Presidenti Trump po na e uron Vitin e Ri

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 05 January 2019 17:05

Nesër, nëse do të negociohet çfarëdo marrëveshjeje me Serbinë, e cila do ta ketë mbështetjen amerikane, Kosovën do ta vërë para aktit të kryer. Në një situatë të këtillë vetëm votimi kundër një marrëveshjeje të mbështetur nga Amerika do të kishte kuptimin e tradhtisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. 2019-a do të duhej të shërbente si çast i kthjelltësisë dhe përbashkimit të liderëve të Kosovës. Ka qenë e mundur gjatë kohës së luftës, dhe u bombardua Serbia, ka qenë e mundur gjatë procesit të Vjenës, dhe u pavarësua Kosova, u bë e mundur me votimin e projektligjeve për FSK-në në Kuvend, dhe po bëhet Ushtria. Do të duhej të bëhej e mundur edhe në dialogun me Serbinë, në mënyrë që të vuloset shtetësia

NËSE NJË SHTET i jashtëm ka një porosi për fatin e shqiptarëve, atëherë duhet të lutemi shumë që ky të jetë – Amerika.

Për këtë arsye është një ndër urimet më të mira për këtë fundvit letra që i është dërguar Kosovës nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Se pikërisht ky vit, si për koincidencë, viti 2018 pra, shënon edhe 100-vjetorin prejse shteti më i fuqishëm në rruzull ka filluar interesimin për shqiptarët në Konferencën e Versajës. Një shekull më parë, shtetet që kishin fituar Luftën e Parë Botërore – Franca, Britania dhe Italia – insistonin që territori i Shqipërisë të ndahej ndërmjet Greqisë, Serbisë dhe Italisë, teksa ishte presidenti amerikan, Woodrow Wilson, ai i cili u ngrit kundër aleatëve të tij dhe këmbënguli që Shqipëria të mbetej shtet. Nëse nuk do të ishte kjo vendosmëri e SHBA-së për ta njohur Shqipërinë, gjasat janë të mëdha që kurrë të mos kishte më mundësi të krijohej shteti shqiptar e as të ekzistonte çështja e shqiptarëve.

FAST FORWARD në 20-30 vjetët e fundit dhe e shohim të njëjtin rol të shtetit përtej Atlantikut, të dalë mbi gjithë Evropën, për të ndikuar në fatin e shqiptarëve. Për të mirë.

Vetëm kur SHBA-ja vendosi ta çlirojë Kosovën, kjo u bë. Ishte presidenti amerikan Bill Clinton ai i cili me gjithë mosmiratimin e një rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, vendosi ta bombardojë Serbinë (ish-Jugosllavinë), gjë që i dha Kosovës lirinë.

Vetëm kur SHBA-ja vendosi ta pavarësojë Kosovën, kjo u bë. Ishte presidenti amerikan George W. Bush ai i cili tha se dikur duhet thënë “mjaft”, dhe pa ndryshimin e Rezolutës 1244 u shpall Pavarësia e koordinuar e Kosovës.

Dhe vetëm kur SHBA-ja vendosi se Kosova duhet ta ketë Ushtrinë, kjo u bë. Administrata e presidentit Donald Trump, pavarësisht hezitimeve në mesin e disa shteteve të NATO-s, e mbështeti fillimin e formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Ose, thjesht: Amerika e bombardoi Serbinë që Kosova ta gëzojë lirinë. Amerika e sponsorizoi Pavarësinë që Kosova ta vulosë lirinë. Amerika po e miraton Ushtrinë që Kosova ta mbrojë lirinë. Nëse Amerika ka vendosur tash që Kosova të arrijë marrëveshje me Serbinë, Prishtinës i mbetet të thotë vetëm – mashalla!

LETRA E PRESIDENTIT TRUMP drejtuar presidentit të Kosovës e dëshmon këtë. Pas një mosinteresimi të theksuar të presidentit Barack Obama për Kosovën dhe lënien e saj në duart e shteteve të BE-së, përfundimisht duket se Shtëpia e Bardhë është kthyer për të kryer punën e mbetur.

Ka disa fjali tepër domethënëse në letrën e presidentit Trump, të cilat do të duhej të merreshin si një udhërrëfyes i qartë për popullin e Kosovës dhe klasën politike të Prishtinës.

Një deshifrim i thjeshtësuar do të mundë të dukej kështu:

“Kosova është një partner krucial në përpjekjet tona për të garantuar paqen dhe stabilitetin në të gjithë Evropën. Mirëpres përpjekjet tuaja aktuale për pajtim me Serbinë”.

Lexo: Pajtimi i Kosovës dhe Serbisë garanton paqe dhe stabilitet në Evropë.

“Dështimi për ta kapitalizuar këtë mundësi të veçantë do të ishte ngecje tragjike, meqë një mundësi tjetër për paqe gjithëpërfshirëse ka pak gjasa të ndodhë prapë së shpejti”.

Lexo: Shfrytëzojeni situatën aktuale gjeopolitike të interesave të rajonit dhe të qendrave të vendosjes se shpejt rrethanat mund të ndryshojnë për të keq.

“Ju bëj thirrje juve dhe liderëve të Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni njëzëshëm gjatë bisedimeve për paqe dhe të përmbaheni nga veprimet që do ta bënin më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje. Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë në suksesin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Ne dëshirojmë që shteti juaj të vazhdojë të rritet”.

Lexo: Mos dyshoni në Pavarësinë e Kosovës, por bëjeni një platformë të përbashkët me të cilën do t’iu kundërviheni kërkesave të palës tjetër.

“Ne mbesim në gatishmëri për t’ju ndihmuar në përpjekjet për të arritur një marrëveshje e cila i balancon interesat e Kosovës dhe Serbisë. Një marrëveshje e këtillë është shumë afër“.

Lexo: Një lëshim kompromisi duhet t’ia bëni Serbisë, dhe ajo duhet të jetë e gatshme ta pranojë atë.

“Unë pres që në Shtëpinë e Bardhë t’ju mirëpres ju dhe presidentin Aleksandar Vuçiq për të festuar atë që do të jetë një marrëveshje historike”.

Lexo: SHBA-ja dëshiron t’i japë vulë edhe fazës së fundit të zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

TASH, ZOR TË ketë papërgjegjësi më të madhe politike nga kushdo në Kosovë, i cili do të dëshironte ta minimizonte peshën e porosive amerikane në letër.

Do të ishte tragjike sikur në këto çaste, kur ata që për 100 vjetët e fundit kanë bërë më së shumti për shqiptarët, të votuarit nga shqiptarët e Kosovës të mos arrinin t’i tejkalonin inatet dhe dallimet në nuanca dhe të mos kapitalizonin në këtë vëmendje të Uashingtonit.

Se edhe nëse dikush në Prishtinë, hipotetikisht, nuk do të pajtohej me një qasje të këtillë të SHBA-së, kujt do të mundë t’i drejtohej për ndihmë? Historia na ka treguar se sa herë që çështja e shqiptarëve ka mbetur në duart e shteteve të Evropës, ajo ka çaluar. Në anën tjetër, shtetet më me ndikim në botë, jashtë Evropës, janë shtete të cilat nuk besojnë fare në Pavarësinë e Kosovës, madje e kundërshtojnë atë. Kështu që, nëse dikush i gjen vërejtje qasjes amerikane ndaj Kosovës, a do t’i kërkojë ndihmë Rusisë, apo Kinës?!

Nesër, nëse do të negociohet çfarëdo marrëveshjeje me Serbinë, e cila do ta ketë mbështetjen amerikane, Kosovën do ta vërë para aktit të kryer. Në një situatë të këtillë, vetëm votimi kundër një marrëveshjeje të mbështetur nga Amerika do të kishte kuptimin e tradhtisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

Së këndejmi, viti 2019 do të duhej të shërbente si çast i kthjelltësisë dhe përbashkimit të liderëve të Kosovës. Ka qenë e mundur gjatë kohës së luftës, dhe u bombardua Serbia, ka qenë e mundur gjatë procesit të Vjenës, dhe u pavarësua Kosova, u bë e mundur me votimin e projektligjeve për FSK-në në Kuvend, dhe po bëhet Ushtria. Do të duhej të bëhej e mundur edhe në dialogun me Serbinë, në mënyrë që të vuloset shtetësia.

P.S. Me mbështetjen e presidentit amerikan Woodrow Wilson, më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. Të urojmë që me mbështetjen e presidentit amerikan, Donald Trump - një shekull më vonë - më 17 dhjetor 2020, Kosova të pranohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Për këtë arsye urimi më i mirë për këtë fundvit është Letra e Presidentit Trump!

Gëzuar 2019!

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi