Ikanaku nga Llamba e Aladinit!

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 07 janar 2019 08:24

Prit, i thashë, dëshiroj që të tregoj edhe diçka, por përderisa ti e shikon unë do të kërkoj falje dhe do të shkoj deri në tualet, sepse lukthi nuk më ban ta shikoj. E gjeta emisionin me Erfushë Babaqin që e kishte me Edi Ramën. E lashë Peterin me atë emision, përderisa unë kërkova falje që ta shfrytëzoja tualetin. Pas disa minutash kur u ktheva në tavolinë Peter më pyeti, Ekselenca e juaj kush është ky ikanaku nga Llamba e Aladinit?

E enjte, 3.1.2019

Ja edhe shkronjat e para të këtij viti 2019 teksa po aterrojnë në Ditarin tim. Ashtu, para ditëve festive njeriu mundohet t’i takojë miqtë dhe ashtu së paku të pijë nga një kafe me ta dhe ta shfrytëzojmë rastin që të reflektojmë mbi vitin që e lamë pas. Me aq kohë të lirë sa unë kisha në disponimin tim u mundova që ta bëja një gjë të tillë. Peterin nuk arrita që ta takoja, pronarin e lokalit ku shumë herë e pija kafenë time, por që së fundmi orari i punës dhe largësia deri në punë nuk po më mundësojnë një gjë të tillë.

Peterit i erdhi shumë mirë që më pa. Kishte kohë që nuk ishim parë. Ndoshta e keni vërejtur nga Ditari im se ka kohë që nuk e kam përmendur. Më tha, Ekselenca e juaj a do t’ju prishte punë sikur t’ju bashkëngjitem për të pirë kafenë së bashku. I thashë, jo Peter, arsye pse erdha ishte që kafenë ta pija me ty dhe të takoja pasi që para festave të fundvitit nuk m’u dha mundësia e tillë. E kisha përgatitur edhe një dhuratë simbolike për të, një shihe verë të bardhë nga Australia. U ulëm. E pyeta se si ia kishte kaluar për festat e fundvitit. Po mirë, më tha, Kërshëndellat janë koha e vetme kur familja jonë bëhemi bashkë për darkën festive, i shkëmbejmë dhuratat, ç’përmallemi, konsumojmë ushqim dhe alkool me bollëk dhe eventualisht përfundon edhe ajo. Po për Vitin e Ri e pyeta? Çka për Vitin e Ri, ekselenca e juaj? Po nuk e festove Vitin e Ri? Po pse duhet festuar ai, më pyeti? Është vetëm një ndërrim date në kalendar, shpikur nga njeriu si mënyrë për ta matur kohën që në aspektin e Universit është e papërfillshme për jetët tona mizerabël dhe kohën e caktuar mbi këtë planet. Unë edhe Peter dimë që shpesh të hyjmë në këso temash të thella filozofike dhe pastaj ashtu e provokojmë njëri-tjetrin. Peter, i thashë, më lejo që ta hap Ambasadën time, dëshiroj që të të tregoj diçka. Peter ishte shumë kurioz se çfarë do t’i tregoja.

E hapa “Facebookun”. Fytyra të hareshme gjithandej. Postime të tryezave të shtruara përplot me ushqime nga më të ndryshmet, pije të llojllojta, e të gjitha këto nga atmosferët nëpër shtëpitë e miqve të shumtë të mi në “Facebook”. Pastaj pasonin pritjet e hareshme në lokalet e ndryshme me muzikën live gjithandej nëpër hotele, restorante, lokale të ndryshme. Edhe aty tryezat ishin përplot ushqime nga më të ndryshmet, pletorë e gjerë e pijeve të shumëllojshme, sallata, veshjet moderne të pjesëmarrësve. Më pas Peterit, i cili ende saktësisht nuk po e kuptonte se çfarë isha duke i treguar, i thashë: Peter më jep vetëm një minutë të dal pak nga Ambasada ime e të hap një aplikacion tjetër. Në telefonin tim e hapa aplikacionin Albox TV, një aplikacion i cili në vete përmban kanale të shumta televizive mbarëshqiptare. Cilindo që do ta hapja (përjashto platformat sportive apo ato dokumentare dhe të filmave) nga dhjetëra sish në vete mbërthenin atmosfera festive, vallëzime, këngë, “humor” dhe ahengje të ndryshme televizive për rastin e ndërrimit të moteve.

Ia shpjegova Peterit se ne kremtojmë 3 netët e Vitit të Ri, 31 Djetorin, 1 Janarin dhe 2 Janarin. Mirë, më tha, ekselenca e juaj paksa jam i habitur me ca gjëra, kështu që më falni për injorancën time, por a do të ishte në rregull sikur unë t’ua bëja ca pyetje, sepse jam paksa i hutuar nga disa informata të cilat ju m’i kishit dhënë më herët për vendin dhe kulturën tuaj. Po, i thashë Peter, urdhëro çka dëshiron të pyesësh?

Ekselencë sa më patët thënë se është niveli i papunësisë në vendin tuaj? I thashë që ajo shifër me siguri se është me e lartë se 40%, por saktësisht vështirë për ta ditur. Tha këto pamje nuk po korrespondojnë aspak me një vend i cili do ta kishte një nivel të tillë papunësie. Po kremtohet në të gjitha anët. E përveç kësaj, Ekselencë, do ta kisha kuptuar disi sikur të festohej një ditë, mirëpo tri ditë, këtë nuk e kuptoj. Po, i thashë, njerëzit i kanë prenotuar dhe rezervuar vendet e tyre në ahengjet e ndryshme të cilat organizohen nëpër hotele, restorante të ndryshme ku në të gjitha nga to ka muzikë Live kryesisht folk apo edhe tallava (mesele në vete). Prit i thashë, dëshiroj të të tregoj edhe diçka, por përderisa ti e shikon unë do të kërkoj falje dhe do të shkoj deri në tualet, sepse lukthi nuk më ban ta shikoj. E gjeta emisionin me Erfushë Babaqin që e kishte me Edi Ramën. E lashë Peterin me atë emision, përderisa unë kërkova falje që ta shfrytëzoja tualetin. Pas disa minutash kur u ktheva në tavolinë Peter më pyeti, ekselenca e juaj kush është ky ikanaku nga Llamba e Aladinit? (përndryshe këtë fjalën ikanak po e përdor për herë të parë përveç rasteve kur ndonjëherë mbush ndonjë fjalëkryq). Ehh thashë, Peter ky është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. ëhat the fuck?, tha Peter. Ky merr pjesë në emisione ku e tregon veten duke bërë dush e duke fjetur në shtratin e vet, gjëra që do të duheshin të ishin shumë private dhe intime për cilindo njeri, veçanërisht për një njeri të profilit publik e aq më shumë për një njeri të votuar politik. ëhat the fuck? A është ky njeri normal?

Unë vetëm e kisha buzën në gaz! Ekselenca e juaj, m’u drejtua Peter, me të vërtetë jam totalisht i habitur. E kujtoj që më keni thënë se vendi juaj është relativisht i varfër dhe se një pjesë e madhe e popullit mezi e shtyn muajin, mirëpo unë atë nuk po mundem me e vërejt në asnjë mënyrë. Ndoshta mund të ketë varfëri mendore ai vend më shumë sesa një varfëri materiale? Këtë Ekselencë nuk ua them për t’ju fyer, mirëpo edhe sjelljet e Kryeministrit shqiptar nuk më lënë hapësirë për të menduar diçka tjetër. Megjithëse ekselenca e juaj jo se edhe ne britanikët së fundmi mundemi që të mburremi me mendjendritësinë e politikanëve tanë e edhe në skenën botërore të politikës në vende shumë të fuqishme udhëhiqen nga sharlatanët e ndryshëm. Tha dikur qesheshim me kryeministrin italian, Julio Berlusconi, ndërsa tani kemi aq shumë të tillë, saqë edhe gjumin nuk e bëj rehat nga frika se një ditë këta palaço do ta fillojnë ndonjë marrëzi për të cilën njerëzimi do të paguajë një çmim shumë të lartë. Trump, Putin, May, Erdogan, Kim Jong Un, Bolsonaro, Poroshenko, Juncker vetëm disa nga emrat prej të cilëve në mua shkaktojnë makth, ekselenca e juaj. Po, tha, të kthehemi tek ky kryeministri i juaj shqiptar, ç’është tha puna e tij? I thashë që do të përgjigjem shkurt. Ky njeri para se të hynte në politikë ka punuar në ndërrim të natës në ferr dhe aty e ka shprush zjarrin e ferrit! Është më se i përgatitur për rrugëtimin e tij politik. Djalli e ka pasur punëtorin më të çmuar. Për meritokraci ia ka dhuruar edhe “çelësin e ferrit”. Tani kryeministri ka arritur që ferrokracinë ta instalojë në shtetin ku ai qeveris. Aty edhe djalli mund të marrë yrnek dhe të mësojë ndonjë truk apo dy. Peter duke mos u ndier shumë komod që unë kisha marrë këtë pozitën vetëkritike ndaj kryeministrit të bashkëkombësve të mi më tha se sot kemi shumë “argatë të dreqit” e që udhëheqin me politikën në botë. Druaj se në një të ardhme jo shumë të largët bota do të zhytet në një spirale të krizave të ndryshme. Luftëra, kriza ekonomike, uri, shkatërrime nga të cilat njerëzimi do të dalë edhe më i ndarë e edhe më i lodhur se nga cilado luftë apo katastrofë tjetër e mëparshme dhe besomëni, ekselenca e juaj, që ai ikanaku nga Llamba e Aladinit do të ketë më së paku gisht në atë gjë. Këtu ne edhe u përshëndetëm dhe unë i urova Peterit një vit me shumë shëndet dhe mbarësi, suksese të reja dhe zgjerim me biznesin e tij.

* * *

Nga kabllogramet e ditëve të kaluara do t’i veçoja emërimet e Gent Cakajt dhe Besa Shahinit në pozitat e ministrave të Qeverisë Shqiptare. I pari si ministër i Punëve të Jashtme, ndërsa e dyta si ministre e Arsimit. Me përgatitjen akademike disponojnë që të dy kandidatët, dhe Gentin më është dhënë rasti që ta shoh disa herë në intervista të ndryshme (kryesisht te Baton Haxhiu). Është një djalë i ri, shumë i artikuluar (së paku në Gjuhën Shqipe) dhe më gëzon fakti që ne kemi asi të rinjsh me aso kualitetesh intelektuale. Por unë e kam edhe drojën time. Nga bota diplomatike e sidomos ajo dipLLomacia Ballkanase kur e kujtoj se Baton Haxhiu është edhe këshilltar i Edi Ramës nuk kam se si të mos mendoj se me këtë djalë mund të luhen lojëra të ndyta për hesape të binomit Edi Rama e Baton Haxhiu, si dhe ai binomi tjetër Vuçiq-Thaçi dhe të gjitha proceset e bisedimeve nëpër të cilat Kosova do të kalojë me Serbinë këtë vit e që Thaçi na ka “përgatitur” se do të jenë të “dhimbshme” e që vetëm ata i dinë, ndërsa Genti t’ju mbetet një Joker në duart e tyre për ta djegur pasi që ta ketë “përfunduar misionin” dhe amortizimin e proceseve të “dhimbshme” me një ministër kosovar të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Qofsha i gabuar...

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani