Bebet që do ta sjellin çlirimin si dhuratë

Flaka Surroi Flaka Surroi 06 January 2019 19:08

Kur redaksia kishte vendosur që për këtë Vit të Ri gazeta të fliste për Kosovën lakuriq, fytyrën ma përshkoi një buzëqeshje. Dhe jo pse qitja në sipërfaqe, për të njëmiliontën herë, të të këqijave që na ngufasin do të duhej ta nxiste buzëqeshjen, përkundrazi. Por për shkak se fjala lakuriq menjëherë më asocioi te fenomeni më i bukur që prej kohësh e ka përjetuar familja KOHA më 2018.

Sivjet, dhe në kundërshtim të plotë me të gjithë parametrat që flasin për rënien e nivelit të lindshmërisë në Kosovë, listës së Babadimrit për dhuratat e Vitit të Ri iu shtuan 23 djem e vajza, që, siç e thotë titulli, erdhën lakuriq në këtë botë. Lakuriq, por, megjithatë, të mbështjellë me gjithë dashurinë dhe ngrohtësinë që vetëm prindërit mund ta japin.

Si asnjë vit më parë iu gëzuam ardhjes së këtyre foshnjave -- për të cilat nuk kemi si ndryshe t'i parafytyrojmë pos si brezi, i cili pas 20 vjetësh, mbase, edhe do të mundë ta vazhdojë punën e prindërve të tyre në KOHË. Dhe, si brezin që takimin e parë me KOHËN do ta ketë kur Babadimri t'ua "dorëzojë" pakot, të cilave jo të gjithë do të dinë t’u gëzohen për festën e fundvitit. Sepse ende nuk e kanë zbuluar, për shkak të moshës, shijen e ëmbël të çokollatës.

* * *

Nuk e di se cila do të jetë arsyeja që më bën të besoj se ardhja e këtyre fëmijëve, që do të mundë ta formonin një ekip të tërë futbolli për pjesëmarrje në kampionat evropian a botëror, do të paraqesë momentin e kthesës në Kosovë. Do të jetë dëshira për të mos u dorëzuar dhe shpresa që jeta e tyre do të jetë me e lumtur se e jona.

2019-a do ta shënojë njëzetvjetorin nga fundi i luftës, me të cilën traumë do të vazhdojmë të jetojmë derisa të jemi gjallë, si dhe njëzetvjetorin e të qenit dëshmitarë se me çfarë mendjelehtësie i jemi qasur formimit të një shteti, që as çlirimin e as pavarësinë nuk i bëri vetë. Janë njëzet vjet prej të cilëve duhet nxjerrë mësime, ashtu që njëzet vjetët e ardhshëm të jenë shumë më ndryshe për këta 23, si dhe të gjitha bebet e tjera që u lindën më 2018.

Mbase për shkak se ka ardhur koha e fundit që Kosova t'i qesë në pah krejt kapacitetet e veta të fshehura që do ta sjellin kthesën radikale për t'i hyrë shtegut të mbarë. Me ndihmën e evropianëve që e kanë marrë çështjen e arsimit me shumë seriozitet, një brez i ri politikanësh do të duhej të ishte në gjendje që ta niste reformimin e thellë të sistemit të arsimit, ashtu që brenda gjashtë vjetësh këta carrokë të nisen në shkollën që do t'u sjellë prosperitet, e jo analfabetizëm.

* * *

Është fat i madh që 23 bebet e KOHËS nuk e kanë idenë se çka po ndodh përreth tyre dhe nuk e kuptojnë se këtë vend e udhëheqin injorantët. Uroj që kur të bëhen për të kuptuar më shumë për vendin ku jetojnë, do të gëzojnë mbrojtjen e duhur që shteti duhet t'ua ofrojë. Se do të kenë mbrojtje shëndetësore, të cilën uroj që të mos kenë nevojë ta kërkojnë; se do t'i kenë kushtet e mira të jetesës, për shkak se prindërit do të kenë siguri punësimi; se do të marrin njohuri të cilat dikur do të mundë t'i zbatojnë në praktikë, për shkak se do të vijë epoka e tyre; se do të ndihen rehat në shtëpitë e tyre, dhe se kërkesën për ta parë botën do ta kenë vetëm për turizëm e jo për mbijetesë...

Njëzet vjetët e hajnisë dhe të mosndëshkimit do të duhej t'u mjaftonin të gjithëve - disave për t'u ngirë, po qe se e kuptojnë këtë fjalë, e shumë të tjerëve për t'iu thënë këtyre të parëve se të gjithë kufijtë janë kaluar. Do të duhej të mjaftonin për të kuptuar se ta vjedhësh ardhmërinë e këtyre 23 bebeve, si dhe të gjithë brezit të tyre, është krimi më i madh që mund t'ia bëjnë Kosovës.

* * *

Fundi i 2018-s i gjeti udhëheqësit e Kosovës tek shkelnin me këpucë të qelqta, me ecje të pasigurt, për shkak të kërcënimit të drejtpërdrejtë të një instrumenti që vetë e shkaktuan dhe vetë e krijuan. Se a do të jetë Specialja çelësi për fillimin e fundit të këtij brezi politikanësh që nuk ditën, më shumë sesa nuk deshën, ta shfrytëzonin rastin unik në histori për ta bërë Kosovën shtet, do të na e rrëfejë 2019-a. Sepse po qe se ndodh rënia e kësaj klase politike, do të ndodhë ajo që kryeministri vetë e quajti çlirim i Kosovës.

Në fakt, ky do të ishte çlirimi i vërtetë i Kosovës nga ata që për njëzet vjet e trajtuan atë si pronë të veten dhe që ndërtuan një sistem të tërë për të qenë përherë të mbrojtur nga përgjegjësia për secilën të keqe që ia shkaktuan vendit.

* * *

Nuk e kam as dyshimin më të vogël se prindërit e brezave të lindur pas luftës do ta kenë dëshirën e njëjtë: atë të çlirimit të Kosovës nga mentaliteti i gllabërimit të gjithçkaje që është e mirë e të gjithëve. Sepse do të donin që të mos pyeteshin kurrë në mos kanë gabuar që i sollën fëmijët në jetë mu tash dhe mu në këtë vend. Sepse do të donin që jeta e porsafilluar e këtyre vogëlushëve të jetë ndryshe nga ajo që e kanë jetuar vetë.

Bebet e njëzetvjetorit të luftës do të na sjellin çlirimin si dhuratë. Ato do të jenë simboli i kthesës.

Gëzuar nga 23 bebet e KOHËS dhe unë ? !

PS - Beba e 24-të na lindi, tri javë para kohe, më 31 dhjetor. Edhe kjo bebe u bashkohet urimeve ?

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi