I brishti Trump

David Leonhardt David Leonhardt 10 January 2019 09:12

Donald Trumpi ka ende kompetenca të gjera si president i Shteteve të Bashkuara. Por meqë presidentët shkojnë, ai tani qëndron goxha dobët. Kundërshtarët e tij – demokratët, të pavarurit dhe republikanët që e kuptojnë dëmin që ai do t’ia shkaktojë vendit – duhet të ndihen të trimëruar.

Tani që Kongresi i ri amerikan zyrtarisht ka nisur detyrën, numërimi i votave të zgjedhjeve të mesmandatit më 2018 përfundimisht ka marrë fund. Del se demokratët kanë fituar shumicën e votës kombëtare në garën për Dhomën e Përfaqësuesve me një epërsi prej pothuajse nëntë për qind të pikëve. Kjo margjinë është mahnitëse – më e madhe, vetëm sa për krahasim, sesa në cilëndo garë presidenciale që prej fitores historike të rizgjedhjes së Ronald Reaganit më 1984.

Fitorja kaq e thellë disi ka përfunduar e anashkaluar, shkaku që lajmet kryesore nga nata e zgjedhjeve ende kanë ndikim goxha të madh në perceptimet e qytetarëve. Në natën e zgjedhjeve, me dhjetëra gara për Dhomë ishin të pakonkretizuara dhe demokratët po pësonin humbje zhgënjyese në disa prej garave (kryesisht në vendet e kuqe) për Senat dhe për poste udhëheqëse.

Por rrëfimi përfundimtar i dalë prej zgjedhjeve të mesmandatit të 2018-s duhet të jetë i qartë: Votimet përbëjnë një sinjal madhor alarmi për Partinë Republikane, të njohur ndryshe si Partia e Trumpit.

Pa njëfarë përmirësimi të qartë në aspektin e mbështetjes për Trumpin, ai do të ishte humbësi më i madh në zgjedhjet e 2020-s.

Mbani mend, zgjedhjet presidenciale tërheqin përgjithësisht numër më të madh votuesish sesa ato të mesmandateve dhe elektoratet më të mëdha rëndom u ndihmojnë demokratëve. Të paktën 10 milionë njerëz më shumë – dhe mbase shumë më tepër se kaq – pritet që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, krahasuar me numrin e atyre që votuan në zgjedhjet e mesmandatit të 2018-s. Këta ekstra votues, shumica e të cilëve qytetarë të rinj apo amerikanë jo të bardhë, do ta bënin rizgjedhjen e Trumpit gjithnjë e më të vështirë.

Por nuk është këtu puna vetëm te Trumpi. Nëse rejtingu i mbështetjes për të nuk shënon rritje gjatë dy vjetëve të ardhshëm, atëherë republikanë të shumtë të Senatit do të përballen me telashe.

Prej kohësh kam supozuar se Susan Collins e Maines mund ta fitojë rizgjedhjen për aq kohë sa ajo vetë të dëshironte. Por ajo mund të mos jetë në gjendje ta bëjë një gjë të tillë po që se Trumpi e humb Mainen për 15 për qind të pikëve – që ishte deficiti i kombinuar i republikanëve në dy garat e mesmandatit për Kongres në Maine.

Pastaj është edhe Cory Gardneri i Colorados (ku republikanët e humbën votën popullore të 2018-s me një deficit prej më shumë se 10 për qind të pikëve), Joni Ernst e Iowas (shtet ky ku deficiti republikan ishte prej katër pikësh) dhe Martha McSally e Arizonas (ku deficiti qe minus dy pikë).

Nëse popullariteti i Trumpit vazhdon shtegun e rënies, atëherë një gamë tjetër e tërë e senatorëve – prej Karolinës Veriore, në Teksas dhe Georgia, tri shtete këto ku republikanët e fituan vetëm me një diferencë të ngushtë votën popullore më 2018 – do të rrezikoheshin. Edhe Kansasi zgjodhi një prefekt demokratik vitin e shkuar dhe do ta ketë një ulëse të hapur Senati për votim më 2020.

Të premten, Pat Roberts, një mbështetës republikan, bëri të ditur se nuk do të kandidojë më.

Gjatë fundjavës unë e botova një kolumne, në të cilën pretendova se Trumpi meriton që të largohet nga detyra – se i ka shkelur si ligjin federal ashtu edhe betimin e tij kushtetues, se është qartazi i padenjë për të qenë president dhe vazhdimi i qëndrimit të tij në detyrë përbën një rrezik për vendin. Natyrisht, pavarësisht këtyre rreziqeve apo mëkateve të tij, ai do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë për aq kohë sa republikanët në Kongres dëshirojnë që ai të mbetet aty ku është. Dhe e di se shumë njerëz, të të gjithë spektrit ideologjik, besojnë se pozita e Trumpit mbetet e sigurt me republikanët.

Ama unë mendoj se ai është më i brishtë sesa shumë njerëz mendojnë.

Së pari, ekzistojnë goxha rreziqe që pozita e tij aktuale ua krijon republikanëve të tjerë. Është e vërtetë se rejtingu i mbështetjes së tij ka qenë goxha stabil, në rreth 40 për qind. Shifra është po ashtu goxha e dobët. Kësisoj edhe hisja e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit.

Së dyti, por trashëgimia politike e Trumpi ka më shumë gjasa të përkeqësohet se sa të përmirësohet sivjet. Ekonomia nuk ka gjasa që të forcohet. Hetimet e ndryshme që janë nisur nuk do të ndalen. Dhe Trumpi do të bëjë edhe më shumë gabime të panevojshme, si mbyllja e Qeverisë.

“Është akoma zor të parashikohet se si do të marrë fund krejt kjo”, ka shkruar të premten eksperti i shkencave politike, Jonathan Bernstein, duke e elaboruar mbylljen. “Por zor se mund të pritet një përfundim i mirë për republikanët”.

Së treti, mbështetja republikane për Trumpin mund të mbetet e gjerë, por është e zbehur. Trumpi tanimë është përballur me kritika dukshëm më të zëshme ndërpartiake se sa shumica e presidentëve të mëparshëm. Që prej zgjedhjeve të mesmandatit, kritikat duket të jenë rritur.

Jim Mattis, sekretari i Mbrojtjes, dha dorëheqje dhe e kritikoi Trumpin përgjatë këtij veprimi. Mitt Romnet hyri në Senat, duke u kthyer sërish kundër Trumpit. Collins dhe Gardner nisën të bëjnë zhurmë rreth mbylljes.

Teksa republikanët kthejnë me nervozizëm shikimin kah 2020-a, gatishmëria e tyre për t’u shkëputur prej Trumpit mund të rritet. Për disa, mbijetesa e tyre politike mund të varet mu nga shkëputja prej tij. Nëse kjo gjë ndodh, është goxha e mundshme që rejtingu i tij i mbështetjes të nisë të lëvizë nën 40 për qind dhe lajmi i keq këtu është se ky shteg më pas do ta ushqejë vetveten.

Jo, asnjëra prej këtyre nuk është e garantuar. Demokratët mund të shkojnë tepër larg, duke e shkarkuar nxitimthi Trumpin dhe kësisoj i bashkuar republikanët. Apo Trumpi mund të përfundojë duke i përmbyllur disa muajt e ardhshëm me një rezultat befasisht të mirë. Por ky nuk është skenari më i mundshëm.

Rregullat normale të politikës njëmend zbatohen te Trumpi. Ai e siguroi një fitore shokuese më 2016 dhe kundërshtarëve të tij u ka munguar vetëbesimi që atëherë. Por nuk duhet tu mungojë tash e tutje.

Donald Trumpi ka ende kompetenca të gjera si president i Shteteve të Bashkuara. Por meqë presidentët shkojnë, ai tani qëndron goxha dobët. Kundërshtarët e tij – demokratët, të pavarurit dhe republikanët që e kuptojnë dëmin që ai do t’ia shkaktojë vendit – duhet të ndihen të trimëruar.

(Autori është kolumnist i rregullt i së përditshmes amerikane “The New York Times”)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga David Leonhardt