OpEd

Multikulturalizmi dhe pluralizmi në Kosovë - një perspektivë nga Kanadaja

Në thelb, ndërtimi i një Kosove diverse dhe gjithëpërfshirëse do të thotë të shohësh përtej identiteteve etnike si shqiptarët, serbët apo romët, për të parë njerëzit e këtij vendi të ri dhe dinamik thjesht si qytetarë të Kosovës. Unë jam i shqetësuar se debati aktual rreth ndryshimit të kufijve po e çon Kosovën më larg nga ky qëllim themelor

Në fund të muajit të kaluar kisha nderin ta shoqëroja një delegacion dypartiak nga grupi i miqësisë Kosovë-Kanada në Kuvendin e Kosovës, të kryesuar nga znj. Mimoza Kusari-Lila, për një vizitë zyrtare në Kanada. Delegacioni me anëtarë nga partitë qeveritare dhe opozitare kishte një program të plotë takimesh produktive me anëtarët e Parlamentit kanadez dhe një gamë të gjerë udhëheqësish të lartë kanadezë.

Kjo ishte një vizitë e rëndësishme, për të rritur profilin e Kosovës në Kanada dhe për të zhvilluar një bashkëpunim të fortë mes dy vendeve tona. Dhe unë kam qenë i kënaqur të shoh, nga të gjithë udhëheqësit kanadezë që u takuan me delegacionin, një mbështetje të qartë dhe të vendosur për Kosovën si një vend dhe partner sovran dhe për Kanadanë. Sidoqoftë, një çështje në veçanti vazhdonte të ngrihej në diskutimet midis dy palëve. Vazhdimisht kanadezët pyesnin: "Çfarë po ndodh në dialogun Beograd-Prishtinë? A është e vërtetë se ka një propozim për të ndryshuar kufijtë e Kosovës?” Do të doja të ndaja disa nga pikëpamjet e mia për këtë pyetje, duke e shqyrtuar çështjen si kanadez dhe si një mik i sinqertë i Kosovës.

Kanadaja është e përkushtuar ndaj vlerave të multikulturalizmit, diversitetit dhe përfshirjes. Jemi të vendosur t’i forcojmë këto vlera në shoqërinë tonë dhe t'i avancojmë në mbarë botën. Ne besojmë se ne jemi më të fortë, jo pavarësisht diversitetit tonë, por pikërisht për shkak të tij. Jam i bindur se ky parim është i vërtetë në Kosovë po aq sa në Kanada.

Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm duke ndërtuar institucione të ndryshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe duke forcuar vlerat e pluralizmit dhe multikulturalizmit. Kam qenë krenar që e mbështes këtë përparim në një mënyrë modeste, përmes projekteve në Kosovë, të dizajnuara për të bashkuar anëtarët e komuniteteve etnike të Kosovës, qofshin gra sipërmarrëse, aktivistë të rinj politikë, atletë ose anëtarë të Forcës së Sigurisë të Kosovës. Unë besoj, bazuar në përvojën time si ambasador gjatë tre vjetëve të kaluar, se Kosova, si një shtet i pavarur dhe multietnik, i integruar plotësisht brenda komunitetit ndërkombëtar dhe që gëzon marrëdhënie normale me të gjithë fqinjët e saj, jo vetëm që është e mundur, por është e pashmangshme.

Njëkohësisht, e pranoj sa i vështirë ka qenë ky progres. Rindërtimi i besimit ndërmjet komuniteteve me një përvojë të konfliktit së fundmi, ka kërkuar guxim dhe bujari të jashtëzakonshme nga ana e liderëve të Kosovës dhe akoma më shumë nga ana e familjeve individuale dhe qytetarëve. Po ashtu, pranoj se puna për të ndërtuar një shoqëri plotësisht gjithëpërfshirëse në Kosovë nuk është e plotë edhe në Kanada, një shoqëri gjithëpërfshirëse mbetet një qëllim, sesa një realitet i arritur.

Nuk është roli i Kanadasë të vërë në pikëpyetje ndonjë marrëveshje midis dy shteteve. Që të dy shtetet janë miq dhe partnerë për Kanadanë, që pasqyron vullnetin demokratik të qytetarëve në të dy anët dhe parimet themelore të ligjit ndërkombëtar. Kanadaja do të mirëpriste, natyrisht, çdo hap që do të çonte në një përmirësim të qëndrueshëm në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin midis Serbisë dhe Kosovës. Dhe, është e arsyeshme të priten ndryshime kur Kosova dhe Serbia një ditë do të caktojnë kufirin mes tyre - ky është një aspekt normal i marrëdhënieve të mira fqinjësore. Për shembull, demarkacioni i fundit i kufirit të Kosovës me Malin e Zi ishte një hap i madh përpara për të dy vendet dhe për aspiratat e tyre të përbashkëta euroatlantike.

Duke thënë të gjitha këto, unë duhet të jem i sinqertë dhe të them se jam i tronditur nga komentet e figurave me ndikim në të dyja anët, të cilat duket se shohin një zgjidhje të shpejtë dhe të thjeshtë në riorganizimin e kufijve të Kosovës dhe Serbisë përgjatë vijave etnike.

Unë besoj se rruga e vetme për marrëdhënie të qëndrueshme dhe të mira në rajon, veçanërisht duke pasur parasysh se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë të përbashkët evropiane, është puna e duruar dhe e vendosur për të siguruar që të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia etnike, të ndihen të përfshirë dhe të kenë mundësi të barabarta në të gjitha aspektet e jetës publike. Kjo përpjekje përfshin ndërtimin e institucioneve kombëtare që reflektojnë plotësisht diversitetin e Kosovës dhe gëzojnë besimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kam parë se kjo është e mundur dhe po ndodh çdo ditë në të gjitha nivelet e shoqërisë kosovare.

Në thelb, ndërtimi i një Kosove diverse dhe gjithëpërfshirëse do të thotë të shohësh përtej identiteteve etnike si shqiptarët, serbët apo romët, për të parë njerëzit e këtij vendi të ri dhe dinamik thjesht si qytetarë të Kosovës. Unë jam i shqetësuar se debati aktual rreth ndryshimit të kufijve po e çon Kosovën më larg nga ky qëllim themelor.

Unë kam pasur shumë mundësi për t'u angazhuar me udhëheqësit e Kosovës, duke përfshirë edhe vizitën në Kanada me anëtarët e Kuvendit pak kohë më parë. Ndërsa Kosova dhe Serbia vazhdojnë me përpjekjet e vështira të dialogut, unë jam i bindur se udhëheqësit e Kosovës dhe qytetarët ndajnë vizionin e një Kosove multietnike që jo vetëm mbron, por edhe feston diversitetin. Kanadaja, si një mik dhe partner thellësisht i angazhuar për këto vlera të njëjta, do të vazhdojë të mbështesë atë vizion në të gjitha aspektet e bashkëpunimit tonë me Kosovën.

(Autori, ambasador i Kanadasë në Kroaci dhe Kosovë, e ka shkruar këtë vështrim ekskluzivisht për botim në “Koha Ditore”)