OpEd

Rivizatimi i së ardhmes

Edhe 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore, “fantazmat e vjetra” rrezikojnë me shkatërrim, do ta përmblidhte në fjalimin e tij hipotezën ogurzezë presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Me humbjen e fuqisë politike të aleates së tij të ngushtë, kancelares gjermane Angela Merkel, ai duket të ketë mbetur i vetëm në mbrojtjen e një rendi liberal. Tërheqja e SHBA-së si aktore aktive në skenën globale e ka bërë të veten: Evropa gjithnjë e më shumë po ndahet në dy pole; liberalen e Berlinit dhe të Parisit dhe joliberalen e Evropës Qendrore

… dhe armët do të ndaleshin!

Ora 11:00 e ditës së 11-të të muajit të 11-të të 1918-s. Armëpushimi ishte nënshkruar.

“Luftës, për t’u dhënë fund të gjitha luftërave”, si do të njihej e Para Luftë Botërore, i kishte ardhur fundi. Katër vjetët e një lufte dërrmuese dhe mizore do të merrnin fund brenda një minute. Si në mënyrë të sinkronizuar, breshërisë së armëve do t’ia zinte vendin qetësia.

Kjo është tabloja e mbylljes së një lufte, e cila trajtohet ndër më të ashprat në historinë njerëzore.

Shumëçka është shkruar dhe thënë për Luftën e Madhe, të parën që do të përplaste më shumë se tridhjetë shtete të botës dhe do ta rikonfiguronte globin. Në 100-vjetorin e përfundimit të saj, mund të dëgjohen ende rrëfime e tinguj të asaj kohe.

Është Muzeu Mbretëror Britanik i Luftës ai që ka publikuar një incizim të rrebeshit të armëve një minutë përpara dhe qetësisë së plotë, pak pas zyrtarizimit të armëpushimit. Të kapura në një front amerikan, buzë lumit francez Moselle, ato janë dëshmi se jo gjithçka mund të përshkruhet fuqishëm me fjalë.

Faktet historike tashmë janë të njohura: Lufta e Madhe do të shpërthente më 1914. Aleatët, e udhëhequr nga Britania, Franca dhe Rusia, do të përplaseshin me fuqitë qendrore, në krye me Gjermaninë, Austro-Hungarinë dhe Perandorinë Osmane. SHBA-ja do t’i bënte ballë ndërhyrjes deri më 1917, por vetëm ndërhyrja e saj pas këtij viti do ta sillte dorëzimin e Gjermanisë.

Epilogu tragjik: mbi 8.5 milionë ushtarë dhe shtatë milionë civilë të vrarë… qytete të tëra të bëra rrafsh me tokë.

Nëse bota do t’i gëzohej heshtjes së armëve, në Kosovë lufta do të vazhdonte. Fundi i Luftës së Parë Botërore për Kosovën do të ishte fund i shpresave për korrigjimin e vendimeve të Konferencës së Londrës më 1913. Fundi i luftës për Kosovën do të nënkuptonte ripushtim nga serbët… masakra, luftë e zhvendosje.

* * * *

Edhe gëzimi i botës nuk është se do të zgjaste shumë… aty rreth njëzet vjet. Lufta e Dytë Botërore do të ishte edhe më shkatërrimtare.

Për Gjermaninë, disfata zor se po përpihej. Propaganda për fitore kishte lënë gjurmë. Hitleri, ushtari dikurshëm i Luftës së Parë Botërore, do të hiqte dorë nga ëndrra e tij për t’u bërë piktor. Nacionalizmin e ekstremit të djathtë që po shfaqej në vendin e tij, ai do ta instrumentalizonte duke ideuar shfarosjen e miliona njerëzve. Periudhën e paqes së Pasluftës së Parë Botërore do ta zinte periudha e Auschwitzit, Holokaustit, nazizmit. Sërish miliona ushtarë e qytetarë të vrarë, e mijëra qytete të bëra rrafsh me tokë. Evropën edhe një herë do ta mbërthente morti.

Prapë do të duhej ndërhyrje prej matanë Atlantikut. Bota, në ciklin e vazhdueshëm mes luftës dhe paqes, vetëm atëherë do ta niste një periudhë mirëqenieje.

Nga hiri i dy luftërave botërore do të ngriheshin institucione shumështetërore e do të formoheshin aleanca të forta. Shtetet do t’i linin prapa vetes hasmëritë dhe do të bëheshin bashkë në Bashkimin Evropian. Strukturat shumështetërore, si BE-ja, OKB-ja e NATO-ja do t’i jepnin formë e kuptim botës bashkëkohore. Ato do të ishin garantuese të rendit liberal, në mënyrë që luftë të mos kishte më.

Pikërisht ky cikël paqeje do t’ia sillte lirinë Kosovës. Bombardimet prej ajri të NATO-s do ta largonin Serbinë. Për Kosovën, çlirimi do të zgjaste aty rreth 100 vjet.

* * * *

100 vjetët e pushimit të armëve në Luftën e Madhe u bënë sebep që Parisi ta rrokte vëmendjen e botës, fiks një javë më parë. Kjo pasi që aty do të mblidheshin mbi gjashtëdhjetë liderë të botës. Përkujtimi i sakrificave të mëdha, i miliona ushtarëve dhe qytetarëve të vdekur do t’i bënte bashkë liderët e vetëshpallur nacionalistë dhe ata multilateralistë; autokratët e demokratët; këmbyesit potencialë të territoreve e agresorët. Shumëçka mund të ketë ndodhur brenda një shekulli: dy armiqtë e përbetuar tashmë janë kthyer në aleatë të ngushtë, si në rastin e Francës dhe të Gjermanisë. Aleanca të ngushta tashmë janë vënë në pikëpyetje, si ajo transatlantike; armiqësi të moçme që duket se i kanë mbijetuar kohës si ajo Rusi-Perëndim.

Por bota, si në një cikël ritmik, duket të jetë kthyer në pikën e njëjtë.

“Fantazmat e vjetra” rrezikojnë me shkatërrim, do ta përmblidhte në fjalimin e tij hipotezën ogurzezë presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Me humbjen e fuqisë politike të aleates së tij të ngushtë, kancelares gjermane Angela Merkel, ai duket të ketë mbetur i vetëm në mbrojtjen e një rendi liberal. Tërheqja e SHBA-së si aktore aktive në skenën globale e ka bërë të veten: Evropa gjithnjë e më shumë po ndahet në dy pole; liberalen e Berlinit dhe të Parisit dhe joliberalen e Evropës Qendrore. Shtoja kësaj Rusinë gjithnjë e më agresive dhe Kinën në ngritje të vazhdueshme, e Lindjen e Mesme në gjendje kronike të rrëmujës… gjendje aspak shpresëdhënëse.

Ballkani ndërkohë, me probleme të zakonshme, të kamotshme: me marrëveshje afër finalizimit dhe të tilla që pretendohen të kalohen, derisa bashkësia ndërkombëtare është e preokupuar me telashet e veta.

Sidoqoftë, thuhet se çdo e keqe e ka një të mirë, apo ndoshta edhe më shumë. Janë disa leksione që Kosova do të mundë t’i nxirrte nga ky 100-vjetor: E para ka të bëjë me faktin se luftërat mizore sjellin paqen dhe gjërat mund të marrin kahe të mirë, si në rastin e Francës dhe të Gjermanisë. E dyta, me atë se në kohën kur bota ndodhet në prag të një rirreshtimi, diplomacinë kosovare nuk duhet ta mbërthejë somnabulizmi. Kjo, pasi që një rend i ri mund të mos jetë në favor të sajin.

Të pozicionohesh në kahun e duhur është mjeshtëri. Duke qenë se shqiptarët tradicionalisht kanë problem me pozicionimin në kthesa historike, kjo e tashmja i gjen në zgrip sa për fajin e tyre, po aq për pozicionin margjinal në relacion me zhvillimet gjeostrategjike.

Kësaj here mbetet sërish në kuadër të atij që njihet si “fat historik”. Në anën e kujt do të jetë ky fat, mbetet të shihet. E sigurt është vetëm një - bota po përpëlitet dhe një rivizatim i mundshëm hartash do të varet ekskluzivisht sikurse çdoherë nga fuqitë e mëdha. Sikurse 100 vjet më parë, edhe 100 më pas, diçka do të ndryshojë.

Një ndryshim apo një uverturë e re në rendin botëror, mbase!