OpEd

Jetët e rrëmbyera

Pa marrë parasysh se kush do të goditet nga shpata e Gjykatës Speciale në vitin 2019, zemërimi në opinion nuk do të jetë i madh.  Arsyet për këtë kanë të bëjnë me trashëgiminë e atyre që u nisën për të çliruar Kosovën dhe u shndërruan në kriminelë - qoftë duke vrarë njerëz të pafajshëm, qoftë duke vjedhur me metoda thellësisht kriminale.

Shumë lexuesve me siguri ukujtohet slogani «Familja, Prona, Shteti». Ishte slogan i PDK-së, kur përpiqej të tregonte se nuk është më parti e majtë, por e djathtë. 

Në të vërtetë PDK-ja nuk është as e majtë, as e djathtë, nuk është as parti politike në kuptimin klasik. PDK-ja është një taraf parapolitik që me vite të tëra ka ndërtuar një sistem klientelist, thellësisht të korruptuar.

Slogani i vërtetë i PDK-së është: «Familja, Prona, Shteti, Gjykata Speciale dhe portalet tona për të prodhuar rrena». Sa herë që nëntoka parapolitike e Prishtinës fillon të dridhet nga Gjykata Speciale, vërehet një hov i dëshmitarëve të mundshëm të Gjykatës Speciale për protagonizëm medial. Nuk do të ishte befasi e madhe që ndonjëri prej tyre protagonistëve pikërisht pas «intervistave ekskluzive» dhe jo aq ekskluzive të mos jetë në gjendje të shkojë në Hagë fare. 

Se dëshmitarët e krimeve të luftës në Kosovë jetojnë në rrezik, këtë e ka dëshmuar edhe një raport i Këshillit të Evropës. Para rrafsh një viti në Kuvendin e Kosovës u luajt një dramë e vërtetë. Me lojëra të ulëta politike, me prapaskena, kurthe, kërcënime, me intriga, mashtrime me nënshkrime u tentua të rrëzohej Ligji për Gjykatën Speciale. Vetëm një ndërhyrje masive e diplomatëve të huaj, sidomos ambasadorit amerikan dhe atij britanik, penguan mësymjen e «krahut të luftës» për të «varrosur» Gjykatën Speciale. 

Një vit më vonë gjërat kanë ndryshuar edhe më shumë. Tani Ramush Haradinaj thotë se asnjë luftëtar nuk duhet t’i ikë drejtësisë. I njëjti para një viti tregonte muskujt kundër Gjykatës Speciale.

Ndoshta niveli i higjienës publike në vendin tonë do të ishte më i madh nëse për Gjykatën Speciale nuk do të flisnin ata që nuk e kanë lexuar me vëmendje Raportin e Këshillit të Evropës mbi trajtimin johuman të njerëzve në Kosovë gjatë dhe menjëherë pas luftës. 

Nëse nuk do të flisnin ata që nuk e kanë lexuar raportin e Jean-Charles Gardettos mbi frikësimin e dëshmitarëve në Kosovë. Nëse nuk do të flisnin ata që nuk kanë biseduar kurrë me pjesëtarë të pakicave, të cilët kanë humbur anëtarë të familjes. Nëse nuk do të flisnin ata që refuzojnë të pranojnë se në Kosovë ka pasur vrasje politike, dhe për këto vrasje pothuaj askush nuk është dënuar. 

Nëse nuk do të flisnin ata që vrasjet, zhdukjen e njerëzve, rrëmbimet, plaçkitjet e kryera sidomos pas luftës nga disa faqezinj me uniforma të UÇK-së i shohin si fenomen natyror, diçka si breshër apo shi. Jo, s’ishin as shi, as breshër – ishin krime. Në kohëra të vështira nuk mbahen në mend vetëm ata që i bishtnojnë drejtësisë, por edhe ata që llomotitin në mbrojtje të krimit e kriminelëve. 

Njëra nga këto llomotitje është se Gjykata Speciale na qenkësh raciste. Atëherë si bëri vaki që krejt bota perëndimore intervenoi kundër racizmit serb dhe e çliroi Kosovën? Athua këta perëndimorë të poshtër e paskan çliruar Kosovën vetëm e vetëm për t’u shfryrë pastaj me racizëm ndaj shqiptarëve? Kjo shoqëri duhet të mbrohet nga ata që duan ta hedhin në humnerën e marrëzisë kolektive. Sot patriotizëm është të refuzosh përpjekjet e të dyshuarve për krime të luftës që ta marrin peng tërë shoqërinë dhe fajin e tyre ta ndajnë me njerëz të pafajshëm. Dy dekada pas luftës shoqëria kosovare nuk është më e gatshme të marrë barrën e fajit të të tjerëve. Pa marrë parasysh se kush do të goditet nga shpata e Gjykatës Speciale në vitin 2019, zemërimi në opinion nuk do të jetë i madh. 

Arsyet për këtë kanë të bëjnë me trashëgiminë e atyre që u nisën për të çliruar Kosovën dhe u shndërruan në kriminelë – qoftë duke vrarë njerëz të pafajshëm, qoftë duke vjedhur me metoda thellësisht kriminale. Qëkurse Gjykata Speciale ka filluar t’u dërgojë ftesa krerëve të UÇK-së, opinioni e ka shikuar këtë zhvillim me indiferencë të madhe. Nuk ka pasur protesta dhe nuk ka paralajmërime për protesta. Manipulimi i njerëzve nga partitë e «krahut të luftës» nuk mund të përjashtohet kurrë, por masat e gjëra të shoqërisë s’po shohin arsye për solidaritet me çlirimtarët, sepse shumë prej tyre prej çlirimtarëve të vërtetë janë shndërruar në plaçkitës të vërtetë. 

Me sjelljet e tyre, me veprimet e tyre, me politikat e tyre tmerrësisht kundërproduktive, krerët e «krahut të luftës» ua kanë rrëmbyer jetët mijëra kosovarëve. Këto shifra tregojnë pjesërisht rezultatin e jetëve të rrëmbyera nga politika e keqe. Në vitin 2015 numri i azilkërkuesve nga Kosova në vendet e Schengenit ishte 72.480 persona. Në vitin 2016 numri i azilkërkuesve nga Kosova në vendet e Schengenit ishte 11.675 persona. 

Në vitin 2017 numri i azilkërkuesve nga Kosova në vendet e Schengenit ishte 7.410 persona (prej tyre 44.4 për qind në Francë, 31.7 për qind në Gjermani, 8 për qind në Itali). Refugjatë të kthyer: 18.789 në vitin 2015 (prej tyre 9.749 vullnetarisht, 9.040 me forcë). 13.030 në vitin 2016 (prej tyre 6.511 vullnetarisht, 6.519 me forcë). 4.509 në vitin 2017 (prej tyre 1.886 vullnetarisht, 2.623 me forcë). Migrimi legal: 2015 – 19.258 persona; 2016 – 21.007 persona; 2017 – 25.937 persona. Një popull që politikanët ia kanë bërë jetën ferr – pa sistem të mirë shëndetësor e arsimor, pa ekonomi dhe pa vende të punës, pa ajër të pastër dhe pa mirëqenie minimale – mund edhe të bie në agoni dhe të mos ketë fuqi për ndryshime të mëdha politike, por njëkohësisht një popull i tillë nuk çan kokën nëse befas çlirimtarët e djeshëm kanë halle të sotme për shkak të së kaluarës së tyre.