Taksa 100 për qind gjinekologjike

Veton Surroi Veton Surroi 07 dhjetor 2018 08:26

Rrëfimi për një gjendje të bythëprapstë

1.

Do të bëhen gati dy javë prejse u vendos taksa e Qeverisë së Kosovës prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe BeH-së dhe narracioni politik në Kosovë, Serbi e ndër diplomatë ndërkombëtarë është pasuruar me analiza se ku gjendet kufiri mes ekonomisë dhe politikës. “A ka llogaritur Kosova efektin ekonomik të veprimeve të veta politike?”, është njëra pyetje. “Si mund të ketë ndëshkim politik për votën e dështuar të Interpolit ndaj tregtisë së lirë?”, është tjetra. Dhe e treta: “Çfarë partneri ndërkombëtar është Kosova nëse nuk e respekton marrëveshjen CEFTA, madje në vitin kur e kryeson institucionin koordinues?”.

Këtyre pyetjeve pastaj iu shtuan dilemat se a do të ishte mirë që tarifa të kishte mbetur 10, të ishte ngritur në 30 apo, siç u bë në 100 për qind? Me çfarë kriteresh u shpall 10 e me çfarë kriteresh u ngrit në 100?

Pyetje të këtilla, me bollëk, do të mjaftonin për debat të gjerë dhe historik të sanksioneve ekonomike si pjesë e konfliktit politik, por mendoj se taksa prej 100 për qind nuk ka të bëjë aq me ekonomi, me politikë ekonomike e as me ekonomi politike sesa, ndoshta, me gjinekologji.

2.

Në statistikat gjinekologjike pothuajse 3 për qind të foshnjave që gjenden në barkun e së ëmës nuk janë në pozitë përkatëse për të lindur, pra nuk janë të përgatitura që të dalin nga uterusi me kokë. Pozita e tyre me këmbë e vithe që të dalin së pari e rrezikojnë seriozisht shëndetin e nënës, dhe të gjithë popujt kanë shprehje për këtë gjendje, ndër shqiptarë quhet “bythëprapthi”, dhe ajo që bëhet “bythëprapthi” ilustron jo vetëm veprimin e bërë në mënyrën jo të duhur, por edhe veprimin që mund të jetë i dëmshëm.

Diçka e ngjashme ka ndodhur me CEFTA-n. Pas luftës në ish-Jugosllavi ndodhën njëra pas tjetrës iniciativa të ndryshme për bashkëpunim mes shteteve dhe ekonomive të tyre; duhet një studim voluminoz vetëm për të listuar të gjitha ato iniciativa që proklamuan hapjen e kufijve dhe liberalizimin e tregtisë. Në fund, brenda BE-së rrodhi ideja që, meqë CEFTA ka qenë aq e suksesshme për të integruar vendet e Evropës Qendrore në BE (Poloninë, Çekinë, Sllovakinë dhe Hungarinë) pse të mos aderojnë edhe shtetet e tjera të ish-Jugosllavisë e bllokut komunist që kanë aspirata për të qenë pjesë e BE-së? Duke u integruar në treg të lirë, thoshte ky narracion ideologjik, do të thyhen barrierat politike dhe kështu një ditë të gjithë do të jenë të lumtur.

Ky është konstatim i njëjtë, sikur i gjinekologut që do të kumtojë se të gjitha foshnjat lindin njësoj, edhe ato që janë të gatshme me kokë në uterus, edhe ato që duan të dalin me bythë së pari. Natyrisht, këtë gabim nuk e bën gjinekologu, por e bënë të gjithë ata që menduan se mund të bëhet replikim i marrëdhënieve që vendosi Grupi i Vishegradit (Polonia, Çekosllovakia dhe Hungaria) në të zhbërë Bashkimi Sovjetik në rastin e ish-Jugosllavisë. Pra, se Serbia dhe Kosova do të veprojnë krejtësisht njëjtë sikur vepruan Çekosllovakia me Hungarinë: do t’i hapin kufijtë, do të garojnë për investime, do të përgatiten që bashkërisht të ndihmojnë njëra-tjetrën për anëtarësim në NATO.

3.

Gabimi është kaq i thjeshtë dhe elementar sa vështirë të besohet se nuk i ka rënë dikujt në mend, gjegjësisht dikujt që ka memorie bazike institucionale pas rënies së Murit të Berlinit. Grupi i Vishegradit dhe CEFTA ishin instrumente të vullnetit të mirë të shteteve sovrane, që jepnin një pjesë të sovranitetit të vet, në mënyrë që, bashkërisht, të integrohen në një hapësirë më të madhe lirish ekonomike, sociale, politike dhe, po ashtu, nën një ombrellë të mbrojtjes së përbashkët. Serbia dhe Kosova gjatë 19 vjetëve të kaluar pas konfliktit nuk kanë arritur të nënshkruajnë as edhe parimin bazë mbi të cilin do të ndërtohej bashkëpunimi i ardhshëm: respektimi i ndërsjellë i sovranitetit.

CEFTA nuk ka gjasa elementare të replikohet, sepse nënshkruesit e CEFTA-s nuk e njohin barazinë e njëri-tjetrit si palë. Dhe kaq. Në politikë mendjet e ndritura të BE-së janë përpjekur që të bëjnë eksperimentin e tyre të radhës: nëse Serbia dhe Kosova vendosin hapësirë të tregtisë së lirë do të tejkalojnë konfliktin politik. Serbia ka pasur akses gjithnjë në rritje në tregun e Kosovës, duke tejkaluar gjysmë miliardi euro në vit; në dy apo tre vjetët e ardhshëm ngritja e saj e eksporteve mund ta afrojë tek një miliard euro, por kjo në asnjë mënyrë nuk e ka përfunduar konfliktin me Kosovën. Përkundrazi, tregtia e lirë është shndërruar në instrument për vazhdimin e konfliktit: malli i Serbisë ka mundur të hyjë pa problem me identitet të vetin (Made in Serbia), malli i Kosovës është dashur ta fshehë identitetin e vet (qe ndaluar Republic of Kosovo).

Po ta kishin pyetur gjinekologun, ai kaherë do t’u kishte thënë se marrëdhënia e këtillë Serbi-Kosovë është e bythëprapstë; dhemb dhe është e rrezikshme për ardhmërinë.

4.

Reagimet e diplomatëve evropianë dhe amerikanë, këto ditë, qenë drejtuar kah një porosi. Kosova duhet të tërheqë taksën, sepse është bërë pengesë për dialogun me Serbinë. Ndoshta edhe në këtë rast do të mundë të hynte në ndihmë gjinekologu me një pyetje të thjeshtë: për cilin dialog është fjala, për atë bythëprapstë?

Gjatë negociatave të Brukselit, ndërmjetësit evropianë kanë bindur kosovarët se bën të hyhet në negociata edhe pa parime udhëheqëse dhe se, gradualisht, nga poshtë-lart do të ndërtohen parimet për zgjidhjen afatgjate të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe, ja ku jemi, pas pesë vjetësh në gjendje ku normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ilustrohet me një taksë prej 100 për qind, diçka e pashembullt sot në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Po, pra, pyetja është sërish, për cilin dialog është fjala? Atë që po zhvillohet fshehtazi ka dy vjet dhe në të cilin - tashmë është bërë edhe deklarim i haptë - bëhen negociata për këmbim territoresh e njerëzish? Pra, një proces që gjinekologët e shohin menjëherë si problem: si mund të bisedosh për kufijtë me palën tjetër kur ajo nuk e njeh sovranitetin tënd mbi ata kufij?

5.

Natyrisht, nuk mund të bëhet analogji e përkryer me gjinekologun, posaçërisht kur i vetmi mjet i mbetur për të është prerja cezariane; e prerjet nuk kanë shëmbëllim të mirë në marrëdhënie ndërkombëtare. Por për këtë shkrim ndoshta hyn në punë vlera bazike e diagnozës së gjinekologut pas shfaqjes së simptomave të taksës: gjendja është e bythëprapstë, nuk ia vlen të shpresohet se do të ndryshojë vetvetiu dhe nuk do lejuar assesi që të mbërrijë në fazën ku dhemb dhe rrezikon shëndet e jetë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Afrimi12/12/2018 14:25

Shumë e vërtet

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi