願 你 生 活 在 有 趣 的 時 代*

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 25 February 2019 08:14

Kultura dhe civilizimi kinez janë të lashtë. Dinastitë e perandorive të tyre shtrihen ndër shekuj dhe mileniume, dhe ato i lanë trashëgimi të shumta historisë së njerëzimit, të cilat ne sot ende i trashëgojmë për të mirë apo për të keq!

E enjte, 21.2.2019

Ditari im ka filluar të më njohë shumë mirë. Rrjedhimisht edhe secili lexues i tij. Mënyrën e të menduarit, të shprehurit, diplomacinë, mesazhet, të vërtetën e hidhur të cilën nuk kemi dëshirë që ta dëgjojmë.

Para shumë vjetësh, ashtu gjatë dëgjimit të një radioje talk-show, hasa në përkthimin dhe domethënien e një fjalie mallkuese kineze. Ajo fjali në përkthim tingëllon diçka si “jetofsh në kohëra interesante”, e që në shikim apo dëgjim të parë po tingëllon edhe si uratë, mirëpo në atë përmbajtjen e saj mesazhi dhe mallkimi i saj janë që jeta jote të mos kalohet në qetësi, por të ketë sa më shumë ngjarje në të, në fakt njëra të mos i lëshojë rrugë tjetrës. Ngjarje të cilat si pasojë nuk kanë asnjë sens sipas çfarëdo logjike të shëndoshë. E kur ato si të tilla nuk kanë sens, ndërsa natyra e kërshërisë së njeriut në vazhdimësi është në kërkim të përgjigjeve pse, qysh, çka, kur, kush, dhe kur përgjigjet në ato pyetje nuk gjenden, atëherë ato fillojnë të shkaktojnë lëndim shpirtëror. E lëndimi shpirtëror më tutje dërgon në atë spiralen e degradimit të gjithëmbarshëm të shoqërisë ku edhe antivlera shndërrohet në vlerë.

Kultura dhe civilizimi kinez janë të lashtë. Dinastitë e perandorive të tyre shtrihen ndër shekuj dhe mileniume dhe ato i lanë trashëgimi të shumta historisë së njerëzimit, të cilat ne sot ende i trashëgojmë për të mirë apo për të keq! Disa nga zbulimet e kulturës së tyre të lashtë të cilat njerëzimit i lanë gjurmë të thella janë prodhimi i letrës, printimi, baruti, kompasi, alkooli, ora mekanike, prodhimi i çajit, mëndafshi, porcelani, akupunktura, bronzi, shkrirja dhe përpunimi i metalit, paraja e letrës etj. Siç po shihet, bota sot do të ishte tjetër pa zbulimet e kinezëve.

Në arkivin e kabllogrameve hasa në kabllogramin e datës 28 korrik të vitit 1978, kur udhëheqja komuniste shqiptare botoi në “Zërin e Popullit” dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare Letrën e hapur të Këshillit Qendror të Partisë Popullore të Shqipërisë, e cila e shpallte udhëheqjen kineze si revizioniste dhe tradhtare të marksizëm-leninizmit. Këtu ndodhi shkëputja e madhe shqiptaro-kineze dhe vëllezërit kinezë u larguan nga Shqipëria. Kinezi i fundit që e la Shqipërinë si duket ndër hundët e tij kishte murmuruar fjalinë “jetofshi në kohëra interesante!”.

Në kabllogramet e tjera të arkivave diplomatike hasa në kabllogramet diplomatike të datës 9 maj 1999. Atyre ditëve bombardimet e NATO-s kundër caqeve serbe ishin në zenitin e tyre. Jemi në prag të 20-vjetorit të tyre. Në atë ditë u godit Ambasada kineze në Beograd. Me atë rast tre reporterë kinezë humbën jetën aty. Marrëdhëniet amerikano-kineze u tendosën tej mase dhe Qeveria kineze e cilësoi si një “akt barbar”. Në dëgjimin e tij pranë Kongresit Amerikan drejtori i atëhershëm i Shërbimit të Inteligjencës Amerikane - CIA, George Tennet, dëshmoi se ky ishte sulmi i vetëm i ndërmarrë në bazë të të dhënave nga terreni të marra nga CIA, ku kishte ndodhur identifikimi i gabuar i një ndërtese ushtarake serbe, e cila ndodhej në të njëjtën rrugë. Një zë i një kinezi aty në Ambasadën e goditur ishte dëgjuar të kishte klithur “jetofshi në kohëra interesante!”.

Pas çlirimit të Kosovës dhe dëbimit të ushtrisë dhe policisë serbe nga territori i Kosovës, në qershor të vitit 1999, fillon edhe kthimi masiv i refugjatëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Dëmet dhe shkatërrimet nga lufta ishin enorme. Njerëzit gradualisht filluan që t’i rindërtonin shtëpitë e tyre dhe që të rimëkëmbeshin. Filloi edhe tregtia e lirë. Në qytetet e ndryshme kosovare i kujtojmë dyqanet e shumta me mbishkrimin “Gjithçka 2.5” ose “Gjithçka 1.0”. Marka apo euro varësisht nga viti. Pronarë të këtyre dyqaneve tregtare ishin kinezët, dhe ne që jemi nga Prishtina e kujtojmë se “Kodra e Trimave” ishte e vërshuar nga dyqanet e tyre, ndërsa tregu kosovar i vërshuar nga malli i tyre. Për ata muajt e parë të pasluftës dhe vitet e para ishin disi të mirëseardhura, sepse ishin të lira, mirëpo kualiteti i tyre linte shumë për të dëshiruar. Madje më shumë se shumë. Me kalimin e viteve, me ngritjen graduale të standardit të gjithëmbarshëm, kërkesa për mallin kinez filloi të bjerë dhe tani njerëzit po kërkonin mall më kualitativ dhe më të qëndrueshëm gjithsesi edhe me kosto më të lartë. Kinezët nga “Kodra e Trimave” filluan të tërhiqeshin dhe sot nuk e di nëse ende ekziston ndonjë dyqan në pronësi të tyre, por ai i fundit që e lëshoi “Kodrën e Trimave” u dëgjua të kishte thënë “jetofshi në kohëra interesante!”. E ku mund të jetosh kohëra më interesante se kohën kur Hashim Thaçin e ke president shteti, Kadri Veselin e ke kryeparlamentar, Ramush Haradinajn kryeministër. Nëse i zgjerojmë hartat, president të Serbisë e kanë Aleksandar Vuçiqin, kryeministër Ana Burnabitch-in, e cila rishtazi u bë babë. Në Amerikë kryetar e kanë Donald Trumpin.

Jo nuk besoj në besëtytni, mirëpo ja që faktet për këto mallkimet kineze disi po ndërlidhen.

Në Shqipëri për sot është e paralajmëruar protesta e opozitës, Sali Berishës, mocanikut të “Murit kinez”, Lulzim Vashës dhe Monika Lewinsky Kryemadhes. E këta së bashku dëshirojnë ta rrëzojnë Qeverinë e Edi Rampës. Të mos keqkuptohem, Edi Rampa do të duhej të ecte, dhe për atë se në çfarë katrahure e ka shndërruar atë vend, për në Spaq të ecte. Mirëpo kur po e mendoj edhe alternativën me njerëzit sikur treshja Mosalu Kryeberbasha mos vet për atë Shqipërinë e shkretë. Nga erdhi ky emër? Njëjtë sikur edhe emri Marenglen (MARks, ENGels, LENin). Akronim i njerëzve të “ndritur” MOnika, SAli dhe LUlzim.

Të jetosh në kohëra interesante!

Labinot Tahirin e ke deputet në Kuvendin e Kosovës.

Të jetosh në kohëra interesante është kur Qeveria ndan gjysmë milioni euro për kremtimin e 11-vjetorit të Pavarësisë së shtetit, por askush “nuk e di” se ku shkuan ato para?

Të jetosh në kohëra interesante është kur popullata e cila jeton me 2 euro në ditë vajton vdekjen e disenjatorit 85-vjeçar të njohur të modës Karl Lagerfeld. Ai trashëgiminë dhe pasurinë e tij, që vlerësohet të jetë rreth 150 milionë euro, ia la maces së tij Choupette. Të jetosh në kohëra interesante është kur një njeri si Idriz Ajeti shkrin gjithë jetën e tij njëshekullore për të ngritur lart shkencën e vendit të vet dhe popullit, mirëpo injorohet nga shteti në vdekjen e vet.

Të jetosh në kohëra interesante kur Hashim Thaçi, president i Republikës së Kosovës, ish-udhëheqës politik i UÇK-së, në biseda me Serbinë vendos edhe copëtimin e Kosovës në tryezë të bisedimeve, 11 vjet pas deklarimit të Pavarësisë së saj.

Të jetosh në kohëra interesante kur Baton Haxhiu është këshilltar i Edi Rampës dhe i sHashim Kallamarit dhe është faktor i kursit patrioto-politik që dy shtetet tona dhe kombi shqiptar duhen marrë.

Të jetosh në kohëra interesante është kur ke ambicie të udhëheqësh me një vend por nuk ia njeh as simbolet, as himnin, as nuk e nderon.

Të jetosh në kohëra interesante është kur si deputet i popullit për ambicie dhe përfitime personale e voton Hashim Thaçin për president të Republikës së Kosovës.

Të jetosh në kohëra interesante është kur kryetar i Komunës së Mitrovicës është çifti i Agim Bahtirit Shakirës, i cili në maje të sharkisë e bashkon Mitrovicën dhe i hap urat ndarëse.

Të jetosh në kohëra interesante është kur në shkolla mëson gjithçka, përveç dijes, kur në spitale shëron gjithçka, përveç sëmundjes, kur në gjykata ndahet gjithçka, përveç drejtësisë, kur në polici merr gjithçka, përveç mbrojtjes. Po e shihni se ku po dal …

Të jetosh në kohëra interesante është që të pamoralshmit të shesin moral, të paditurit të japin dije, frikacakët të shesin trimëri, dhe injorantët të shesin patriotizëm.

Të jetosh në kohëra interesante është kur edhe Hollywoodi do ta kishte zili se çfarë shoqërie e VIP-ave edhe e JET-SET-it janë fukarenjtë e këputur të Ballkanit, të kapluar nga bërlloku dhe ujërat e zeza dhe kundërmimi i kanalizimeve në të gjitha anët.

Të jetosh në kohëra interesante është të lejosh që historia të të përsëritet.

Të jetosh në kohëra interesante është kur bashibozukët të udhëheqin secilën pore dhe secilin segment të shoqërisë.

Të jetosh në kohëra interesante është kur ti je duke e pirë kafenë tënde të mëngjesit apo ndoshta edhe çajin, kur ndoshta edhe e ke ndezur cigaren tënde nëse je duhanxhi, dhe në këtë moment je duke e lexuar “Ditarin e një ambasadori” …

* "Jetofshi në kohëra interesante!"

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani