OpEd

Dafuq, Edi Rama!

Derisa shkruaj Ditarin tim në këtë ditë të madhe, lexoj edhe kabllogramin e radhës: Universiteti i Vlorës e paska dekoruar me titullin “Horrori Causa” Behgjet Pacollin. Vazhdojnë daullet patetike patriotike për njerëz që nuk kanë të bëjnë asgjë me patriotizmin

E mërkurë, 28.11.2018

I nderuar lexues i Ditarit tim! Sot është data 28 Nëntor dhe për secilin nga ne që frymon shqip sot është një ditë me ndjesi të veçanta. Këto ndjesi e kanë përcjellë kombin tonë gjeneratë pas gjenerate me vuajtje të shumta, mbijetesë, si dhe me sakrificat e shumta qoftë edhe me ato më sublimet, me jetë e me gjak. Vështirë të gjendet ndonjë familje shqiptare që të mos ketë njerëz që kanë kontribuuar për çështjen e kombit dhe të popullit në njërën mënyrë apo tjetrën gjatë gjeneratash. Është i stërvuajtur ky populli ynë ndër shekuj.

E çdo vit, ashtu siç jemi mësuar nga politikanët tanë, edhe ky vit nuk na kurseu nga spektakli të cilin ata na e dhurojnë në emër të patriotizmit populist e rrahjes së daulleve patriotike dhe lojës me ndjesinë e ndjenjave patriotike të popullatës. Takimi i dy qeverive sivjet u organizua në Pejën e Haxhi Zekës. Pamja që më del para sysh është rreshti i burrave në tepihun e kuq duke pritur në radhë që i madhi Edi Rama, i madhi me trup e pa turp, t’ua zgjaste dorën. Po pra, ishin renditur burrat. Po a thua vallë, nuk kemi ne gra në këtë politikën tonë? Sigurisht ishte brigada e ZavenC MinistraU tu Qeverisë tu KosovS.

Këshilltarëve të tyre e Brigadës së Zyrtarëve të lartë për Fotokopje sigurisht që as nuk u ka ardhur radha që t’ia zgjasin dorën Edi Ramës të madh me trup e pa turp. T’ju them të drejtën, unë nga zierjet e kazanit me broçkullat e tij nuk çuditem asnjëherë, por duhet me ia zgjatur dorën se çdoherë më befason se sa larg është i gatshëm të shkojë e as syri mos t’i dridhet! Nejse, zëri po nga pak, hundët nga pak rrjedhje gjithashtu, ama syri vërr nuk i bën. Erdhi Edi, burri i botës, që në Kosovë të na e arsyetojë taksën 100% në mallrat e Serbisë dhe të shajë Serbinë për bllokimin që ia bënte Kosovës në çdo segment të diplomacisë ndërkombëtare, si dhe me moszbatimin e marrëveshjeve me Kosovën.

Harroi Edi zeza se vetëm pak ditë më parë ministri i tij i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në takim me homologun e tij serb kishte kritikuar taksën e vendosur nga Kosova ndaj Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Nuk e dëgjuam Edi Ramën të jetë distancuar nga ajo deklaratë e ministrit të tij. Mozomakeq ta ketë shkarkuar nga detyra për asi lloj deklarate. Por Edi Rama i madh, me trup e pa turp, është mjeshtër i PR-it për patriotët e lodhur populistë dhe daulleve të tyre u bie më mirë se Phil Collinsi. Se ç’m’u kujtua In The Air Tonight …

Dhe pas secilit takim ndërmjet qeverive tona shih për çudi secilën herë na dhurohen porte si Shëngjini, Durrësi, nga disa herë rresht, secilin vit. Sa bukur tingëllon për patriotët populistë kjo ouuuu. Mirëpo për ato patate (kompira) kurrqysh me u marrë vesh ndërmjet vete si me i eksportu ato në Shqipëri pa taksë? Edhe urime taksa e Rrugës së Kombit, kosovarët e mi të dashur. Nga 10 euro vajtje-ardhje kur vini të vizitoni mëmëdhenë. Pse nuk e kemi përfunduar atë rrugë he po qu kërset juve trapi për atë gjë? Do ta paguani ju dhe ne do ta përfundojmë, dhe do të vazhdoni të paguani taksa për koncesionarët, miqtë e mi, Kastratët që do t’ju kastrojnë edhe rrugës kur të shërbeheni me derivate.

Do të thoshte Edi Rama i madh me trup e pa turp. Aty në konferencë ndaj BE-së u drejtua me What the Fuck! Duke aluduar se kjo është gjuha e Brukselit zyrtar. Jo Edi, s’e besoj ajo të jetë gjuha zyrtare e Brukselit, epo ndoshta kur të shohin ty me patikat e tua “Adidas” edhe ndoshta e thonë dhe u shpëton nga goja të gjorëve. Si të përmbahen? Po Edush, ti fare mirë e di që në Londër p.sh. s’të lënë të hysh as nëpër PUB-e me patika (pavarësisht se tuat janë edhe të shtrenjta). What the Fuck Edi? Askush s’të ka dërgu atje që ta përfaqësosh shtetin si atlet që nuk je, por si një kryeministër i denjë e për çka unë kam shumë dyshime të të quaj të tillë.

Vazhdojmë me rrahjen e daulleve tua patetike. Gjatë konferencës për shtyp deklarove se “kush ngre dorë dhe e quan presidentin Hashim Thaçi tradhtar është gomar”. Në lojën me fjalë unë do ta riformuloja thënien tënde në: “është tradhtar ai që nuk ngre dorën ta quajë presidentin Hashim Thaçi gomar”. E në lojën e gomarëve, Edi me trup i madh e pa turp, i prin atij karvani. Pa turp deklaroi se i mbështet korrigjimet e kufijve përderisa arrihet marrëveshja me Serbinë. Po si mos t’i mbështetësh o vodokotlliq (kazan i WC-së), kur e tëra është ide dhe inskenim i yti së bashku me atë Sandrin e madh me trup e pa turp. Kryeministrja e Sandrit, Ana Brnabitch, para ca ditësh në intervistë me gazetarin britanik mohoi që në Srebrenicë të ketë ndodhur gjenocid. Sipas kuptimit të saj mbi gjenocidin, një popull duhet zhdukur nga faqja e dheut në mënyrë që të karakterizohet si i tillë, e fakti se u ndanë 7000 burra dhe fëmijë të gjinisë mashkullore që të ekzekutoheshin, në mënyrën më makabre të mundshme që ai popull të mos shtohej më, syri i saj nuk trembej që ta mohonte faktin se kemi të bëjmë me gjenocid. E ashtu si ajo nuk mendojnë gjykatat evropiane.

Patriotët e dy qeverive shpenzuan 120.000 euro të buta të taksapaguesve për drekën e tyre “punuese” të kurorëzuar me shkrepje të fotografive të përbashkëta me simbolizimin e shqiponjës me duar. Shih aty Enver Hoxhajn e Qeverisë kosovare duke e proklamuar shqiponjën e Ali Express Made in China apo atë të Austrisë, nuk e kam ende të qartë. Është habitur njeriu, ndodh edhe ajo. Si gjithmonë, gratë mungonin edhe në këtë foto. Shihej tek-tuk ndonjë sa për mësysh. Me Burdushin tash në burg po, duhet pasur ndonjë grua andejpari “për mësysh”.

Gjatë konferencës për shtyp vërehej se midis Ramës dhe Haradinajt kishte dallime substanciale sa i përket çështjes së korrigjimit të kufijve, gjë me të cilin Ramush Haradinaj nuk pajtohet assesi, por ja që edhe me këtë bindjen e tij mua personalisht ende nuk më ka bindur. Qëndrime të ngjashme pati edhe me rastin e demarkacionit, bile pati fjalë të mëdha me mbretër e me sulltanë … ehhh karrige …

Gjatë konferencës për shtyp Edi i madh me trup e pa turp e quajti gazetarin e Klan Kosovës kazan, ndërsa në mbrëmje drejtori i “kazanit”, Baton Haxhiu a.k.a. këshilltari i Edi Ramës e fton Edin në Zonën e B-aglave të tija mediatike të na shesë Edi edhe ca pordhë të tjera të ftohta patriotike për natë të mirë para kthimit për në mëmëdhe.

Serbinë e qortoi, BE-në e shau, i shau edhe kritikuesit e Hashim Thaçit, vartësit të idesë së tij dhe të Sandrit, shau kazanët dhe tash Edi Rama i madh me trup e pa turp mund të kthehej i qetë në Tiranën e tij të bukur dhe të flinte i qetë duke ditur se na e “hapi syrin patriotik” me gjepurat e tija.

Është e dhimbshme që Kosovës dhe integritetit të saj territorial i janë sulur vetë presidenti i saj me mbështetjen e kryeministrit të Shqipërisë, si dhe presidenti i Serbisë, e që nga ai do të ishte çmenduri sikur ndonjë pritje e dikujt të ishte tjetër duke u bazuar në të kaluarën e tij politiko-çetnike. Por në çfarë zori janë këta azganët tanë? Pse duhet me çdo kusht të arrihet marrëveshja me Serbinë qoftë edhe me çmimin e “korrigjimit” të kufijve. Këta dy magarët arritën ta faktorizojnë Serbinë dhe prapë ta bëjnë palë vendimmarrëse dhe palë që vetëviktimizohet thuajse ne shkuam dhe bëmë krime në popullatën e Serbisë dhe ua shkatërruam çdo gjë që patën.

Por, duke qenë diplomat kështu si jam, që lexon shumë kabllograme, që përcjellë trendët dhe zhvillimet në botë, diçka më thotë se kësaj radhe do të përvidhemi nëpër vrimën e gjilpërës falë ngjarjeve ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë. Ngjarjet atje shumë kollaj mund të dalin jashtë kontrollit në një luftë gjithëpërfshirëse ndërmjet dy shteteve, pasojat e së cilës nuk mund t’i dimë. Por Kosova e Serbia dhe korrigjimi i kufijve të tyre s’do të kenë kurrfarë peshe dhe rëndësie që dikush në Evropë apo Amerika ta hapë atë kuti të Pandorës në këtë moment.

Derisa shkruaj Ditarin tim në këtë ditë të madhe, lexoj edhe kabllogramin e radhës: Universiteti i Vlorës e paska dekoruar me titullin “Horrori Causa” Behgjet Pacollin. Vazhdojnë daullet patetike patriotike për njerëz që nuk kanë të bëjnë asgjë me patriotizmin.

Ohhh gati harrova që Edi i madh me trup e pa turp na e sqaroi edhe dallimin midis nacionalistit dhe patriotit. E cilësoi veten patriot, ndërsa unë Ekselenca ime po e kurorëzoj me çmimin “Equus asinus”. Le ta mbajë me nder atë titull sot e për shumë mot!

Mirë u lexofshim dhe gëzuar Ditën e Flamurit!