Mbi kuajt dhe konsujt

Enver Robelli Enver Robelli 17 janar 2019 08:19

Nepotizmi po përjeton një ringjallje – nga Turqia në SHBA. Në Kosovë po stabilizohet. Ku ka nepotizëm gjithsesi ka edhe keqqeverisje dhe vjedhje të arkës shtetërore.

I.

Po qarkullojnë supozime se Donald Trumpi e ka ndërmend ta bëjë vajzën e tij Ivanka Trump shefe të Bankës Botërore. (Në Kosovë dhëndri i Ramush Haradinajt i menaxhon paratë e sigurimeve shëndetësore). Në këtë mënyrë qeverisjeje Trump dhe Haradinaj kanë diçka të përbashkët me Rexhep Taip Erdoanin e Turqisë: ai e ka bërë dhëndrin e tij Berat Albajrak ministër të Financave.

Fjala nepotizëm rrjedh nga fjala latine nepos – që domethënë nip, pasardhës. Nënkancelari i Austrisë, Christian Strache, kishte thënë se sapo të vijë në pushtet, do t’i japë fund nepotizmit të partive të vjetra. Dhe si erdhi në pushtet Strache e bëri gruan e tij të ngarkuar për çështje të kafshëve në partinë e tij - FPÖ. Në Perandorinë Romake nepotizmi kishte pothuaj rang të Kushtetutës. Pas vdekjes së perandorit, pushtetin e merrte i biri i tij. Pas perandorit e filozofit Marc Aurel në vitin 180 pas Krishtit, pasardhës i tij në post u bë i biri i tij Komodusi, i cili s’përtonte të rrihej në arenë dhe, siç nënvizonte së fundit gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”, në listat e perandorëve më idiotë ai është ndër të parët. Ndoshta ia kalon vetëm Kaligula, i cili e pasoi në post Tiberin, vëllanë e gjyshit të tij.

Ndër veprat më pak të dëmshme të Kaligulës ishte emërimi i kalit për konsull. Në gjermanisht për fjalën nepotizëm ka disa sinonime. Zviceranët e quajnë “Vetterliwirtschaft” (ekonomi kushërinjsh), në dialektin shvabë flasin për “Vetterleswirtschaft”, në Bavari “Spezeln”, në Rajnë (Rhein) “Kölsche Klüngel”. Por fjalori gjerman Duden përmban edhe një variant femëror: “Cousinenwirtschaft”, ekonomi kushërirash.

II.

Ku ka nepotizëm gjithsesi ka edhe keqqeverisje dhe vjedhje të arkës shtetërore. Që nga përpjekja për grusht të shtetit në Turqi në korrik të 2016-s gazetarët kritikë turq ndodhen nën presion të madh. Shumë prej tyre gjenden në burg, të tjerët janë tërhequr në “emigracion të brendshëm”, disa kanë ikur në ekzil. Ndër të paktit gazetarë që nuk është dorëzuar është Bülent Mumay, i cili ka një kolumne në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, e cila është burim i pashtershëm i informatave mbi zhvillimet në Turqi. Në njërën nga kolumnet e fundit Mumay shkruan se kriza ekonomike në Turqi ka ndikuar që çmimet të rriten pa masë dhe sirtarët në dyqane të zbrazen. E vetmja gjë që po rritet është korrupsioni në partinë e Rexhep Taip Erdoanit, shkruan autori. Ai njofton se një komunë ka hapur një varrezë për të rënët në luftë kundër kurdëve, ndonëse në atë komunë nuk ka asnjë të rënë në luftën kundër kurdëve. Kjo është një varrezë preventive. Është hedhur edhe guri themeltar i një burgu të ri për 4.000 të burgosur. Në ceremoninë e fillimit të punëve për ndërtimin e burgut mori pjesë edhe një deputet i AKP-së, partisë së Erdoanit. Në fjalimin e tij deputeti tha plot gëzim: “Së shpejti do të hapim burgun, ai do të funksionojë si fabrikë pa oxhak, i dëshiroj shumë fat”.

Çfarë të ardhme ka ai vend, ku politikanët gëzohen se po hapen burgje të reja. Bülent Mumay e ilustron korrupsionin e AKP-së me këtë shembull: në një komunë të qeverisur nga partia e Erdoanit veturat zyrtare harxhojnë 63 litra në 100 kilometra, jo katër apo pesë, siç është standard tani falë zhvillimit të teknikës. Kundër një arsimtari, i cili u kishte propozuar nxënësve të lexojnë romanin “Muzeu i pafajësisë” të Orhan Pamukut, është ndërmarrë një masë disiplinore me arsyetimin se arsimtari ka dështuar të “edukojë individë moralisht të fuqishëm”.

III.

Ku ka nepotizëm e keqqeverisje, ku krijohet një kastë që me çdo mjet përpiqet të ruajë pushtetin, aty ka edhe shumë padrejtësi, arbitraritet, shkelje ligji, ndjekja e oponentëve politikë shndërrohet në sport nacional. Para disa javësh në Turqi u arrestuan mbi dhjetë aktivistë dhe akademikë. Arrestimet u bënë në kuadër të hetimeve kundër filantropit Osman Kavala. Kavala është quajtur “Sorosi i Turqisë”. Kavala është themelues i fondacionit të shoqërisë civile “Anadolu Kultur”; është arrestuar në tetor të vitit 2017 – dhe ende mbahet në burg pa aktakuzë! Një skandal i madh. Dhe jo i vetmi në Turqinë e Rexhep Taip Erdoanit. Aktivistët dhe intelektualët e arrestuar fajësohen nga autoritetet turke për afërsi me fondacionin “Anadolu Kultur”, i cili shihet si mbështetës i protestave kundër planeve për ndryshimin e Parkut Gezi në Stamboll. Mes të arrestuarve janë: Turgut Tarhanli, dekan i Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit Bilgi, Betul Tanbay nga Universiveti Bogazici dhe nënkryetar i Shoqatës Europiane të Matematikës, Cigdem Mater, kineaste e njohur, Hakan Altinay, hulumtues i Brookings Institutions dhe Universitetit Yale. Altinay ka qenë shef i bordit të Fondacionit për Shoqëri të Hapur, të themeluar nga miliarderi George Soros. Që nga përpjekja për grusht shteti në Turqi më 2016 mbi 880 profesorë universitarë dhe studentë janë arrestuar, persekutuar, larguar nga puna dhe janë ballafaquar me kufizime udhëtimi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Mergim21/01/2019 13:19

I dashur Enver, nuk dua te te jap mesime per shkrimet tua, mirepo kontributin me te madhe do ta jepje nese fokusin do ta kesh ne Kosobe dhe Zhvillimet qe ndodhin brenda nesh! Ne fund te fundit askujt nuk i intereson se cfare ndodh me Turqi, sepse ne votojme ne Kosove dhe duam ta permiresojme situaten ne vendin ku jetojm! Ne shkrimin tuaj fokus ishin zhvillimet autoritare ne Turqi, mirepo, ne ne Kosove jetojme shume me keq se ne Turqi e gjetiu! Andaj mos keni frike, turruni dhe shqyeni masken e Perandoreve tane, nese vazhdojme te humbim kohe me Turqin, kjo maske e Kosoves tash e 20 vite pamvaresie, do te jete pjese e kultures sone edhe per shume vite! Nese do te kete gazetar apo opinionista te guximshem, kuajt tane do te vraponin per zhvillim e jo per nepotizem! Fundja ne paguajm taksa per zhvillimin e Kosoves e jo per te lexuar kronika te zeza, si njohes i mire i demokracive perendimore ju lus qe ne fokus te keni ofrimin e ketyre praktikave per ne, Kosoven!

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli