OpEd

Asgjë nga “Viti vendimtar për zgjerimin e BE-së”

Ishte paralajmëruar si “vit i kthesës së madhe” në procesin e zgjerimit të BE-së. Por viti 2018 do të përfundojë si vit kur u konfirmua se në vend të përshpejtimit dhe datave konkrete për integrim në BE, vendeve të Ballkanit u erdhi porosia e qartë se janë shumë, shumë larg këtij qëllimi. Me një strategji të zbehtë të zgjerimit nga Komisioni Evropian, një samit pa rezultat konkret në Sofje të Bullgarisë, me vendime gjysmake për Shqipërinë e Maqedoninë, ky vit kurrsesi nuk e meritoi epitetin e “vitit vendimtar për zgjerimin”. Viti i ardhshëm, që është edhe vit zgjedhor në BE, nuk do të sjellë shumë në këtë proces.

Ka mbetur edhe një muaj e gjysmë deri tek fundi i vitit 2018, vit i cili në fillim ishte paralajmëruar si vit “vendimtar për procesin e zgjerimit të BE-së”. Ishte paralajmëruar se shtetet kandidate do të bëjnë kthesa të mëdha në rrugën e tyre drejt BE-së. Se Shqipëria dhe Maqedonia do të nisin negociatat, se Mali i zi dhe Serbia do të hapin dhe mbyllin shumë kapituj në procesin e negociatave të anëtarësimit, se Bosnjë-Hercegovina do të marrë së paku mendimin e Komisionit për statusin e kandidatit dhe se Kosova, nëse asgjë tjetër, do të marrë liberalizimin e vizave. Asnjë nga këto pritje nuk u realizua dhe nuk pritet të realizohen në këto një muaj ditë sa ka mbetur deri tek përfundimi i pjesës punuese të këtij viti, sepse pas datës 15 dhjetor do të pushojnë aktivitetet e institucioneve të Bashkimit Evropian.

Ishte paralajmëruar si “vit i kthesës së madhe” në procesin e zgjerimit të BE-së. Por viti 2018 do të përfundojë si vit kur u konfirmua se, në vend të përshpejtimit dhe datave konkrete për integrim në BE, vendeve të Ballkanit u erdhi porosia e qartë se janë shumë, shumë larg këtij qëllimi. Me një strategji të zbehtë të zgjerimit nga Komisioni Evropian, një samit pa rezultat konkret në Sofje të Bullgarisë, me vendime gjysmake për Shqipërinë e Maqedoninë, ky vit kurrsesi nuk e meritoi epitetin e “vitit vendimtar për zgjerimin”. Viti i ardhshëm, që është edhe vit zgjedhor në BE, nuk do të sjellë shumë në këtë proces. Vendet e Ballkanit nuk po përparojnë në përmbushjen e kritereve e as BE-ja nuk ka ndonjë vullnet për zgjerim.

Kur “Koha Ditore” e para e kishte zbuluar një draft të “strategjisë së zgjerimit” të përgatitur nga Komisioni Evropian, dukej se vërtet ka një plan ambicioz sipas së cilit do të caktohen edhe afatet kohore se kur mund të ndodhë diç në procesin e zgjerimit. Dëshira e Komisionit Evropian ishte që së paku Serbisë t’i hapet një rrugë konkrete, edhe me data, drejt integrimit të BE-së. Kështu thuhej se deri në vitin 2019 duhet të përmbushen disa kritere kalimtare, përfshirë edhe marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Kosovën, ndërsa Serbia do të duhej të ishte e gatshme për anëtarësim në BE në vitin 2025. E njëjta mendohej edhe për Malin e Zi.

Por pasi Komisioni Evropian kishte përpiluar këtë draft me ndërhyrjet e shteteve anëtare u detyrua të bëjë ndryshime dhe në fund, në versionin i cili u miratua dhe u bë publik, nuk pati asnjë datë dhe asnjë premtim për afate kohore. Madje ky dokument, në vend të inkurajimit, doli të jetë më shumë vërejtje vendeve të Ballkanit dhe rikujtim se sa larg janë nga faza kur mund të konsiderohen si të gatshme për anëtarësim në BE. Në atë dokument u tha se në vendet e Ballkanit pos se nuk ka sa duhet rezultate në luftë kundër korrupsionit, ka elemente të kapjes së shtetit.

Më vonë u zhvillua një samit në Sofje gjatë kryesimit të radhës së BE-së. Edhe ai samit, në vend të inkurajimit, u dha vendeve të Ballkanit një goditje përmes kundërshtimit të Francës, Gjermanisë dhe Holandës që të premtohet ndonjë përshpejtim në procesin e zgjerimit. Madje presidenti i Francës, Emanuel Macron, tha se BE-ja ka gabuar në të kaluarën kur i ka dhënë shumë prioritet zgjerimit, ndërsa tash së pari do të shohë punët e veta, të bëjnë reformat e brendshme para se të mendojë të zgjerohet. Edhe pse u quajt si sukses, Samiti i Sofjes ishte në fakt një dush i ftohtë për aspiratat e vendeve të Ballkanit për integrim në BE.

Kosova, liderët e së cilës kishin menduar se u është premtuar liberalizimi i vizave, dhe këto premtime ia kishin kumtuar edhe popullit, mbeti me gishta në gojë. Edhe pse mori konfirmimin e Komisionit Evropian për përmbushjen teknike të kritereve për liberalizim, ai nuk ndodhi e as që do të ndodhë këtë vit.

Ecje prapa ka pasur edhe për Turqinë. Për të janë rritur zërat në BE se duhet suspenduar tërësisht negociatat e anëtarësimit dhe duhet hequr dorë nga ideja që Turqia ndonjëherë të mundë të bëhet anëtare e BE-së. këtë qëndrim e ka edhe kandidati kryesor për pasardhësin e Jean Clude Junckerit në krye të Komisionit Evropian, Manfred Weber.

Islanda qëmoti ka hequr dorë në mënyrë unilaterale nga qëllimi për anëtarësim në BE dhe vetvetes ia ka hequr edhe statusin e kandidatit.

Në samitin e qershorit, kur pritej që Maqedonisë dhe Shqipërisë t’iu jepet vendimi për nisjen e negociatave dhe të caktohet data për këtë, u bë një shtyrje e këtij vendimi për muajin qershor të vitit që vjen.

Por tash gjasat janë të mëdha që të ketë vonesa edhe vitin që vjen, për arsye se disa vende të BE-së nuk duan të flitet shumë për zgjerimin para se të zhvillohen zgjedhjet evropiane. E ato janë në fund të muajt maj. Madje ka kërkesa që të shtyhet edhe miratimi i Pakos së zgjerimit dhe raporteve të progresit, që normalisht duhet të bëhet në prill, për më vonë, për afatet pas zgjedhjeve evropiane.

Nëse nuk ndodh ndonjë kthesë në momentin e fundit, asgjë konkrete nuk ndodh as në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, as sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të arritura më parë e as drejt arritjes së marrëveshjes “gjithëpërfshirëse obliguese ligjore për normalizimin e raporteve”. Ndërkohë raportet janë keqësuar edhe më shumë mes Kosovës e Serbisë dhe ka përshkallëzuar edhe fushata e Serbisë kundër Kosovës kudo që mund të bëjë pengesa. E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka hënë në Bruksel se “Serbia është krenare” për atë që bën kundër njohjeve të Kosovës dhe anëtarësimit të sajë në organizatat ndërkombëtare. Serbia ka edhe probleme të tjera, vazhdon të glorifikojë kriminelët e luftës, vazhdon të mohojë gjenocidin në Srebrenicë, dhe nuk ka bërë përparim as në fushën e sundimit të ligjit. Prandaj, sa për shkak të mungesës së përparimit në dialog me Kosovën, aq edhe për shkak të mungesës së përparimit në fusha të tjera, nuk pritet të bëjë ndonjë hap të madh në procesin negociator. E kur Serbia nuk ka garanci se do të përfitojë diçka nga BE-ja, atëherë as nuk pranon të bëjë kompromise në dialog me Kosovën.

Bosnjë-Hercegovina, siç u pa edhe në procesin e fundit zgjedhor, vazhdon të jetë problematike edhe brenda saj dhe bën probleme edhe në nismat rajonale duke kundërshtuar Kosovën edhe më shumë sesa e kundërshton Serbia. Edhe zgjedhjet u zhvilluan me ligjet zgjedhore që janë në fakt të kundërligjshme, sepse nuk janë bërë reformat e sistemit zgjedhor sipas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese.

mungesën e përparimit në vendet kandidate edhe kandidatët potencialë në Ballkan morën arsye edhe më shumë për qarqet skeptike ndaj zgjerimit të BE-së për të ngadalësuar dhe më shumë procesin.

Kështu mund të thuhet se “ky vit vendimtar” për zgjerimin e BE-së në fakt ishte një vit i humbur. E viti i ardhshëm do të sjellë edhe struktura të reja në BE, sepse do të kemi në përbërje të re të Parlamentit Evropian, një Komision të ri Evropian dhe një president të ri të Këshillit Evropian. Në Ballkan nuk pritet ndonjë ndryshim i madh që vetvetiu është paralajmërim se gjërat do të shkojnë sipas inercionit, pra sipas interesave të strukturave politike, të cilat, nëse nuk kanë interesa personale, nuk kanë as vullnet që vendet e tyre të përparojnë drejt BE-së.