Shpata e Enver Hoxhës

Veton Surroi Veton Surroi 16 nëntor 2018 08:17

Akuzat për albanofobi, islamofobi dhe racizëm që bëhen ndaj BE-së akuzojnë më shumë pushtetin kosovar

1.

“Enver Hoxha e mprehi shpatën

Edhe një herë o për situatën”.

Di që do ta ketë pasur vështirë autori i kësaj kënge të shpikë diçka të re, të pathënë, për prijësin historik të Shqipërisë socialiste, Enver Hoxha. Pas gjithë atyre këngëve e poezive që do të flisnin për të si një figurë historike botërore - hiç më pak se gjeni dhe hiç më pak se trimi i trimave - çka tjetër mund të thuhej për këtë bir që nuk bën më nëna shqiptare?

Megjithatë autori nuk do të ishte ai që ishte, prijës i epikës ndër shqiptarë, po të mos kishte nxjerrë gatishmërinë e Enver Hoxhës për të mprehë shpatën kundër të gjithë armiqve të tanishëm dhe atyre që bëhen gati për t’u bërë armiq në të ardhmen. Prijësi e shpata janë imazhe që lehtë prekin nervin e shqiptarit - rrugën e shkurtër për te Skënderbeu- por problemi i lindi autorit kur duhej që “shpata” të gjente diçka të madhe me të cilën do të rimohej. Dhe, autori gjeti që “shpata” rri më së miri me fjalën “situata”, duke krijuar një kombinim metaforik që i rri bukur Shqipërisë së realizmit socialist. Në njërën anë “shpata”, simboli mesjetar i nacionalizmit shqiptar, dhe, në anën tjetër “situata”, nga fjalori i analizave të komiteteve të rretheve, Frontit Popullor, Politbyrosë, si në “Situata ndërkombëtare dhe ajo brenda vendit është e ndërlikuar...”. Është ai momenti kur Skënderbeu vesh kostumin gri të sekretarit të Partisë, hipën në “Gaz” dhe niset për në Komitet, për të analizuar bashkëpunimin e të gjithë armiqve të jashtëm të vendit me të gjithë armiqtë e brendshëm të tij.

Dhe meqë situata, siç e dimë, gjithnjë ka qenë e ndërlikuar, ka pasur arsye për të kënduar për mprehjen e shpatës si aktivitet ditor i Enver Hoxhës.

2.

Më tingëlloi kjo këngë kur dëgjova gjatë këtyre ditëve disa prononcime të zyrtarëve të pushtetit në Kosovë lidhur me gjasat e vogla, gati joekzistuese, që sivjet kosovarët të marrin liberalizimin e vizave, diçka që ky pushtet me gojën e Hashim Thaçit pati premtuar se do të ndodhte diku në vitin 2011 dhe pastaj çdo vit pas tij.

e pushtetit thanë se nëse Kosovës nuk i liberalizohen vizat sivjet, atëherë duhet të jenë tri arsye madhore: Evropa ka albanofobi, ajo ka gjithashtu islamofobi dhe në fund fare, si racë superiore e konsideron Kosovën dhe shqiptarët në të si racë inferiore.

Pothuajse në të njëjtën kohë kur u shpjeguan fobitë e pretenduara dhe racizmi i pretenduar evropian në Prishtinë ishte Florence Mangin, drejtoresha për Evropën Kontinentale e Ministrisë së Jashtme franceze. Në intervistën dhënë gazetës “KOHA Ditore” ajo përmendi se Kosova ka një kusht të rëndësishëm për të përmbushur, e ai është sundimi i ligjit e brenda tij luftimi i korrupsionit. Sipas saj, “ka ligje që ende janë në pritje në Parlament, të cilat nuk janë votuar dhe ato ligje ndodhen në Parlament për shumë muaj, madje edhe vjet”, ndërsa ka edhe ligje që janë miratuar në mars dhe prill “por ato në të njëjtën kohë duhet të zbatohen dhe të prodhojnë efekte afatgjate. Arsyeja është se nëse e miraton një ligj dhe pastaj ndërmerr diçka tjetër pa e zbatuar atë ligj, është kjo gënjeshtër para popullit”.

Kjo është ndeshje narracionesh. Në atë të pushtetit bëhet fjalë për një konspiracion kundër racës shqiptare dhe kontingjentit islamik të saj, ndërsa në atë të diplomates bëhet fjalë për indikatorë teknokratikë, siç janë kalimi i ligjeve dhe zbatimi i tyre. Në këtë ndeshje narracionesh takohen, sikur në këngën e Enver Hoxhës, emocioni i shpatës mesjetare (që do të luftojë racizmin antishqiptar) me ngjyrën gri të fjalës “situatë”, pra kushtëzimeve burokratike evropiane.

3.

Shpata e Enver Hoxhës, në fakt, është mprehur gjithnjë në luftë kundër armiqve të jashtëm që duke bashkëpunuar me agjenturat e brendshme donin të thyenin shtetin e vetëm e të vërtetë marksist-leninist në botë. Shpata është mprehur përditë, sepse armiqtë nuk kanë fjetur.

Njerëzit e pushtetit, që janë rritur me këtë dhe këngët e tjera për Enver Hoxhën, janë duke aplikuar një teknikë të ngjashme për përshkrimin e “situatës” në vend. Sikur për çdo problem që kishte Shqipëria (prej mungesës së vezëve deri te mungesa e çdo gjëje tjetër) fajtor ishte armiku i jashtëm, tash për mungesën e liberalizimit të vizave të qytetarëve të Kosovës qenka fajtor një konspiracion i madh evropian, në të cilin gjendet albanofobia, islamofobia dhe racizmi “sipëror”.

Pushteti i Kosovës e ka të vështirë ta mbrojë kështu “situatën”. BE-ja ua ka liberalizuar vizat Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi e Serbisë – gati katër milionë shqiptarëve. Po ashtu, ua ka liberalizuar Bosnjë-Hercegovinës që së bashku me pjesë të Maqedonisë, Malit të Zi e Serbisë përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të popullatës ku shtrihet islami. Ndërsa për punën e “racës sipërore” evropiane nuk ia vlen as të fillohet të bisedohet. Evropa e sotme është produkt, madje produkt i vetëdijshëm, i hedhjes poshtë të idesë për “racë sipërore”; të akuzohen shtetet e Bashkimit Evropian për këtë është ofendim i rëndë që nuk duhet të dalë as si “lapsus linguae”. Aq më tepër, kur vjen nga një kosovar, cilido të jetë ai. Shtetet e Bashkimit Evropian në këta 20 vjet kanë ndihmuar Kosovën dhe shqiptarët në të, përpjesëtimisht, si asnjë vend tjetër në botë. Këto shtete kanë pranuar refugjatë, kanë dhënë ushtarë për çlirimin e vendit dhe krijimin e sigurisë për shtetndërtim e pavarësi, kanë ndihmuar për rindërtimin e shtëpive, fshatrave dhe qyteteve të tij dhe kanë financuar ndihmën për ndërtimin e institucioneve të shtetit.

4.

Kësaj here, Enver Hoxha e ka vështirë të frikësojë kë me shpatë. Sipas diplomates franceze, “Ne të gjithë e dimë se cilat janë elementet e mbetura. Në rast të evoluimit të kornizës ligjore, dhe sidomos zbatimin e saj në praktikë, ka përmirësime afatgjate të sundimit të ligjit në vend”, vendimi për liberalizim do të merrej menjëherë.

Por, sikur atëherë, shpata e Enver Hoxhës nuk është e drejtuar ndaj armiqve të jashtëm. Është e drejtuar kah “armiqtë e brendshëm”, në këtë rast qytetarët e Kosovës. Atyre u shpjegohet nga ana e pushtetit se çdo gjë është përmbushur rreth liberalizimit, por është një fobi ndaj këtij vendi (racës kosovare, shqiptarëve, myslimanëve) që nuk u jep të drejtë të jenë si çdo vend tjetër i Evropës.

Ky narracion fobish e racizmash, sikur shpata e Enver Hoxhës që duhej të fshehte faktin se nuk ka vezë në shitore, sepse sistemi është i çrregulluar, duhet të fshehë se Kosova po trajtohet siç po trajtohet, ngase është një shtet i cili për dhjetë vjet të vlerësimeve të Bashkimit Evropian ka kaluar prej një shteti që po e “konsolidon demokracinë” në “shtet të kapur”.

Kjo është situata.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Brilante!19/11/2018 14:18

Brilante!

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi