OpEd

Kazani që vlon në zjarr të vet

Edi Rama na e dhuroi një spektakël mediatik qysh vetëm ai di në Top Channel. Kishte ftuar “studentët protestues” në studion e Alban Dudushit në gjysmë të natës dhe po “dialogonte” me ta. Më mirë sikur të shkonte në emisionin e Arian Çanit, së paku do ta merrnim ma seriozisht dhe kishte me qenë vend më adekuat për ato orë të vona.

E mërkurë, 12.12.2018

Java të cilën po e lëmë pas u shënua me përplot kabllograme ngjarjesh nga më të ndryshmet. Taksa mbi produktet e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës vazhdon të mbetet në fuqi. Gjithashtu trysnia nga BE-ja për heqjen e saj sa vjen e shtohet ndaj Qeverisë së Kosovës. Në rrafshin e ngjarjeve ndërkombëtare jelekëverdhët në Paris dhe Francë po arrijnë që ta zmbrapsin presidentin Macron me kërkesat e tyre dhe ai çdo ditë e më shumë u përgjigjet pozitivisht kërkesave të tyre, duke dashur që ta mbrojë edhe pozitën e tij në karrige. Në Britani të Madhe vazhdon cirku i quajtur BREXIT, ku palaçot vazhdojnë duke i lëshuar rrugë njëri-tjetrit, mirëpo gjithnjë duke e mbajtur publikun në ekstazë dhe duke dhuruar show të paparë.

Në Shqipëri kemi protestat e studentëve të cilat dita -ditës vetëm sa shtohen në numër, kërkesat e tyre, si dhe solidarizimin e të gjitha universiteteve dhe studentëve anembanë Shqipërisë. E bukura e kësaj proteste është se deri më tani protestuesit kanë arritur që t’i shmangen dukurisë ku ndonjëra nga partitë politike i konsumon ato protesta për nevojat dhe qëllimet e saj politike.

Studentët protestues në Tiranë ia treguan vendin secilit që tregoi aspirata që këto protesta t’i përvetësonte për nevojat e veta partiake.

Mbrëmë Edi Rama na e dhuroi një spektakël mediatik qysh vetëm ai di në Top Channel. Kishte ftuar “studentët protestues” në studion e Alban Dudushit në gjysmë të natës dhe po “dialogonte” me ta. Më mirë sikur të shkonte në emision me Arian Çanin, së paku do ta merrnim ma seriozisht dhe do të kishte qenë vend më adekuat për ato orë të vona. E njohim tashmë Edin mjaft mirë. Ka filluar të bëhet i parashikueshëm. Arrogant, qysh vetëm koka e tij i thotë, jo i gatshëm ta dëgjojë bashkëbiseduesin, poltron, me një fjalë “kazan që vlon në zjarr të vet”. E karrigia ndër pellazgët e moçëm vazhdon të mbetet vend sakral, i shenjtë. Nuk e lëshojnë se nuk e lëshojnë edhe artefaktin më të vjetër arkeologjik të gjendur në trojet tona “Hyjneshën në fron” e kemi. Kjo pak a shumë na përshkruan për qasjen dhe fiksimin tonë për karrigen të cilën e kemi.

Por Edi paksa më demantoi. Ai e liroi kolltukun e tij në studio dhe një pjesë të emisionit ashtu i rrethuar me “studentët protestues” e bëri sikur ai të ishte udhëheqësi i emisionit. Alban Dudushi nuk shihej, vetëm zëri i dëgjohej kohë pas kohe, aty nga masa e publikut që e rrethonte showmenin Edi.

Në ndërkohë në Kosovë nuk ka protesta. Pse të ketë? Lëvizja është e lirë “tu dajtë n’Komoran s’na pengon kush me shku”. Makiato ende kushton 1 euro e edhe më lirë, varësisht nga qyteti se ku e konsumon. “Plazmat” po kalben nëpër rafte, kush ma s’po i blen. Ajri i pastër nga djegia e qymyrit në kryeqytet në këtë dimër idilik vetëm sa e bën atmosferën edhe më “romantike” njëjtë si edhe reduktimet e KED-sit. Pse me protestu? “Zgjate Zot”.

***

Disa postime ashtu sikur të ishin të sinkronizuara u postuan në rrjetet sociale nga ana e presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentarit Kadri Veseli, si dhe nga ambasadorja e Republikës së Kosovës në SHBA, znj. Vlora Çitaku, e cila u parapriu këtyre postimeve. Të gjitha postimet kishin të bënin me atë se Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit, MCC, kishte avancuar statusin e Kosovës në programet e saj. Me këtë avancim Kosova do të përfitojë me dhjetëra miliona dollarë, që do të investohen në fusha të ndryshme në Kosovë. Ana e hidhur e këtij lajmi është se drejtor i përgjithshëm i “Millennium Foundation Kosovo” është Setrit Pelimi një tjetër i dëgjueshëm dhe i përkëdhelur i klanit ”Pronto” , i cili edhe mund të jetë i përfshirë në keqpërdorime të mjeteve shtetërore në kohën kur ai ishte ushtrues detyre i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës. Projekti i tij “Interfaith Kosova” shënohet se kjo nismë është pjesë e “Diplomacisë Digjitale”, një projekt i përbashkët i Këshillit Britanik në Kosovës dhe MPJ-së . Po ashtu, shënohet se nisma “Interfaith Kosova” ka për partnerë MPJ-në, AUK-un, Ambasadën norvegjeze, Këshillin Britanik dhe Tony Blair Foundation (“Insajderi”).

Është interesant se si tash Setrit Pelimi e përkrah korrigjimin e kufijve si shefi i tij i dikurshëm, i tanishëm dhe i përjetshëm Hashim Kallamari, dhe se si edhe Tony Blair së fundmi u takua me Hashim Kallamarin, ku ky i fundit nuk hezitoi të na gëzojë me një postim në “Facebook” se ka përkrahjen e plotë nga Tony Blair (Foundation) mbi marrëveshjet finale me Serbinë. Qytetari civil i pafajshëm, i cili e ka një respekt të veçantë për Tony Blairin dhe kontributin e tij për intervenimin e NATO-s në Kosovë mund të mos jetë në dijeni se Tony Blair në Britaninë e Madhe nuk përfaqëson kurrfarë qëndrimesh zyrtare politike përveç sponsorimeve që ai i merr me fondacionin e tij për lobime të ndryshme dhe agjenda të ndryshme të cilat ai do t’i përfaqësonte. Thuhet se ai është edhe këshilltar i jashtëm i Aleksandar Muçiqit nga dueti Muçiqi/Thaçi. Sa i përket një pjese të madhe të popullit britanik në bazë të shumë iniciativave dhe qëndrimeve të tyre, ata më me dëshirë do ta shihnin Tony Blairin të akuzuar për krime lufte për angazhimet e ushtrisë britanike në Irak. Por ky është edhe ai dallimi midis politikanëve të huaj dhe këtyre politikuajve tonë pellazgë. Këta të huajt gjatë mandatit të tyre politik mundohen që sa më pak të jenë të përfshirë në skandale apo vepra korruptuese duke keqpërdorur pozitën e tyre politike. Mirëpo me përfundim të mandatit të tyre politik ata do t’i shfrytëzojnë të gjitha kanalet e krijuara më herët për të depërtuar me projekte të tyre tashmë private, e shembuj të tillë janë të panumërt (gjenerali Wesley Clarke, Madeleine Albright, Tony Bliar, Bill Clinton, Barack Obama, etj., etj). Politikuajt pellazgë hyrjen në politikë dhe pozitën publike i shohin si përfitim material dhe nuk do të hezitojnë aspak që në tenderin e parë t’i shpërfaqin aftësitë e tyre gllabëruese buxhetore.

***

Kabllogrami i radhës paksa ashtu edhe më çuditi! Në të shkruante se Zyra e presidentit Trump ka filluar që të dërgojë “ftesat e para tek kosovarët për të qenë pjesë e Mëngjesit të Lutjeve në Washington”. Kjo ngjarje mbahet më 8 shkurt 2019.

Nga ajo se qysh po rrjedhin gjërat ditëve të fundit gjasat janë që të ftuarit të jenë pjesëmarrës të “Lutjeve të Mëngjesit dhe Akshamit” të cilat mbahen në Hagë dhe nuk e di se a do të jenë në gjendje që të marrin pjesë në ato të Washingtonit. Por më mirë të tregohem paksa më diplomat në lidhje me këtë kabllogram. Duke marrë parasysh se kryeprokurori atje në Hagë është amerikan, ndoshta edhe do të ndodhë një lloj koordinimi me Zyrën e presidentit Trump dhe ndoshta kësaj radhe ftesat nuk u dërgohen politikanëve fare, mirëpo njerëzve të cilët e përfaqësojnë Kosovën në mënyrë të mirëfilltë si: Majlinda Kelmendi, Rita Ora, Dua Lipa, Ramë Lahaj, Toni Kuka, Akil Gjakova, Era Istrefi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Petrit Çeku, Përfaqësuesja e Kosovës në Futboll, e me siguri edhe ndonjë emër i cili mua momentalisht mund të mos më kujtohet.

***

Më 14 dhjetor 2018, në takimin e radhës në Kuvendin e Kosovës priten kalimet e ligjeve të cilat do të mundësojnë transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Edhe në lidhje me këtë iniciativë Kosova është nën presionin e BE-së dhe të NATO-s që të mos procedojë me aprovimin e këtyre ligjeve, por të mbështetet në Kushtetutën e saj dhe ta zbatojë atë. Në anën tjetër Amerika fuqishëm e mbështet këtë iniciativë, e duke e ditur se ajo është 80% edhe financuese e vetë Aleancës Veriatlantike NATO, Kosova kësaj radhe nuk është kapur për shkume, por për të fortin dhe partnerin e saj më të sinqertë në rrugëtimin tonë si shtet i pavarur. Siç thotë ajo thënia e vjetër pellazge “ndreqi punët me Zotin edhe për pejgambera 5 pare mos i jep”. Në këtë fillimin e rrugëtimit të shndërrimit të FSK-së në Forcë të Armatosur arritën edhe Humvee-it e parë nga Amerika. Do të nevojiten edhe shumë vjet që ky proces i filluar të rrumbullakohet me një ushtri profesionale të armatosur siç duhet dhe të aftë që t’u dalë në mbrojtje kufijve të vendit të vet. E sa i përket Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura të Kosovës, mos qofsha në lëkurën e tij.