OpEd

Politika e Rusisë në dialogun Kosovë - Serbi

Ndonëse Rusia pothuajse asnjëherë nuk arriti ta japë mbështetjen që kishte shpresuar Serbia, ajo gjithsesi u tregu si aleat më i rëndësishëm në luftën kundër Pavarësisë së Kosovës. Ajo vazhdon të japë garanci për sigurinë dhe integritetin territorial të Serbisë në rastin e Kosovës, duke kundërshtuar qëndrimet e BE-së dhe SHBA-së.

Politika e Rusisë në shtetet e Ballkanit Perëndimor është e lidhur ngushtë me dominimin e politikës së Serbisë në Ballkan. Dominimi i Rusisë në politikën e Serbisë shihet si një ndër mënyrat kryesore për ta rritur ndikimin në rajon.

Krahas mbështetjeve të vazhdueshme ndaj politikave të shtetit të Serbisë, Rusia jo çdoherë ka arritur ta ofrojë mbështetjen e pritur në çështjen e Kosovës. Mirëpo harmonizimi i interesave të këtyre dy shteteve ka bërë që Serbia të paraqitet si më e fuqishme jo vetëm në politikat rajonale, por edhe në raport me BE-në. Prandaj, procesi i dialogut Kosovë – Serbi mund të vlerësohet si mundësi e veçantë për të rritur ndikimin e Rusisë në rajon, kështu duke treguar që ka një rol kyç në procese të rëndësishme politike në Ballkanin Perëndimor.

Dialogu Kosovë – Serbi, i cili filloi në mars të viti 2011, ka fillesën tek Rezoluta e OKB-së, ku edhe Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Rezolutën për fillimin e këtij dialogu. Në fillim ky dialog filloi si proces teknik – që kishte për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve (Raporti KDI, 2018). Ndërsa moszbatimi i shumë pikave të marrëveshjes bëri që dialogu (apo negociatat) të kalojnë nga procesi teknik në atë politik, i cili filloi në tetor të vitit 2012. Ndërsa në vitin 2013 u arrit marrëveshja e parë në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizim, e cila u ratifikua si marrëveshje ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

Dialogu ka pësuar goditje të mëdha sidomos si arsye e politikave agresive të Serbisë kundër njohjes dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Ndërsa në fushatën e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNECSO dhe INTERPOL, aleati më besnik i tij mbetet Rusia. Aq më shumë duhet të theksohet që politika aktuale e Serbisë nuk është shkëputur shumë nga mendësia e regjimit të Milosheviqit. Politika zyrtare e Beogradit, në forma të ndryshme ka treguar që nuk është në gjendje të ballafaqohet me të kaluarën, dhe përsëri mbështetës më i madh i kësaj politike vazhdon të mbetet Rusia.

Dialogu Kosovë – Serbi paraqitet si proces kyç në avancimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Në strategjinë e zgjerimit të BE-së, të publikuar në muajin shkurt të vitit 2018, kërkohet që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, i cili do të zgjidhë problemet në mes të këtyre dy vendeve dhe do të avancojë rrugëtimin e tyre evropian. Prandaj shihet qartë që kushti kryesor i BE-së për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE kalon nëpërmjet dialogut të këtyre vendeve. Ndërsa ky dialog vazhdon të udhëhiqet nën direktivën e BE-së, kështu, kjo marrëveshje në fund të ketë mundësi të prezantohet si një sukses i BE-së e jo i SHBA-së. Ndërsa e gjithë kjo ka një prapavijë historike. BE-ja kishe dështuar ta parandalonte një gjenocid, i cili po ndodhte brenda Evropës, ndërsa ai u parandalua vetëm si rezultat i intervenimeve të NATO-s. Ky intervenim ia dha një mesazh të qartë BE-së, që nuk mund të garantonte sigurinë e këtij rajoni pa mbështetjen e SHBA-së. Prandaj, nëpërmjet marrëveshjes finale, që do të arrihet në mes të Kosovës dhe Serbisë, BE-ja dëshiron ta dëshmojë rolin e saj kyç në garantimin e sigurisë së rajonit.

Ndërsa në anën tjetër, arritja e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk u shërben interesave të Rusisë në rajon, përkundrazi gjendja e tensionuar në mes të këtyre dy vendeve paraqitet si një momentum i veçantë që Rusia ta shtrijë ndikimin e saj. Aq më shumë, nëpërmjet zgjatjes së procesit të këtij dialogu, Rusia është e interesuar të dëshmojë – vendeve të rajonit, por edhe vendeve të tjera të botës, që ajo mund ta luajë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e fatit të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Zvarritja për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë – Serbi do të kontribuojë që shtetet e Ballkanit Perëndimor të shndërrohen në vende ku fuqitë e mëdha i testojnë forcat e tyre. Që nga intervenimi i NATO-s në Kosovë, synimi i Rusisë ka qenë që ta rrisë ndikimin e tij në Ballkan në forma të ndryshme, pasi që ky intervenim ka dëmtuar imazhin e Rusisë si fuqi botërore në sistemin ndërkombëtar.

Rusia gjatë historisë është munduar të dëshmojë që është aleati më i fortë i shtetit të Serbisë, por gjithashtu edhe i serbëve që jetojnë përtej këtyre kufijve.

Ndonëse Rusia pothuajse asnjëherë nuk arriti ta japë mbështetjen që kishte shpresuar Serbia, ajo, gjithsesi u tregu si aleat më i rëndësishëm në luftën kundër Pavarësisë së Kosovës. Ajo vazhdon të japë garanci për sigurinë dhe integritetin territorial të Serbisë në rastin e Kosovës, duke kundërshtuar qëndrimet e BE-së dhe SHBA-së. Duke qenë një aleat i padiskutueshëm i Serbisë, ajo vazhdon t’i injorojë institucionet zyrtare të Kosovës, dhe ka bërë që raportet e tensionuara në mes të Kosovës dhe Serbisë të jenë gjithnjë aktuale dhe ta dominojnë politikën e rajonit. Ndërsa është e rëndësishme të theksohet që ky tension në mes të këtyre vendeve e bën Rusinë faktor të rëndësishëm ndërkombëtar.

Çështja e Kosovës paraqitet si një mundësi e madhe për Rusinë që të fitojë simpati në mesin e publikut serb dhe një pjesë e klasës politike në Serbi, që nuk është shumë e interesuar në integrimin e ashtuquajtur euroatlantik. Që nga viti 2000 me rrëzimin e Milosheviqit, çështja e integrimit të Serbisë në BE dhe çështja e Kosovës ka dominuar në politikën e brendshme dhe të jashtme të Serbisë. Ndërsa Rusia ka arritur që me përfaqësuesit e lartë të Serbisë të diskutojë rregullisht rreth çështjes së Kosovës duke e mbështetur pa kushtëzime në vazhdimësi.

Marrëveshja përfundimtare – ligjërisht e obligueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë duket se do të ketë ndikime të mëdha jo vetëm ne shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe në sistemin ndërkombëtar. Krahas presioneve të BE- së për ta arritur këtë marrëveshje, Serbia nuk duket që ka ndonjë nguti në këtë drejtim. Ndërsa, zvarritja e këtij procesi do t’i shërbejë më së shumti Rusisë, duke prodhuar alternativa të tjera që do ta mbante politikën e Ballkanit Perëndimor të varur nga politikat e Rusisë.

(Autorja është studente e doktoraturës në Universitetin e Ankarasë dhe hulumtuese në KDI. Qëndrimet në këtë artikull janë personale dhe jodomosdoshmërisht përfaqësojnë qëndrimet e këtyre institucioneve)