Aventurat e Hashës dhe Acës

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 17 nëntor 2018 08:48

...dhe spektatorët e tyre opozitarë, të cilët ua sponsorizojnë ato duke bërë vizita te miqtë në Evropë ose duke aplikuar për viza që të shkojnë në Evropë

HASHA DHE ACA[i] flasin për qëllime të kundërta.

I pari thotë se Kosova do të jetë shtet sovran dhe i pavarur, bashkë me tri komunat e Luginës së Preshevës.

I dyti thekson se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, dhe se serbët kurrë nuk do të udhëhiqen nga Prishtina.

Sakaq, si projekt të përbashkët e kanë ndarjen e Kosovës. Së paku, kështu lënë të kuptohen.

Edhe javën që po e lëmë pas, Hasha dhe Aca i kanë pasur takimet, fërkimet, flirtimet dhe dakordimet e veta.

HASHA, SAKAQ, ia ka dalë edhe një herë të na befasojë (sado e çuditshme të tingëllojë kjo fjalë për të përkufizuar kuptimin e bëmave të personazhit tonë).

A është vërtet qëllimi i Kosovës njohja e Pavarësisë, apo vetëm dialogu me Serbinë?

Siç po na e prezanton Hasha kohëve të fundit, lehtë mund të nënkuptohet se në fakt dialogu me Serbinë - dhe jo pavarësia - qenka qëllimi madhor i Kosovës.

Gjatë shtatorit shkoi Hasha në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York dhe në vend se si deri më tash të na njoftojë për mbështetjen e shteteve për pavarësinë, ai lëshon kumtesë për media, ku thuhet se atij i është dhënë mbështetje për – shih ti! - dialogun Kosovë-Serbi.

Shkoi Hasha në ceremoninë e shënimit të 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore (një duartrokitje për uljen e Hashës sonë në rendin e dytë më të rëndësishëm në ceremoni – ja u tha edhe kjo!) dhe në margjina, po ky Hasha, takon presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe në Twitter shkruan: Trumpi e mbështet dialogun Kosovë-Serbi.

Në ditën e dytë të Hashës sonë në Paris, ai takon edhe presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe – sa mirë! – i bën të flasin me një gojë Trumpin e Putinin, se prapë personazhi ynë shkruan: Putini e mbështet dialogun Kosovë-Serbi.

Sëpatë bie dilema: Mos paskemi gabuar që e kemi shpallur Pavarësinë, të cilën disa edhe ashtu po hezitojnë të na njohin?! Paskemi mundur vetëm ta shpallnim “dialogun me Serbinë” dhe e paskemi mbështetjen e të gjithëve! Edhe të Trumpit e edhe të Putinit, bile!

KA PASUR EDHE të bëma të tjera në ditët e lëna pas nga personazhet tona, Hasha dhe Aca.

Para se të shkonin drejt Parisit, ata u kujdesën që të takoheshin me shoqen e tyre Ricën[ii] në Bruksel.

Për mbajtjen e këtij takimi u kujdesën të tregonin vetëm dy ditë më herët.

Aty u tha se takimet e “fazës finale” të Hashës e Acës do të mbahen çdo 2 javë.

Aca ka opozitë krejt të vockël në Serbi.

Hasha ka opozitë shumë të madhe në Kosovë.

Por opozita në Kosovë është bashkëpërgjegjëse përse Hasha takohet pa mandat nga Kuvendi me Acën.

Për shembull, është hajgarellëk – thënë së buti - që opozita të kërkojë ndalimin e turrit të Hashës për ta takuar Acën, kurse lideri i një partie opozitare nuk shkon fare në Kuvend për të votuar (se është te miqtë e gruas në një shtet të Evropës), e 4 deputetë të tjerë opozitarë po ashtu kanë punë më të mençura (terminë për viza për shtete të Evropës).

Opozita, e cila nëpër fjalime i kundërshton ashpër aventurat e Hashës dhe Acës, as për mbajtje zgjedhjesh nuk i ka votat. Njësoj siç nuk po i bëjnë as të vetat për rezolutat.

Opozita e Hashës e di se mbetet të kornizohet dialogu me një platformë për bisedimet. Dhe pastaj të bëhet një Ekip Negociator, i cili do t’i merrte përgjegjësitë që tash ia ka dhënë vetes Hasha. Kanë mundësi edhe të vendosin, ose të hyjnë të gjithë, ose të ketë edhe opozitë ky Ekip.

Ose, ose, të binden partitë e pushtetit të shkohet në zgjedhje dhe pastaj të bëhet edhe Ekipi Negociator.

E dinë mirë këtë kundërshtuesit opozitarë.

Por, in a meanwhile, Hasha e Aca po ia grahin me aventurat e tyre krye më vete! Spektatorë i kanë klasat respektive politike, të cilat po ua sponsorizojnë ato...

...deri në episodet e radhës!

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk


[i] Hasha dhe Aca janë të njohur edhe si Hashim Thaçi, president i Republikës së Kosovës, dhe Aleksandar Vuçiq, president i Republikës së Serbisë. Kurse në duet njihen edhe si “not probllematik gajz”.

[ii]Rica është e njohur edhe si Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Çështje të Sigurisë. Njihet edhe si ajo që po do të bëjë diçka para përfundimit të mandatit

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

N. S. 19/11/2018 14:19

Duhet ta dijn te gjithe ose me mire te themi e dijm te ghithe, na pelqeu apo jo, se sido qe te sillet pa ven gisht edhe federata ruse si garantues per serbin ky dialog nuk do te sjell marrveshje te pranuar nga te dy palet dhe nuk do te ishte marrveshje komplete, Hasha po ben politike dhe se a i pelqen kjo te gjitheve mbetet ende debat i hapur.

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi