Një maskë nga karnavali i Venedikut për Aleksandar Vuçiqin

Enver Robelli Enver Robelli 06 dhjetor 2018 08:14

Politikanët me komplekse inferioriteti duan me çdo kusht të duken të rëndësishëm, të vrapojnë pas ndonjë “çmimi” apo të stolisin veten me “Honoris causa”. Njëri ndër ta është edhe Aleksandar Vuçiqi, i cili, sipas mediave të regjimit të tij, ka marrë një “Luan të Artë për Paqe” në Venedik. Mbi një maskaradë të denjë për karnavalin e Venedikut

Në vitin 2010 Rexhep Taip Erdoani, atëbotë kryeministër i Republikës së Turqisë, u nderua me Çmimin Ndërkombëtar Gadafi për të Drejtat e Njeriut. Ceremonia e dorëzimit të çmimit u organizua me rastin e vizitës së Erdoanit në Libi. Erdoani me atë rast mbajti një fjalim mbi qëndrimin me dinjitet të të dyja vendeve kundër çdo padrejtësie mbi tokë. Lideri libian Moamar al-Gadaf kishte mjaft para – andaj bashkë me çmimin ia dhuroi Erdoanit edhe 250 mijë dollarë. Para Erdoanit këtë çmim e kishin marrë edhe Hugo Chavezi dhe Fidel Castro. Të gjithë këta emra vërtet janë shquar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Sidomos Al-Gadafi, i cili u rrëzua nga populli, u tërhoq zvarrë dhe u vra në mënyrë bestiale.

Politikanët me komplekse inferioriteti duan me çdo kusht të duken të rëndësishëm, të vrapojnë pas ndonjë “çmimi” apo ta stolisin veten me “honoris causa”. Njëri ndër ta është edhe Aleksandar Vuçiqi, i cili, sipas mediave të regjimit të tij, ka marrë një “Luan të Artë për Paqe” në Venedik. Historia e këtij çmimi duket të jetë një maskaradë e denjë për karnavalin e Venedikut. Mediat e Beogradit nën kontrollin e drejtpërdrejtë apo indirekt të Vuçiqit njoftuan se presidenti serb është nderuar me një çmim në Venedik, i cili ka traditë 70-vjeçare, ndonëse nga Venediku është i njohur vetëm çmimi “Luani i Artë” i Festivalit të Filmit. Për një çmim të paqes me këtë emër nuk dihej asgjë. Mund të ketë menduar Vuçiqi kështu: meqë presidenti kosovar ka botuar një libër (biografi), të cilin e kanë shkruar dy gazetarë nga Londra pafundësisht injorantë sa i përket njohjes së historisë së Kosovës, përse të mos ketë edhe Vuçiqi një depërtim në arenën ndërkombëtare, qoftë kjo edhe me një çmim? Bashkë me çmimin, Vuçiqi mori edhe titullin “Ambasador i paqes në botë për vitin 2018”. Ambasador i paqes – njëri ndër titujt më të shpifur në botë, të ngjashëm me disa “mirënjohje nga Donald Trumpi” që një amerikan i dyshimtë i shpërndante nëpër Kosovë e gjetiu në viset shqiptare deri kur edhe vetë diplomacia amerikane u distancua prej tij. Edhe kryeministri i sotëm i Kosovës nuk i kishte rezistuar dot joshjes të marrë një çmim të dyshimtë. Një organizatë kotësish nga Shqipëria ia dha atij titullin “Misionar i Paqes” dhe medaljen “Golden Ambassador Richard Holbrooke”. I ndjeri Richard Holbrooke me siguri rrotullohet në varr pas lajmeve të tilla të keqpërdorimit të emrit të tij. Gallatë e vërtetë ishte edhe një ceremoni e Universitetit të Vlorës para pak ditësh, ku ministri i Jashtëm i Kosovës u nderua me një “honoris causa” për kontributin e tij jo vetëm në biznes, por edhe në shkencë (sic!). Pas leximit të arsyetimit njeriu mund të pyeste: këta profesorët e Universitetit të Vlorës ndoshta janë skafistë që tregtinë me njerëz e kanë zgjeruar edhe në tregti me çmime “Honoris causa”?

Mirënjohja që mori Vuçiqi, siç ka zbuluar webfaqja fakenews.rs, është themeluar tek një vit më parë. Më 2017 atë çmim e ka marrë Lia Beltrami, një shkencëtare italiane që angazhohet për të drejtat e grave. Mirënjohjen e ka ndarë Fondacioni Foedus, i cili është ngushtë i lidhur me EPP (European People’s Party), ku është anëtare edhe partia e Vuçiqit. Me sa duket Vuçiqi nuk u ndie aq komod me këtë çmim, të cilin e pranoi një diplomat serb. Kështu është fati i diplomatëve të Ballkanit nganjëherë: keqpërdoren e poshtërohen nga pushtetarët. Ndarja e çmimit u bë vetëm pak muaj para se në Venedik të fillojë karnavali i njohur, një rrëmujë fantastike me maska e me intriga.

Më herët gjatë këtij viti gazeta proruse serbe “Veçernje novosti” dha lajmin se Vladimir Putini ia kishte ndarë Aleksandar Vuçiqit “Urdhrin Aleksandar Nevski”. Vuçiqi, sipas gazetës, është politikani i parë serb pas Nikola Pashiqit që nderohet me këtë mirënjohje të lartë ruse. Një verifikim në webfaqen e Kremlinit tregon se kjo nuk është e vërtetë. Vetë Vuçiqi ka filluar të gëzohet në mënyrë preventive, duke thënë se bën vaki do ta marrë këtë çmim kur Putini të vijë për vizitë në Beograd nga mesi i janarit. Pasi lajmin e dhanë gati të gjitha mediat serbe se Vuçiqi u bë laureat i çmimit “Aleksandar Nevski”, presidenti serb i dha intervistë “Sputinikut” në serbisht. Redaktorja Lubinka Milinçiq menjëherë e uroi presidentin për mirënjohjen, por Vuçiqi s’kishte çfarë të thoshte përveçse “kur dëgjova për atë mundësi isha shumë i lumtur...”. Pra, një mundësi. Derisa të vijë dita të marrë çmimin nga Rusia, Vuçiqi mund të flasë në mënyrën dëshirore. Për shembull: “E marrsha atë çmim”. Ndërkohë mund të shpresojë se së shpejti në pallatin e Erdoanit në Ankara do të nderohet me çmimin “Rexhep Taip dhe Emine Erdoan për të Drejtat e Njeriut”. Fjalën e rastit (laudacion) mund ta mbajë presidenti i Kosovës.

...

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli