OpEd

Ky është vit kthesash në BE, i cili nuk do të ketë kohë të merret shumë me Ballkanin

Për dallim nga viti 2018, i paralajmëruar si “vit kthese për zgjerimin”, ky vit i ri po nis pa pritje të mëdha për këtë rajon, sepse BE-ja do të përballet me shumë sfida të brendshme dhe nuk do të ketë kohë të merret me Ballkanin. Ndoshta pritjet e vogla do të sjellin diçka më shumë sesa pritet, sepse viti i shkuar ishte një vit i humbur kot për vendet e rajonit të Ballkanit në atë që quhet “rrugëtim përkatës evropian”. Por tri zhvillimet kryesore në BE këtë vit, Brexiti, zgjedhjet evropiane dhe pajtimi për kornizën shumëvjeçare financiare për periudhën pas vitit 2020, do të kenë ndikim vendimtar edhe për të ardhmen e procesit të zgjerimit.

Ka nisur një vit i ri në të cilin Bashkimin Evropian e presin shumë sfida të brendshme, të njohura e ndoshta edhe të panjohura. Për më pak se tre muaj, për herë të parë në histori, BE-ja do të zvogëlohet nga 28 në 27 vende anëtare me largimin e Britanisë së Madhe. Më 30 mars Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, siç quhet zyrtarisht ky shtet, do të largohet nga BE-ja, me apo pa marrëveshje paraprake. Që nga kjo javë në Londër do të vazhdojnë përpjekjet për të siguruar mbështetje në Parlament për marrëveshjen që është arritur në Bruksel për mënyrën e largimit të Britanisë dhe aranzhimet kalimtare, deri sa të mos arrihet marrëveshja për raportet në të ardhmen. Por nga ana e BE-së nuk duket se ka gatishmëri për ndryshime të asaj marrëveshjeje, prandaj edhe nuk përjashtohet mundësia e një prishjeje martese pa marrëveshje dhe me pasoja për të dyja palët.

Menjëherë pas Brexitit, pa kaluar as dy muaj, do të zhvillohen zgjedhjet evropiane në të cilat qytetarët e 27 shteteve anëtare të BE-së do të zgjedhin deputetët e Parlamentit Evropian me mandat pesëvjeçar. Nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha, ndonëse partitë tradicionale të qendrës do të pësojnë një ulje në vota. Me gjithë këtë, parashikimet për rritjen e madhe të ekstremit të djathtë dhe të majtë në Parlamentin e ardhshëm Evropian janë të ekzagjeruara. Partitë pro evropiane si Partia më e madhe EPP (Partia Popullore Evropiane), Socialistët, Liberalët dhe të gjelbrit pritet të kenë pa dyshim shumicën e madhe edhe në përbërjen e ardhshme evropiane. Edhe grupimi i konservatorëve dhe reformistëve evropianë, i cili mund të zvogëlohet për shkak se nga ky grup me Brexit largohen konservatorët britanikë, nuk janë të ekstremit të djathtë, por janë pak më skeptikë ndaj planeve për reformat e brendshme të BE-së që çojnë drejt forcimit të institucioneve në Bruksel, në krahasim me pushtetin nacional në vendet anëtare. Pra, për BE-në nuk ka rrezik nga numri i deputetëve që vijnë nga radhët e partive ekstremiste. Problemi qëndron në populizmin brenda grupeve tradicionale.

Zgjedhjet e Parlamentit Evropian janë të rëndësishme, sepse rezultati i tyre do të jetë një prej kritereve kryesore për ndarjen e posteve kyç në Komisionin e ardhshëm Evropian dhe në zgjedhjen e presidentit të Këshillit Evropian. Deri në fund të vitit 2019 u skadon mandati presidentit të Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, dhe tërë Komisionit të tij, si dhe presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk. E menjëherë pasi të konstituohen këto institucione, pra Parlamenti, Komisioni dhe presidenti i ri i Këshillit, do të shihet se cilat do të jenë prioritetet e BE-së në pesë vjetët e ardhshëm.

E këto prioritete do të shihen edhe nga mënyra se si do të duket në fund Korniza shumëvjeçare financiare e BE-së për periudhën 2021-2027. Komisioni Evropian ka dhënë vitin e shkuar propozimin e vet, por ai propozim ka shkaktuar aq reagime kundërshtuese të vendeve anëtare saqë nuk kanë arritur as t’i afrohen pajtimit. Prandaj, pajtimi për këtë kornizë, gjatë vitit 2019, do të jetë ndoshta edhe sfida më e madhe për Bashkimin Evropian.

Raportet e BE-së me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë një sfidë në vete me shumë gjëra të papritura, që mund të ndodhin përderisa Donald Trumpi të jetë në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti amerikan, i cili i është gëzuar Brexitit dhe ka porositur edhe shtetet e tjera të largohen nga BGE-ja, mburret se nuk është i popullarizuar në Evropë dhe as që ka dëshirë të jetë i dashur për evropianët. Nuk është e lehtë për BE-së të ketë raporte normale me SHBA-në kur një president amerikan impresionohet me liderë autokratë, ndërsa kritikon ata që deri sot ishin aleatë të Amerikës.

Viti nisi me marrjen e presidencës së BE-së nga ana e Rumanisë, e cila shpesh përmend se mbështet fuqishëm vazhdimin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Prandaj, ajo ka paralajmëruar se do ta mbajë si prioritet edhe gjatë kryesimit të saj të BE-së, por pa pritje të mëdha. Edhe ky shtet, pasi nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës, do të shfrytëzojë shembujt nga e kaluara për të siguruar përfshirjen e Kosovës në disa takime, pa ndryshuar qëndrimin e saj individual rreth statusit të Kosovës.

Rumania nuk pritet të avancojë ndonjë vendim në Këshillin e BE-së për Kosovën lidhur me liberalizimin e vizave gjatë kryesimit të saj. Por nëse ndonjë shtet me ndikim si për shembull Gjermania, dëshiron atëherë Rumania edhe pse nuk e ka njohur Kosovën do të duhej ta vërë këtë temë në diskutim dhe eventualisht në votim. Gjatë presidencës rumune të BE-së nuk pritet të ndodhë asgjë rreth zgjerimit, sepse këtë temë në prag të zgjedhjeve evropiane disa shtete duan ta mbajnë në heshtje.

Madje edhe Raportit vjetor i Progresit për vendet në procesin e zgjerimit, që zakonisht tash bëhet në muajin prill, mund të shtyhet për periudhën pas zgjedhjeve evropiane. Kjo do ta vërë në pikëpyetje edhe vendimin formal për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë në muajin qershor, sepse nga miratimi dhe publikimi i Pakos së Zgjerimit deri tek samiti i BE-së në qershor mund të jetë një periudhë tepër e shkurtër për marrjen e vendimit formal për këtë.

Zgjerimi i BE-së pritet të kthehet si prioritet në fillim të vitit 2020, kur kryesimin e radhës do ta ketë Kroacia dhe kur do të ketë nisur mandatin Komisioni i ri Evropian. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka paralajmëruar se Kroacia në muajin maj të vitit 2020, për të shënuar edhe 20-vjetorin e Samitit të Zagrebit kur iu premtua e ardhmja evropiane tërë rajonit, do të zhvillon një samit të veçantë BE-Ballkani Perëndimor për t’i dhënë një shtytje procesit të zgjerimit. Deri tash Kroacia mbetet i vetmi shtet i rajonit të Ballkanit Perëndimor që ka arritur ta përmbyllë tërë qarkun nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit deri tek anëtarësimi formal në BE. Por Kroacia e sheh edhe si interes të vetin nacional vazhdimin e zgjerimit në vendet e tjera të rajonit.

Për dallim nga viti 2018, i paralajmëruar si “vit kthese për zgjerimin”, ky vit i ri po nis pa pritje të mëdha për këtë rajon, sepse BE-ja do të përballet me shumë sfida të brendshme dhe nuk do të ketë kohë të merret me Ballkanin. Ndoshta pritjet e vogla do të sjellin diçka më shumë sesa pritet, sepse viti i shkuar ishte një vit i humbur kot për vendet e rajonit të Ballkanit në atë që quhet “rrugëtim përkatës evropian”. Por tri zhvillimet kryesore në BE këtë vit, Brexiti, zgjedhjet evropiane dhe pajtimi për kornizën shumëvjeçare financiare për periudhën pas vitit 2020, do të kenë ndikim vendimtar edhe për të ardhmen e procesit të zgjerimit. Sepse ky proces varet edhe nga qëndrimi i vendeve anëtare e Britania, së paku për Ballkanin, e mbështeste fuqishëm këtë proces. Largimi i Britanisë nga BE-ja do të vërehet edhe në rajonin e Ballkanit. Nga përbërja e Parlamentit Evropian dhe politika e Komisionit të ardhshëm do të varet, po ashtu, edhe procesi i zgjerimit. E pa dyshim se prioritetet e BE-së do të mundë të shihen qartë edhe nga mënyra se si do të ndahet buxheti i BE-së në të ardhmen. Nga paralajmërimet e Komisionit Evropian, që është përfshirë edhe në propozimin e kornizës shumëvjeçare financiare, mund ët thuhet se nuk do të zvogëlohen mjetet financiare për vendet e rajonit të Ballkanit. Por gatishmëria e BE-së për të ndihmuar financiarisht këto vende nuk është kthyer doemos në gatishmëri për t’i pranuar më shpejt ato në BE. Sa i përket Kosovës ky vit, sikur edhe shumë vitet e tjera, shihet si i rëndësishëm vetëm për procesin e dialogut me Serbinë e asgjë tjetër. Eventualisht mund të ndodhë liberalizimi i vizave, ndërsa në raportet formale me BE-në Kosova nuk pritet të avancojë nga statusi i tashëm, duke u kënaqur me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe me qëndrimin neutral të BE-së ndaj statusit të Kosovës.