Pse Kosova duhet të jetë në shërbim të dialogut dhe jo e kundërta

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 26 dhjetor 2018 08:32

Javën e fundit dëgjuam edhe një herë nga BE-ja se “Kosova nuk është dashur të nxitonte me formimin e Ushtrisë” dhe qortime për tarifat që i ka vendosur për importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. BE-ja nuk ka ndonjë argument shumë të fortë kundër këtyre vendimeve, por ajo që e shqetëson më së shumti është “ndikimi negativ që mund ta ketë në dialog”.

Nuk është hera e parë që në Bruksel sa herë që mendohet për ndonjë veprim në Kosovë apo veprim të Kosovës, gjithçka të matet me kriterin e ndikimit në dialog. Edhe kur zhvillohej ndonjë proces zgjedhor në Bruksel mendohej se si do të ndikojë kjo në dialog. Edhe kur kishte kërkesa për hetime për vjedhje në zgjedhje dhe parregullsi mendohej se sa larg mund të shkohet, sepse nëse vërtet dëshmohen gjërat e tilla, kjo prapë mund të ketë ndikim në dialog. Edhe kur formohet Qeveria, edhe kur zgjidhet presidenti, prapë në Bruksel vetëm mendohet se si do të ndikojë kjo në dialog.

Fitohet përshtypja se edhe kur bie shi në Kosovë, edhe kur shkrihet bora, edhe kur rritet ndotja, edhe kur vjelët rrushi e piqet misri, në Bruksel mendohet se si këto do të ndikojnë në dialog.

Pra, gjithçka duhet t’u përshtatet nevojave të dialogut dhe asgjë në Kosovë që mund të dëmtojë apo të ngadalësojë apo ta vë në pikëpyetje këtë dialog nuk duhet të ndodhë. Sepse dialogu për BE-në duket të jetë më i rëndësishëm sesa Kosova. Edhe nëse ndonjë veprim është kundër interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj, nëse ai ndihmon dialogun, është i pranueshëm për BE-në. Për shkak të dialogut Kosova nuk qenka dashur të kërkonte anëtarësim në UNESCO dhe Interpol.

Javën e shkuar kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e arsyetoi lobimin e Serbisë kundër njohjes së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në strukturat dhe organizatat ndërkombëtare me dialogun. Sipas saj, prej kur ka filluar dialogu, Kosova paska qenë e obliguar që të mos kërkojë as njohje nga shtetet e tjera e as të bëjë përpjekje për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, sepse, sipas saj, me këtë Kosova ka punuar “prapa shpine” dhe kundër frymës së dialogut.

Për Brukselin Kosova duhet të jetë në shërbim të dialogut e jo e kundërta, që dialogu të jetë në shërbim të Kosovës. Deri tash dialogu më shumë ka penguar sesa që ka ndihmuar njohjen e Kosovës, dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Sikur të ishin të vërteta pohimet se dialogu ka ndihmuar për anëtarësim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe në FIFA e UEFA, atëherë pse Serbia ka qenë kundër dhe madje edhe sot është jashtëzakonisht e irrituar pse Kosova u bë pjesë e këtyre organizatave sportive, falë lobimit të sportistëve e jo politikanëve.

Vendet që po e tërheqin njohjen e Kosovës dhe ato që vazhdojnë ta mbajnë qëndrimin kundër pavarësisë po pranojnë argumentin e Serbisë se “Pavarësia ka qenë veprim i njëanshëm dhe tash po zhvillohet dialogu për një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët”. E BE-ja asnjëherë nuk e ka thënë asnjë fjalë zyrtare kundër një interpretimit të tillë.

Në këtë mënyrë, heshtja e BE-së është kuptuar si pajtim me interpretimin e Serbisë. Madje edhe nëse nuk thonë asgjë, apo thonë se “BE-ja është neutrale ndaj statusit të Kosovës” në BE në këtë mënyrë ndihmojnë qëndrimin e Serbisë. Mund të duket e logjikshme që një vend në Afrikë të arsyetohet se nuk ka nevojë të nxitojë me njohje të Kosovës nëse as vetë BE-ja nuk ka qëndrim të qartë për këtë çështje.

Tash po e shohim se edhe për liberalizimin e vizave dialogu është më shumë pengesë, sesa ndihmesë për Kosovën. Edhe pse formalisht nuk është si proces i lidhur me dialogun liberalizimi i vizave, duket sikur mbahet në rezervë për vite si një lloj karote që mund t’i bëhet në një moment Kosovës kur do të kërkohet nga ajo ndonjë kompromis i ri në dialog. Nuk kanë faj as Serbia e as BE-ja pse Kosova nuk i ka detektuar me kohë dëmet që mund t’i bëjë dialogu, nëse ai kuptohet si dëshmi se statusi dhe kufijtë nuk janë çështje e përmbyllur.

Askush nuk i ka faj Kosovës pse ka hyrë në dialog pa ide dhe vizion se çfarë dëshiron të nxjerrë nga ai. Edhe sot, pas 7 vjetësh dialog, në Kosovë vazhdon debati se kush duhet ta përfaqësojë Kosovën dhe me çfarë mandati. E tash po i gëzohemi faktit se presidenti Trump po angazhohet në dialog, sepse u ka dërguar letër presidentëve Thaçi dhe Vuçiq.

Sa kupton Trumpi për Ballkanin, ka dëshmuar kur ka thënë se “Malazezët janë popull agresiv, që mund ta nisin luftën e tretë botërore” dhe “pse të jenë amerikanët atëherë që të paguajnë për këtë”.

Në Bruksel nuk ka ndonjë xhelozi për letrën e presidentit amerikan dy presidentëve, por edhe këtë letër e shohin të jetë në shërbim të dialogut. Edhe Qeveria e Kosovës, sipas kërkesës së Brukselit, duhet të punojë në shërbim të dialogut. E gjithë kjo punë duhet të jetë në mbështetje të presidentit Thaçi, sepse ai është bartës i dialogut në emër të Kosovës.

Kushdo që merr ndonjë përgjegjësi për këtë dialog, mund të mirëpritet nga Brukseli, por gjithmonë duhet ta ketë parasysh se duhet të shërbejë në mbështetje të Thaçit. Edhe Ekipi negociator i krijuar duhet të punojë për t’i siguruar mbështetje presidentit Thaçi.

Presidenti shihet nga Brukseli si bartës i përgjegjësive për dialog. Për këtë ai mori edhe një letër nga presidenti i Amerikës, Donald Trump. Edhe në Kosovë dëgjohet se kompetencat dhe përgjegjësitë e presidentit për dialog dalin nga Kushtetuta e vendit.

Por, me sa duket, me ardhjen e Thaçit në postin e presidentit nuk është ndryshuar Kushtetuta. Ajo, pra, ka qenë e njëjtë edhe kur Thaçi ishte kryeministër e Atifete Jahjaga presidente.

Por Jahjaga nuk kishte ide fare për dialogun. Erdhi një herë në Bruksel dhe mbeti në histori me deklaratën e saj se “Me Serbinë kurrë nuk do të ketë dialog për punë të brendshme të Kosovës” dhe se “çështja e veriut të Kosovës nuk ekziston”. Të njëjtën ditë në Bruksel flitej për statusin e veriut të Kosovës, për zgjedhjet në Kosovë dhe për gjithçka, që tash pjesëmarrje në marrjen e vendimeve kishte edhe Serbia dhe kjo bëhej pjesë e dialogut.

Sikur dialogu të ishte më shumë në shërbim të Kosovës, ai do të kishte krijuar një situatë më të favorshme edhe në veri, më shumë liri të lëvizjes, ndërsa serbët e Kosovës do të ishin integruar më shumë në strukturat e Kosovës. Ka ndodhur e kundërta dhe kudo që janë integruar serbët e Kosovës, ata më shumë veprojnë si përfaqësues të shtetit të Serbisë sesa të qytetarëve kosovarë të etnitetit serb.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj