OpEd

Nga fake te faktet

Rrëfimi për kohën kur emocionet bëhen më të rëndësishme sesa faktet dhe për rrezikun që të vërtetës - lajmit, t`i thuhet lamtumira. Fake epoka s`mund të zgjasë tërë jetën. Siç nuk mund të prodhohen rrena tërë jetën dhe për tërë njerëzit! Sërish do të përfundojmë te FAKTET...

Në prill të vitit 1966, e përjavshmja amerikane “Time”, në ballinën e saj, kishte bërë një permutacion të tezes Nietzscheane, duke vendosur titullin revolucionar për atë kohë “A është Zoti i vdekur”.

Më shumë se gjysmëshekulli më pas, një titull imagjinar do të mundë të konceptohej në të njëjtën frymë, për çështje tjetër.

“A është lajmi i vdekur”?

Gjithsesi, e pamundshme që të përkufizohet kjo çështje brenda një përgjigjeje. Porse, a ka klimë që kjo të ndodhë?! Me trendin aktual, e vërteta gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një luks, teksa kufijtë e saj tmerrshëm i ka lëvizur një prodhim i kohëve të vjetra, që në kohën e sotme mban emërtimin fake news.

Ndaj sot shoqëria kosovare, sikundër edhe një pjesë jo e vogël e shoqërisë globale, ndodhet ndërmjet konfuzionit katërkëndësh: fakenews, gjysmë së vërtetës, së vërtetës dhe pasëvërtetës.

Duke e relativizuar të vërtetën, njerëzit e këtij cepi të globit përfundimisht kanë zbuluar një mënyrë jetese, e cila jo që u sjell dobi, ama i bën të ndihen mirë, së paku një çast.

Kur FAKTI bëhet FAKE, më nuk flitet për të vërtetën, por për vdekjen e së vërtetës. Vdekjen e lajmit. E kur vdes fakti, vdes lajmi!

Vdekjen e tij e kishte shpallur që më 2012, me një kolumne Rex Huppke në “Tribune Newspapers”. Ai thotë se faktet i zbulojnë tri vlera absolute dhe më të çmuarat në botë: se gravitacioni shkaktohet kur bien gjërat, se 2+2=4 dhe se qielli është i kaltër.

Huppke, më tej citon filozofin Edmund Burke, sipas të cilit faktet janë për mendjen, sikurse ushqimi për trupin. Por, ja që në kohën tonë gjërat disi janë ngatërruar...

Të lindura në kohën e Aristotelit, faktet për Mari Poovei, profesoreshë e gjuhës angleze në Universitetin e Njujorkut, janë konsideruar dikur “parime universale për të cilat pajtohen të gjithë”. Por, nga konteksti aktual kohor, ajo pretendon se shoqëria amerikane po rrëshqet drejt gjendjes ku mungon përgjigjja ndaj ekzistencës së fakteve. Gjithnjë, sipas saj, tashmë mendimi është një realitet i ri që i kundërvihet faktit. Poovei thotë se njerëzit mund ta kenë një mendim, i cili mund t`u konfirmohet atyre në lajme. Të njëjtin ata e marrin edhe si fakt, ndaj e cilëson faktike zhdukjen e fakteve.

Kriza e përgjigjeve ndaj fakteve nuk është tipar vetëm i shoqërisë amerikane, por gjithandej ku rrjetet sociale e kanë fuqizuar ‘kompetencën’ për të dhënë mendim në shumë çështje.

“Bëhuni gati për dimër. Ky do të jetë dimri i shekullit. Temperaturat gjatë muajit dhjetor do të lëvizin nga -9 deri në -5”. Kështu rastis të jenë shpesh tituj portalesh, të cilat nga sensacioni, fillimisht prodhojnë emocion, pastaj neveri. Në këtë karrem bien shumë lexues, dhe atë jo për të parën herë. Tashmë fakerat janë komunitet i organizuar i grumbulluar nëpër platforma online me synimin e vetëm- amortizimin e së vërtetës. Ose, thjesht, nëse nuk mund ta mbysin plotësisht, së paku ta shndërrojnë në gjysmë të vërtetë, si një gjendje e ndërmjetme që lë të kënaqur edhe besimtarët e lajmit edhe mosbesuesit.

Ky një ekzekutim publik i së vërtetës, mbase me një konsensus shoqëror, ku askush llaf s`e bën si mund të konceptohet jeta pa fakte.

E kuptueshme, për t`i ushqyer iluzionet ku njerëzit besojnë se mund të fluturojë gomari. E pra fluturon që ç`ke me të! Këtu rriten edhe pallmat, ani pse klima kosovare është kontinentale. Këtu edhe “Adidasi” shitet si “Adibas”, apo “Macdonalds” ofron qebapë!

Krejt këto në funksion të një realiteti absurd, të dëshirueshëm. Projeksion i një jete paralele, të cilën njerëzit nuk e jetojnë, por e imagjinojnë si të ishte e tillë.

Kjo i jep nuanca bizare jetës në vendin ku njerëzit shihen vëngër me njëri-tjetrin, dhe ku secili konteston secilin. Kultivon mosbesim, konteston faktet, të vërtetën dhe e pranon konformizmin si vlerë shoqërore.

Ndaj, jo rastësisht e shndërruar në shoqëri klikimesh, sot sfera e informimit publik dominohet pikërisht nga fake lajmet, të cilat janë ashtu siç dëshirojnë pranuesit e informatës, porse jo siç është e vërteta.

Ky pakt shoqëror kundrejt së vërtetës i ka dhënë konotacion fake gjithë shoqërisë kosovare, e cila mbi këtë premisë po hapëron drejt fake Babelit.

Kur do të pushojë kjo tendencë, zor të parashihet. Por ama një është e sigurt, që gradualisht po krijohet terren i përshtatshëm që në një të ardhme jo të largët, ndoshta edhe më 2019 (siç!), ta shpallim vdekjen e lajmit- të së vërtetës dhe si popull përmendordashës, edhe asaj t`ia ngrehim një shtatore, jo prej së vërteti- FAKE!

Joshja nga fake news tashmë është etabluar në njëlloj mendësie, jo vetëm në sferën e një pjese të medias, porse edhe në sferat e tjera jetësore. Duke u shndërruar në model jetësor, fake news po e transformon shoqërinë në fake. Në të tillë, ku njerëzit neveriten nga e vërteta, ku s`pari parapëlqejnë një rrenë të hijeshuar sesa një të vërtetë të hidhur.

Prandaj, sot përveçse ka fake news ka edhe fake media, fake gazetarë, fake politikanë, fake shkrimtarë, fake këngëtarë apo fake profesorë e studentë.

Konsolidimi i komuniteti FAKE, jo vetëm në hapësirën kosovare, po krijon një kategori të re shoqërore, e cila me aradhet e mobilizuara kundrejt së vërtetës ka bërë që ajo të mbetet pothuajse vetëm një term në suaza të fjalorit gjuhësor, porse pa efekt në përditshmëri.

Ka mbetur opsion me e marrë teorinë e Nietzches e me e shpallë të vërtetën e vdekur! E pritshme kjo edhe për fakerat, të cilët mbase megjithëse vetë prodhues të rrenave do ta kishin zor ta besonin fundin e saj.

Kjo ngase, thjesht, pas një të vërtete, ka një tjetër të vërtetë. Apo, siç e njeh fjalori i Oxfordit- pasevërteta. Parvjet, ky mbiemër cilësor është shpallur fjalë e vitit. Ajo ka kuptimin e anashkalimit të rrethanave objektive dhe fuqizimit të anës emocionale e bindjeve personale në opinionin publik.

Pra, sikurse çdo cikël që përmbyllet, supozohet që edhe ngopja me fake news do ta ketë një fund. Pas saj, sërish do të kthehemi në pikën zero. Aty ku buron e vërteta.

Fake epoka s`mund të zgjasë tërë jetën. Siç nuk mund të prodhohen rrena tërë jetën dhe për tërë njerëzit! Sërish do të përfundojmë te FAKTET!

Nga FAKE te FAKTET, Gëzuar 2019!

bekim.kupina@kohaditore.com