Mbrojtja e Kosovës në Srebrenicë

Veton Surroi Veton Surroi 23 nëntor 2018 08:12

Në Serbi nuk guxon ta mohosh gjenocidin në Kongo, por nëse e mohon atë në Srebrenicë merr kualifikime për të qenë kryeministër.

1.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, nuk kishte mundur të zgjidhte vend më të keq për të deklaruar atë që deklaroi rreth gjenocidit në Srebrenicë. Vendi ishte Berlini, ndërsa ajo çka tha është se në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid.

Vendi nuk ka mundur të jetë më keq i përzgjedhur, sepse në Berlinin e Hitlerit u projektua dhe nga aty u zbatua gjenocidi gjithandej Evropës. Dhe vendi nuk ka mundur të jetë më keq i përzgjedhur, meqë Berlini u bë kryeqytet i një demokracie gjermane ngase, mes të tjerash, Evropa e ndërtuar pas fitores mbi fashizmin integroi brenda vetes standarde morale të cilat mes të të gjitha të drejtave e lirive të paprecedencë në Evropën e popujve të bashkuar, po ashtu, bënë mohimin e gjenocidit, një akt aq të papranueshëm sa të shndërrohet në vepër penale.

Shefja e Qeverisë së Serbisë zgjodhi në atë qytet që të bindë auditorin e gazetarit Tim Sebastian në “Deutsche Welle” se në Srebrenicë nuk u krye akti i gjenocidit. Madje, pas insistimeve të përsëritura të gazetarit se gjenocidi kishte ndodhur, dhe se madje kishte vendim gjyqësor për këtë, personi i cili i prinë Qeverisë në Serbi shpjegoi se në Srebrenicë kishin ndodhur gjëra të këqija, krime të tmerrshme, madje shumë të tmerrshme, por nuk kishte ndodhur gjenocidi. Dhe si dëshmi madhore se nuk kishte ndodhur, shpjegoi se nuk ishin vrarë gratë dhe fëmijët, vetëm burrat dhe djemtë.

2.

Vendimi gjyqësor për të cilin foli Tim Sebastian është ai i Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi (Gjykata e Hagës) nga aktgjykimi kundër Ratko Mladiqit, komandantit të forcave serbe në luftën e Bosnjë-Hercegovinës. “Gjykata konkludon se aktet e kryera në Srebrenicë që bien nën Nenin II (a) dhe (b) të Konventës janë kryer me qëllimin specifik për të shkatërruar pjesërisht grupin e myslimanëve të Bosnjë-Hercegovinës; rrjedhimisht këto ishin akte të gjenocidit, të kryera nga pjesëtarët e VRS-së në dhe rreth Srebrenicës kah 13 korriku i vitit 1995”.

Vendimi i Gjykatës nuk bënte cilësimin, gjithsesi të veçantë e të padëgjuar deri më atëherë, mes vrasjes së burrave dhe vrasjes së grave e fëmijëve që e bëri e para e Qeverisë serbe. Kasaphana disaditore e mbi tetë mijë myslimanëve të Srebrenicës u vlerësua juridikisht si gjenocid.

Por ky verdikt nuk i mjafton të parës së Qeverisë së Serbisë. Madje, ky verdikt nuk është i mjaftueshëm as për të bërë diçka që krejtësisht është kundër traditës evropiane të pasluftës, mohimit të gjenocidit, për më tepër duke shpjeguar, siç bëri ajo, se Serbia është kampione e regjionit në ballafaqimin me të kaluarën.

3.

Ç’është e vërteta, Serbia është kampione e llojit të vet. Në vitin 2016 Kuvendi i Serbisë miratoi Kodin e ri penal, në nenin 387 të të cilit thuhet se “kush publikisht miraton, mohon ekzistimin apo qenësisht zvogëlon peshën e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës të kryera kundër një grupi njerëzish apo anëtarit të grupit, i cili përcaktohet në bazë të racës, ngjyrës së lëkurës, religjionit, prejardhjes, përkatësisë shtetërore, kombëtare apo etnike, ashtu që të shkaktojë dhunë apo nxitje urrejtjeje ndaj atij grupi apo anëtari të atij grupi (...) do të dënohet me gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim”.

Me leximin e këtillë të Kodit penal, Ana Bërnabiq tashmë do të duhej të paditej e gjykohej. Së bashku me të në bankën e të akuzuarve do të duhej të ishin edhe ministrat e Qeverisë së Serbisë që shkuan me aeroplan qeveritar për t’i marrë nga Haga dhe ata që dolën me i pritë në Aeroportin e Nishit, të dënuarit për krime kundër njerëzimit në Kosovë, pasi u skadoi dënimi me burgim. Në Aeroportin e Nishit u tha se ishin heronj, ndërsa pas një kohe, në Akademinë ushtarake të Serbisë u ftua të mbajë një ligjëratë gjenerali Lazareviq, ish i dënuar për krime kundër njerëzimit në Kosovë. Në ligjëratë shpjegonte se si e kishte mbrojtur Kosovën.

Por qeveritarët e Serbisë (dhe asnjë person tjetër publik) që mohojnë gjenocidin në Bosnjë e krimet kundër njerëzimit në Kosovë nuk i kap ligji, për arsyen e thjeshtë se ligji është i shkruar në mënyrë që të mos i kapë. Sipas nenit 387, mohimi i gjenocidit në Serbi është i dënueshëm vetëm nëse gjenocidin e kanë vërtetuar, me vendim fuqiplotë, gjykatat në Serbi apo Gjykata Penale Ndërkombëtare (me seli në Romë).

Gjykatat në Serbi deri më sot lëre që nuk kanë shpallur gjë afër krimeve kundër njerëzimit, por nuk kanë dënuar as edhe një oficer policie apo ushtrie. Ndërkaq Gjykata Penale Ndërkombëtare, e themeluar në valën e ndjenjave globale për “përgjegjësinë për të mbrojtur” pas luftës së Kosovës, ka vështirësi të mëdha operimi fillimisht ngase SHBA-ja nuk e ka pranuar statutin e kësaj gjykate. Rrjedhimisht, deri më sot, Gjykata Penale Ndërkombëtare ka vetëm një verdikt për gjenocid, në Republikën Demokratike të Kongos.

Dhe, Ana Bërnabiq, gjenerali Lazareviq, ministri Vulin e të gjithë të tjerët që nuk e kanë mohuar gjenocidin në Kongo janë të lirë të rrëfejnë për heroizmin e gjeneralit Mladiq në Bosnjë, dhe për atdhetarinë e Brigadës së motorizuar të gjeneralit Dikoviq (deri para pak kohe shef i shtatmadhorisë së ushtrisë serbe), e cila e shprehu duke ngarkuar në një kamion 15 djem të mitur të mbledhur në fshatra të Drenicës dhe dërguar në ekzekutim te Shavarinat, afër Ferronikelit në Gllogoc, aty ku u ekzekutuan pak më parë prindërit e tyre.

4.

Duke mos e mohuar gjenocidin në Kongo, anëtarët e Qeverisë së Serbisë dëshmojnë sundimin e ligjit.

Natyrisht, ligji u hartua si selektiv për arsye të pastra politike. Gjykata Penale Ndërkombëtare nuk mund të jetë referencë më e afërt për Serbinë sesa Gjykata ndërkombëtare për krime lufte në ish-Jugosllavi. Të hartosh një ligj në Beograd duke pasur si pikë reference gjykatën që u mor me Kongon është njëlloj si të hartosh nenin për mohimin e gjenocidit në Ruandë, por ta bësh të vlefshëm vetëm për verdiktet e gjenocidit që janë marrë në gjykatën e ish-Jugosllavisë. Pra, në Ruandë do të dënohej ai që do të mohojë gjenocidin e Srebrenicës, por jo ai që do të mohojë gjenocidin në vetë Ruandën.

Me këso përzgjedhjeje të referencës, Serbia ka zgjedhur jo ballafaqimin me të kaluarën, por ikjen kolektive e të paramenduar prej së kaluarës. Në verdiktin e Ratko Mladiqit, Gjykata e Hagës konstatoi se Serbia, ndonëse nuk është përgjegjëse për gjenocid, ka thyer Konventën për gjenocid duke mos ndërmarrë masa për parandalim të gjenocidit. Kjo do të thotë përgjegjësi e shtetit të Serbisë, në këtë rast për mungesë parandalimi. Ndërkaq në verdiktin kundër Nikola Shainoviqit, gjeneralit Pavkoviq , gjeneralit Lazareviq e të tjerëve , këta persona cilësohen si pjesëtarë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” përgjegjëse për krime kundër njerëzimit në Kosovë. Kjo do të thotë përgjegjësi e shtetit të Serbisë, në këtë rast për veprim të organizuar të institucioneve të veta për akte që u cilësuan si krime kundër njerëzimit.

Kur e para e Qeverisë mohoi gjenocidin në Srebrenicë këtë e bëri saktësisht për arsyet e njëjta pse ligjvënësit bënë që Kodi penal të merrej me Kongon:që Serbia të mos marrë përgjegjësi juridike për mospengim të gjenocidit. Sepse, po të fillonte të merrte përgjegjësi juridike për “mospengim”, shumë shpejt do ta gjente veten duke marrë përgjegjësi juridike për krime kundër njerëzimit në Kosovë.

Serbia ende është duke investuar në harresën si aleatin më të mirë, atë që duhej të fshinte faktin se Bosnjë-Hercegovina e sotme është jofunksionale, sepse aranzhmani ligjor që e mban në këmbë është i ndërtuar mbi gjenocid dhe atë se marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë nuk janë normalizuar, ngase njëri vend (Kosova) ishte pre e përpjekjes për gjenocid nga vendi tjetër (Serbia) dhe kjo gjë ende nuk po e gjen vendin e vet në marrëveshje juridike mes dy vendeve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi