OpEd

Antigua & Barbuda na pritni se ne po vijmë!

Ulqinit, Durrësit, Sarandës, Dhërmiut e Velipojës me keqardhje më duhet t’iu them se tash e tutje populli i pasur i Kosovës pushimet verore do t’i kalojë vetëm nëpër ishujt ekzotikë të shpërndarë nëpër oqeanet anembanë globit tonë magjepsës.

E premte, 26.10.2018

Nga Qeveria në poste diplomatike - vazhdojnë emërimet politike të ambasadorëve

Kabllogrami i radhës po, është shumë tendencioz. Po mirë, o njerëz të bekuar, çka pritët ju për njerëzit që u servilosën e u jargosën ndaj shefave të tyre për t’i dërguar për të punuar në “Albi Mall” a? Po jo, ore, se këto punët dipLLOMatike nuk bëhen ashtu. Në zhargonin anglez diplomatik është thënia e vjetër diplomatike “you scratch my back and I scratch yours”, që i bie “ti kruaje shpinën time, unë do ta kruaj tënden”, e që pellazgët e moçëm përveç gjatë larjes me pocërka në shekujt e kaluar dhe praktikimin e kësaj thënieje tani e vendosën edhe në nivelin diplomatik. Mirëpo kruajtjet e shpinave të njëri-tjetrit tek ne e kanë marrë përmasën e zgjebes (lexo zhugës).

Nuk e di cili do të ishte ilaçi i duhur për këtë pandemi, e cila na ka kapluar? Ku e mësuam këtë servilizëm deri në asht? A kemi qenë gjithnjë të tillë, por s’e kemi vërejtur, duke u përballur me probleme më të mëdha si popull, apo, thjesht, përparimi i teknologjisë dhe përhapja aq e shpejtë e lajmeve e bëri që të na dalin të gjitha të këqijat në sipërfaqe? Mirëpo, unë mbetem i brengosur me faktin se si jemi duke u përballur ne si shoqëri me të gjitha këto dukuri. Jemi kapluar nga një letargji latente dhe si shoqëri asgjë më nuk na bën përshtypje, çmenduria është bërë pjesë përbërëse e jetës, krejt jemi në rregull, të gjithat janë të paguara.

E hënë, 29.10.2018

BE: S’ka datë për heqjen e vizave

Këtë prognozë ambasadori juaj në Facebook ua ka dhënë qysh moti me statuset dhe qëndrimet e veta në FB. Me rëndësi është që nja 8100 hektarë i dhamë për “vitra” e tash mundësisht edhe ndonjë korrigjim aty-këtu me Serbinë, edhe vizat do t’i kemi hazër duke na pritur neve me padurim që të vizitojmë Evropën plakë. Lexojeni mirë ju lutem Evropën plakë, jo plakat e Evropës. Plakat e Evropës i konsumuam duku ua blerë të gjitha veturat, pronare të vetme të të cilave ato ishin, dhe duke i shitur ato në pllacet dhe pazaret e veturave anembanë Kosovës. Po nëse Kosova meriton liberalizim të vizave, nëse për asgjë tjetër, atëherë së paku e meriton për faktin se e liroi Evropën nga bërlloku i veturave të vjetra nga rrugët e tyre. Dhe jo vetëm vizat, po edhe Kartonin e gjelbër me atë harxh, e pse jo edhe njohjen e patentë shoferëve. Ahhh, jo se mbasandaj prapë ju lodrojmë poshtë e lart nëpër Evropë me po të njëjtat vetura të vjetra, të cilat ata mezi i hoqën qafesh. Më e sigurt është që ato të qarkullojnë nëpër Kosovë e Shqipëri, mushkëritë e shqiptarit e durojnë edhe këtë.

Me të vërtetë politikanët e Kosovës mendojnë se evropianët janë aq naivë saqë kaçiku i tyre do të luajë me ta. Luftimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar mbetet një nga kriteret nga të cilat BE-ja nuk do të lëshojë pe dhe aty dushk për gogla s’mund t’iu shitet as atyre e as qytetarëve të Kosovës.

në Kosovë vazhdojnë sagat me fëmijët e përkëdhelur të politikanëve, prokurorë të inkriminuar në krim, gjyqësi e zaptuar nga pushteti dhe grupime politike të interesit, përndjekje ligjore ndaj policëve, të cilët lajmërojnë dhe procesojnë raste të pushtetarëve apo familjarëve të tyre. Ndërsa politikanët ende gojën plot kallje vizash deri në fundvit … hmm, më mirë të thosha, politikanët ende gojën plot fekalie mizash deri në fundvit.

E martë, 30.10.2018

Antigua dhe Barbuda heqin vizat për Kosovën

Në takimet e radhës të mbledhjes së Qeverisë, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhane Vuniqi, njoftoi anëtarët e Qeverisë se shteti i Antiguas dhe ai i Barbudas kishin hequr vizat për Kosovën. Jam i sigurt se 90% të pranishmëve aty për emrin e këtij shteti dëgjuan për herë të parë, por s’ka lidhje ajo, tash secili nga ne i kemi telefonat e mençur, në fakt më të mençur se që jemi vetë, dhe kur ne të hapim Google Maps dhe të shkruajmë Antigua dhe Barbuda, do të na hapet një ishull i vogël dikun në Atlantikun e largët, i rrethuar me shumë ishuj të tjerë, atje diku përballë Kubës. Ekzaltimi i zëvendësministres së Punëve të Jashtme gjatë prezantimit të rëndësisë dhe peshës që e bart ky vendim bilateral për heqjen e vizave ndërmjet dy shteteve ishte pothuajse që atje do të shkojmë në mënyrë të organizuar në pushimet verore dhe se tashmë ekskursionet e maturantëve më nuk do të ndodhin në Shqipëri, por maturantët, pasi që gëzojnë kushte aq të mira ekonomike në shtetin e fortë ekonomik siç është Kosova, ekskursionet do t’i kalojnë në Antigua dhe Barbuda. Uroj që sjelljet e tyre të mos jenë sikur të Gjikos dhe Elitës në Ishujt Maldive, dhe që të na e zbardhin fytyrën me gjestet të cilat u kanë hije maturantëve.

Ndërkaq Ulqinit, Durrësit, Sarandës, Dhërmiut e Velipojës me keqardhje më duhet t’iu them se tash e tutje populli i pasur i Kosovës pushimet verore do t’i kalojë vetëm nëpër ishujt ekzotikë të shpërndarë nëpër oqeanet anembanë globit tonë magjepsës.

Lexues të dashur të ditarit tim, desha që edhe ju të ekzaltoheshit pak nga ky lajm aq i mirëpritur dhe i shumëpritur i popullatës së pafajshme civile të Kosovës, mirëpo mos i mprihni dhëmbët shumë, përveç nëse jeni bartës të pasaportës diplomatike të Kosovës, siç jam unë, për shembull. Heqja e vizave vlen vetëm për bartësit e pasaportave diplomatike kosovare. Plas moj zemër e dalldisur …!

P.S. Lajm shtesë nga kabllogrami më i ri, të cilin e pranova, është se maturantëve të Kosovës mund t’iu ndalohet edhe shkuarja në ekskursion në Shqipëri nga ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyqi, me arsyetimin se maturantët atje po përdorin alkool e nuk përjashtohet edhe përdorimi i narkotikëve.

E mërkurë, 31.10.2018

Avokatët thonë se vizita e kryeprokurorit lidhet me ngritjen e aktakuzave nga Prokuroria Speciale

Prapë një kabllogram ashtu “tendencioz”. Në të gjithë karrierën time diplomatike nga situatat e përfshira me prokurorët dhe të akuzuarit e tyre zakonisht prokurorët interesohen për dietën e të akuzuarve, gustot e tyre dhe për nevojat speciale të tyre për lifestyle-in në birucë.

E emrat potencialë të përfolur aq kohë të gjatë për akuzat nga Prokuroria Speciale, po që kanë një gusto dhe lifestyle të veçantë. Vetëm përcjellja e lajmeve dhe e portaleve nuk mjaftojnë që prokurori të njoftohet me to. Atij i duhet një vëzhgim nga afër, nga vendi i ngjarjes. Në fakt, as nuk i ka takuar personalisht, por ashtu i vëzhgon si paparazi që të jetë sa më spontan me njoftimin e lifestyleve të tyre dhe adaptimin e kushteve kur një ditë të jenë në bankën e të akuzuarve e ditët t’i kalojnë në birucat e Shweningenit apo gjëkundi tjetër. Jo, nuk i gëzohem arrestimit të ish-eprorëve të UÇK-së me pretekstin e kryerjes së krimeve të luftës, ata meritojnë arrestime për të këqijat që ia sollën Kosovës së pasluftës, por ne nuk ishim të fortë të përballeshim me të vërtetën e hidhur, të cilën na e faturuan ata që na “çliruan”, dhe në emër të atij “çlirimi” nuk lanë gjë pa e degraduar, pa e shkatërruar e pa e vjedhur në këtë vend të gjorë.

E ti, që je duke u bërë nervoz me këtë shkrim në ditarin tim, nuk je asgjë më shumë se një nga ata servilët që je duke pritur rend për emërim ambasadori apo diplomati diku në ambasadat e Kosovës nëpër botë, apo, thjesht, ndonjë asht tjetër që shefat e tu do ta hedhin në sahanin e servilitetit.

YE (Kanye West) kthehet kundër presidentit Trump

Kabllogrami i radhës është nga ngjarjet nëpër botë. Nuk kaluan as dy javë të plota dhe Kanye West apo tashmë i njohur me emrin e tij të ri Ye, pas përafrimit me presidentin Trump, fjalimit të tij dhe rrahjes së tavolinës me grushte, duke bërë fjalim politik në Shtëpinë e Bardhë, bën një kthesë të madhe dhe tani deklaron se ai ishte shfrytëzuar nga presidenti Trump dhe se tani e tutje ai do të distancohet nga deklarimet e veta politike dhe nga politika në përgjithësi, dhe se do t’i kthehet krijimtarisë së vet “kreative”.

Në këtë pikë presidenti Thaçi mund t’ia shesë presidentit Trump doracakun “Si ta mbash një reper pranë vetes për 15+ vjet”? Presidenti Trump do të kishte shumëçka për të mësuar aty. Ye, ministër i Bujqësisë, Ye, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ye, kongresmen, Ye, mysafir në debate të shumta televizive. Ye, shef i Grupit parlamentar të kongresmenëve në Senatin Amerikan. Ye, zëvendëskryetar i Partisë Republikane të Amerikës, Ye, kriptoentuziast. Kështu mbahet reperi pranë vetes, o Donald. Jo veç për t’ia dhënë kënaqësinë për të dalë me ty në televizor e për të të lavdëruar. Donald, e ke harruar atë thënien që është alfa dhe omega e dipLLOMacisë, “you scratch my back and I scratch yours”.