OpEd

Kakofonia shurdhuese

Delegacioni e kreu punën e vet, për të cilën është formuar. Ia dha alibinë Thaçit për të bërë çfarë t'i teket me Vuçiqin për të arritur edhe një "marrëveshje historike"

Po hyjmë në javën kur Specialja nis së vepruari. Atë që po e dimë me siguri është që dy ish-komandantët e zonave të Llapit dhe të Drenicës do të paraqiten para Gjykatës që nga fillimi i javës që vjen. Atë që nuk e dimë është po qe se këta do të kthehen apo do të ndalen pas marrjes në pyetje.

Sido që të jetë, shkuarja e këtyre dy ish-eprorëve të UÇK-së po ndodh në kohën kur në Kosovë ose ndodhin greva, ose paralajmërohen disa të tilla kryesisht për shkak të pagave. Porse ndodh edhe në kohën kur avokatët kanë nisur bojkotimin e seancave gjyqësore për shkak të një vendimi mjaft të çuditshëm të përkrahur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, sipas të cilit avokatët duhet të marrin leje për të hyrë në ndërtesat e gjykatave. Dhe ndodh në kohën kur numri i këshilltarëve nëpër ministri shumëfishohet, pa ndonjë arsye logjike pos akomodimit të militantëve.

Dhe shkuarja e tyre praktikisht në heshtje dhe e papërcjellë me ndonjë emocion a protestë po ndodh gjithashtu në kohën kur delegacioni gjysmak shtetëror shkoi në takimin e parë "konsultativ" me Mogherinin, sa për të legjitimuar të gjithë procesin "e egër" negociator që e ka zhvilluar Thaçi deri më tani, pa autorizimin e askujt.

Thaçi "u zhduk"

Një shenjë frikësuese për skenën politike në Kosovë është kur Thaçi nuk mban konferenca të përditshme për shtyp, ku do të flasë për kompromiset e dhimbshme. Që nga fundi i vitit të shkuar, Thaçi nuk është bërë i gjallë. Nuk e di nëse ka shkuar në skijim apo jo, porse po e di që pos statuseve të kohëpaskohshme që ia shkruajnë në FB, nuk e ka dhënë asnjë deklaratë të re për punën e negociatave, e në fakt, as për asnjë gjë të vetme.

Kështu, në mungesën e tij u ngrit sërish çështja e KQZ-së dhe e bllokimit të qëllimshëm që po ia bën formimit të këtij trupi. Thaçi me insistim ka refuzuar që t'i emërojë anëtarët e KQZ-së sipas formulës ligjore, përderisa me mosveprimin e vet ka bërë që anëtarët e "skaduar" të KQZ-së të vazhdojnë t'i shpenzojnë paratë publike, ndërkohë që ai trup mbetet i paralizuar.

Opozita thotë se do ta çojë në Kushtetuese posa t'i dekretojë emrat e anëtarëve të rinj sipas dëshirës së tij e jo sipas ligjit, porse e besoj se gjasat janë të vogla që Kushtetuesja të konstatojë se ky e ka shkelur edhe Kushtetutën që nga koha kur e ka zvarritur emërimin e anëtarëve të rinj të këtij trupi kushtetues.

Sido që të jetë, mungesa e tij në media tregon qartazi se është duke "zier ndonjë çorbë" prapa perdeve. Dhe nuk do të ishte fare befasi, meqë para disa ditësh, The Washington Post (mbase në ndonjë shkrim të porositur) na e ka bërë me dije se ky qenka takuar me ambasadorin amerikan në Berlin. Sipas informatës të së përditshmes amerikane, del se ambasadori amerikan i ka thënë se Trumpi është i gatshëm që të jetë kumbar i ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes historike në Washington.

Ky takim u mbajt i fshehur për ndonjë arsye, kurse për Qeverinë e Kosovës të deklarosh se nuk ka informata për këso takimesh nuk është asgjë e re -- për shkak se tashmë Qeveria i ka larë duart nga negociatat në Bruksel që në çastin kur u emërua delegacioni i burrave.

Pra, sa i përket Thaçit, këta do të jenë përcjellësit e tij dhe do të mundë të ndikojnë në negociata për aq sa do t'i lejojë ky.

PDK-ja në përkrahje të Thaçit

Nga partia e Thaçit i dalin në krah. Veseli sërish e fton opozitën e mbetur jashtë delegacionit që t'i bashkohet atij, dhe për këtë ka thirrur edhe një mbledhje për të hënën. Sipas qëndrimeve që i kemi dëgjuar nga këto dy parti, përgjigjja do të mbetet e njëjta -- nuk do t'i bashkohen cirkut fluturues.

Nga ana tjetër, Xhavit Haliti, nënkryetari i Kuvendit dhe i PDK-së, në "Rubikon" pak a shumë e tha se ky delegacion është formuar së koti, për shkak se marrëveshjen do ta finalizojë Amerika dhe se të gjithë, pushtet e opozitë, do ta pranojnë për shkak se "vetëm budallenjtë e kundërshtojnë Amerikën". Pra, gjithë kjo energji, kryesisht negative, dhe gjithë këto para jemi kah i shpenzojmë kot. Madje edhe të kota do të jenë shpenzimet për ekspertët eventualë që do të angazhohen, për shkak se në fund do të vendosë Amerika.

Një deklarim i këtillë do të mundë të kualifikohej si i pamatur, ngase me automatizëm i përjashton përpjekjet e dy shteteve të mëdha dhe mike, Britaninë e Gjermaninë, që po insistojnë që çështja e negociatave të mos prekë kufij në vija etnike dhe që qasja e Kosovës në këto negociata të mos jetë lojë me zjarr.

Po që Amerikës i kemi borxh, dhe këtë kurrë me gjasë nuk do të mundë t'ia lajmë. Porse vetes i kemi më shumë borxh -- për shkak se nuk do të harrojmë se një gabim i rëndë edhe amerikan, e krijoi Bosnjën e pasluftës, atë të cilën edhe pas njëzet e sa vjetësh ende nuk mund të quhet shtet funksional.

Nëse kontaktet e Thaçit janë me njerëzit e një zyrtari të lartë amerikan që dikur zëshëm e pati kundërshtuar bombardimin e Serbisë, i cili na i shpëtoi lëkurat, kjo nuk është shenjë e mirë, për shkak se nuk është fare e qartë se çfarë fshihet pas këtyre aranzhmaneve.

Shëtitësit

E në çfarë aranzhmani kanë hyrë burrat e delegacionit "shtetëror", nuk e besoj se e dinë edhe vetë. Ballafaqimi i 8 burrave kosovarë me 4 gra e 1 burrë evropianë, sipas Zyrës së BE-së përfundoi me kërkesën ultimative që taksa prej 100% të hiqet, ashtu që dialogu të vazhdojë. E aq e rëndësishme, të thuash jetike, është bërë kjo puna e taksës për Mogherinin sa në ditët në vijim pritet të vijë një zonjë prej Brukselit për ta negociuar pezullimin e taksës deri në marrëveshje.

E tash, nëse është për t'i besuar "menaxhuesit të votës së Teuta Rugovës", delegacioni në Bruksel ka pasur takim të frytshëm me Mogherinin. Në asnjë moment nuk tha se ishte takim konsultativ, porse e dha të kuptohet se mbase ky delegacion do të shndërrohet në një ndihmës, për t'u ndarë në ekipe dhe për të debatuar për tema të caktuara në lidhje me marrëveshjen për të cilën thuhet se ekziston, porse që askush, pos Thaçit, me gjasë, nuk e ka parë.

Pra, pavarësisht rezolutës dhe marrëveshjes së arritur në takimin Thaçi-Limaj-Ahmeti, menjëherë pas themelimit të delegacionit, Thaçi nuk ia ka dorëzuar delegacionit asnjë dokument të vetëm që lidhet për procesin e deritanishëm të negociatave. Me gjasë ka shkuar në skijim dhe nuk ka pasur kohë të merret me këtë punë.

Dhe pavarësisht mungesës së dokumentacionit, delegacioni i burrave, gjithnjë sipas Gashit, ia ka parashtruar disa çështje Mogherinit "për të cilat është hasur në mirëkuptim, porse ka mbetur e hapur se kur do të takohen sërish". Sipas tij, është folur për të pagjeturit dhe për krimet e luftës, dhe si përfundim, është kërkuar edhe themelimi i Gjykatës Speciale për serbët.

Kjo, një kërkesë bajagi absurde, duke marrë parasysh se Serbia e ka bërë pikërisht atë që Kosova ka refuzuar me vite: e ka themeluar degën e vet për krime lufte, dhe askush nuk mund ta akuzojë se nuk ka mbajtur gjykime për t'i dënuar serbët. Nuk do të ketë asnjë shtet perëndimor që do të mundë të insistojë e ta bindë Serbinë që ta votojë një gjykatë speciale, posaçërisht jo pas aktgjykimeve në Tribunal të Hagës dhe pas aktgjykimeve të arritura në Serbi. Fundja, Vuçiqi nuk është pjesë e Raportit Marty, e me sa dimë, e asnjë raporti tjetër.

Porse delegacioni e kreu punën e vet, për të cilën është formuar. Ia dha alibinë Thaçit për të bërë çfarë t'i teket me Vuçiqin për të arritur edhe një "marrëveshje historike".

* * *

Çuditem qysh deri tash nuk na kanë shpërthyer kokat me gjithë këto versione e variante që i dëgjojmë për këtë apo atë marrëveshje. Për kapak na erdhi edhe deklarata e Isa Mustafës që tha se nuk pendohet pse LDK-ja e zgjodhi Thaçin kryetar: "Për shkak se ne e respektuam marrëveshjen, e pse PDK-ja nuk e respektoi atë, ai është problem i tyre".

Kjo deklaratë pikërisht tregon se sa të cekët dhe shpirtngushtë jemi politikisht -- po ta kishin marrë për bazë interesin nacional, e jo kolltukun, nuk e kishin zgjedhur Thaçin për kryetar. Për shkak se zgjedhja e tij u bë problem i Kosovës e jo i PDK-së. Dhe vazhdon të jetë. E ky delegacion vetëm do ta bëjë atë problem edhe më të madh.

flaka@koha.net