Fjalori për lexim letrash

Veton Surroi Veton Surroi 21 dhjetor 2018 08:29

Marrëveshja e vetme që synon Zyra e F. Mogherinit është me fjalën e munguar, sukses.

1.

Presidenti Trump i shkroi atij të Kosovës dhe i tha se e mirëpret së bashku me presidentin e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë “për të festuar atë që do të jetë një marrëveshje historike”. I shkroi se i mirëpret përpjekjet e tij aktuale për “pajtim me Serbinë. Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse vështirë se do të mundë të përsëritet për një kohë të gjatë”. SHBA-ja, thotë Trump, është e gatshme për të ndihmuar që të arrihet një marrëveshje “e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë”.

Gjatë dy vjetëve të kaluar Thaçi dhe Vuçiq kanë biseduar për këmbim territoresh dhe popullatash si marrëveshje për marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Hollësitë e këtyre dy presidentët nuk ua kanë komunikuar përfaqësuesve politikë të qytetarëve të vet, por lobuesve të paguar e të papaguar në Evropë dhe Washington, dhe këto komunikime, me e pa lobues ua kanë komunikuar njerëzve në ministri të ndryshme evropiane e amerikane dhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Washington, pra në Zyrën e presidentit Trump. Kjo zyrë, e kryesuar nga John Bolton, ndoshta e ka shkruar, por gjithsesi e ka autorizuar letrën dërguar Thaçit. John Bolton ka ndoshta përvojën më të gjatë administrative prej stafit sipëror në këtë administratë amerikane, dhe e ardhur nga një njeri i cili di të shndërrojë parimet në udhëzime praktike, është lehtë e lexueshme kjo letër. Për shembull, një lexim mund të jetë: “Meqë na keni thënë se e keni afër marrëveshjen për këmbim territoresh, ju inkurajojmë ta bëni sa më shpejt, dhe meqë po ju pengojnë Qeveria dhe opozita po ua shkruajmë këtë letër. E në të presidenti do të cekë: Unë ju nxis Ju dhe liderët e Kosovës, që ta shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe, dhe të përmbaheni nga veprimet të cilat mund ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjes”.

2.

Leximi që mund t’i bëhet kësaj letre në Kosovë është se Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq do të jenë të mirëseardhur që në Shtëpinë e Bardhë ta nënshkruajnë marrëveshjen historike për këmbim territoresh e popullatash atëherë kur Hashim Thaçi t’i bindë Qeverinë e Kosovës të përbërë nga PAN-i, Ekipin negociator të Kosovës të votuar sipas Rezolutës së PSD-së dhe opozitën (LDK e VV) që nuk është pjesë as e Qeverisë e as e Ekipit negociator se duhet të flasin me një zë me Hashim Thaçin. Nëse ky është leximi, ceremonia festive Thaçi-Vuçiq nuk do të ndodhë; nuk ka parti politike që përkrah këso marrëveshjeje në Kuvendin e Kosovës.

Në fakt, Kuvendi i Kosovës disa ditë pasi Trump i shkroi letër Thaçit votoi një Rezolutë me të cilën synon një ligj që do të krijojë një Ekip negociator dhe një Platformë. Rrjedhimisht, Kuvendi, me ata që votuan për këtë Rezolutë, nuk mendon se negociatat që i ka zhvilluar Thaçi janë legjitime. Dhe, rrjedhimisht, Kuvendi, me ata që votuan për Rezolutën ka ndërmend të ndërtojë një Platformë të re negociatore që do të jetë ndryshe prej negociatave që i ka bërë Thaçi dhe për të cilat ka informuar, me afërsi a jo të së vërtetës, administratën amerikane.

Për më tepër, dy subjekte opozitare lëre që nuk e përkrahin Thaçin dhe çfarëdo të ketë negociuar, por nuk e përkrahën as Rezolutën e PSD-së.

3.

Urgjenca për të pasur një marrëveshje të shpejtë ka gjasa të mos jetë fryt e asnjë gjëje më serioze sesa e nevojave të Zyrës së Federica Mogherinit, përfaqësueses së Politikës së Jashtme të Komisionit Evropian. Përpjekja shtatëvjeçare për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë në një proces pa krye e pa fund - pra një proces pa parime udhëheqëse, e gjeti veten në pasqyrë kur u vendos taksa prej 100 për qind për produktet serbe nga Qeveria e Kosovës. Në botë -normale apo jo - nuk ekziston një taksë e këtillë në tregti, dhe ky është indikator i mirë i shkallës së “normalitetit” të marrëdhënieve. Në botë -normale apo jo - po ashtu nuk ekziston një gjendje ku tregtia e lirë bëhet në një zonë mes shtetesh që nuk njihen. Madje nuk e kanë përfunduar konfliktin, dhe ky është po ashtu indikator i mirë sa ka arritur normalizim procesi i ngathët i Zyrës së zonjës Mogherini.

Pra, nga ky këndvështrim mund të lexohen letrat e ardhshme dërguar Kosovës që kanë po ashtu subjekt Hashim Thaçin, por që i adresohen Qeverisë së Kosovës nga zyrtarët e lartë të Komisionit (Mogherini, Hahn, Malmstrom). Qeveria dhe Kuvendi brenda disa ditëve bënë përpjekje - ndonëse gjysmake - për të marrë iniciativën për negociata. Qeveria prodhoi një draft-platformë, të kritikueshme si në formë ashtu edhe në përmbajtje, me të cilën tregohet se Kosova nuk ka pikënisje këmbimin e territoreve, por marrëdhëniet e mira mes dy shteteve sovrane. Një pjesë e Kuvendit miratoi një Rezolutë që përsëriste të njëjtin qëndrim dhe mbi të përpiqej të ndërtonte një Ekip negociator dhe Ligj mbështetës për të.

Zyrtarët e lartë të BE-së, me disa rreshta goditën iluzionin e sapokrijuar të Qeverisë dhe të një pjese të Kuvendit, i dërguan letër kryeministrit duke i thënë se të gjitha këto do t’i marrë në konsideratë bashkëbiseduesi i tyre i vetëm, Hashim Thaçi. Thaçi është ndoshta ndër pesë qytetarët e Kosovës që besojnë se dialogu në Bruksel ka qenë i suksesshëm; të tjerët janë katër prej dyzet vartësve të tij.

Një përkthim nga gjuha e burokracisë së Brukselit në realitet do të prodhonte këtë formulim të letrave dërguar Haradinajt:

“Mandati jonë po përfundon dhe duam që brenda këtyre tre muajve të ardhshëm të mbërrijmë marrëveshje. Ju po na i prishni punët me kërkesë për parime negociatore, taksa 100 për qind, rezoluta Kuvendi dhe opozitë ndaj nesh. Ne kemi pasur një partner deri më tani dhe me të do të kryejmë punë. Këtë partner tonin e mbështet, siç shihet, edhe John Bolton”.

4.

Shikuar kështu, nuk kemi të bëjmë me një marrëveshje eventuale mes Kosovës dhe Serbisë, por një marrëveshje eventuale mes Zyrës së Federica Mogherinit dhe fjalës së munguar, sukses.

Nëse është kështu, atëherë Kosova nuk ka as pse të brengoset për afatet për të bërë marrëveshje me fjalën sukses e as pse të brengoset se kë do ta zgjedhë si bashkëbisedues zonja Mogherini. Komisioni Evropian mund të kërkojë që Thaçi të përfaqësojë platformat e ndryshme të shoqërisë kosovare, por nuk ka kush në Kosovë, në spektrin politik të Kosovës, që mendon sikur Komisioni Evropian.

Procesi i deritanishëm i Brukselit ka mbërritur fundin e vet dhe ekziston nevoja për një proces ambicioz dhe serioz, një që synon të arrijë marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova duhet të përgatitet për këtë proces serioz negociatash me Serbinë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Për ta bërë këtë i nevojitet konsensusi për parimet udhëheqëse të veta, bashkëpunim me shtetet anëtare të BE-së për të ndërtuar parimet udhëheqëse të ndërmjetësve dhe një gatishmëri për të arritur marrëveshje paqeje me Serbinë.

Dhe Kosovës i nevojitet, pa dyshim, që të respektojë veten, institucionet dhe demokracinë, qoftë edhe në shkallën e varfër që e ka. Testi i ardhshëm i këtij respekti do të bëhet së shpejti, me ftesën e radhës që do t’i bëhet Kosovës nga Brukseli: kush do të shkojë, me çfarë platforme, me çfarë autorizimi?

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi