OpEd

Ekipi Dekorues Negociator i Kosovës

Për këso lojërash që t’i nënçmojë njerëzit, Rogner Kallamari është i njohur botërisht. E me dinakërinë e gjarprit, për neve, që gjuhën diplomatike e kuptojmë edhe përtej fjalëve por edhe nga gjestet, ai la të kuptojë se as që i bën hesap dhe ata do të jenë “dekorues të bisedimeve”, të ngjashëm me ata që Shpendi na i dha për kryeqytet, dekorues ama të vonshëm.

E enjte, 27.12.2018

Ditarit tim po i afrohen faqet e fundit për këtë vit. Shpresoj se Viti i Ri do të sjellë faqe me lajme më të hareshme dhe me konotacion më pozitiv për vendin. Kabllogramet e ditëve të fundit kryesisht ndërlidhen me Ekipin Negociator të negociatave me Serbinë të Qeverisë së Kosovës. Edhe pse Qeveria mundohet që këtë Ekip Negociator të na e mbështjellë si diçka gjithëpërfshirës, aty mbetet shumëçka për t’u dëshiruar. Ndoshta edhe idealizmi im i të bërit politikë ka faj. Mendoj se duhet të ketë një lloj të moralit edhe në politikë, me gjithë faktin se shumë njerëz të mëdhenj përgjatë historisë e kanë atribuuar si zanat të pamoralshëm. Po ja, ajo ana njerëzore në mua e kërkon moralin edhe aty ku si duket nuk paska.

Paradispozitat janë që njëri nga kryesuesit e Ekipit Negociator të shtrojë rrugën asfalt në bisedimet me Serbinë, ndërsa tjetri të shpërndajë kifle për pjesëmarrësit. E pse jo, edhe Vuçiqi iu dërgoi pite në Bruksel pjesëmarrësve të mbledhjes së Ballkanit Perëndimor.

Në takimin të cilin kryesuesit e Ekipit Negociator e patën me presidentin Rogner Kallamari, që rezultoi me ca foto, dëshmitarë të së cilave ishim nëpër lajmet e rrjeteve sociale, u vërejtën qartë ca gjëra. Ambasadori juaj dhe imi, pra ekselenca e tij - unë, njihet edhe si fotograf pasionues dhe dashamir i fotografisë. Nga ajo që mund të thosha nga ato fotografi ishte se në mes qëndronte një njeri autoritar, ndërsa anash tij dy të zellshëm që do të merrnin shënime për gjërat që autoriteti do të vendoste që t’i ndante me ta. Aspak nuk e besoj se ai atë do ta bënte në mënyrë aq transparente saqë t’u tregonte fill e për pe se çka ka biseduar me Vuçiqin deri më tani dhe se ku kanë arritur ato bisedime. Ai atë njoftim për ta më shumë do ta bëjë si shenjë kurtuazie dhe signal se “baba kollitet këndej ende”.Tokël-tokël.

Pati edhe një konferencë për shtyp. Presidenti foli i pari. Pasi që ai e përfundoi fjalimin e tij ashtu me protokoll, e thirri kryeministrin Haradinaj që ta merrte fjalën e ky ia lëshoi rendin Shpend Ahmetit, njërit nga bashkëkryesuesit e Ekipit Negociator të dialogut me Serbinë. Ende pa e marrë fjalën Shpendi, Rogner Kallamari, presidenti i Republikës së Kosovës nga mbrapa e bën një koment; “ ju vazhdoni se mu m’duhet me shku në disa takime”. Me fjalë të tjera, “baba tha çka pat me thonë, ju të tjerët ka keni me thonë, për babën s’jeni fort të rëndësishëm”. Për këso lojërash që t’i nënçmojë njerëzit, Rogner Kallamari është i njohur botërisht. E me dinakërinë e gjarprit, për neve që gjuhën diplomatike e kuptojmë edhe përtej fjalëve por edhe nga gjestet, ai u la të kuptojë se as që i bën hesap dhe ata do të jenë “dekorues të bisedimeve”, të ngjashëm me ata që Shpendi na i dha për kryeqytet, dekorues, ama të vonshëm. E kur je i vonshëm, edhe si dekorim je aty sa për sy e faqe, faqe të zezë, më mirë të themi. Së paku, sa i përket Rogner Kallamarit, ata janë aty sa për sy e faqe dhe sa për t’i bërë ca shëtitje nëpër Bruksel dhe për t’i shpenzuar ato 300.000 euro të ndara nga Qeveria e Kosovës dhe rezervat shtetërore.

Jo, nuk kam unë asgjë personale me Shpend Ahmetin. Përkundrazi, unë edhe e kam mbështetur rikandidimin e tij për kryetar të Komunës së Prishtinës, sepse mendoj se janë bërë disa punë të mira aty dhe ca gjëra janë vënë në rend. Mbetet edhe shumë për t’u bërë, por duhet të mësohemi që të japim lëvdata dhe kritika pozitive aty ku ato janë me meritë. Por mandati i dytë dhe gjërat që pasuan pas ndarjes së VV-së dhe kalimit të disa anëtarëve të VV-së në grupin e të pakënaqurve e që më vonë rezultoi në aderimin e tyre në Partinë Socialiste të Kosovës, për mua personalisht në atë të moralshmen politike la shumë për të dëshiruar. Është e drejtë e secilit të veprojë si të dojë dhe ashtu si i ka bindjet atë askush nuk ua konteston, por votat i kërkuan dhe i morën me të tjera bindje. Një simbolikë e vockël e heqjes së “znaçkave” të flamurit shqiptar nga setrat e tyre thotë mjaft për ata që dëshirojnë të kuptojnë. Fundja edhe fillimi i tyre politik filloi ashtu “pa znaçka”, ato i ngjitën kur u bashkuan në Vetëvendosje dhe tash vendosën që t’i hiqnin prapë. Bota mbetet e lirë e po ashtu edhe vendimet njerëzore, i heqin, i vendosin, i heqin prapë, çka ka lidhje? Setrat e tyre janë, e edhe jakat e setrave, çka të duan vetë vendosin në to.

Edhe jo Ambasadori juaj dhe imi, shkëlqesia e tij - unë, nuk është në Vetëvendosje dhe në asnjë grupim politik, as në Kosovë e as në botë. Të vetmet libreza që ekselenca ime i ka në dispozicion në jetë nuk kanë qenë partiake, ato kanë qenë libreza e notave, e shkollës fillore, dhe libreza e shëndetësisë. Megjithëse kisha shumë shokë peshkatarë dhe të cilët ishin të pajisur edhe me “libreza të peshkimit”, ja që për mua ai sport nuk ishte diçka që më flinte për zemër (ndoshta edhe nga fakti se nuk i ha peshqit), por ja, e humba edhe atë rast që të pajisesha me një librezë më shumë.

Gjithashtu ekselenca ime nuk është borxhli ndaj asnjërës parti politike, politikanë nga të cilët kurrë nuk kërkova as ndonjë favor e as ndonjë përfitim tjetër të çfarëdo natyre, kështu që mendimet të cilat unë i shpreh në Ditarin tim të çmuar janë pa kolateral politik e nuk më nevojitet as bashkë-hua-mendimtar-dhënës e as garantues. Janë këto që janë, i pëlqyen dikujt apo jo. Por e bukura e secilit ditar të shkruar në botë është se në kohë gjithmonë mund t’i kthehemi atij dhe të lexojmë fakte të shkruara, mbi jetën, shoqërinë, ngjarjet, gëzimet, pikëllimet etj.

Së fundmi pamë edhe fotografi të tjera nga kabllogramet e ndryshme nëpër portalet e lajmeve ku më të “fortit” e shtetit të “n’hallshëm”- Kosovës mblidhen për “sofrat e fundvitit” dhe e shqyejnë naj kaçik pule me rissoto, e ajo gjithsesi e shoqëruar me ndonjë selfie rasti aty nga vendi i gërditshëm i ngjarjes. “Sofra burrash” këto, aty nuk sheh grua as për ilaç. Ama gojën me integrime evropiane e kemi plot. Edhe jadecin e kemi gjithashtu. Por jadeci zakonisht po na mbetet neve, mos ju ardhtë mërzi. Ne edhe ua paguajmë këto fatura të kaçikave-kaçakëve qeveritarë.

Ndoshta dikush do të më akuzojë se Ambasadori ynë veç zi po sheh. Do të mundohem që së paku këtë përfundim të faqes së fundvitit të Ditarit tim ta bëj në një ton pak më të hareshëm. Jam në kërkim të atij toni. Po mundohem ta kujtoj një. Nuk po më kujtohet asnjë as për ilaç. Kur jemi te ilaçet, se ç’më tronditi lajmi i një pacienteje në QKUK, së cilës i mbetën zorrët jashtë në mungesë të rrjetave në QKUK. Njerëz të mirë, kah jeni nisur kështu? Është inat t’ia kujtoj vetes se në kohën kur unë e kam mbajtur atë librezën e shëndetësisë, të cilën ua përmenda më herët e që kishte një ngjyrë të gjelbër të mbyllët, këto gjëra s’ka pasur shans që të ndodhin. Mos e kërkoni fajtorin kujdestar, ata jemi ne vetë, ua kam thënë edhe me një pjesë tjetër të Ditarit tim. E kemi krijuar një shtet monstrum, i cili është i mirë dhe funksional vetëm nëse je pushtetar dhe biznesmen i lidhur me pushtet. Sa për qytetarin e thjeshtë, të cilit ia kërkojnë votën çdo 3-4 vjet, dhe në ato kohëra premtojnë mrekulli e çudira, sa për qytetarin e thjeshtë mirë është që premtimet të rrumbullakohen në aq, saqë zorrët nuk do të na i lënë jashtë, që lehonat nuk do të vdesin pas lindjeve, që të vdekurit nuk do të na i lënë mbi dhe. Premtime modeste këto, nuk po kërkojmë as metro as teatro, as kinema e as pishina të mbyllura, nuk po kërkojmë as rrymë 24 orë, e as ngrohje e as ujë, nuk po ju kërkojmë as ndërtime fabrikash e punësime njerëzish, vetëm po ju kërkojmë që të na trajtoni si të tillë, si njerëz me shërbimet bazike njerëzore.