Gara e xhelatit dhe e viktimës

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 15 dhjetor 2018 08:28

Fatkeqësisht, sot në Prishtinë, ende nuk ka së paku një muze të denjë, i cili do të tregonte aparteidin që regjimi i Beogradit e ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’90 dhe krimeve gjatë luftës. Kur vetë shqiptarët nuk po i kujtuakan, si t’i kujtojnë të tjerët. Ose nëse shqiptarët i paskan harruar, pse të mos i harrojnë edhe të tjerët

NARRACIONI ËSHTË ky:

Kosova nuk mund të bëhet pjesë e UNESCO-s, sepse aty janë shkatërruar objektet e trashëgimisë kulturore të krishterë.

Kosova nuk mund të anëtarësohet në Interpol, ngase ajo është çerdhe e kriminalitetit.

Kosova nuk mund të ketë ushtri, se do të rrezikohet paqja në rajon.

Serbia nuk është ndalur duke përsëritur këto dhe fjali të ngjashme, që nga tërheqja e forcave të sigurisë serbe nga Kosova, në qershor 1999.

Që nga ato ditë të kapitullimit të Serbisë në Kosovë dhe ardhjes së lirisë për popull, Beogradi ka synuar të kapitalizojë çka të mundet duke u shërbyer kryesisht me rrena dhe propagandë të ulët.

Duke qenë humbëse e të gjitha luftërave që ka nisur, si dhe e bombarduar nga aleanca më e madhe ushtarake në botë, NATO-ja, pushteti i Beogradit asnjëherë nuk e ka ndalur propagandën kundër atyre që i ka parë si armiq, veçanërisht Kosovës dhe shqiptarëve.

Në këtë frymë, nuk çudit fakti se në 18-vjetorin e rënies nga pushteti të kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviq, në sondazhin e një gazete beogradase plot 62 për qind e të anketuarve kishin pohuar se 5 tetori është ditë e turpshme dhe humbje e dinjitetit për Serbinë. Vetëm 22 për qind ishin përgjigjur se me ditën kur Milosheviqi ishte rrëzuar kishte fituar demokracia në Serbi.

NË ANËN TJETËR, shqiptarët nuk është se kanë bërë aq sa është dashur për ta rrëfyer anën tjetër të medaljes, e cila është në fakt – realja.

Fatkeqësisht, sot në Prishtinë, ende nuk ka së paku një muze të denjë, i cili do të tregonte aparteidin që regjimi i Beogradit e ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’90 dhe krimeve gjatë luftës.

Logjika e thotë se kur vetë shqiptarët nuk po i kujtuakan, si t’i kujtojnë të tjerët. Ose nëse shqiptarët i paskan harruar, pse të mos i harrojnë edhe të tjerët.

Kjo qasje e pakujdesshme e shqiptarëve i ka ofruar një shans të mirë Serbisë që të arrijë së paku disa fitore të përkohshme në rrafshin ndërkombëtar. Dhe, ç’është më e rënda, të ngjallë dyshime dhe të fusë huti se kush në fakt është xhelati e kush viktima në çështjen e Kosovës.

E tëra që është dashur të bëhej është që të përsëriten pareshtur faktet. E faktet e tregojnë, pastaj e ravijëzojnë të vërtetën.

REALITETI ËSHTË ky: Jo Kosovës, por Serbisë do të duhej t’i ndalohej me ligj ushtria, si ushtria më vrastare e Evropës në 70 vjetët e fundit.
Është fakt: Tribunali i Hagës ka akuzuar 94 serbë për krimet e ndërlidhura me luftërat në ish-Jugosllavi. Nga ky numër, 62 serbë janë dënuar për këto krime me vendime të plotfuqishme - një pjesë e madhe e tyre pjesëtarë të ushtrisë - që paraqet numrin më të madh të të dënuarve që nga Gjermania naziste.
Kjo do të thotë se Ushtria serbe ka kryer më së shumti krime në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Nuk ka asnjë ushtri tjetër në Evropë, që nga viti 1945, e cila ka shkaktuar vrasjen e rreth 130 mijë njerëzve, ashtu siç kanë bërë forcat e armatosura serbe, me komandë qendrore në Beograd.

Rreth 4 milionë njerëz janë detyruar të lëshojnë shtëpitë e tyre, qindra e mijëra shtëpi janë djegur ose shkatërruar, dhjetëra e mijëra gra janë përdhunuar, mijëra objekte fetare dhe të trashëgimisë kulturore janë dëmtuar.

REALITET ËSHTË edhe ky: Sot ka një Tribunal për Kosovën, i quajtur me eufemizëm Dhoma të Specializuara të Gjykatës Speciale, por nuk ka një Tribunal për Serbinë. Kjo Gjykatë Speciale do të akuzojë vetëm etninë shqiptare, kurse funksionimi i Prokurorisë për Krime Lufte në Beograd, si institucion vendor i drejtësisë serbe, nuk ka proceduar me asnjë veprim që prej 4 vjetësh.

Sot Kosova nuk njihet nga 5 shtete të BE-së, kurse Serbia vazhdon t’i hapë kapitujt për anëtarësim.

Sot Kosova është i vetmi vend në Evropë pa liberalizim vizash, kurse Serbia tashmë një dekadë është në zonën e bardhë të Schengenit, ndonëse nuk i kontrollon fare kufijtë që i ka në Kushtetutë.

Një pjesë bukur të mirë të fajit për këto e bartim vetë.

Harrojmë – na harrojnë!

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi