OpEd

Ideja e korrigjimit të kufirit nuk mbrohet me prothaçizëm!

Për qytetarët e Kosovës është shumë më e rëndësishme e ardhmja e Kosovës sesa e HTH dhe e apologjetëve të tij

Apologjetët poltronë, naivë dhe lojalë të kryetarit të Kosovës në pamundësi për të mbrojtur me argumente idenë e “korrigjimit të kufirit” po e “mbrojnë” HTH. Apologjetët nuk do të shpëtojnë interesin e vet duke menduar si HTH. As ai nuk do ta shpëtojë veten duke i instrumentalizuar lojalistët. Meqë apologjetët vazhdimisht po i marrin si “argument” për mbrojtje rolin dhe pozitën e kryetarit pa dhënë argumente të mirëfillta për idenë e tij, si kritikues publik i shumë veprimeve të tij autoritare dhe idesë së “korrigjimit të kufirit” me Serbinë, e shoh të nevojshme të jap disa vlerësime për të gjithë apologjetët e HTH me shpresë se apologjetët e tij, pavarësisht se çfarë motivi i ka cytur për të dalë në mbrojtje të tij, pavarësisht pasojave që ka shkaktuar dhe shkakton ideja e “korrigjimit të kufirit”, të ballafaqohen me faktet e pasojave reale. Veçmas kur apologjetët si “argument” më të rëndësishëm kundër të gjithë kritikuesve të idesë për “korrigjimin e kufirit” thonë se po merreni me HTH e jo me idenë e “korrigjimit të kufirit” mes Serbisë dhe Kosovës?!

Realisht, opinioni politik e ka kuptuar me kohë rrezikun, pavarësisht propagandës gebelsiane nga instrumentet mediale në shërbim të HTH. Fatkeqësisht reagimi ka qenë shumë i ngathët. Dialogu që ka filluar mbrapsht, nuk kemi pritur se mund të përfundojë mbarë. Prandaj është koha të mbështetet për muri ai, “opsioni i korrigjimit” dhe apologjetët e tij. Ngase nuk ka të drejtë kryetari të nëpërkëmbë, të përdhosë, të thuash, të gjithë, duke i sjellë në lajthitje të tjerët në një anë, dhe duke besuar nga lajthitja se ai do të shpëtojë, në anën tjetër! Lexuesi duhet ta ketë absolutisht të qartë pse kritikuesit e idesë për “korrigjimin e kufirit” të HTH kanë të drejtë, për dallim nga apologjetët e tij servilë?

Së pari, apologjetët kanë të drejtën legjitime për të mbrojtur HTH, pavarësisht nga motivi i tyre. Por jo edhe motivin HTH, ngase ai “është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”. Nuk është e thënë se të gjithë duhet të kemi motive të njëjta. Por çështja e cila po kontestohet ka të bëjë me “sovranitetin dhe integritetin territorial që janë të pacenueshëm, të patjetërsueshëm dhe të pandashëm”. Prandaj duhet për ta mbrojtur të gjithë, pa përjashtim, veçmas presidenti që “përfaqëson Republikën brenda dhe jashtë”. Pikërisht për këtë, vlerësuar nga këndi juridik-politik, apologjia e thaçistëve është e paqëndrueshme. Sa për shkak të idesë, edhe më shumë për shkak se është gjenerues dhe identifikues personal i kësaj ideje si kryetar, pavarësisht se kjo ide është e akademikëve dhe e politikanëve serbë. Pra, ideja e korrigjimit të kufirit nuk mbrohet me prothaçizëm!

Së dyti, të thuash nga fillimi, janë dhënë shpjegime dhe vlerësime ndër më të ndryshme për dialogun shtatëvjeçar, kur,befas, si rrufe, nga qielli i kthjellët HTH e aktualizoi opsionin e “korrigjimit të kufirit”, edhe pse dialogonte për çështje teknike ?! Prandaj, “argumenti se po merremi me HTH “ nuk është trajtuar publikisht për arsye se shumë pasoja që janë analizuar nga kritikuesit e idesë për ‘korrigjimin e kufijve’ kanë qenë domethënëse”. Ndërsa, disa edhe janë aksiomatike. Prandaj nuk kanë pasur nevojë të arsyetohen për qytetarët normalë që bazohen në motive shtetndërtuese, për dallim nga qasja e thaçistëve dhe lajthitja e HTH se “unë vetëm marr dhe asgjë nuk jap”! Ja, derisa MPJ e Kosovës “mburret” me një njohje, hiç më larg se sot kemi edhe një tërheqje të njohjes nga Granada, e cila, sipas Serbisë, është shteti i nëntë që po rishikon tërë procesin e njohjes, derisa të mos “përfundojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë”?!

Së treti, apologjetët e figurës së HTH paradoksalisht po përpiqen për ta mbrojtur duke e ndarë atë edhe nga “brendi” identifikues i tij për “korrigjimin e kufirit” të cilin me vullnet dhe zell të pashoq po e propagandon, për çdo ditë,në të gjitha mediat, në paraqitjet publike të shoqërisë civile, takimet ndërkombëtare, konferenca… Ç’është e vërteta, ka edhe zëra të tjerë margjinalë politikë që kohabitojnë me këtë ide, por ata nuk janë kryetarë të Republikës së Kosovës. Dorën në zemër, ka edhe mbështetës të këtij opsioni që janë aleatë të Serbisë dhe pragmatizimit ndërkombëtar!

Së katërti, meqë numri i apologjetëve të HTH vazhdimisht po i merr si “argument” për mbrojtje rolin dhe pozitën e kryetarit pa dhënë argumente të mirëfillta për idenë e tij, si kritikues publik i shumë veprimeve të tij autoritare dhe idesë së “korrigjimit të kufirit” i ftoj të gjithë apologjetët të dëshmojnë me fakte se kur, ku, si, dhe me kë, është trajtuar dialogu me Serbinë nga një trup uniteti, veçmas ky opsion ?! Fjala është për diskutime, debate publike, konferenca, komisione ku do të dëgjohej spektri i gjerë politik, intelektual, akademik që ka pasur për qëllim një produkt unifikues! Jo për takime konspirative ku, përveç HTH, kanë marrë pjesë ekskluzivisht lojalistët e idesë brenda dhe jashtë Kosovës. Pra, opsioni i “korrigjimit të kufirit” është produkt personal i tij dhe i apologjetëve të tij brenda dhe jashtë. Prandaj, për shkak të tendencës së imponimit personal, apologjisë vasale të opsionit që shkakton pasoja serioze për të ardhmen e Kosovës, po kritikohen opsioni dhe bartësi. Po kritikohet edhe individi, sepse po imponon idenë të cilën e kundërshton shumica absolute ! Fundja, me prothaçizëm nuk mund të mbrohet ideja e “korrigjimit të kufirit”. Përkundrazi, kontestimi po bëhet shumë më i bazuar kur po shohim kush dhe si e pse po e mbron HTH. Por, për qytetarët e Kosovës është shumë më e rëndësishme e ardhmja e Kosovës sesa e HTH dhe e apologjetëve të tij.