Kush do ta mbajë më shumë kokën nën ujë?

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 01 dhjetor 2018 08:35

Kush garanton se edhe nëse Kosova pranon që të luajë kufijtë e saj në mënyrë që të arrihet një marrëveshje me Serbinë, në fund Beogradi s’do ta refuzojë atë? E nëse tashmë, gati 11 vjet pas shpalljes së Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, pas njohjes nga mbi 110 shtete, pas anëtarësimit në shumë organizata ndërkombëtare, vetë Prishtina pranon që të hapet për diskutim integriteti i saj territorial, pse të mos e shfrytëzojë këtë mundësi Beogradi?

EDHE KËSAJ po i referohemi gjithandej si fazë e fundit e dialogut me Serbinë. Në fakt, a s’kemi qenë në negociata me Serbinë gjatë gjithë kohës tash e 50 vjet?

Lirisht, pikënisje e dialogut të Prishtinës me Beogradin mund t’i marrim demonstratat e vitit 1968. Tash, kur po rikujtohet gjysmëshekulli nga kërkesa e drejtpërdrejtë e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje, gjë që edhe çoi pastaj në “dialogun” me të cilin u fituan disa të drejta. Së pari, nëpërmjet Ligjit kushtetues u bë njëfarë avancimi i statusit të Kosovës nga krahinë e thjeshtë në Krahinë Socialiste Autonome, pastaj u shpall ligji për themelimin e Universitetit të Prishtinës, u zyrtarizua dygjuhësia, u lejua përdorimi i flamurit shqiptar dhe gjithçka u kurorëzua me ndërrimet kushtetuese të vitit 1974, kur Kosova u bë njësi federative brenda Jugosllavisë, me Kushtetutë të sajën.

Prej atëherë ka vazhduar dialogu, ose negociatat, Prishtinë-Beograd. Në ndërkohë duke pasur edhe demonstrata, edhe viktima, edhe të burgosur e deri në luftën e armatosur, mirëpo një gjë është e vërtetë, me secilin vit që kaloi Kosova u largua më shumë nga Serbia. Ndonëse edhe sot e kësaj dite Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

DHE KUR THEMI se është e vërtetë se Kosova me secilin vit është larguar nga Serbia, është po ashtu e vërtetë se edhe Prishtina, në secilën negociatë ka bërë kompromis me kërkesat e saj fillestare, gjë që i ka mundësuar Beogradit të fitojë hapësirë për negociata të reja.

Mirëfilli dihet se Beogradi ose është tërhequr, ose nuk e ka nënshkruar asnjërën nga “marrëveshjet” me përfaqësuesit e Kosovës. Që prej afro gjysmë shekulli e deri te negociatat në Rambouillet, në Vjenë dhe këto të fundit në Bruksel. Pra, duke mos pranuar marrëveshjet, Beogradi ka imponuar negociata për marrëveshje të reja, por tashmë nga pozicioni i ri i fituar nga kompromisi i Prishtinës nga raundi paraprak negociator.

Pse të jemi kaq të bindur se kësaj radhe Beogradi ka ndryshuar?

Kush garanton se edhe nëse Kosova pranon që të luajë kufijtë e saj në mënyrë që të arrihet një marrëveshje me Serbinë, në fund Beogradi s’do ta refuzojë atë?

E nëse tashmë, gati 11 vjet pas shpalljes së Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, pas njohjes nga mbi 110 shtete, pas anëtarësimit në shumë organizata ndërkombëtare, vetë Prishtina pranon që të hapet për diskutim integriteti i saj territorial, pse të mos e shfrytëzojë këtë mundësi Beogradi?

Ka taktizuar së paku tash e 50 vjet, pse të mos vazhdojë të taktizojë edhe për disa vjet?

HISTORIA NA MËSON se negociatat rëndomë kanë për bazë raportin e forcave në terren. Vetëm se gjatë vitit 2018 raporti i forcave në terren ka pësuar disa ndryshime serioze.

Nuk është më tabu tema e ndarjes së Kosovës, e as ajo e lëvizjes së kufijve në baza etnike. Tema e korrigjimit/razgranicenjes ka për kumbarë të parët e shtetit në Kosovë dhe në Serbi, gjegjësisht Thaçin e Vuçiqin.

Në mënyrë sistematike ka ndodhur edhe dalja e serbëve nga FSK-ja, si rezultat i presionit direkt nga Beogradi.

Njësoj kanë vepruar edhe deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, të cilët veten e shohin pjesë të opozitës, kurse vazhdojnë të mbajnë postet në Qeveri.

Tash këtë javë ndodhi edhe dorëheqja e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri (jo rastësisht nuk flasin për dorëheqje kryetarët serbë në komunat në jug të lumit Ibër).

Gjatë gjithë kohës ka pasur lobim të ashpër të Beogradit për “tërheqje” të njohjeve të Kosovës, si dhe për bllokim të anëtarësimit në organizata e institucione ndërkombëtare.

Në anën tjetër, edhe Prishtina është detyruar të bëjë lëvizje, siç është taksimi në vlerën prej 100% të mallrave me origjinë nga Serbia, si dhe kërkesat për mbishkrimet Republika e Kosovës nëpër mallra, konfiskimi i targave të Serbisë etj.

Në ditët e javët në vazhdim do të shohim edhe lëvizje të reja të të dyja palëve, deri në momentin kur vlerësohet se tashmë duhet të arrihet “një marrëveshje”.

E ajo marrëveshje pastaj ka për detyrë të rivendosë edhe normalitetin e krijuar me hapat radikalë të ndërmarrë ndaj njëra-tjetrës, Prishtina dhe Beogradi.

Pastaj, pritet të fitojë ajo palë e cila mund ta mbajë kokën më shumë nën ujë...

Deri në raundin e ardhshëm të negociatave përfundimtare?!

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

lIND03/12/2018 15:55

Kush po e saboton përparimin e Kosovës… Armiku me i rrezikshëm është ai që i shtin të jerët ta harojn Historin....ose ti kujtojnë (OKUPATORET)- serbo -turk si shpëtimtar... Dy mijë vjet okupim fizik ,shpirtror,20 viet okupim të mendjës…! dhe vrasjeve të qellimëshme ?! të ideve përparimtare...ne duhet të punojm shum,shum ma shum.

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi