OpEd

Muzeu i dështimeve kapitale

Do të duhen vite që të ndryshojë rrëfimi, e edhe më shumë që të kompensohen vitet e humbura me premtime boshe e vënie gur themelesh të projekteve të paradestinuara për dështim. Si zgjidhje do të ishte një objekt me fasadë pasqyrë, mundësi vetëreflektimi dhe ngushëllimi ndaj atyre që në pikë të ditës iu dhanë premtime çapraz. Deri atëherë do të vazhdojmë të ngremë pallate operash prej letre, muze e salla koncertale. Por, duke harruar njërin që do të na kthente në realitet

Sinan Kajtazi dhe Vjollca Llugiqi do të bënin piruete në të ftohtit e dy dhjetorit të 2009-s, në platformën prej dërrasash, kinse skenë, në një alamet ceremonie për vënien e gurit themeltar të teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.

Tre zyrtarë shtetërorë, të tre me kravata nuancash të kuqe, prisnin t’u jepej sinjali që ta shtypnin butonin e një pajisjeje që pak metra më tutje, nëpërmjet gypit, zbrazte ca kubikë beton në atë që quhej themel. Të tre më pak të thinjur sesa sot, njëri prej tyre ende në politikë. Pikërronte shi. Për ata që besonin, ishte asi me të cilin vjen bereqeti. Për skeptikët, asi që nuk paralajmëron se shpejt dielli do të çonte krye. Për realistët, thjesht përlloçje e çdo gjëje përreth. Të tre lexuan fjalimet që zor se duhet t’i kenë shkruar vetë, pos ndonjë fjalie sa për t’i dhënë hov në kërkim të duartrokitjeve. S’kishte as dy javë që ishin mbajtur zgjedhjet komunale.

Qartazi, toni ishte i atyre të fushatave. “Për këtë ditë kemi investuar të gjithë që edhe ne si shtet, si institucione, si popull, të fillojmë të investojmë në ndërtimin e institucioneve kulturore, të munguara më herët në Republikën e Kosovës”, do të thoshte Hashim Thaçi, asokohe kryeministër i vendit, para se të buzëqeshte bindshëm.

“Ky është vetëm fillimi i investimeve të mëdha, të cilat do t’i bëjë Qeveria e Republikës së Kosovës”, do të shtonte presidenti i tanishëm. Ishte fillimi. Por ai i një mashtrimi të madh. Si ministër Kulture, Valton Beqiri do të jepte afate se projekti do të ishte punë e kryer për pesë vjet, një optimizëm për të “aspak i rrejshëm dhe entuziast”, por diku në mes do ta fuste edhe shpresën që sot do të mund të përkthehej si dilemë a parandjenjë. Për Fatmir Sejdiun, asokohe president, guri themeltar shënonte përmbushjen e ëndrrës a amanetit të presidentit Rugova.

Fiks nëntë vjet pas, pallati mbeti ëndërr për dy balerinët e për krejt artistët e tjerë. Vendi ku u bënë premtimet u shndërrua në makth. Një gropë që përpiu mbi një milion euro. Në ditën inaugurimit të punimeve, pos realistëve, kush tjetër s’pati të drejtë. Balta mbuloi edhe themelet bashkë me premtimet e atyre që i hapën dhe atë që do të mundë të quhej dhënie përgjegjësie për dështimet si ky. Premtimet s’ishin pjesë e një shfaqjeje teatrore ku s’gjykohet as mashtrimi. As atëherë, as sot, nuk gjykohet, as në politikën e shndërruar në teatër tragjikomedie. Ngjarja si kjo do të ishte ideale për njërën nga skenat e këtij teatri. Ishte skena e parë që paralajmëronte mashtrimet e radhës. Ose ato që i kishin paraprirë.

* * *

Dita e 21-të e majit të 2008-s. Zagushi e pazakontë në pranverën e vonshme. Ai që u quajt projektuesi i teatrit të operës dhe baletit, gjermani Kai Auffermann, kishte fluturuar nxitimthi në kryeqytet. Kishte marrë “urdhër” nga Ministria e Kulturës, o të vinte, o s’do t’ia jepnin shumën e mbetur të pagesës, që krejt do t’i afrohej gjysmë milioni euro. Vendtakimi: zyrat në bodrumin e Ministrisë të ndriçuara zbehtë nga gjysmëdritaret që s’hapen kurrë. Pa paralajmërim për mediat e me dyer të mbyllura, kurrë s’u bë e ditur se për çfarë realisht u bisedua për rrafsh dy orë.

Projekti ende nuk ishte kryer. Kishte ardhur “të konsultohej për detajet e fundit”, kusht për të marrë 220 mijë eurot e mbetura, sa ishte pazari me të. Zyrtarët ministrorë u përkujdesën që ta përvidhnin korridoreve, të mos u drejtohej gazetarëve, por dështuan së paku për 30 sekonda, në daljen kryesore. “Mund të them se 60 për qind e punës në projekt është bërë”, do të thoshte si në ikje, derisa ata që u takuan me të ishin futur në rolin e truprojave.

Për dyshimet se kompania e tij ishte fantome, u vetëmjaftua me përgjigjen me gjysmë zëri, si për ta pohuar të kundërtën. Ueb-faqja e kompanisë së tij, së cilës i ishte besuar projekti më kapital, asokohe ishte “under construction”. Sot prezanton projekte simpatike shtëpish të vogla, prej dërrasash. Auffermann s’figuron si pjesë e ekipit. Por sot, objekti që ai e vulosi si projektues, s’është as “under construction”.

Në mungesë të një rrëfimi tjetër, edhe një skenë si kjo do të mbetet uverturë e një mashtrimi të madh. Projektet e tjera – kapitale për shtetarët, dështime në realitet – janë si rekuizitat e shfaqjes në teatrin tragjikomedi të politikës që s’meriton titull tjetër pos “Mashtrimi i madh”.

* * *

Në dhjetorin e 2018-s dyshja e balerinëve Kajtazi e Llugiqi, njashtu sikurse kolegët e tyre, e vazhdojnë karrierën aty ku e nisën, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, bashkë me ata të gjeneratave që erdhën më pas. Mjafton një rrebesh shiu, të përzihet me ujërat e zeza e të vërshojë bodrumeve të objektit, i cili që nga paslufta në emër të rinovimit është arnuar katër herë. Ai që quhet investim kapital, mot do të jetë rinovimi i pestë.

Do të duhen vite që të ndryshojë rrëfimi, e edhe më shumë që të kompensohen vitet e humbura me premtime boshe e vënie gur themelesh të projekteve të paradestinuara për dështim. Si zgjidhje do të ishte një objekt me fasadë pasqyrë, mundësi vetëreflektimi dhe ngushëllimi ndaj atyre që në pikë të ditës iu bënë premtime çapraz. Pjesa tjetër është histori që përsëritet. Deri atëherë do të vazhdojmë të ngremë pallate operash prej letre, muze e salla koncertale. Por, duke harruar njërin që do të na kthente në realitet: Muzeun e Dështimeve Kapitale.

Projekti i teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” do të zinte vend në vitrinën kryesore. Të tjerët do ta plotësonin rrëfimin. Atë të mashtrimit të madh e të kulturës së mashtrimeve.