OpEd

Evropë na prit se ne po vijmë!

Futbollistët kosovarë e kualifikuan Kombëtaren zvicerane në kampionatin evropian, e kualifikuan edhe Kombëtaren e Shqipërisë në kampionatin evropian, tani e ka radhën Kosova. Nuk ka se çfarë të na ndalë! Evropë na prit se ne po vijmë!

E mërkurë, 21.11.2018

Nuk është e lehtë të jesh diplomat i një shteti, i cili brenda ditës është në gjendje që të zgjojë emocione diametralisht të kundërta. E fakti i të qenit diplomat nuk të zhveshë nga ndjenjat njerëzore (së paku kështu e mendoja), mirëpo kur e kujtoj ngjarjen jo fort të largët në ndërtesën e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll, kjo ngjarje e vë këtë thënien time në lajthitje të madhe dhe e varros në tokën e turpit njerëzor.

Jo këtë faqe të Ditarit tim nuk do t’ia kushtoj asaj ngjarjeje makabre. Do t’ua kushtoj ndjenjave dhe emocioneve që shteti im i dashur Kosova është në gjendje të na i imponojë brenda një dite.

Me siguri se deri ditën e premte kur kjo faqe e Ditarit tim të jetë botuar në gazetën e përditshme “Koha Ditore”, këto tema do të jenë shtjelluar shumë dhe nëse bazohemi në kujtesën tonë, diçka e re mund të ketë ndodhur në ndërkohë dhe këto veçse bëhen pjesë e harresës sonë kolektive. Sidoqoftë temat të cilat unë dëshiroj t’i trajtoj janë Interpoli dhe përfaqësuesja e Kosovës në futboll, ku ka hapësirë për t’i bërë edhe disa analogji midis këtyre të dyjave e që nga këtu do t’iu referohem si diplomacia dhe futbolli.

Vitin e kaluar Kosova tërhoqi kërkesën e saj për anëtarësim në Interpol, në mbledhjen vjetore të Këshillit të Interpolit, e cila po mbahej në Beijing të Kinës. Ky potez i Kosovës u kritikua shumë nga mediat, analistët politikë, opozita etj. Me formimin e Qeverisë së re Haradinaj si duket anëtarësimi në Interpol ishte marrë me “seriozitet” të madh. Ishte ndarë një buxhet prej 1.2 milionë eurosh për lobimin e Kosovës për këtë çështje, ishin formuar grupe punuese, komisione ndërlidhëse e kështu me radhë.

Që nga emërimi i kësaj Qeverie është një trend i tërheqjeve ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës, të cilat diplomacia kosovare, respektivisht ministri i saj i Punëve të Jashtme, Begjet Pacolli, i ka mohuar kategorikisht gjatë gjithë kohës dhe i ka quajtur fejk-njuz. Por ato qershia u lagën me përgjigjet e kolegut tim, ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, i cili gjatë një interviste pohoi se ishte e vërtetë që ka pasur tërheqje të njohjeve të Pavarësisë së Kosovës. Pacollit më nuk iu dëgjua zëri në lidhje me këtë temë. Po afrohej data e aplikimit të Kosovës për pranimin në Interpol në mbledhjen e radhës, e cila do të mbahej në Dubai. Vend i përkryer për t’i kaluar ca ditë në luksin e Jet-set-it, ngrënie të kallamarit, s’jam i sigurt se a shërbejnë atje, por diçka më thotë se shumë lehtë është pjesë e menyve të restoranteve ekskluzive.

Delegacioni kosovar ishte siguruar që pranimi i Kosovës në Interpol të bëhej me zhurmën dhe pompozitetin e madh, duke siguruar se eskortës së tyre do t’i bashkëngjiteshin edhe 21 gazetarë të ndryshëm kosovarë. Me shpenzime të shtetit apo të redaksive të tyre përkatëse mbetet të kuptohet. Këtë rast auto-golgeteri Hashim Thaçi, gjithashtu, nuk do ta humbiste për asgjë në botë kështu që edhe ai ia siguron vetes një vend në një hotel diku në afërsi të vendit, ku do të mbahej mbledhja e radhës e Këshillit të Interpolit.

Një ditë para mbledhjes me datë 19.11.2018, Pacolli deklaroi se të nesërmen ditën e martë, Kosova do të bëhej anëtare e pranuar e Interpolit dhe se kishin përkrahjen e plotë të shumicës së nevojshme të shteteve që përbënin ⅔ e votave të nevojshme. Erdhi edhe dita e martë e datës 20.11.2018. Sipas orës lokale në Dubai, votimi do të mbahej në orën 11.

Me gjithë përpjekjet e Serbisë me përkrahjen e 5 shteteve të tjera që kjo pikë të mos futej fare në rendin e ditës, ajo gjë u hodh poshtë dhe votimi për pranimin e Kosovës në Interpol u vu në pikën e rendit të ditës. Erdh edhe çasti i votimit. Një debakël i vërtetë. Kishte shtete që na e kanë pranuar pavarësinë dhe me të cilat kemi marrëdhënie diplomatike, por ja që nuk na e aprovojnë pranimin në Interpol. Presioni i Serbisë dhe lobimi i saj destruktiv për mospranimin e Kosovës ishte i hatashëm. Por kjo nuk është asgjë e re. Është vazhdimësi e zhbërjes së gjithçkaje që identifikohet me Kosovën në raport me shqiptarët, të cilët jetojnë në të.

Kryediplomati Pacolli çuditet sa të pamëshirshëm u treguan serbët dhe se nuk kishin treguar aspak simpati apo keqardhje. Zotëri unë nuk po e di në cilin univers paralel ju jeni duke jetuar? Po asgjë nuk ndryshoi në qëndrimet e tyre kundrejt Kosovës në 20 vjetët e fundit. Kasta e juaj e kriminalizuar e solli Kosovën deri në pikën kur tash ajo duhet të bisedojë me Serbine dhe ta faktorizojë Serbinë edhe njëherë për statusin përfundimtar të Kosovës, e deri në copëtimin e saj. Auto-golgeteri Hashim Thaçi pasi që veç nuk iu dha mundësia që t’i përvetësonte meritat për pranimin në Interpol ashtu siç i përvetësoi edhe të gjitha të tjerat duke mos qenë fare suksese të tija, nuk humbi kohë dhe e shfrytëzoi këtë rast për promovimin e bisedimeve të tija private me Serbinë dhe bisedimet përfundimtare me “korrigjime kufijsh”.

Për ironi sot në kabllogramet e mëngjesit lexoj se si kryeministri spanjoll i ka dërguar letër Brukselit dhe i është kërcënuar se Spanja do t’i bllokojë bisedimet për procesin e BREXIT-it nëse nuk jepen garanci se Spanja do të negociojë ndaras me Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me 7 km2 të Ngushticës së Gjibraltarit. Hashim shahisti dëshiron me korrigju kufij dhe me ia bashku Preshevën, Bujanocin e Medvegjën Kosovës e asnjë centimetër të tokës kosovare të mos ia japë Serbisë. Edhe për çudi ka idiotë që ia besojnë këto gjepura e kotësi që është në gjendje t’i bluajë goja e tij. Edhe gjëja më e poshtër është pyetja e tij “a nuk dëshironi ju që t’ia bashkëngjitni Preshevën, Medvegjën e Bujanocin Kosovës? A jeni ju kundër kësaj gjëje”? Në këtë mënyrë ai dëshiron që atyre të cilëve ua bën këtë pyetje retorike në salto-mortalet e tija politike t’i vërë në kurthin e antishqiptarizmit, antibashkimit kombëtar dhe askush nuk ia përkujton shahistit se jo shumë kohë më parë ishte ky ai që thoshte dhe deklaronte se bashkimi kombëtar është ide e një periudhe të kaluar, tani jemi në realitete të reja politike.

E sa për korrektësi Preshevën, Medvegjën e Bujanocin kurrë nuk i ka përmendur dhe për to në emër të Qeverisë së Kosovës është bërë barabartë me ZERO. Kthehemi te përfaqësuesja e Kosovës në futboll. Djelmoshat aq të rinj, aq me vullnet, aq me dashuri për vendin e tyre pikë së pari ia zbardhën fytyrën legjendës sonë të futbollit, Fadil Vokrri dhe tërë angazhimit të tij për ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar ndër vite që të mos shkonte huq, dhe shtetit të tyre të vogël e të brishtë, si dhe secilit shikues aty në stadium apo pranë ekraneve televizive.

Sot në kabllograme lexova një titull nga Jakup Krasniqi “Diplomacisë kosovare i nevojitet koordinim si djelmoshave të kombëtares në futboll”. Baci Kupë me gjithë respektin për ju, ose s’ia keni haberin diplomacisë ose futbollit, ose asnjërës!

Djelmoshat e përfaqësueses së Kosovës nuk i karakterizon vetëm koordinimi i mirë. Ata i karakterizojnë puna e palodhshme, talenti, profesionalizmi, përkushtimi, disiplina, dashuria ndaj vendit të tyre pa interes për përfitim personal ku shumica prej tyre edhe jetojnë e veprojnë jashtë Kosovës, por vijnë dhe luajnë për të me mburrje. Ndërsa koordinimi i diplomacisë kosovare nuk i mungon. Shumë mirë koordinohen me i rezervu hotelet, me udhëtu nëpër botë, me ngrënë dreka/darka në kurriz të taksapaguesit, me i tubu gazetarët, me trumbetu me pompozitet për pranim ende duke mos ndodhur ai, e për ato karakteristikat e tjera të cilat i ceka, të cilat futbollistët tanë i kanë …

Gjatë intervistave para ndeshjes Kosovë - Azerbajxhan, trajneri i përfaqësueses kosovare, z. Challande, dhe të gjithë lojtarët në intervista e vendosnin Azerbajxhanin si favorit në ndeshje, nuk i nënçmuan në asnjë çast, por thanë se do të jepnin maksimumin e tyre në fushë, dhe çfarë spektakli futbolli na dhuruan dhe e pamë!

Futbollistët kosovarë e kualifikuan Kombëtaren zvicerane në kampionatin evropian, e kualifikuan edhe Kombëtaren e Shqipërisë në kampionatin evropian, tani e ka radhën Kosova.

Nuk ka se çfarë na ndalë! Evropë na prit se ne po vijmë!