edi Rama dhe Hashim Thaçi, kryeministri aktual Isa Mustafa mban qëndrimin se shqiptarët janë një komb me dy shtete (duke pretenduar në publik se Kosova është shteti i dytë shqiptar në rajon), madje ky i cilësoi si populiste deklaratat e tyre.

Por, në anën tjetër, kryeministri u përball me kritikën e rreptë të akademikut Rexhep Qosja, i cili vuri shenjën e barazimit mes konceptit të Mustafës dhe atij serb karshi shqiptarëve!

Në anën tjetër, Thaçi i mbështetur për muri (i kritikuar për mbështetje të deklaratës së Ramës nga ambasadorët amerikanë në Prishtinë dhe Beograd, Greg Delawie dhe Kyle Scott, nga ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, thotë se “projekti i Shqipërisë së Madhe” është një prodhim i propagandës së Serbisë me qëllim që ta jetësojë projektin e vet të Serbisë së Madhe, që tashmë thuajse funksionon.”

Në këtë dritë liderët etnonacionalistë ballkanikë rëndom tjetrit ia bëjnë me gisht duke klithur “qe hajni”, përderisa ushqejnë shpresa dhe ëndrra të njëjta për bashkim kombëtar, tezë që e ka burimin thellë në histori, në shekullin 19.

Pastaj Thaçi e thotë margaritarin e radhës se “nuk ka Shqipëri të madhe apo të vogël, por ka vetëm Shqipëri dhe Kosovë”, që si retorikë politike mësyn ta fshehë atë që e kishte pohuar më përpara.

Thaçi në thelb këtë retorikë për bashkim kombëtar e ka kamufluar mirë që nga çlirimi i Kosovës më 1999, duke i dhënë atë që e dëshiron shtresa më populiste e shqiptarëve kosovarë, njëherësh duke dalë i moderuar para Perëndimit, porse tashti e ka rikthyer në skenë në formën e saj më të vrazhdë (si një lloj shantazhi) për ta akuzuar BE-në për “diskriminim dhe izolim” të qytetarëve kosovarë, përderisa Prishtina nuk i ka përmbushur zotimet e veta!

Dhjetë vjet pas fillimit të zbatimit të Planit të Ahtisaarit Kosova është ende një komb i pamaturuar, ngase shqiptarët e konsiderojnë si “shtet i dytë shqiptar”, kurse serbët si “shtet ilegal, të ashtuquajtur”, në planin ndërkombëtar ende nuk e ka ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkak të dy pengesave thelbësore:

Mosnjohja nga Serbia që po i mban peng edhe pesë shtete të BE-së;

elita kulturore dhe politike etnonacionaliste brenda Kosovës nuk po e trajton Republikën si projekt të përhershëm, për t’i dhënë kështu besnikëri.

Në anën tjetër, Edi Rama dhe Hashim Thaçi, ndonëse e dinë mirë se shteti kosovar është produkt i intervenimit të NATO-s dhe juridikisht i kornizuar sipas Pakos Ahtisaari, që vë në pah tri parimet e panegociueshme: 1. Nuk ka rikthim në gjendjen para vitit 1998; 2. Nuk ka ndarje të Kosovës; 3. Nuk ka bashkim me ndonjë shtet tjetër, ata thjesht aspektin emotiv të përkatësisë e shfrytëzojnë për të kalkuluar pozicionin e tyre personal dhe jo që ata janë patriotë aq të zjarrtë sa shiten ndonjëherë në publik.

Duke qenë se elitat politike dhe kulturore në Republikën e Kosovës nuk kanë mësyrë të lidhin qytetarin për institucionet e shtetit, porse kanë investuar shumë retorika e folklor për t’i mbajtur ata të lidhur për trungun etnik, gjë që pos në bjerrjen kot të kohës, pahetueshëm ka ndikuar edhe në frikësimin e serbëve kosovarë që të integrohen në sistemin politik të Republikës, që është edhe shtet i tyre. Pra, këto retorika boshe në thelb nuk kanë lejuar që Kosova të marrë dashuri e besnikëri nga të gjithë shtetasit, duke qenë se qytetarët nuk janë të lidhur emotivisht për shtetin modern, si atdhe i vetëm i kosovarëve, porse kanë mbetur pengje të përkatësisë së ngurtë etnike, që si bashkësi njerëzore është produkt i shekujve 18-19.
E meta thelbësore e Pakos është ndarja e shtetit mes komuniteteve shumicë dhe pakicë (do të duhej që të evitohej ky raport) dhe të gjithë shtetasit të lidheshin jo për etnitë e tyre (rrënjët), porse për shtetin (si garantues i lirisë së tyre.)

Dhe në këtë kontekst në Kosovë nuk është maturuar shteti-komb i qytetarëve, pra shteti i deetnizuar!

Në definicione dhe retorika politike shqiptarët si serbët ngulin këmbë në kombin kulturor dhe të drejtën e tij për bashkim kombëtar, mirëpo për dallim nga serbët shqiptarët janë konstituuar si komb më vonë dhe vetëm pas intervenimit nga jashtë.

Kombi shqiptar është krijuar njëjtë sikur ai kosovar, me intervenimin e Austro-Hungarisë.

Pra, tek këta popuj ende vlen koncepti i kombit që përket në shekullin 19.

Mirëpo, me këtë hov Rama e Thaçi po bërtasin parulla populiste, sepse argumentet nuk shkojnë në favorin e tyre!

Fakti se zyrtarë të ndryshëm të BE-së po u japin rëndësi deklaratave folklorike të Edi Ramës e Hashim Thaçit rreth bashkimit kombëtar flet më shumë për pasigurinë dhe dilemat e bllokut rreth të ardhmes së rajonit ballkanik sesa për papërgjegjësinë e folësve…

Askush nga zyrtarët sot në selinë e BE-së nuk di ç‘të thotë nëse shtetet e rajonit kanë perspektivë evropiane gjatë dekadës së tretë të shekullit 21 ose jo dhe nëse Kosova do të marrë liberalizimin e vizave edhe nëse e ratifikon Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi ose jo!?

Ky konfuzion i zyrtarëve të BE-së (sidomos pas Brexitit) sikur u jep njëfarë legjitimiteti retorikave të liderëve ballkanikë që mësymjet e tyre rëndom i kanë karshi fqinjit të parë!

Ndërsa reagimet në Beograd janë dëshmi se vetë Serbia, pushteti aktual, ka telashe me narrative të tilla të mëdha, po ashtu për nevoja të brendshme, por jo vetëm kaq: Shikojeni si funksion Bosnja dhe si flet Milorad Dosk, dhe do ta keni përgjigjen në pyetjen përse Serbia e Madhe nuk është më vetëm retorikë boshe!?