Të papjekur

Flaka Surroi Flaka Surroi 20 nëntor 2018 08:13

Është e pabesueshme se sa oportunistë jemi, dhe nuk duam t'i prishim punët me të fortët, sepse na nevojiten për ta kryer ndonjë punë a shërbim. E pabesueshme se si për pak ua kthejmë shpinën atyre që më nuk janë në pushtet, sepse të tjerëve duhet laritur. Vështirë e imagjinueshme se sa ekspertë jemi për çdo temë, e që as macen prej përsheshit nuk jemi në gjendje ta nxjerrim pa na ndihmuar nga jashtë. Se sa të verbër jemi që nuk e shohim se jemi duke e shkatërruar veten teksa e lejojmë Thaçin të vallëzojë me tovarishat e tij për ta shpëtuar lëkurën e vet, e u qesim shkelma atyre që po ofrohen të na ndihmojnë përnjëmend.

Pa dyshim se fotoja e javës u regjistrua në Paris, në një takim të paprecedentë ndërmjet kryetarit rus Putin dhe Hashim Thaçit. Se çfarë kanë biseduar aty, e dinë vetëm ata të dy, kurse Kosova do të duhej të kënaqej me shpjegimin e përhershëm të shefit të kabinetit të Thaçit, Bekim Çollaku, "se pozicionet nuk zbulohen se janë sekrete negociatore".

Thaçi u mjaftua me një postim në FB, dhe ndër të tjera tha: “Me presidentin rus, Putin, u përqendruam rreth normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme. Për këtë temë Putini ishte i qartë. ‘Nëse Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë atë’”.

Nuk duhet shumë mend për të kuptuar se Putini do ta përkrahë çfarëdo pozicioni dhe kërkese të Serbisë karshi Kosovës -- sepse fundja ky edhe ka qenë qëllimi i Serbisë që nga nisja e "dialogut teknik" Prishtinë-Beograd: që në vendimmarrjen përfundimtare të inkuadrohet edhe Rusia. Dhe të organizohet edhe një konferencë në të cilën tash do të kontestohet territori i Kosovës që e ka shpallur Pavarësinë.

Injorimi i të gjithëve, heshtja e shumicës

Takimi në Francë përfundimisht nuk ka qenë spontan, dhe na mbetet t'ia qëllojmë se kush krejt ka mundur ta aranzhojë atë takim. Sipas ish-ministrit të Jashtëm serb, Jeremiq, takimin e ka aranzhuar vetë Vuçiqi. Sipas burimeve të tjera, në atë aktivitet kanë qenë përfshirë një numër njerëzish, ndër ta edhe kjo kompania e angazhuar nga Thaçi për të cilën Qeveria posa i ka ndarë 100 mijë euro.

Sido që të jetë, një takim tashmë i përgatitur prej kohësh kaloi ashtu siç kalojnë krejt takimet në të cilat merr pjesë Thaçi: me ndonjë deklaratë të kotë dhe ndonjë postim në FB, por pa edhe asnjë përpjekje të vetme që për këto takime t'i informojë shefat e partive parlamentare. E këto, nga ana tjetër, nuk e kanë autorizuar e as çautorizuar për t'i udhëhequr negociatat, për shkak se e bëjnë një Kuvend apatik, qesharak dhe shumë të papërgjegjshëm.

Nën petkun e sekretit dhe të gëzimit të Enver Hoxhajt "se Putini e njeh realitetin e Kosovës së pavarur", Thaçi la të nënkuptohet se madje edhe Rusia është në favor të planit të tij dhe të Vuçiqit. Valla, isha befasuar po të ishte e kundërta.

Takimi i tij kaloi me reagime të llojllojta - dikush thoshte se ka të drejtë të takohet me homologët përderisa nuk flet për kufij; tjetërkush se do të vijë dita kur Thaçi do të kërkojë azil në Rusi, e dikush tjetër që nuk ka të drejtë të flasë hiç. Megjithatë, ajo e cila qe më e zëshmja dhe e prerë në lidhje me këtë takim qe, sërish, Vjosa Osmani, e cila tha: "Shtrëngimi i duarve mes Putinit dhe Thaçit nuk është fare i papritur. Kjo sepse për herë të parë në historinë e Kosovës një politikan shqiptar del haptas në mbështetje të planeve serbe dhe ruse për ndarje të Kosovës. Dhe kjo nuk bëhet rastësisht nga Thaçi. Shpresa që këto akrobacione të rrezikshme mund të shpëtojnë lëkurën e dikujt, mund të jetë njëra nga arsyet. Kosovës nuk i bën nder takimi me Putinin, si lider autoritar i izoluar nga Perëndimi për shkak të të bëmave të tij në ish-republikat sovjetike, e as mesazhi i përçuar përmes këtij takimi për një orientim tjetër gjeostrategjik që bie në kundërshtim me vlerat dhe aspiratat tona euroatlantike".

Tash vetëm ka mbetur që Thaçi të shkojë edhe në Amerikë, të takohet me Trumpin -- i cili erdhi në Shtëpinë e Bardhë nën akuzat e rënda që u ndihmua nga shërbimet ruse, e cila gjë po përpiqet të hetohet. Sepse po qe se janë plotësisht të vërteta pretendimet për përzierjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane, përgjigjen që do të mundë ta merrte nga Washingtoni do të ishte e njëjta me atë që pretendohet të ketë thënë Putini. Pra nëse palët merren vesh, marrëveshja do të jetë e pranueshme për ta. Për më keq, fare nuk do të jetë me rëndësi po qe se populli në Kosovë pajtohet me ndonjë marrëveshje që ia cungon territorin. Për shkak se si zakonisht, këtu popullin askush nuk e pyet për asgjë. Dhe për shkak se popullin kinse e përfaqësojnë disa parti politike që shohin ëndrra, e nuk e kanë as interesin më të vogël për ta ndalur Thaçin.

Kryeministri oportunist dhe LDK-ja nëpër re

E fajtorët kryesorë për situatën aktuale me protagonizmin e imponuar të Thaçit e kanë LDK-ja dhe Haradinaj bashkë me partinë e tij.

LDK-ja për shkak se e bëri kryetar atë. Dhe për shkak se sa herë që kjo gjë u përmendet prijësve të kësaj partie ata përgjigjen: "Ky fakt nuk është me rëndësi". E ky është fakti kyç në gjithë këtë punë. Për shkak se atëherë LDK-ja kishte bërë pikërisht këtë që po e bën AAK-ja me Ramushin në krye: i lëshon pe Thaçit për ta mbajtur pushtetin dhe postin e kryeministrit, pa shikuar përtej hundëve të tyre dhe nevojës për mbrojtjen e interesit të përgjithshëm të vendit.

LDK-ja që ia dha votat Thaçit, i cili më pas ua nguli thikën në shpinë, do të duhej të bënte shumë më shumë si opozitë që është, sesa të mbajë takime të kota dhe japë deklarata të vakëta. Me gjithë atë anëtarësi me të cilën mburret, do të duhej të ushtronte presion të fuqishëm që ta ndalë shtegtimin e një njeriu i cili krye më vete merr përgjegjësinë për krejt neve. Dhe po qe se e mbërrin një marrëveshje që do të shënojë humbjen më të madhe të Kosovës shtet, kilen do t'ua lërë atyre që thonë "për negociatat kujdesemi pasi t'i kemi fituar zgjedhjet" -- e cila gjë, në mungesë votash, mund të ndodhë vetëm më 2021.

Dhe, sa për rikujtim, ta quash veten "institucionalist" e të mos e shpëtosh shtetin prej nga rrjedhin institucionet që aq shumë i ke për qejfi, do të thotë se je i barabartë me atë që këtë shtet e shkatërron për shkak se ti nuk e ndal. Të bën bashkëfajtor.

Po e njëjta gjë vlen edhe për Ramush Haradinajn, i cili duket të jetë dashuruar me postin e kryeministrit. Me shumë vetëdije, "për shkak se ka punë më të mëdha", ia ka lëshuar rrugën Thaçit që ta marrë mbi vete fizkulturën e negociatave. Për më tepër, pardje ka deklaruar se "Vetëm kryetari mund ta përfaqësojë Kosovën në dialog", ani që as deputetët e vet nuk e kanë votuar çfarëdo dokumenti i cili do ta autorizonte Thaçin për një punë të tillë.

Nuk ka ditë në të cilën nuk flet se "kufijtë kanë vdekur", e megjithatë nuk e ndërmerr asnjë hap të vetëm që t'i tregojë Thaçit se duhet ndalur. Nuk e bën, sepse e di se nesër ky e rrëzon prej pushtetit. Dhe kështu ia humb mundësinë për masakrimin e mëtejmë të buxhetit dhe rrënimin edhe më të madh të të gjitha dikastereve, që kurrë më keq nuk kanë funksionuar.

Duket se punët që ia ka caktuar vetes për t'i kryer është se si ta shkatërrojë shërbimin edhe ashtu të brishtë diplomatik të Kosovës; si të krijojë ende skema klienteliste; si t'ua falë edhe disa milionë kompanive fantome dhe atyre që marrin punë pa tenderë dhe si të na bëjë edhe më analfabetë seç jemi -- duke parë se gjërat me rëndësi janë në fund të listës së prioriteteve.

Dhe nëse mendon se është duke bërë punë të mirë -- veç le ta kthejë kokën një herë e të shohë se si ekonomia e shteti mezi po mbijetojnë dhe se është kthyer pothuajse në fazën e zhvillimit shoqëror ku tregtia bëhet me këmbim malli, në mungesë të parasë.

Jorgani i shkurtër, porse s'ka dert

Porse në buxhet përherë do të gjenden paratë për t'i shpenzuar kot. Me të "ndime" e kam, porse dëgjova se një komision kishte shkuar madje në Antali të Turqisë për ta hartuar njëfarë projektligji. Nuk e di nëse ky ka të bëjë me arrestimin e ri edhe të ndonjë gylenisti që ka mbetur i papërfshirë në rundin e parë, porse, nëse është e vërtetë kjo punë, dikush ishte dashur të shkonte në burg për këtë punë.

Njësoj, para ca ditësh erdhi ftesa për të marrë pjesë në njëfarë "bashkëbisedimi" me njerëzit e BQK-së në Durrës, dhe hiç më pak se tri ditë. Se çfarë rezultati i frytshëm do të dilte nga ky bashkëbisedim nuk e di, porse të mbledhësh gazetarë për t'u shëtitur tri ditë në det, për t'i bërë gjithë ato shpenzime nga buxheti, nuk është gjë tjetër pos t'i shpenzosh paratë publike për kot.

Porse kulmi i budallallëkut qe ahengu i organizuar në një hotel me pesë yje në Prishtinë, për ta kremtuar rritjen e rrogave të punëtorëve të kulturës. Gazeta do të shkruante: "MKRS-ja ka marrë përsipër që të akomodojë 200 veta në një sallë në mënyrë që të falënderohet ministri Kujtim Gashi për rritjen e pagave. E ngjashme me një fushatë elektorale, ndeja që është mbajtur ka nisur me një video ku shpërfaqet rrugëtimi i rritjes së pagave. Aty del që ministri Gashi është zyrtar që e mban fjalën.

E kulminacioni i keqpërdorimeve u shfaq gjatë kësaj jave kur Ministrinë e Punës e okupuan pensionistët e TMK-së, të cilët njëkohësisht kishin marrë edhe pensione të veteranëve -- e që është në kundërshtim me ligjin. Me tone shumë kërcënuese, i dhanë ministrit një ultimatum disaditësh që t'i riniste pagesat e të dyja pensioneve për këta njerëz, sepse ndryshe do të përshkallëzonte hidhërimi i tyre. Sepse ky shtet u ka borxh veteranëve, pavarësisht nëse janë të rremë apo edhe nëse i marrin dy pensione. Me rëndësi me i siguru votat.

* * *

Është e pabesueshme se sa shumë energji shpenzon kjo shoqëri duke u marrë me punë dytësore; duke u marrë me komentime të sjelljeve të pahijshme të pushtetarëve dhe duke e shprehur gjithë protestën e vet qoftë nëpër FB, qoftë nëpër kafehane.

Është e pabesueshme se sa oportunistë jemi, dhe nuk duam t'i prishim punët me të fortët, sepse na nevojiten për ta kryer ndonjë punë a shërbim. E pabesueshme se si më pas ua kthejmë shpinën atyre që më nuk janë në pushtet, sepse të tjerëve duhet laritur. Vështirë e imagjinueshme se sa ekspertë jemi për çdo temë, e që as macen prej përsheshit nuk jemi në gjendje ta nxjerrim pa na ndihmuar nga jashtë. Se sa të verbër jemi që nuk e shohim se jemi duke e shkatërruar veten teksa e lejojmë Thaçin të vallëzojë me tovarishat e tij për ta shpëtuar lëkurën e vet, e u qesim shkelma atyre që po ofrohen të na ndihmojnë përnjëmend.

Po tregohemi tepër të papjekur dhe skajshmërisht të padijshëm, sepse nuk po dimë të ruajmë dhuratën që na e dhanë të huajt -- shtetin të cilit ne vetë po ia kontestojmë kufijtë.

E të tillë, nuk do të na marrin seriozisht. Dhe të tillë do të na ndihmojnë, ndoshta, më shumë prej mëshirës sesa për shkak se e meritojmë. Njëherë na e shpëtuan lëkurën prej Serbisë. A thua do të duan të na shpëtojnë edhe nga vetvetja?

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Dritani21/11/2018 15:37

Penda t'u befte top oj Flake! Sikur te kishim media si duhet e qe nuk i kemi do ta hulumtonin se sa pagoi Hashimi per ate ulesen ne Paris prapa Putinit, Merkelit etj. etj. Po flas per para te tatimpaguesve te Kosoves. Jam shume i bindur qe aty eshte bere pagese e madhe se kete fare "presidentin" e qe eshte vetem nje hedhurine as ne pjesen ku ishte ai nga Serbia nuk do ta vendosnin.

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi