OpEd

Politika e shishes së Gjorgje Martinoviqit

Nëse grupe serbësh të Kosovës e quajnë taksën 100 për qind si sulm ndaj ekzistencës së tyre, atëherë del se ekzistenca e tyre është e lidhur ekskluzivisht prej qumështit e kosit të prodhuar në Beograd e jo ta zëmë, në Shkup a Manastir.

1.

Disa ditë radhazi po e shikoj ditarin qendror televiziv të RTS-së, versionin e Serbisë të besimit se televizioni publik ka obligim të shërbejë të vërtetat zyrtare. Një mik imi, që kishte parë këto emisione informative ma shprehu bindjen se i shëmbëllente sikur para njëzet vjetësh. Pra, sikur sot, kur Qeveria e Kosovës quhet “të ashtuquajtura institucione të përkohshme qeverisëse” dhe Kosova “e ashtuquajtura Kosovë”, atëbotë çdo që nuk ishte për shije të regjimit të Slobodan Milosheviqit quhej “e ashtuquajtur”. Në listën e gjerë ishin “e ashtuquajtura Republika e pavarur e Sllovenisë”, “e ashtuquajtura Republika e Kroacisë”, “e ashtuquajtura Alternativë demokratike e shqiptarëve të Kosovës”, “të ashtuquajturat demokraci perëndimore”. I quajtur realitet ishte vetëm ai që lejohej prej regjimit, intelektualëve shërbëtorë të regjimit dhe mediumeve qeveritare.

Për fat të keq, versioni i Serbisë i TV publik shkon edhe më larg se vitet nëntëdhjetë; është diku në vitet tetëdhjetë. Detyra zyrtare e versionit të Serbisë të TV publik është të krijojë imazhin e viktimizimit të serbëve të Kosovës, diçka që presidenti dhe shefja e Qeverisë së këtij vendi do të mundë ta quajnë pastaj “katastrofë humanitare”.

Dhe për këtë narracioni i TV publik ka gatishmërinë e njëjtë për sakrifikim të logjikës së shëndoshë sa edhe pilotët japonezë kamikazë në Luftën e Dytë Botërore. Ka disa ditë rresht që narracioni zyrtar flet se si serbët e Kosovës, si pasojë e taksës 100 për qind për produkte të Serbisë, po mbesin të uritur, pa barna e pa rezerva të nevojshme për mbijetesë. Për këtë jepet shembulli i qumështit, miellit e kështu me radhë dhe me të i jepet sulmi i radhës ligjeve bazike ekonomike. Nëse në tregun e Kosovës sot ka qumësht të Maqedonisë, Kroacisë e Italisë dhe nëse ka kos të Sllovenisë e Hungarisë, dhe nëse ka miell të Italisë e Greqisë, a do të thotë se serbi i Kosovës do të mbetet i uritur, sepse organizmi i tij është gjenetikisht i predispozuar për konsum vetëm të qumështit, kosit dhe miellit të Serbisë?

Atëbotë, a është kundërshtimi i taksës prej 100 për qind mbrojtje e parimeve të tregtisë së lirë (siç po thonë në shkresat zyrtare prijësit e Serbisë) apo është mbrojtje e së drejtës që serbi, në mënyrë që të mos i rrezikohet e drejta për ekzistencë fizike të ketë furnizim me prodhime serbe (siç po na tregon versioni serb i televizionit publik)?

Argumenti i zhveshur në fund do të thotë se nëse nuk ka qumësht të Beogradit, serbit të Kosovës i rrezikohet ekzistenca si individ dhe si pjesë e kolektivitetit serb.

2.

Natyrisht, nuk ka ende studim empirik apo përfundim të një analize shkencore se përse organizmi i një serbi mund të mbrohet ekzistencialisht vetëm me qumështin e prodhuar në Serbi. Për më tepër, as që do të ketë një të tillë, sepse është reduktim deri në absurd i teorive për dallime racore; pjesë e rëndësishme të katastrofave të shekullit XX ishin teoritë që shpjegonin përparësitë e njërës apo mangësitë e racës tjetër.

Por narracioni politik i Serbisë të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, i manifestuar edhe në narracionin medial proqeveritar në Serbi nuk e ka preokupimin parësor logjikën apo të vërtetën empirike. Në krye të këtij narracioni është paragjykimi, madje paragjykimi i ndërtuar mbi humnerën e madhe gjenetike që ekzistuaka mes serbëve dhe shqiptarëve. Në këtë humnerë u gjet më 1 maj të vitit 1985 një person i quajtur Gjorgje Martinoviq.

Sipas të vërtetës zyrtare, të transmetuar më 4 maj të vitit 1985, Gjorgje Martinoviq, punëtor i Shtëpisë së APJ-së (Armatës popullore të Jugosllavisë) në Gjilan u dhunua në anus me një shishe të birrës së thyer, e cila madje ia dëmtoi zorrën e trashë. Gazeta e së vërtetës zyrtare “Politika” theksoi se këtë vepër e kanë kryer “terroristët shqiptarë”.

Ky lajm erdhi si kulmim i një propagande të orkestruar mediale serbe, e cila sikur bëhet sot, përpiqej të bindte opinionin publik serb, e pastaj edhe jugosllav se në Kosovë ekziston një organizim i gjerë, i cili vepron kundër të gjithë serbëve, duke i rrezikuar edhe ekzistencialisht. Gjorgje Martinoviqi duhej të ishte prova përfundimtare; një burrë gati gjashtëdhjetëvjeçar që zihet në një livadh nga “terroristët shqiptarë” dhe dhunohet seksualisht me një shishe birrë, madje me sadizëm i thyhet shishja mu brenda zorrës së trashë.

3.

Hetimet që u bënë nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Kosovës dhe Serbisë, dhe nga Shërbimi sekret ushtarak krijoi një rrëfim tjetër, bazuar në të dhënat empirike, përfshirë edhe pranimin e nënshkruar nga ai që u quajt viktima e terroristëve shqiptarë.

Më 1 maj të vitit 1985 familja e Gjorgje Martinoviqit u nis për të kremtuar 1 majin në panairin tradicional të një fshati afër Gjilanit. Gjorgje Martinoviqi nuk shkoi në kremte, por shkoi në një livadh afër fshatit. E përdori shishen e birrës për masturbim anal dhe duke qenë i ulur mbi të gryka iu thye në brendi të zorrës së trashë. Ka qenë i njohur që më herët për eprorët e tij (ushtarakë, të nacionalitetit serb) veprimi i tij për masturbim anal. Rrëfimin për dhunuesit shqiptarë e krijoi për të fshehur veprimet e veta seksuale, aq më tepër kur për këtë filloi të bëhet bujë në media.

Por rrëfimi në media erdhi tre ditë pas ngjarjes, kur tashmë kishin filluar hetimet zyrtare të nivelit të shërbimeve sekrete civile dhe ushtarake. Dhe rrëfimi në media qe më i zhurmshëm sesa raporti zyrtar; e vërteta mediale u bë e vërteta zyrtare e Serbisë.

Në atë moment, nuk qe fare më e rëndësishme se çka raportuan hetuesit zyrtarë, në shumicë dërrmuese serbë. Qe i rëndësishëm narracioni i Serbisë së Milosheviqit. E atë narracion mund ta shohin edhe sot vizituesit në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Serbisë kur ekspozohet piktura “Kryqëzimi i Gjorgje Martinoviqit” e bërë nga anëtari i kësaj akademie , Miqa Popoviq. Në një format monumental, Gjorgje Martinoviqi është figura e Jezu Krishtit që po vihet në kryq me forcë nga katër shqiptarë me plis, njëri prej të cilëve përpiqet të fusë një objekt në prapanicën e viktimës përderisa këtë skenë e shikon me qetësi një milic i socializmit, i kthyer me shpinë.

4.

Narracioni nacionalist serb këtu bashkon Martinoviqin dhe qumështin e Beogradit.

Në versionin e së vërtetës zyrtare nuk është e mundur që një serb i Kosovës të jetë homoseksual që vetëlëndohet me shishe. Në versionin zyrtar, ai mund të jetë vetëm Jezu Krisht i kryqëzuar prej shërbëtorëve perandorakë, shqiptarëve.

Në versionin e së vërtetës zyrtare, serbët e Kosovës nuk mund të jenë qytetarë të rëndomtë, si edhe të gjithë të tjerët në Kosovë, që nuk e kanë problemin se çfarë është malli në supermarket, por e kanë problemin se si ta lidhin fillimin e muajit me fundin e tij për të blerë mall në supermarket. Për versionin zyrtar, ata mund të jenë vetëm viktima. Në kësi rasti janë viktima që do të vdesin urie, sepse në shitore nuk ka qumësht e kos Beogradi, por ka qumësht e kos Shkupi e Manastiri.

Ka filluar cikli i ri i përdorimit të serbëve të Kosovës. Nuk dihet i sati është me radhë, por ka një shekull që kur fillon, paralajmëron se në një fshat, livadh a rrugë kërkohet një emër që duhet të shërbejë si viktima e radhës për të dëshmuar se forma e vetme që serbët të jetojnë në këtë gadishull është nëse jetojnë në shtetin që quhet Serbi, që ka ushtri serbe, polici serbe, prodhon qumësht e kos serb - një shtet ku ajri detyrimisht do të jetë serb, i mbrojtur prej papastërtisë së racave të tjera.

I tërë shekulli XX u shërbeu popujve të tjerë për të kuptuar se kjo ide është tragjike, e nëse dikujt nuk i pengon fjala tragjike, atëherë është edhe e pamundur.