Përralla, përralla, Ha(h)n qeni arra

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 21 January 2019 08:06

Beogradin e vizitoi presidenti rus Vladimir Putin. Në të njëjtën ditë në Kosovë erdhi për një vizitë të paparalajmëruar, ose së paku unë nuk kisha lexuar për të, komisari për Zgjerim në kuadër të BE-së, Johannes Hahn. Nga eksperienca ime diplomatike di aq, që në diplomaci asgjë nuk është dhe nuk ndodh rastësisht.

Muaji janar me gjithë pritjet e rëndomta se do të jetë një muaj më i qetë dhe më i ngadaltë në zhvillimet e shumta politike, veçse na ka përgënjeshtruar në lidhje me ato pritje dhe ende jemi në gjysmën e tij, ndërsa ngjarjet si ato në skenën vendore e edhe në atë botërore sa vijnë e zhvillohen me një vrull edhe më të fuqishëm.

E kur po ndodhin kështu vrullshëm vështirë t’i sistemosh të gjitha kabllogramet dhe të mbash një lloj koherence të zhvillimeve të gjithëmbarshme.

Do të filloj nga ato madhoret, më të rëndësishmet për popullin dhe mirëqenien e tij. Kabllogrami i parë ka të bëjë me bojkotin të cilin deputeti Labinot Tahiri do t’ua bëjë zhiletëve për t’u solidarizuar me popullin e Kosovës deri në liberalizimin e vizave?! Unë e kam pak problem ta kuptoj logjikën pas kësaj, por, sidoqoftë, Labinson Krusos vetëm do t’i dëshiroja që edhe po të hupej me ndonjë ishull dhe në atë mënyrë solidarizimi i tij do të ishte kuptimplotë.

Kabllogramet e radhës ndërlidhen me ftesat të cilat ish-komandantët e UÇK-së i morën nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Hagës. I pamë Remin dhe Sami Lushtakun. U intervistuan për një ditë dhe u liruan. Cilësia në të cilën ata ishin të ftuar ende mbetet disi enigmatike dhe sidomos pas prononcimit të Remit, i cili gjithnjë është në dilema shekspiriane dhe konstatimi i tij se ishte në cilësinë e “dëshmitarit të dyshuar”. Jam laik i jurisprudencës dhe termave juridikë, por “dëshmitari i dyshuar” në përkthim logjik ose i bie bashkëpjesëmarrës i ndonjë vepre, por në mohim të asaj gjëje, shkaktar direkt i asaj vepre pra edhe “dëshmitar i dyshuar” ose edhe e treta mund të ishte dëshmitar i ndonjë ngjarjeje të cilën asnjëherë nuk e ka raportuar. Pra, “dëshmitari i dyshuar” lë hapësirë për interpretime të shumta, thjesht logjike aspak ligjore. Ajo që më zgjoi kureshtje ishte prania e Milaim Zekës në këtë “delegacion”, por edhe ajo kureshtje më është shuar shumë shpejt pas krekosjeve të tij që Kuvendi duhet urgjentisht t’i ndajë 30 milionë euro nga buxheti për mbrojtjen e të gjithë të pandehurve të cilët do të paraqiten në gjykatë. E këto janë ato speciet e reja në florën dhe faunën e kësaj bote, përveç mishngrënësve, barngrënësve dhe bimëve që ushqehen me fotosintezë, kjo specie e re është buxhetngrënëse dhe atë e kullotin pa mëshirë, larg ia ndiejnë erën. Duke u kthyer edhe një herë tek deputeti Labinot Tahiri (jo se dëshiroj që atë ta fucktorizoj) por se na kanë fshi përpara të tillët edhe ai u prononcua se qysh se i ka kthyer pasaportat na i paska humbur $30,000 nga angazhimet muzikore. E pata edhe në status në “Facebook”, ndajini Labinson Krusosë $30,000 nga buxheti 30-milionësh i Milaimit. Sikur të kishte Kosova babë, të gjithëve prej shtëpisë na kishte qitë për mënyrën se si ne sillemi me shtëpinë tonë e nëna (Shqipëria) si nënë, na duron e na arsyeton e na përkrah.

Këtu në Britaninë e Madhe tjetër mesele është në vete. Para dy ditësh kryeministrja Theresa May pasoi debakël në Parlament me mosvotimin e marrëveshjes së saj me BE-në për BREXIT-in, kjo menjëherë u pa si rast politik për kundërshtarin e saj laburist Jeremy Corbin, i cili pa humbur kohë kërkoi votimin e mocionit të mosbesimit për kryeministren. Ai votim u mbajt të nesërmen dhe për çudi votimi i mocionit nuk kalon dhe Theresa May ende mbetet në udhëheqjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Edhe mbi Britaninë e Madhe ka rënë një hije e zezë dhe është shndërruar në objekt talljeje nga të gjitha qarqet politike në botë. Ajo karizma angleze është venitur dhe tretur në kakofoninë e zërave që nuk e dinë as çfarë kërkojnë.

Pas rrahagjoksjes për idenë e implementimit të taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjë- Hercegovinës, zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli më nuk u dëgjohet zëri. Pas kërkesës së amerikanëve që taksa të hiqet, heronjtë e implementimit të idesë pataten e nxehtë ia lanë kryeministrit Haradinaj që ai të merret me të, me rëndësi që për përdorimin e brendshëm të odave, kafeneve, Radiotelevizionin e Kadrisë edhe portaleve, Enver Hoxhaj është ai i madhi. Edhe Edita Tahiri doli me ca nga heroizmat e saj të padëgjuar më parë nga raundi i bisedimeve të mëhershme me Serbinë, të cilat i udhëhoqi ajo. Ta pyesim tash për “fjollën” e borës nuk do të ishte etike, sepse jemi në muajin janar dhe fjollat nuk do të duhej të ishin befasi në këtë kohë të vitit, por me arritjen e ditëve të para të pranverës ajo do të shkrihet si një flluskë sapuni. Një grusht miza na i lëshoi edhe Daçiqi nga Beogradi duke e ditur se ne po ndizemi si kalamajtë mas shikimit të filmave me Bruce Lee atje diku në fundvitet ‘70 pas daljes nga kinemaja. Ky bashkëkombësi ynë “kosovar” nga Prizreni na tregoi se si Rogner Kallamari edhe mini i “Zhitoprometit” Hajredin Kuçi i kishin nxehur gjakrat me një moment dhe se Hajredini ishte parë edhe duke hipur në tavolinë duke dashur të ballafaqohet fizikisht me Daçiqin, mirëpo e tëra përfundoi vetëm me një ballafaqim muzikalisht të akceptueshëm për ato rrethana ballkanike dhe këndimin e një refreni hit të asaj kohe “Na e bojna mi tavolina”.

Beogradin e vizitoi dje presidenti rus Vladimir Putin. Në të njëjtën ditë në Kosovë erdhi për një vizitë të paparalajmëruar ose së paku unë nuk kisha lexuar për të, komisari për Zgjerim në kuadër të BE-së, Johannes Hahn. Nga eksperienca ime diplomatike di aq, që në diplomaci asgjë nuk është dhe nuk ndodh rastësisht.

Ardhja e Hahnit këtu është për të bërë një presion shtesë mbi Qeverinë e Kosovës për heqjen e taksave dhe t’i hyjë në hatër Putinit, sepse me të kanë punë dhe interesa më madhore për të kryer e pse jo në shpinë të shqiptarëve të shkretë si çdoherë më parë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet se Putinit do t’ia dhurojë një deltar ilir apo të ashtuquajturin qenin e Sharrit e edhe atë si gjithnjë me prapavijë duke e prezantuar si trashëgimi kulturore të “trevës serbe”. Unë ashtu si diplomat i paprishtë, i çiltër dhe naiv që jam duke i ditur rrënjët tona të thella pellazge, Pelën e Trojës, Kalin e Burojës, po shpresoj që edhe këtë deltarin ilir e kemi në ndonjë mision fisnik dhe me ndonjë vepër heroike atje në Moskë do na e zbardhë fytyrën. Përralla, përralla Hahn qeni arra.

Putini gjithashtu për Vuçiqin kishte përgatitur një dhurate të veçantë, njërën nga medaljet presidenciale ruse, e kjo është ashtu një e rame e dy të vrame. Një karotë për Serbinë që të vazhdojë drejt rrugëtimit në përafrimin rus, dhe e dyta gishtin në sy NATO-s dhe aleatëve të saj perëndimorë. Nuk i çkep medaljet Putini si Hashimi qysh i çkep si samuna me qebapë. Ky rrallë e për mall, mirëpo kur veç e dorëzon ajo e ka edhe qëllimin dhe efektin dytësor. Edhe unë çfarë gabimi amatoresk, se m’ke Hashimi fuqi botërore e fort luan rol se sa medalje presidenciale brenda ditës i çkep poshtë e lartë. Kërkesës së Milaim Zekës për buxhet po ia bashkëngjes edhe kërkesën time për një buxhet 5 milionë eurosh për Zyrën e presidentit dhe medaljet presidenciale 2019!

Duke i shkruar këta rreshta sapo e lexova edhe kabllogramin e radhës se aeroplani i presidentit rus, Putin, sapo kishte aterruar në Aeroportin e Beogradit. Në anën tjetër banorët e Leposaviqit akuzojnë ushtarët e KFOR-it për dëmtimin e billbordëve të Putinit që i qenkan vendosur atje. Haj, loçkomanat mendojnë që ushtarët e KFOR-it veprojnë me mentalitetin ballkanas dhe luftojnë me billborda e postera. Këto janë aso lloj provokimesh të ulëta që vetëm mendja e një të prapambeturi mund ta ziejë në kokën e vet. Mbetet të shihet se si do të rrjedhë pjesa tjetër e ditës, por fatkeqësisht unë nuk do të kem mundësi që ta kem pjesë të këtij ditari këtë javë, por gjithsesi se do ta komentoj edhe në të ardhmen.

Koha dhe timmingu kur është duke ndodhur kjo vizita e Putinit mua nuk më pëlqejnë aspak, dhe siç e ceka më parë në diplomaci asgjë nuk është e rastësishme. Kosova asnjëherë nuk ka qenë në situatë më të brishtë se që gjendet tani, e ajo falë edhe brishtësisë së partnerëve të saj më të mëdhenj, Amerika me telashet e veta të brendshme dhe një president i cili akuzohet se ka përzier me Rusinë, Anglia me telashet e saja me BREXIT-in, Gjermania me një kancelare në largim, dhe një Bashkësi Evropiane shterpe e cila as macen nga përsheshi nuk mundet që ta nxjerrë. E përveç tërheqjes së vërejtjes për heqjen e taksave, komisari Hahn me siguri se do na tregojë edhe ndonjë përrallë të radhës të BE-së. Përralla, përralla Ha(h)n qeni arra ...

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani