OpEd

Jogurt revolucioni 2

Fuqizimi dhe barrikadimi i serbëve në veri do të na sjellë në situatën e aktit të konsumuar në terren. E kjo, me gjasë, më së shumti do t'u përshtatej Thaçit dhe Vuçiqit dhe natyrisht shoqes së tyre Mogherinit, për të ecur tutje me njëfarë harte që qenka hedhur diku në një tavolinë në Bruksel -- me absolutisht asnjë garanci për krejt ato që i premton Thaçi. Për shkak se nuk do të ishte hera e parë që me rrena do ta kamuflonte paaftësinë e tij. Vetëm mbajeni në mend premtimin për liberalizim të para tetë vjetësh, dhe të gjitha janë të qarta

Kaloi edhe një festë e nëntorit -- së cilës i parapriu edhe një mbledhje, mbase kot, e dy qeverive që u mbajt në Pejë. Kot ngase vizita zgjati dy ditë, u bisedua për gjërat që tashmë ka shumë kohë që bisedohen; u arritën marrëveshje që tashmë ekzistojnë e nuk zbatohen, dhe kot për shkak se gazetarët dhe të pranishmit në konferencën përmbyllëse për shtyp e përjetuan gjithë arrogancën e kryeministrit të Shqipërisë.

Në një fjalim që u cilësua skandaloz nga disa politikanë të Shqipërisë, e që këtu kaloi pa ndonjë jehonë, Rama përdori terme hiç diplomatike për ta shprehur veten. Herën e parë, kur shau tek i referohej Evropës, herën e dytë kur i quajti gomarë ata që nuk e përkrahin Hashim Thaçin. Te kjo e dyta, e mori një përgjigje shumë të matur, por edhe shumë të qartë nga Haradinaj, i cili, nëse mund të vlerësohet nga "gjuha e trupit", u përmbajt mjaft që të mos eksplodojë me ndonjë kundërofendim.

Sido që të jetë, oda e burrave (me ca përjashtime) u mblodh dhe u shpërnda deri në takimin e radhës, ku mbase sërish do të nënshkruhen marrëveshjet për romingun dhe patatet, dhe kur ndoshta do të kuptojmë edhe për ndonjë pasurim të ri të fjalorit jodiplomatik të Ramës.

Pushimi i zgjatur

Pra, festa e flamurit kaloi si të mos ishte. Në Prishtinë u hap një panair që dështoi thuajse menjëherë për shkak të ftohtit. Për fat të keq nuk qëlloi e martë, se ishin lidhur disa ditë të mira pushimi, prandaj edhe u mbajtën tek-tuk disa akademi përkujtimore e vizita Prekazit.

Ndërkohë nuk pati ndonjë aktivitet institucional, pos që Kosova u bë me një drejtor të ri të AKP-së, që erdhi në post direkt prej politikës, dhe me gjasë, në bazë të një rregulloreje që mund të jetë e kundërligjshme por për të cilën as Kuvendi nuk ka njohuri, dhe e cila madje as që është kontestuar në Kushtetuese.

Ah po, pati edhe një -- suspendimi i një polici nën dyshimin se ka bashkëpunuar me gazetën për ta zbuluar rastin e të birit të shefit të AKI-së Maxhunit që ishte kapur me armë e me drogë nga një patrullë policie. Ende pa hyrë në fuqi ligji që i mbron sinjalizuesit, ky polic mund madje të dënohet penalisht, pavarësisht faktit se ka zbuluar një vepër penale që ka ndodhur brenda policisë: që tregon se dikush është përpjekur ta fshihte rastin dhe të kalohet nëpër të, thuajse asgjë nuk ka ndodhur.

Pra shembull klasik i ndërhyrjes së politikës në punët e rendit dhe të ligjit për hir të respektimit të rendit special për rastet sikur i biri i Maxhunit dhe shkeljes së barabarësisë së qytetarëve të këtij vendi.

Historia po përsëritet

Dhe përderisa institucionet pushonin, në veri të Mitrovicës doli në shesh skenografia tashmë e përjetuar në të tetëdhjetat, atëherë kur Millosheviqi po vinte në pushtet në Serbi -- dhe kur po paralajmëronte nisjen e luftërave kundër gjithë atyre që nuk u nënshtroheshin serbëve.

Me t'i parë xhirimet e serbëve tek protestonin me pankarta dhe teksa i përcillnin fjalimet patetike, menjëherë m'u kthye filmi te 1987-a dhe protestat e serbëve nëpër Kosovë dhe e famshmja fjali e tij: "Niko ne sme da vas bije" (Askush nuk guxon të ju rrahë) e thënë në Fushë-Kosovë.

Atëherë përcjellë nga propaganda e shtypit dhe televizionit shtetëror beogradas, u krijua bindja se shqiptarët, që tradicionalisht shikoheshin si bisha, ishin duke i dëbuar, vrarë, dhunuar, masakruar etj., serbët, të cilët nga ana tjetër jetonin rehat pa i prekur kush. Porse nuk mund të pajtoheshin me idenë se Kosovën mund ta udhëhiqte një shumicë e arsimuar shqiptare.

Mbase më së miri këtë psikozë e shpjegoi Azem Vllasi në librin e tij "Kosova: Fillimi që nuk harrohet" (KOHA, 2017)

"Shërbimi i Sigurimit i Kosovës, dinte se Qosiqi privatisht kishte qenë në Fushë-Kosovë, pastaj edhe në Manastirin e Deçanit dhe se ishte takuar me të vetëquajturit “liderë” serbë të Kosovës. I këshilloi që t’i injoronin institucionet legjitime të Kosovës. I këshilloi të tuboheshin dhe të protestonin me rastin e çdo problemi apo eksesi ndëretnik dhe gjithmonë, pa marrë parasysh se çfarë dhe si ndodhte, ashtu që serbët të paraqiteshin si viktima. Serbët e Kosovës ishin trajnuar si të vepronin kundër udhëheqjes së Kosovës. Kishin marrë detyrë, por edhe mjete financiare, për t’i përmbushur këto kërkesa, që ekseset individuale t’i shfrytëzonin si arsye për të shkuar sa më shumë dhe sa më shpesh në Beograd, që atje të protestonin dhe të kërkonin të bisedonin me përfaqësuesit e pushtetit federativ, e më pak me përfaqësuesit e pushtetit republikan. Kështu duhej shtuar presionin e autoriteteve federative mbi udhëheqjen e Kosovës".

Dhe kjo është pikërisht ajo që është duke ndodhur në Kosovë që nga fundi i luftës. Pati apo nuk pati problem, një "problem" do të shpikej. Dikush do të ankohej se serbët nuk mund të jetonin normalisht në Kosovë. Dikush do të dilte të thoshte se serbët ishin viktima të dhunës në Kosovë, se po u merreshin pronat dhe po u digjeshin kishat. Dhe përderisa do të ankoheshin, do të refuzonin të bashkëpunonin me institucionet kosovare. Më pas do të pranonin të bëheshin pjesë e atyre institucioneve, duke refuzuar ta njohin shtetin, por duke e mbajtur në dorë, jo vetëm njëherë, koalicionin qeverisës dhe fatin e Kosovës në duar. Gjithnjë, natyrisht, me direktiva nga Beogradi.

Veç edhe nga një jogurt me ua dhënë

"Nuk kemi barna", "Po na rrahin nëpër oborre", "Duam paqe e jo luftë ", "Kemi të drejtë të hamë bukë". "BE hapi sytë", janë vetëm disa nga pankartat që u shfaqën nja dy ditë në Mitrovicë, para se liderët e Lista Srpskas të shkonin në Beograd për konsultime.

Arsyet e tyre janë dy: burgosja e katër serbëve (njëri është liruar) të dyshuar për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, i cili kishte vendosur të çkapej nga Lista Srpska, dhe për të cilin çuditërisht nuk kishte pasur demonstrata të dhunshme, ngase edhe vetë serbët e dinin se me gjasë vrasësit ishin vetë serbët. Të importuar ose jo, mbase do ta zbulojnë ndonjëherë. E dyta qe taksa ndaj mallrave serbe prej 100%, e cila, sipas tyre, i lë pa bukë, pa barna, pa siguri, pa nuk e di se çfarë. Thuajse Serbia është e vetmja që prodhon miell, barna, e me gjasë edhe paqe, sepse, sipas kësaj, del se ky qenka artikull për shitblerje.

E mbase kjo e fundit edhe do të dalë kështu: që të për të arritur te "paqja" dikush do të detyrohet të blejë e dikush të shesë diçka -- apo në sytë e Thaçit, të këmbejë diçka për diçka, për t'u bërë historik.

Sidoqoftë, viktimizimi i serbëve të veriut para opinionit dhe fjalimet thellësisht patetike, që janë karakteristikë e populizmit të tyre politik, kanë për qëllim që ta "prekin ndërgjegjen e Evropës", ashtu që institucioneve të Kosovës t'u bëhet presion jo aq shumë për këtë taksë, sa për t'i vazhduar negociatat, për ta arritur një marrëveshje urgjente përderisa Mogherini ende e mban postin e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së. Dhe kësaj të fundit, tashmë e kemi thënë sa herë, fare nuk i intereson se çfarë po mendojnë "gomarët e Edi Ramës" për këtë punë, ani që do t'i vuajnë pasojat e cilitdo vendim a marrëveshje që do të arrihet.

Për ta bërë protestën e tyre më bindëse, mbase tash dikush duhet t'ua shpërndajë nga një jogurt, e që ato të shkojnë e t'i hedhin në Urën e Ibrit - debaklit historik të BE-së që as pas shtatë, tetë a nëntë vjet negociatash, ende nuk është hapur. E mos po freskohen pakëz ata në BE, para se me i hy muajit të gjatë të pushimeve të fundvitit.

Sinjal i orkestruar për ndarjen eventuale

Pra, protestat qenë "aq të zëshme dhe të fuqishme" që nuk u përkrahën nga komunat serbe në jug të Ibrit (edhe pse, edhe këta thonë se taksa duhet hequr). Por kjo u mjaftoi si shkas katër kryetarëve të komunave serbe në veri që të japin dorëheqje, e që madje atë ta deponojnë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Me këtë veprim janë përmbushur kushtet që të shkohet në zgjedhje të parakohshme në ato komuna. Porse shumë e dyshoj se kjo do të mundë të realizohet pa ndonjë presion të madh ndërkombëtar ndaj Vuçiqit dhe Thaçit.

E tash, edhe po të ishin gjërat normale, zgjedhjet nuk mund të mbahen, sepse Kosova nuk ka KQZ funksionale, për shkak se Thaçi ende nuk i ka dekretuar anëtarët e tij. Mosveprimi i tij për muaj të tërë ka paraqitur shkelje të Kushtetutës, së cilës i është shmangur kur ka kërkuar interpretimin e dispozitave që e përcakton përfaqësimin e partive politike në të. Pas vendimit të Kushtetueses, me siguri do të gjejë ende arsye për të mos i dekretuar dhe kështu të shmanget edhe obligimi tjetër ligjor i shpalljes së domosdoshme të zgjedhjeve, sepse dorëheqjet ligji i konsideron të parevokueshme.

Kjo natyrisht do të çojë ujë në mullirin e serbëve të cilët ngadalë por sigurt do të fuqizohen edhe më shumë, dhe do t'i injorojnë plotësisht institucionet e Kosovës. As përpjekja thuajse e kotë e Mitrovicës së Jugut që ka kërkuar ndryshimin e kufijve komunalë për ta bashkuar komplet qytetin nuk do të funksionojë, se nuk do të ketë përkrahje as politike e as me numra në Kuvend.

Fuqizimi dhe barrikadimi i serbëve në veri do të na sjellë në situatën e aktit të konsumuar në terren. E kjo, me gjasë, më së shumti do t'u përshtatej Thaçit dhe Vuçiqit dhe natyrisht shoqes së tyre Mogherinit, për të ecur tutje me njëfarë harte që qenka hedhur diku në një tavolinë në Bruksel -- me absolutisht asnjë garanci për krejt ato që i premton Thaçi. Për shkak se nuk do të ishte hera e parë që me rrena do ta kamuflonte paaftësinë e tij. Vetëm mbajeni në mend premtimin për liberalizim të para tetë vjetësh, dhe të gjitha janë të qarta.

* * *

Jogurt revolucioni i parë na e solli shembjen e autonomisë dhe na çoi në luftë. Pala me të cilën ballafaqohemi është e njëjta: ata që e udhëheqin Serbinë janë të njëjtit që kanë qenë faktorë politikë edhe në kohën e Millosheviqit, dhe që ne ende na quajnë "Šiptari", ani pse veç nëpër mediumet që i kontrollojnë.

Duket se e vetmja rrugëdalje për këtë vend është nëse realizohet deklarata më e sinqertë që do ta ketë dhënë ndonjëherë Ramush Haradinaj, i pyetur në “Interaktiv” që të komentojë kërcënimin e Thaçit se do t'ia rrëzojë Qeverinë: "Po shkojmë krejt në paketë, po rrëzohemi të gjithë, edhe presidenti, edhe unë, edhe kryeparlamentari, po e çlirojmë Kosovën. Kur Thaçi është gati ia nënshkruaj".

flaka@koha.net