Llogaridhënie!

Enver Robelli Enver Robelli 13 December 2018 08:56

Mesazhi i parë i ambasadorit të ri amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, është i jashtëzakonshëm: “Shkelësit e ligjit në burg; konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, si dhe afate konkrete kohore për ndryshim. Ka ardhur koha që premtimi për llogaridhënie të bëhet realitet”. Që këto fjalë të mos tingëllojnë boshe, ambasadori dhe administrata amerikane që e ka dërguar të shërbejë në Kosovë duhet aktivisht t’i izolojnë politikanët që ndërtuan piramidën e korrupsionit – për fat të keq shpesh duke u toleruar edhe nga paraardhësit e ambasadorit.

Si i ka punët ai vend në të cilin ambasadori i ri amerikan ndër fjalët e para që përmend është fjala “korrupsion”? Ai vend nuk i ka punët mirë. Pak ditë pasi shkeli tokën e Kosovës, Philip Kosnett, ambasador i Washingtonit në Prishtinë, iu drejtua opinionit me një mesazh në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit”, ku potencoi domosdoshmërinë urgjente për të luftuar korrupsionin.

“Llogaridhënie do të thotë shkelësit e ligjit në burg; konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, si dhe afate konkrete kohore për ndryshim. Ka ardhur koha që premtimi për llogaridhënie të bëhet realitet”. Kjo ishte një pjesë e mesazhit. Pjesa tjetër: “Ligjet e mira dhe procesi më transparent janë të rëndësishme, por nuk mjafton t’i keni sistemet në letër nëse ato nuk zbatohen me ndershmëri, plotësisht dhe në mënyrë të vijueshme”. Pikërisht këtu qëndron problemi në Kosovë. Ligje ka boll, shpesh të kopjuara shkronjë për shkronjë nga vendet përparimtare perëndimore, por problemi qëndron te zbatimi. Problemi qëndron edhe te injorimi i ligjeve nga ana e pushtetarëve.

Që këto fjalë të ambasadorit të ri amerikan të mos tingëllojnë boshe, Kosnett dhe administrata amerikane që e ka dërguar të shërbejë në Kosovë duhet aktivisht t’i izolojnë politikanët që ndërtuan piramidën e korrupsionit – për fat të keq shpesh duke u toleruar edhe nga paraardhësit e ambasadorit. Kosnett ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë të pakrahasueshme në botë. Pikërisht për shkak se është kështu ambasadori duhet të kujdeset që mesazhet e tij jo vetëm të dëgjohen, por edhe të merren seriozisht dhe nëse s’merren, atëherë të ketë konsekuenca.

Përndryshe përfundojmë te Fausti i Goethes. Ndërsa bëhej gati të pinte helmin, Fausti dëgjoi korin e engjëjve duke kënduar mbi vuajtjet e Jezu Krishtit. Por, Faustit kjo nuk i bëri përshtypje dhe tha: “Porosinë po e dëgjoj, vetëm besimi po më mungon”. Edhe qytetarët e Kosovës e kanë dëgjuar porosinë e Philip Kosnettit, tani presin që ajo porosi të shoqërohet me konsekuenca konkrete për të korruptuarit. Në të kaluarën retorika e diplomatëve kundër korrupsionit shpesh e ka humbur efektin, kur populli i Kosovës ka parë se si nëpër pritje në Washington janë ftuar politikanë kosovarë të dyshuar për korrupsion.

Pasi erdhi në Kosovë si ambasador i SHBA-së, Christopher Dell, mbajti një fjalim më 15 janar 2010, ku, mes të tjerash, tha: “Figurat e krimit të organizuar dhe politikanët e korruptuar nuk duhet të lejohen të mbajnë përfitimet e tyre të jashtëligjshme. (…) Korrupsioni, dhuna dhe keqpërdorimet kalojnë pa u ndëshkuar. Të dobëtit janë pa një mjet efektiv veprimi, gjersa të fuqishmit manipulojnë ligjet dhe njerëzit për të mbajtur pushtetin dhe për të akumuluar pasurinë».

Fjalë të mëdha qenë këto. Njerëzit u entuziazmuan. Në media u botuan komente përkrahëse. Në kafehanet e Prishtinës kishte njerëz që thoshin: “Tani amerikanët nuk do ta vringëllojnë më kamxhikun, por do ta përdorin”. Sot kur në Prishtinë përmendet emri i Dellit, njerëzit qeshin me hidhërim. Kur e pyesnin nëse mund të ndërhynte për të garantuar pak transparencë rreth kontratës për autostradën nga Vërmica në Merdar, ai thoshte se nuk përzihet në punë të kompanive private. Autostrada u ndërtua deri në Arllat, ndërsa Delli që s’donte të përzihej për të siguruar transparencë u punësua në firmën Bechtel, ndërtuesen e autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë. Këso zhvillimesh kanë irrituar pa masë shumë njerëz të ndershëm në Kosovë. Andaj sot nuk dihet sa ka kushtuar autostrada e lënë përgjysmë – a kushtoi 500 milionë euro apo 999 milionë euro? Për çfarë arsye autostrada kalon nëpër toka që më herët i kishin blerë njerëz të afërt me të fortit e luftës? Dihet për ç’arsye: që të mbushen xhepat nga nacionalizimi i tokës.

Dell në fund të mandatit tha: “Korrupsioni tolerohet nga e tërë shoqëria kosovare. (…) Partitë, siç shpresohet të ndodhë në demokraci, janë pasqyrim i vetë shoqërisë. Prandaj, unë mendoj se të gjitha partitë janë të përfshira në këtë problem në shkallë të ndryshme. (…) Mendoj se ky është problem me tërë shoqërinë; ky problem ngërthen shumë individë të ndryshëm në partitë politike, e jo doemos udhëheqësit. (…) Së pari, shoqëria duhet ta marrë përsipër të ndryshojë sjelljen e vet në çdo nivel: prej udhëheqjes e deri te qytetari i rëndomtë. E dyta, qytetarët duhet ta përdorin fuqinë e tyre nëpërmjet votës për ndryshim; ta përdorin atë votë për t’u marrë me problemin e korrupsionit. Kështu do të duhej të funksiononte kjo gjë në demokraci”. Natyrisht që populli i Kosovës ka një përgjegjësi të madhe për këtë situatë. Por nuk mund të thuhet se problemi i korrupsionit «jo doemos» ka të bëjë me udhëheqësit.

Mesazhi i ambasadorit Kosnett dallon pozitivisht. Në rast se nuk lejon të keqpërdoret, manipulohet e instrumentalizohet nga mafia politike e Prishtinës si ndonjë nga paraardhësit e tij, Kosnett do ta ketë aleat të fuqishëm opinionin publik në betejën për ta bërë Kosovën shtet funksional.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli